Ibni Xehvzi thotë: "Kam menduar rreth smirës ndërmjet dijetarëve dhe kam vërejtur që ajo krijohet nga dashuria për dynjanë, sepse dijetarët e ahiretit e duan njëri-tjetrin dhe nuk kanë smirë ndërmjet tyre.
Njohja e shkaqeve të përqasjes ndihmon që ne të diagnostifikojmë sëmundjen për tu bërë gati që ta shërojmë. Njohja e këtyre shkaqeve është e domosdoshme, se shumë nga ne e themi të njëjtën fjalë "bashkimi" por nuk e dimë se bimë vetë në ndonjërën nga këto shkaqe dhe kontribuojmë në përçarje. Fundja kjo bëhet edhe mbi parimin e vendosur nga thënia që e përmend Hudhejfe Ibn Jemame i cili thotë: Të gjithë e pyesnin Pejgamberin s.a.s për hallallet e unë e pyesja për të ndaluarat me qëllim që të ruhesha e mos te bija në to.
Ndër shkaqet e përçarjes janë.
1. Mos njohja e rëndësisë së bashkimit. Fatkeqësisht sot shumë musliman nuk e dinë vlerën e xhematit (bashkësisë). Pejgamberi s.a.s ka thënë: "Dora (ndihma) e Allahut është me xhematin". Po ashtu ka thënë: "Kush e do zemrën e xhenetit le ti përmbahet xhematit". Prandaj duhet ta dimë qartë, dhe shumë qartë se pa bashkim nuk ka fitore ashtu si edhe nuk fitore në zemrën e xhenetit pa qenë te bashkuar.
2. Mos njohja e pasojave të përçarjes. Sot përçahen muslimanët për gjëra shumë të vogla. Pjesëtarët e Ummetit nuk flasin me njëri tjetrin e as nuk japin selam, për shkak të akuzimeve të njëri tjetrit me kufr (pa fe) dhe fisk (mëkatar i madh). Të gjitha këto po ndodhin si shkak se nuk jemi mirë duke analizuar se çfarë pasojash po na sjell përçarja dhe ndarja jonë. Në vazhdim do të përmendim disa nga pasojat më të mëdha të përçarjes.
a. Humbja e begative të shumta nga Allahu.Transmeton Ubade ibni Samiti se doli Pejgamberi a.s që të na lajmëroj për natën e Kadrit, por po sa doli u grinden dy musliman, e Muhammedi a.s tha: "Dola që tu tregoj e të ju lajmëroj për natën e Kadrit, porse u grinden filani dhe filani, prandaj u ngrit kjo dije (e harrova) ndoshta do të jetë me mirë për ju. Kërkojeni atë në të 29,27, dhe të 25. (Buharu dhe Muslim)
b. Dobësia e Ummetit dhe pësimi i disfatave. Thotë Allahu në Kuran ":. mos u përçani mes vete e të dobësoheni e të humbni fuqinë...(El-Enfal 46)
A nuk ishte humbja e Uhudit vetëm se si pasojë e:
1. përçarjes
2. dhënies pas dynjasë dhe
3. thyerjes së urdhërit të Muhammedit s.a.s.
Thotë Allahu s.t në Kuran "All-llahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata (me shpata) deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit (prenë e luftës), e atëherë kundërshtuat (urdhrin e Pejgamberit). Pati prej jush që e deshën këtë jetë (ata që u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër. Pastaj, për t'ju sprovuar u zmbrapsi juve nga ata. Po All-llahu u fali juve; All-llahu është dhurues i madh ndaj besimtarëve" (Ali Imran 152).
