Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925

    Pas goditjes së fundit të jetës

    Pas goditjes së fundit të jetës


    Veshur me gjeni, kish dalë Martini në rrugët e jetës. Me dorëshkrimet në dorë lëvizte lart e poshtë nën diell e kur niste të binte shi, e vazhdonte lëvizjen nën çadrën, që e mbështillte si një tendë e stërmadhe portative. Por me dëshirë nuk ndalej. Vetëm kur i duhej të binte të flinte bashkë me frymën e ligshtë të vetmisë.

    Derisa mbërriti tek njeriu i parë, për të cilin në rrugë e sipër kish dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, shollët e këpucëve i ishin holluar së tepërmi e kostumi i zi me vijat e holla të bardha kish nisur t’i zbardhëllohej.
    Ia dorëzoi dorëshkimet në mirëbesim. T’i lexonte dhe ai ato nën dritën e diellit e nëse niste shiu, Martini i dha premtimin, se do t’ia mbante çadrën mbi krye, që ai të mos reshtte deri në mbarim. Të heshtur, përfunduan të ulur në një trotuar, ku qëndruan për një kohë të gjatë, njëri duke lexuar e tjetri duke vështruar përqark. Pas shumë kohësh rrugëtimi, ku para syve, dukej se i kishin kaluar vetëm forma duarsh, për herë të parë e ndjeu deri në kockë, se po jetonte brenda ngjyrave të vërteta, po ndiqte me sy njerëzit, të cilët i ngjanin thuajse lakuriq, e përbrenda po ndjente, se sa i huaj ishte me kohën. Priti për disa orë, derisa dora u rizgjat drejt tij duke i kthyer dorëshkrimet. Asnjë fjalë vlerësimi nuk u lodh të dilte nga goja e lexuesit, veç në ajër u ndje një fllad mirënjohjeje për guximin e treguar e mbërthimin e vuajtjes në fletë.
    Qeshi me vete. Nga lart pra shenjën e mori, njeriu i parë për cilin kish dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, nuk e zotëronte dorën, për të cilën po kërkonte.
    Bëhej fjalë për dorën që drejton rrjedhën e jetë së njeriut, për ekzistencën e së cilës Martini ishte në dijeni.


    Ndodhi, që megjithë kërkimet shumëvjeçare, zbardhjen e pashmangshme të kostumit dhe ngrënien e plotë të shollës së këpucëve, ai nuk ndeshi në ndonjë dorë realisht të zgjatur, megjithatë nuk u mposht. Dorëshkrimet erdhën e iu bënë aq të rënda sa i duhej të shfrytëzonte mjete ndihmëse për t’i shtyrë e tërhequr ngado me vete.
    Aq fisnike ishte lëvizja e tij, sa njerëzit përkulnin kryet, kur e shihnin t’u kalonte përbri. Nisën ta ndalonin duke iu lutur që t’u dhuronte një buzëqeshje, apo të ulej e të shpenzonte në heshtje disa minuta bashkë me ta në ndonjë trotuar.
    Qeshte me vete Martini, se tani i duhej të mbante dhe një penë tjetër me vete, me të cilën t’u falte njerëzve grimca dashurie.

    Pas këtyre çasteve zbutëse, ai ngrihej përsëri në kërkim. Por jo më për dorën; më në fund mendja ia kish pranuar, se detyrimin ndaj tij dora e kishte shlyer që në mbarsje, kur kish vendosur t’i jepte formë e ta sillte në jetë.
    Tani ish në kërkim të gjithë atyre, për të cilët në rrugëtimin, që i kish nxjerrë fundin këpucëve e kostumit, kish dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, për zotin e dorës së parë, të së dytës e gjithë të tjerave me radhë. Donte të arrinte t’i shihte qoftë edhe njëherë të vetme, qoftë edhe vetëm njërin prej tyre. Kishte menduar dhe për atë që do t’u thoshte. Për herë të parë, do të mundte heshtjen dhe nuk do t’u lutej të uleshin bashkë me të në trotuar.

