ARTISTËT DHE SHQIPËRIA ETNIKE
“Mund t’i ndërrojnë ligjet dhe fetë, por racën dhe gjuhën kurrë”,- ishte shprehur kështu dikur një dijetar i urtë i kohës. Pa dyshim, kjo maksimë e qëlluar, si më së miri mund t’i përshtatet edhe realitetit tonë shqiptar.
Jo moti, në qytetin e lashtë dhe të bukur të Prizrenit, për një vizitë miqësore, kishte ardhur muzikanti dhe rokeri i mirënjohur gjithëshqiptar, Bojken Lako. Ai, me këtë rast, gjatë një interviste të bërë për medie, në pyetjen e gazetares së një stacion lokal televiziv se, krahasuar me Shqipërinë, si po e ndjen veten këtu në Kosovë? Përgjigja e tij ka qenë e thjeshtë, e shkurtë, tejet konkrete dhe domethënëse : Ndjehem njëjtë! Nuk ka dallime, sepse edhe Kosova është Shqipëri!
Ashtu, pra! Të lumtë Bojken! Edhe Kosova është Shqipëri! Dhe, pa dyshim, nga të gjitha shtresat elite intelektuale të një shoqëria, krijuesit janë ata që përmes mënyrës së komunikimit të tyre artistik, gjithnjë si kasnec të parë, i kanë paraprirë dhe i paraprinë denoncimit publik dhe artikulimit pa paragjykime të çdo shqetësimi dhe synimi kombëtar të një populli. Ndoshta, mund ta paramendosh një politikan në anën e kundër të këtij tabori, por kurrsesi një artist të madh dhe të mirëfilltë të një populli.
“Ngjanë të ketë edhe “krijues sistemi” që i shërbejnë politikave ditore”, - ka mundësi të më bëj vërejtje dikush me këtë rast, por, unë, assesi nuk do të pajtohem me të. Për mua “krijues sistemi” jenë vetëm disa mediokër të kohës dhe të rastit, të cilët, të nxitur nga lakmitë egocentrike për poste dhe avancime të shpejta dhe pa merita shoqërore, talentin e vetë të dyshimtë nga kjo fushe sublime të dijes, e sakrifikojnë si në një lojë të sigurt humbëse bixhozi.
Në fakt, ata nuk janë artist por “argat” të politikave ditorë të cilat patjetër me kohë vdesin. Fatkeqësisht, këso “talenti” kemi pasur dhe kemi ende edhe ne si popull. Bile-bile, mjaftë sosh. Por, vetë fakti se sa ata janë të njohura, apo shumë të panjohur në popull, e vërteton edhe më bindshëm këtë tezë. Ju lutem, si shembull, vetëm krahasojeni nivelin letrar të një qelbësire “shkrimtari” të sistemit, siç ishte Sinan Hasani, me emra tjerë të mëdhenj dhe të pavdekshëm të artit dhe krijimtarisë tonë të mirëfilltë kombëtare, karshi të cilëve, me pietet të madh përkulen breza e breza gjeneratash !!
“Syri se sheh syrin, matanë hundës, zemra e sheh zemrën, matanë malit”, - është shprehur dikur kështu, kolosi ynë i letrave, Jakov Xoxa. E saktë, pa dyshim! Sepse, në mesin e trungut tonë të çarë në copëza, artisi i mirëfilltë shqiptar, nuk duhet të sheh tela me gjemba, postblloqe, dogana ndërmjet... apo, atë marrëzi të ndarjes tonë qindvjeçare të quajtur KUFI. Ai, në këtë ecje të vet krijuese, kurrë nuk duhet llogaris se bënë kalim, por qarkullim. Një qarkullim aq të natyrshëm, mu sikur gjaku që lëviz lirshëm nëpër trup.
Po të kesh talent, letë është të bëhesh edhe artist i mirëfilltë. Mjafton vetëm të qëndrosh një kohë në heshtje; i përqendruar me përsiatje në thellësinë e brendësisë së UNË-it tënd.; aty në strofullin gjenetik të prototipave tu... E më pas si vegim, vetvetiu në koshiencën tënde do të gufoj fuqishëm ai zë intuitiv mijëvjeçar i brezave si porosi: “Jemi tërësi e një lashtësie të largët, biro, prandaj, kurrë nuk mund të na ndaj kush?!” Ky zë i brendshëm duhet të jetë frymëzimi yt bazë jetësor, artist! Rruga jote e besimit dhe sakrificës, në të cilën kurrë gjatë krijimtarisë sate nuk duhet të dyshosh, poet!
Prandaj, zgjidhe shtegtimin tënd të vërtetë, o gjaku im! Qarkullo lirshëm në trupin tënd, dhe pa hezitim! Sepse, koha e revidimit të padrejtësisë, e eliminimit të frikës dhe hamendësisë, dhe, më në fund,.vënia në vendin e merituar të këtij visarit më të çmuar të lashtësisë, si duket po realizohet, krijues...!
Adnan Abrashi
Krijoni Kontakt