Përçarja është si rezultat i dhënies pas dynjasë dhe i thyerjes së urdhrit të Allahut dhe urdhrit të Muhammedit s.a.s, prandaj është një zinxhir mëkatesh e jo vetëm një. Sa ishin muslimawt të bashkuar çlironin vende dhe ndriçonin zemrat e njerëzve me Nurin - Fenë e Allahut, ndriçoni mendjet e tyre pasi të vetët i kishin të ndriçuara me shkencë dhe dituri. Sot mbesim të ndryshojmë gjendjen tonë dhe të lusim Allahun xh.sh për ndihmë.
c. Humbja e shpërblimeve të mëdha. Thotë Muhammedi s.a.s: "Punët paraqiten çdo të hënë dhe çdo të enjte, Allahu falë çdo person përveç atij personi që ndërmjet tij dhe ndërmjet vëllait të tij ka armiqësi, grindje dhe urrejtje". Thotë Allahu: "Lërini këta të dy deri sa të pajtohen" (Muslimi). Po ashtu thotë Muhammedi s.a.s: "Allahu i vështron të gjitha krijesat e Tij në natën e gjysmës së muajit Shaban dhe i fal të gjitha krijesat, përveç idhujtarët dhe atij që bënë armiqësi, grindje dhe përçarje me muslimanët (Sahihu Tegrib ue Terhib)
d. Hapja luftë Allahut. Thotë Allahu xh.sh në Kuran: "E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtor, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh" (El-Ahzab 58).
Ta kuptojmë qartë se përçarja nuk vjen nga rasti por nga planifikimi dhe synimi për tu përça me musliman, kjo vjen pas fyerjes dhe mendimit të keq për njëri tjetrin. Ndoshta personin me të cilin ne hidhërohemi. e ndoshta edhe bëjmë shpifje kundër tij. është një nga robërit më të mirë të Allahut xh.sh. Ndoshta ai është evlija i Allahut e ne shpifim për të, i shpallim luftë atij, e Pejgamberi s.a.s në një hadith kudsijj thotë: "Allahu s.t thotë: Kush armiqëson evlijaun-mikun tim Unë atij i shpall luftë" (Buhari).
e. Përfundimi i keq. Prej Ebu Hurejres r.a transmetohet se Pejgamberi .a.s ka thënë: "Nuk i lejohet muslimanit të mos i flasë vëllaut të tij më shumë se tri ditë. Kush shkëputet nga vëllau i tij më shumë se tre ditë duke mos i fol dhe vdes në këtë gjendje, futet në zjarr" (Ebu Davudi).
3. Mos ruajtja e gjuhës Sot dhe gjithmonë ka qene dhe do të jetët mos ruajtja në të folur shkaktar për gjynahe dhe përçarje. Fjalët e pamatura, akuzuese, të rënda pas efektin e kanë përçarjen mes njerëzve dhe në veçanti në këtë rast mes muslimanëve. Fjalët e mira, të buta, të matura , këshilluese të drejta... gjithmonë kanë për ti afruar zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Allahu në Kuran thotë: "O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njeri tjetrit, dhe mos përgjoni njëri tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është Mëshrues, Ai pranon shumë pendimin" (El-Huxhurat 12).
Të ndalemi dhe të shohim më thellë këtë ajet nga i cili mësojmë se përgojimi nuk është një çështje thjeshtë e paparamenduar dhe që vjen aty për aty. Është çështje mirë e menduar që vjen pas mendimit të keq për vëllaun musliman. Kur kemi dyshim për një vëlla musliman atëherë fillojmë edhe të hulumtojmë për të metat e tij. Ky hulumtim nuk bëhet ndryshe përveç se me përgojim. Dhe ky përgojim nuk na dërgon askund tjetër përveçse në përçarje dhe armiqësi në mes veti. Kështu që përçarja është një mëkat që vjen pas disa mëkateve siç janë mendimi i keq për musliman, hulumtimi në të metat e vëllaut, përgojimi si dhe në krye të tyre përçarja dhe armiqësia.
Muhammedi s.a.s thotë: "Kur Allahu s.t më ngriti në Miraxh, kalova te një popull të cilët kishin thonj prej bakri me të cilët gërvishtin fytyrat dhe zemrat e tyre. Thashë: Kush janë këta o Xhibril? Mu përgjigj "Këta janë ata që hanë mishrat e njerëzve dhe poshtërojnë nderin e tyre, duke folur keq për ta, duke i sharë e duke i poshtëruar"(Ahmedi, Ebu Davudi).
4. Zilia dhe inati Vërtet sot shumë musliman për shkak që xhelozojnë dhe u vjen inati për përparimet e të tjerëve bëjnë shpifje, akuzojnë e pastaj ndahen e përçahen. Muhammedi s.a.s thotë: "Ka depërtuar tek ju sëmundja e popujve të kaluar, smira dhe urrejtja" (Tirmidhiu).