    „Unë jam Martini,“ do t’u thosh, „jam rrugëtuesi jetim. I njoha ngjyrat e jetës që pa dalë në dritë, por për t’ia bërë më të dukshme njerëzimit u përpoqa t’i fiksoj në dorëshkrime. Më mbani mend zotëri? Dikur ju bëra një lutje, që të uleshit bashkë me mua dhe dorëshkrimet e mia në një trotuar, ju mbajta çadrën mbi krye e ju lexuat për orë të tëra, e më kthyet gjithçka pa folur asnjë fjalë. E ikët, siç ikën dhe sa e sa të tjerë.
    Prej asaj kohe edhe me gjethet e vjeshtës që binin u perpoqa, ndërkohë që unë i doja nëpër pemë, që ato të më frymëzonin me fëshfërimën e tyre, edhe me rrezet e diellit, kur i tërhiqja nga qielli që të zbrisnin e të ma ngrohnin shpirtin aq sa unë të ulesha e të shkruaja. Me naivitetin brenda meje u ndesha, me smirën e mbërthyer në format e mirëbërësve..... „

    I thosh me zërin e mendjes këto fjalë Martini, pa kuptuar, se ishin veç hije ato që tani po kërkonte. E për ata fatlumë (ndër të tjerët edhe unë me dy sy të etur me vete) që ndeshnin në këtë manifestim, nuk mund të jepej një pamje e dytë e krahasueshme me të. Një njeri me rroba të thinjura, me fytyrë të pjekur e me sy krenarë, që rrezatonte thjeshtësi, që fliste me askënd e heshtte me gjithkënd. Mbi buzë i kish mbetur një buzëqeshje e sinqertë, nga ato që pakkush sot është akoma në gjendje të mbartë me vete.

    Shumë prej atyre, të cilëve në kohët e vona iu dha mundësia të shijonin këtë pamje, pohonin, se qe pikërisht kjo thjeshtësi që fisnikëronte madhështinë e jetimit Martin.
    Histori pafund u trilluan mbi rrugëtimet e tij, se si u ngjit, se si jetoi e se si një ditë prej ditësh vendosi të zbriste e të mos ishte më. Mbi kurriz i ngjeshën bëma për të cilat ai vetë do të kish qeshur, nëse do të kish dëgjuar, se i ngarkoheshin atij. Por është kjo ndoshta pasoja e kthimit në legjendë.

    Unë jam njëri prej atyre të cilët ia njohën thjeshtësinë, atë të vërtetën e buzëqeshjes e syve të tij njëri prej atyre qe ia dëgjuan zërin, kur ai u fliste hijeve. Jam dëshmitar i kësaj kohe, ndaj po guxoj të fiksoj në këtë rrëfim përpjekjen e rremë të atyre që mëkatuan ndaj tij.

  2. #2
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Rilindja


    Veshur me gjeni, kish dalë Martini në rrugët e jetës. Me dorëshkrimet në dorë lëvizte lart e poshtë e kur niste të binte shi lëvizjen e vazhdonte nën çadrën që e mbështillte si një tendë e madhe portative. Me dëshirë nuk ndalej; vetëm kur i duhej të binte të flinte bashkë me frymën e ligshtë të vetmisë.

