Gruevski pranon presionet ndërkombëtare për zgjidhjen e emrit
Kryeministri Nikolla Gruevski ka pranuar se ka presione të faktorëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
“Ka presione për të mbyllur çështjen e emrit, me qëllim që vendi sa më shpejt të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri Gruevski pas takimit me partitë e koalicionit qeveritar, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për afatizime për zgjidhjen e kësaj çështje. “Lidhur me emrin vazhdimisht kemi konsultime në kreun shtetëror dhe pritet përfundimi i zgjedhjeve evropiane në Greqi, si dhe hapi i mëtejshëm i ndërmjetësit Metju Nimic”, ka theksuar Gruevski.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që cilado parti shqiptare që dëshiron të ndihmojë për kontestin e emrit të kyçet në këtë proces.
Gruevski lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka nënvizuar se gjatë kohë Qeveria i ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave dhe se sipas tij raporti i KE-së ka treguar se Qeveria me sukses ka kryer punët.
(INA)
Krijoni Kontakt