Letra "pergezuese" e Veton Surroit drejtuar kryeadministratorit te Kosoves, Michael Steiner, filloi te botohet sot ne te perditshmen Koha Ditore. Kjo eshte pjesa e pare. Do te kete disa vazhdime. Nese mengjesi eshte treguesi me i mire se si do te veje dita, atehere me siguri se ne Kosove do te jete nje nxehtesi qe i kalon suazat e normales.
Na prifshin te mbarat! (per Krishtlindje e kam fjalen )
Shëtitja e gicit në oborr të xhamisë
Fillimi i shekullit: Letër Kërshëndellash për Michael Steinerin
VETON SURROI
1.
I nderuari Michael, Të pashë para disa ditësh në pritjen e organizuar për delegacionin e Këshillit të Sigurimit, por nuk arritëm të bisedojmë. Megjithatë, për mua ishte një ceremonial plot domethënie. Ndërsa fliste ambasadori norvegjez, në cilësi të kryesuesit, dëgjoja me vëmendje fjalët e tij dhe thekset mbi pikat kyçe. Arrita të nënvizoj dy simbole themelore nga fjalët e tij. E para ishte sundimi i ligjit, dhe ndërsa dëgjoja elaborimin që e bënte njeriu i cili ka lindur dhe do të vdesë në një vend ku sundon ligji, më ra në mend paradoksi ceremonial. Këtë e bënte në një sallë hoteli të ri prishtinas që u ndërtua pa leje dhe me mungesë të madhe transparence për prejardhjen e parave. Të flasësh për sundim ligji në një ambient të këtillë i gjason pak a shumë shëtitjes me gicin nëpër oborr të xhamisë. Simboli tjetër i norvegjezit është motoja jote “standardet para statusit”, të cilën ai e përsëriti me ritualin që tashmë është shndërruar në religjioz. Me këtë, si edhe me çdo ritual tjetër religjioz, ai dhe shumë të tjerë para tij a pas tij, në fakt reflektojnë se besojnë në këtë gjë dhe se nuk e vënë në pyetje, e as që duan ta bëjnë. Simboli i tretë i kësaj nate nuk erdhi nga fjalët por veprat. Në një moment u ndalën dritat dhe kaluam ca momente në terr duke e pritur aktivizimin e gjeneratorit. Ky m’u duk simboli më i fortë: në podium me ambasadorin norvegjez ishe ti duke marrë lëvdata për punën e bërë, në auditorium ishin përfaqësuesit e institucioneve kosovare të cilët merrnin porosi se çka duhet të bëjnë, dhe pas tërë kësaj, një kthim për të gjithë ne në realitetin tonë të përditshëm të territ. E tërë loja e simboleve ndodhte në kontekstin e vet teatral: në fund të këtij viti e në Kosovë, figura pa dyshim më e fuqishme për nga energjia e punës, intelekti dhe devotshmëria ndaj misionit publik je ti. Paradoksalisht, suksesi yt i madh mund të jetë njëkohësisht edhe faji yt ngase përshkrimi i vendit tënd të punës është krejtësisht i kundërt: është ai që gradualisht të të shohim gjithnjë më pak, e kosovarët gjithnjë më të fuqishëm.
2.