    Derisa mbërriti tek njeriu i parë, për të cilin në rrugë e sipër kish dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, shollët e këpucëve i ishin holluar së tepërmi e kostumi i zi me vijat e holla kish nisur t’i zbardhëllohej.
    “I nderuar, ju falenderoj për pranimin e ftesës sime. Këto që po ju paraqes për lexim, janë pjesë nga puna ime disavjeçare. Të më ndjeni që nuk mund t’ju ofroj një vend më të përshtatshëm për të lexuar, se trotuarin mbi të cilin ndodhemi”, i ish drejtuar Martini.
    Zotëria pak i vrenjtur në fytyrë ish ulur aty.
    “Shpresoj që shkrimet tuaja ta justifikojnë kohën që po më merrni.”
    “Ju lutem të më thoni mendimin tuaj sinqerisht zotëri”, kish thënë Martini disi i trembur nga fjalët e para të zotërisë. “Ai do të jetë me vlerë për punën time në vazhdim. Tani koha është me diell, por edhe nëse mblidhen re në qiell e fillon të bjerë shi prej tyre, unë do t’jua mbaj çadrën mbi krye që ju të mos reshtni deri në mbarim.”
    Të heshtur qëndruan aty për një kohë të gjatë, njëri duke lexuar e tjetri duke vështruar përqark. Pas kohësh rrugëtimi, ku para syve i dukej se kishin kaluar vetëm forma duarsh, për herë të parë e ndjeu deri në kockë, se po jetonte brenda ngjyrave të vërteta. Po ndiqte me sy njerëzit, të cilët ngjanin thuajse lakuriq e përbrenda po ndjente sesa i huaj ishte me kohën.
    Priti për disa orë, derisa dora u rizgjat drejt tij duke i kthyer dorëshkrimet. Asnjë fjalë vlerësimi, përveç dy fjalish që nuk lejonin të nxirrje ndonjë përfundim:
    “Ju uroj gjithë të mirat! Vazhdoni të shkruani Martin!”
    “Po zotëri?!...” kish pyetur Martini i kapur në befasi nga thatësia e asaj që dëgjoi. Por zotëria nuk kish shtuar ndonjë gjë. Ai i ish shkrirë para syve e Martini kish qeshur me vete. Dukej se nga lart kish marrë një shenjë; njeriu i parë për të cilin kish dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, nuk e zotëronte dorën për të cilën po kërkonte.
    “Mbase shkrimet e mia nuk përmbushin kushtet e kohës apo kokës së tij. Po e çuditshme është sesi nuk e tha qoftë edhe një vërejtje, të jepte një shenjë aty ku diçka ishte aq e gabuar, sa një artist i vërtetë do ta kish të pamundur të mos reagonte. Diçka nuk shkon në këtë mes, ose me shkrimet e mia ose me të.” Martini ecte e fliste kështu me veten me zë të ulët. Por edhe vetja nuk i vinte dot në ndihmë përtej mëdyshjes që e bluante të zotin e trupit ku ajo jetonte.