O ju mysliman, të ndihmojmë njëri tjetrin në udhëzim dhe në të mira. Mos të xhelozojmë dhe të urrejmë atë që posedon diç nga dhuntitë e Allahut, pasurin apo diturinë..., nëse kemi inat pse një vëlla i posedon diç nga dhuntitë e Allahut, nuk kemi xhelozuar vëllaun por dhuntinë e Allahut. Kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë, urrejtja e nimeteve të Allahut do të thotë që kurrë ato nimete të mos na vijnë në duart tona, sepse ato i urrejmë duke mos e kuptuar këtë.
5. Kapja për në ide tjera dhe jo për në Kuran dhe Sunnet. Kjo çështje është shumë e ndërlikuar por edhe e ndjeshme. Shumë njerëz musliman përçahen se u përkasin ideve të ndryshme dhe përfaqësojnë ideologji të ndryshme. Madje nga injoranca e tyre mund të përfaqësojnë dhe të mbrojnë edhe ide laike dhe anti fetare. Disa të tjerë janë të lidhur me individ të caktuar dhe besojnë se të gjithë njerëzimi duhet të lidhet me të dhe rreth tij. Këto ide nuk janë të drejta por janë shumë të kufizuara dhe Islami nuk është aq i ngushtë dhe aq i ngurtë. Islami është i gjerë dhe pranon në vete më shumë se një mendim, përveç se është kusht të kenë bazën më të vogël në fenë e Allahut. Allahu në Kuran thotë: "Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u ndani..."(Ali Imran).
6. Grindja dhe polemika. Thotë Pejgamberi a.s: "Nuk ka humbur ndonjë popull pas udhëzimit që ka qenë në të, vetëm pasi janë dhënë pas dialogut e polemikës, pastaj ka vijuar me leximin e këtij ajeti "Ata nuk ta thanë atë vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatërrestarë" (Ez-Zuhrif 58).
Imam Maliku thotë: "Polemika e ashpërson dhe forcon zemrën dhe bën që të lindin në të urrejtjet dhe inatet". Ndërsa Ibni Rexhebi thotë: "Prej gjërave që i kanë përbuzur dijetarët e selefëve është dialogu, kundërshtimet dhe gjithashtu polemika në çështjet e hallallit dhe të haramit. Një gjë e tillë nuk ka qenë rruga e prijësve, dijetarëve të islamit, por u shpikë më vonë pas tyre". Disa nga selefët kanë thënë: "Kur Allahu ia do të mirën një robi ia hap dyert e punës dhe ia mbyll derën e polemikës e kur Allahu s.t ia do një robi të keqen, ia mbyll dyert e punës dhe i hap atij derën e polemikës".
7. Qejfet dhe pasionet e kota. Thotë Allahu në Kura: "Kush është më i humbur se ai që ndjek epshin e vet, duke mos pasur fakt prej Allahut" (El-Kasas 50). Po ashtu thotë: "...mos ndiqni epshin e zemrave tuaja që të mos i shmangeni drejtësisë..."(En - Nisa 135).
Ibni Rexhebi thotë: "Në kohën tonë kur u shtua kundërshtimi i njerëzve dhe përçarja e tyre në çështjet e fesë, u shtua edhe urrejtja e mallkimi i tyre ndërmjet njëri-tjetrit. Çdonjëri prej tyre ka bindjen se urren për hir të Allahut s.t. Ka mundësi që në të njëjtën çështje të jetë i arsyetuar por gjithashtu ka mundësi që të jetë i paarsyetuar, mirëpo ai ndjek epshin e tij dhe nuk bënë përpjekjen e duhur për ta njohur të vërtetën dhe për këtë arsye urren".