Ca javë para kësaj pritje të pashë në TV, se si ishe mbledhur me Komitetin për Energjetikë. Të gjithë të buzëqeshur dhe të kënaqur shpallnit se gjërat shkonin mirë me përgatitjet për Kosovën B, përkatësisht se vendi ynë do të kishte së shpejti më shumë rrymë. Edhe këtu një simbol. Në to ti, bashkëpunëtorët tu, ndonjë zyrtar kosovar dhe ndonjë komandant i KFOR-it, dilnin në ekranet tona, ndërsa lexuesi i lajmeve na thotë se po ecën përpara çështja e rrymës, ekonomisë, arsimit, këtij apo atij ligji, decentralizimi, etj. Dhe, gjithnjë është një Komitet i kësaj, apo i asaj fushe. Natyrisht, të gjithë e dimë si i kemi punët me rrymën, dhe po ashtu natyrisht, këto probleme as kanë filluar me ardhjen tënde në Kosovë e as do të përfundojnë me shkuarjen tënde prej Kosovës. Por, për mua me interes janë dy gjëra. E para, se ndonjë ditë më parë kisha dëgjuar se Komiteti yt i energjetikës kishte shpallur rezultate pozitive, gjë tashmë e bërë e rëndomtë kurdo që të mblidhet ndonjë Komitet i këtillë, dhe e dyta se tërë këto ditë kisha menduar se kë duhet ta fajësoj për këtë krizë energjetike, e ky kërkim vetvetiu solli një analizë të sistemit të vendimmarrjes në Kosovën e pasluftës. Në rrethana paksa normale, qytetarët do të ishin të gjithë të nevrikosur, kjo nervozë do të arrinte në Parlament, Parlamenti do të kërkonte përgjigje prej Qeverisë ndërsa Qeveria do të merrte mbi vete ose ndryshimin e strukturës udhëheqëse, ose vendosjen e masave emergjente. Në rast të dështimit, me apo pa faj, siç ndodh shpesh në politikë, do të binte koka e ministrit përgjegjës. Zura veten në buzëqeshje kur mendoja se si do të mund të aplikohej kjo rrugë. Paramendo Parlamentin tonë të kërkojë përgjegjësi prej Qeverisë, e Qeveria të kërkojë përgjegjësi prej ministrit resorial që të ndryshojë gjendjen... Përse? Kuvendi i Kosovës di më pak për KEK-un se cilido gazetar që raporton për të, e ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka aq kompetenca mbi KEK-un sa ka Kosova kontroll mbi të drejtat lundruese në Gjirin Arabik. Pra, mbetet që ta fajësoj Komitetin Energjetik. Por, as kjo nuk është e qëlluar ngase në këtë Komiteti rrijnë Bajram Rexhepi dhe gjenerali Minni, të cilët marrin pjesë në këtë mbledhje për t’u informuar prej teje se si venë punët. Pra, në fund, mbetesh ti..
3.
Bëre tri gjëra kur ra rrufeja mbi Kosovën B në verë të këtij viti. Shpalle Zotin fajtor, solle një top-manager nga Gjermania dhe formove një Komitet për Energjetikë, i cili do të merrej në formë afatgjate jo vetëm me KEK-un, por me tërë politikën energjetike të Kosovës. Për të parën gjë nuk kishe të drejtë. Me punë të Zotit duhej të merreshin pak më seriozisht teologët dhe sherbëtorët e Zotit, e më duket që me gjithë përpjekjen që e investojnë edhe teologët e edhe shërbëtorët, vështirë se mund të ketë instruksione biblike, talmudike apo të Koranit mbi mirëmbajtjen e rrufepritësve. Të dytën e bëre me efikasitetin që të ka karakterizuar prejse ke ardhur në Kosovë. Ke këmbëngulur që të vijë eksperti dhe ka ardhur. Të tretën e le për përdorim të përditshëm. Komiteti për Energjetikë (tashmë i harruar mandati i tij) do të duhej të formësonte bazat e politikës energjetike në Kosovë. Ai i vuri disa pika në letër, që mbase ruhen ende në ndonjë skedar, por ndërkohë Komiteti u bë rast i mirë për buzëqeshje urimi për sukseset e arritura në zhvillimin e energjetikës kosovare. Kështu, të tri gjërat që i bëre, në fakt i shërbyen vetëm një qëllimi: le të riparohet, sidoqoftë, KEK-u dhe të kemi, aq sa është e mundur prej tij, rrymë. Në fund, le të shënohet se në Kosovë është arritur edhe një sukses.
(Nesër: UNMIK-u ngarend pas vitit 1989, Kosova kah gjendja e pazotësisë)
Edhe kesaj rradhe burimi i postimeve te mija ne forum eshte:
KOHA DITORE
:D
Krijoni Kontakt