13.
Funksionimi i vendit tonë është i mistifikuar me kute të pamatshme. I tërë funksionimi ynë shoqëror i ngjan pak a shumë relacionit tonë me rrymën. Në ditët kur restriksionet janë të gjata, kënaqemi me orarin 3 orë me rrymë e 3 pa të. Kur bëhet 4 me 2 punët i kemi edhe më mirë. E njëjta gjë ndodh edhe me funksionimin sistemor; para një viti ishte kënaqësi e vërtetë zgjedhja e Kuvendit të parë demokratik në Kosovë. Sot kërkojmë që ky Kuvend të bëjë gjë, dhe i gëzohemi faktit se e kalon një ligj a dy. Nesër do të kënaqemi me dhjetë ligje që i kalon. Kur nuk ke shtet, bën njëjtë si me rrymën: me aq sa ka, me aq kënaqesh, sepse e di se mund të mbetesh edhe pa aq. Atë që nuk e kemi të përmbyllur është tërësia konceptuale: ne nuk kemi as sistem politik, as ekonomik, as energjetik, as kurrfarë tjetër. Kemi improvizim, tashmë pak më të elaboruar se para tre vjetësh, por ende improvizim. Te popullata vendëse, janë dy efekte që e mbajnë të gjallë këtë gjendje: ndjenja e lirisë dhe shpresa për pavarësinë. Ndjenja e lirisë, e ndier për herë të parë në historinë e këtij populli, është gradualisht duke u shndërruar në ndjenjë të nënvetëdijshme, do të thotë se e marrim lirinë, lirinë nga shtypja si një ndjenjë natyrale, jo si një ndjenjë të fituar vetëm para tre vjetësh. Dhe kjo është mirë, është mirë për një gjeneratë të tërë të rritet me ndjenjën se lirinë e ka të lindur. Shpresa për pavarësinë apo siç thuhet, çështja e statusit, megjithatë, ka dalë prej nënvetëdijes, dhe po artikulohet pak më zëshëm. Ky është një proces që nuk frenohet derisa të konsumohet. Dhe do të forcohet me çdo ditë joefikasiteti administrativ në Kosovë. Ti je përpjekur që të ballafaqohesh me këtë çështje fillimisht me të drejtë, duke nxjerrë në shesh standardet. Më vonë, je mbrojtur me Rezolutën 1244 dhe u ke dhënë drejtim politikanëve kosovarë që kërkesat e tyre rreth statusit t’i drejtojnë Këshillit të Sigurimit, i cili në instancë të fundit, do të vendosë rreth çështjes së statusit. Siç nuk u pajtova me përmbajtjen konceptuale të standardeve, nuk pajtohem me ty rreth Këshillit të Sigurimit. Në fakt, në bazë të Rezolutës 1244 Këshilli i Sigurimit ka obligim të gjejë organizimin e formës së definimit të statusit (duke marrë parasysh Rambouilletin), por jo edhe të vendosë për këtë status. Çka do të thotë ky formulim diplomatik? Thelbësisht se në vitet e administrimit të UNMIK-ut, dhe në bazë të rrethanave në Kosovë, Serbi e më gjerë, do të gjendet një formë me të cilën do përmbushur aspiratat e shumicës së kosovarëve me nevojat për siguri dhe stabilitet në rajon. Në këtë proces fare pak do të ketë Këshill të Sigurimit e më shumë do të ketë dy faktorë kyç ndërkombëtarë determinues: nevoja e SHBA-së për një stabilitet ballkanik dhe procesi integrativ evropian si projekti më i madh stabilizues i kontinentit që kemi njohur ndonjëherë. Brenda këtij konstelacioni, do të hyjë edhe nevoja e dialogut amerikano-rus dhe evropiano-rus, në mënyrë që Rusia të jetë pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit.
14.