8. Dashuria për post dhe pasuri. Shedad ibni Eusi thotë: "O ju që keni mbetur nga arabët, gjënë që kam frikë më shumë të përhapet tek ju është syefaqësia dhe epshi i fshehtë". Atëherë u pyet Ebu Davudin. "Po çfarë është epshi i fshehtë?" Ai th: "Është dashuria për post, kryesi dhe pari. Ibni Tejmijje ka thënë në lidhje me këtë fjalë "Kjo është diçka e fshehtë që njerëzit nuk e njohin e nuk e dallojnë derisa shumë herë edhe ai që ka këtë sëmundje nuk e dallon dhe nuk e di. Ebu Nuejmi thotë: "Vallahin nuk janë shkatërruar njerëzit veçse nga dashuria dhe synimi i postit e parësisë".
Pejgamberi a.s u tha shokëve të tij njëherë: Kur të çlirohet Persia dhe territoret e Perandorisë Romake, cili popull do të jeni ju? (çfarë karakteri do të keni). Abdurrahman ibni Aufi tha: "Do të themi ashtu siç urdhëron Allahu. Pejgamberi s.a.s tha: "Ose diçka tjetër, do të garoni për këtë dynja, pastaj do të keni smirë njëri-tjetrin, pastaj do ti ktheni shpinën njëri-tjetrit duke mos folur, pastaj do ta urreni njëri-tjetrin".
Ibni Xehvzi thotë: "Kam menduar rreth smirës ndërmjet dijetarëve dhe kam vërejtur që ajo krijohet nga dashuria për dynjanë, sepse dijetarët e ahiretit e duan njëri-tjetrin dhe nuk kanë smirë ndërmjet tyre.
9. Fanatizmi për të pavërtetën. Thotë Muhammedi a.s: "Kush vritet verbërisht në mënyrë të paqartë nën flamurin e thirrjes për në fanatizëm ose duke përkrahur fanatizëm, vrasja e tij është e llojit të injorantit" (Muslimi).
Ibni Tejmijje thotë: "Kush ngre një person, kush do qoftë ai, në atë gradë që të të miqësoj dhe ta dojë atë që pajtohet me fjalë dhe punë e tij, ai është prej atyre që duhet këshilluar me këtë ajet: "Mos u bëni si idhujtarët , të cilët përqafe fenë e tyre dhe u përçanë në grupe, ku secili grup i gëzohet fesë së vet (Er - Rum 32),
Ibni Kajjimi thotë: "Kundërshtimet janë shtuar dhe zmadhuar për shkak të imitimit të verbër dhe të imituesve. Këta janë ata që e përçanë fenë dhe i ndanë pasuesit e saj në grupacione, çdo grup ndihmon dhe përkrah atë që ndjek. I ftojnë njerëzit për ti ndjekur dhe i poshtërojnë të gjithë ata që i kundërshtojnë dhe nuk mendojnë se mund të punohet me mendimin e të tjerëve. Vazhdimisht përpiqen për të përgënjeshtruar dhe për të hedhur poshtë mendimet e të tjerëve, sikur të jenë të ndonjë feje tjetër. Thonë "librat tonë dhe librat e tyre, imamët tanë dhe imamët e tyre..." ku Zoti është një, Profeti s.a. është një dhe feja është një. Detyrim i të gjithëve është ti nënshtrohen fjalës së përbashkët ndërmjet tyre dhe të mos i binden asnjë njeriu tjetër veç të dërguarit të Allahut të mos i bëjnë thëniet e të tjerëve si thëniet e profetit dhe të mos bëjnë njëri tjetrin Zot veç Allahut.
Këto ishin disa nga arsyet më të shpeshta dhe më të përgjithshme që sot po i përçajnë njerëzie e Ummetit Islam. Të gjitha këto janë mëkate, të ndaluar nga Allahu dhe Pejgamberi. Askush nuk bie në mëkatin e madh pa kaluar nëpër të voglin. Askush nuk përçahet e të mos jetë paraprakisht mëkatar nga ato mëkate që i numëruam.
Wesselamu alejkm we rahmetullahi we berekatuhu
Te nderuar moter dhe vellzer musliman poashtu edhe ju mund te komentoni ne lidhje me kete teme duke dhene mendimin tuaj qe ndoshta do te na ndihmonte sadopak te kuptonim me shume rrethe kesaj ceshtje.
Paqja dhe meshira e Allahut qoft mbi ju .
Krijoni Kontakt