Një konflikt i nisur që para dy vjetëve ka përfunduar me vrasjen e një 46-vjeçari nga fshati Shtoj i Shkodrës. Refuzimi për fejesën e vajzës së tij me një nga djemtë e familjes Dhampiri, i ka kushtuar jetën Hysen Shpuzës. Ndërsa ishte duke bërë pazar në tregun e shumicës së Dobraçit, Shpuza është qëlluar me 6 plumba në trup. Ai ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, vetëm 30 minuta pas ngjarjes. Ndërkohë, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se viktima u ekzekutua për hakmarrje nga djali i vogël i familjes së fqinjit të tij, Besmir Dhampiri. Mësohet se 21-vjeçari është shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për arrestimin e tij. Vrasja e shënuar ditën e djeshme ishte "paralajmëruar" që më parë. Kjo për faktin se viktima kishte denoncuar djemtë e familjes Dhampiri. Ndërsa blutë ishin dhe në dijeni të sherreve dhe përplasjeve me dhunë mes dy familjeve në fjalë.
VRASJA
Rreh orës 10:00, Hysen Shpuza nga Shtoji (fshati ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit të Shkodrës), ka shkuar për të blerë mallra ushqimorë në tregun e shumicës së Dobraçit (në periferi të qytetit verior). Teksa ishte duke bërë pazar, Shpuzës i është afruar një i ri dhe e ka qëlluar 6 herë me pistoletë. 46-vjeçari është shtrirë mes një pellgu të madh gjaku, kurse tregtarët dhe dhjetëra qytetarë shkodranë janë përfshirë nga paniku. I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin e Shkodrës, ku i është nënshtruar dhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët, Hysen Shpuza nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas bluzave të bardha, viktima humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe të gjakut nga plumbat që kishte marrë në bark. Vrasësi është larguar me shpejtësi të madhe. E alarmuar, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, ka bërë publike dhe emrin e autorit të krimit, Besmir Dhampiri. Dyshohet se ekzekutori është ndihmuar nga persona të tjerë për t'u larguar nga vendi ku bëri vrasjen.
KONFLIKTI MES DY
FAMILJEVE
Në vitin 2006, familjet Shpuza dhe Dhampiri, të cilat jetojnë në të njëjtin fshat, rreth 300 metra larg njëra-tjetrës, kanë hyrë në konflikt. Sherri ka nisur, pasi një nga djemtë e familjes Dhampiri (Alberti) ka kërkuar që të fejohej me vajzën e Hysen Shpuzës. Por kryefamiljari refuzoi dorën e së bijës. Më pas nisën konfliktet mes palëve. Më 13 mars 2006, dy vëllezërit Dhampiri hynë në shtëpinë e Shpuzës për të marrë vajzën. Më 13 prill të këtij viti, Hysni Dhampiri qëllohet me armë, ndërsa ishte në lokal, por shpëton. Nga ana tjetër, Hysen Shpuza bën denoncim kundër vëllezërve Dhampiri në polici, duke u shprehur se duan t'i grabisin vajzën minorene. Ndërkohë, më 10 korrik plagoset vëllai i Hysniut, Hamza Shpuza. Më 19 korrik të 2006-ës, situata acarohet akoma më shumë. Dy vëllezërit, Albert dhe Ermal Dhampiri rrëmbejnë vajzën dhe largohen bashkë me të në Shakotë, një fshat disi i izoluar në Komunën e Postrribës. Pas denoncimit të babait të vajzës, policia rrethon zonën. Efektivat blu lirojnë minorenen, ndërsa nis aksioni për kapjen e autorëve të krimit. Disa muaj më pas arrestohet Ermal Dhampiri e më pas vëllezërit e tij, Bledari e Alberti. Ndaj tyre rëndonin akuza të rënda, si "tentativë për vrasje", "kundërshtim me armë i forcave të rendit" e "armëmbajtje pa leje". Por pas hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Shkodrës vendosi lënien të lirë të Bledar Dhampirit, dënimin me 2 vjet e tre muaj të Ermal Dhampirit dhe 4 vite burg për Albert Dhampirin. Aktualisht, në burg është vetëm Alberti, pasi Ermali është liruar (ka kryer dënimin e dhënë).
http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=43089
Krijoni Kontakt