Nëse janë këta dy faktorët themelorë ndërkombëtarë, atëherë rruga e definimit të statusit që tani ka filluar. Nga njëra anë, angazhimi amerikan në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore do të kërkojë masa plotësuese politike për stabilizimin e Ballkanit, e nga ana tjetër, siç kemi parë, nuk ka efekt më të madh stabilizues në shtetet ish-komuniste sesa procesi i tranformimit të shteteve në përgatitje për integrim në BE. Në këtë kontekst, Kosova ballafaqohet me dy caqe të përputhshme: që të transformohet drejt standardeve të BE-së në mënyrë që ta fitojë statusin e vet të merituar të pavarur, por njëkohësisht që të definojë pozicionin e vet post-statusor, e kjo do të thotë integrimin në Bashkimin Evropian. Vënë kështu, dilema e ardhmërisë së statusit të Kosovës karshi penguesit kryesor të këtij procesi është se si të krijohet rruga ku Kosova dhe Serbia do të jenë përfundimisht anëtare të barabarta të BEsë, në bazë të meritave vetjake. Ndërsa dilema kryesore e transformimit të brendshëm të Kosovës nuk është se a duhet të përmbushen standardet e një kryeadministratori a jo, por si të ndërtohet një shtet efikas demokratik në Kosovë, me parametra të matshëm evropianë. A nuk e thjeshtëson një qasje e këtillë tërë paralizën nëpër të cilën po kalojmë? Kosova ka kaluar shekuj të tërë modelesh eksperimentale qeverisjeje, prej Perandorisë Otomane e deri tek autonomia vetëqeverisëse dhe më pastaj sistemi i aparteidit. Kosova tashmë është lodhur me këso lloj modelesh eksperimentale. A mund të krijojmë një model të qëndrueshëm dhe të matshëm rritjeje? A nuk e ofron këtë sot procesi integrativ evropian, i ciloi transformoi shoqëritë post-diktatoriale, qoftë të Lindjes e qoftë të Perëndimit në shoqëri propulzive?
15.
Paradoksi i sotëm kosovar, e njëkohësisht edhe sfida, nuk është konflikti mes administratës së UNMIK-ut dhe çështjes së statusit të përhershëm të Kosovës si shtet. Por, është mes kulmit të arritur të këtij modeli të qeverisjes (a mosqeverisjes) dhe nevojës historike që ka Kosova të jetë anëtare e BE-së në fund të këtij dhjetëvjetëshi. Flasim për dy skajmshmëri: në të parën, Kosova administrohet pak a shumë me improvizim. Në të dytën, Kosova merr pjesë në kontinentin evropian si njësi e barabartë me të tjerët, si për nga koncepti i administrimit e deri te vlerat civilizuese. Përmbyllja e zgjerimit të Evropës ka gjasa të ndodhë në këtë dhjetëvjetësh, me përfshirjen e tërë Ballkanit në të, dhe Kosova, e cila më 1999 me intervenimin e NATO-s u ritkhye në folenë e vet të civilizimit perëndimor, nuk mund të ikë jashtë kësaj ngjarjeje historike.
16.
Në fillim të këtij viti, kur erdhe në Kosovë, të thashë se për Kosovën je njeriu i duhur në kohën e duhur. Këtë mendim nuk e kam ndryshuar gjatë këtij viti, dhe mendoj se në këto dhjetë muaj ke prekur disa prej pikave kyçe themelore të jetës sonë shoqërore, nga privatizimi e deri te Mitrovica. Por, modeli i kësaj qeverisjeje, gjegjësisht mosqeverisjeje, është konsumuar. Gjërat nuk mund të preken më në sipërfaqe, Kosovës i nevojitet transformim i thellës strukturor. Kjo në thelb do të thotë se do ndryshuar strukturën e vendimmarrjes, strukturën ekonomike, dinamikën politike... Në këtë ndryshim, ti ke dy role që mund të luash me sukses. I pari është që vendi yt i punës të jetë ngjashëm me atë të kreut të shtetit, i cili mban të drejtën e vetos në legjislacion, por nuk është njëkohësisht shef i ekzekutivit, gjyqësorit, ndërmarrjes energjetike, asaj banesore etj. I dyti është të jesh urë për një konsensus të ri mes Kosovës dhe Bashkësisë evroatlantike. Një konsensus, i cili do të krijojë integrimin evro-atlantik model të zhvillimit të shoqërisë sonë, dhe bazat e të cilit duhet t’i hedhin vetë kosovarët. Me shpresë se do t’i kalosh Kërshëndellat në paqe e rreth të ngrohtë, të uroj shëndet të mirë e lumturi në vitin e ardhshëm!
Vetoni

Te ghitha pjeset e letres se Veton Surroit drejtuar kryeadministratorit Michael Steiner jane marre nga Koha Ditore.