    Ndodhi që megjithë kërkimet shumëvjeçare, zbardhjen e pashmangshme të kostumit dhe ngrënien e plotë të shollës së këpucëe, ai nuk ndeshi në ndonjë dorë që të mund t’i jepte atë gjë për të cilën po mundohej prej kohësh. Megjithatë nuk u mposht. Dorëshkrimet erdhën e iu bënë aq të rënda, sa i duhej të shfrytëzonte mjete ndihmëse për t’i shtyrë e tërhequr ngado me vete.
    As fisnike ishte lëvizja e tij, sa njerëzit përkulnin kryet, kur e shihnin t’u kanonte përbri. Pati prej atyre që dikur e ndalën duke i kërkuar të lexonin nga ato që ai mbartte me vete.
    “Ju lutem, mund të lexoni ç’të dëshironi. I kam renditur këto shkrime të miat sipas kohës në të cilën i kam sjellë në jetë, por mos më kërkoni t’ju them se cili prej tyre është më i mirë. I dua të gjithë si t’i kisha fëmijë e fëmijët pranohen njësoj në shpirt me gjithë të mirat e të metat e tyre.”
    Njerëzit buzëqeshnin pas këtyre fjalëve e sipas kohës që kishin në dispozicion, merrnin një ose më shumë shkrime për t’i lexuar.
    Njëri prej këtyre lexuesve isha edhe unë. Me fytyrën e gjallë, flokët e errët të dendur, mjekrën që dikur më shumë e dikur më pak i mbulonte faqet e imta më kish bërë shumë përshtypje ky njeri që ngjante si një bibliotekë lëvizëse. Ndoshta kam qenë ndër të parët, kur e ndalova për të shkëmbyer pak fjalë me të e për t’iu lutur të lexoja nga shkrimet e tij. Pa ngurruar më dha lejen t’i lexoja të gjitha.
    “Po pse nuk i publikoni Martin?”, e pyeta pas një kohe të shkurtër leximi. “Përse nuk i jepni mundësinë atyre që duan letërsinë, të njohin veprën e shpirtin tuaj?”
    Nuk mora përgjigje prej tij, përveçse një shikimi të thellë depërtues e një lëvizjeje të dorës përgjatë mjekrës së tij.
    Atë ditë të parë nuk shkëputesha dot nga shkrimet. Thitha aq sa më ish e mundur e të nesërmen e në ditët në vazhdim e gjeja aty ku ai ndalonte.
    “Dëshiroj të kopjoj disa nga shkrimet tuaja Martin”, i thashë një ditë prej ditësh. “Dëshiroj t’i kem në bibliotekën time e t’i lexoj sa herë më merr malli për to. E meqë nuk mundem t’ju gjej në ndonjë librari, kjo është mënyra e vetme me të cilën mundem t’i siguroj ato.”
    “Dëshira juaj e ngulmtë që të vini e të më gjeni aty ku jam për kaq ditë me rradhë, më bën të mendoj, se ju i pëlqeni vërtet shkrimet e mia. Ndaj do të jetë kënaqësi për mua sikur ta bënit një gjë të tillë”, m’u përgjigj.
    E prita me gëzim, sa tha e nisa menjëherë nga puna. Do t’i përhapja shkrimet që do të kopjoja tek të gjithë ata që njihja. Martini kish pasururar shpirtin tim e këtë fat duhet ta kishin dhe të tjerë dashurues të letërsisë.
    Ashtu veprova e po të njëjtën gjë bënë dhe shumë të tjerë. E rezultati qe domethënës. Njerëzit nisën ta ndalonin më shpesh e në numër më të madh se më parë duke iu lutur të shpenzonte disa minuta në bisedë apo qoftë edhe në heshtje me ta. Qeshte me vete Martini, se tani i duhej të mbante dhe një penë tjetër me vete, me të cilën t’u falte njerëzve grimca dashurie.
    Biblioteka e tij lëvizëse u përhap në shumë vatra, në shumë shpritra e ai nuk ish më vetëm.
    Pas çasteve zbutëse që kalonte me njerëzit, ai ngrihej përsëri në kërkim. Por jo më për dorën; më në fund mendja ia kish pranuar se detyrimin ndaj tij dora e kish shlyer që në mbarsje, kur kish vendosur t’i jepte formë e ta sillte në jetë.
    Një ditë u ndala më gjatë se zakonisht në një bisedë me të. Më tregoi për vështirësitë me të cilat ish ndeshur, për kënaqësitë e vogla dhe të mëdha të jetës, për krijimet e veta, për punët që bënte paralelisht me krijimtarinë që të mund t’ia lejonte vetes luksin e të qenit shkrimtar i pabotuar. E dëgjova me vëmendje e pasi ai kish përfunduar, e pyeta se ç’kërkonte akoma në rrugëtimin e vet.
    “Kërkoj ata për të cilët kisha dëgjuar të fliteshin fjalët më të mira, për të zotin e dorës së parë, të së dytës e gjithë të tjerave me rradhë”, m’u përgjigj. “Do të doja të arrija t’i shihja qoftë edhe njherë të vetme, qoftë edhe vetëm njërin prej tyre”.
    “Po ç’vlerë do të kish?”, e pyeta përsëri. “Çfarë do t’i thonit? Ata me siguri hanë veten me dhëmbë nga njëra anë se jeni krijues i vërtetë e nga ana tjetër se për të arritur në famën tuaj nuk ju qe e nevojshme ndihma e asnjërit prej tyre.”
    Më pa në sy e më trokiti në shpatull me dorën e bardhë me gishtat e gjatë.
    “Ke të drejtë biri im, por është diçka që më bluan që prej shumë kohësh.”

    Në orët e vetmuara të rrugëtimit të vet, pëshpëriste fjalë që ndoshta ishin pikërisht ato që do të thosh, kur të ndeshej me ata që po kërkonte. E për ata fatlumë (ndër të tjerët edhe unë me dy sy të etur me vete) që ndeshnin në këtë manifestim, nuk mund të jepej një pamje e dytë e krahasueshme me të. Një njeri me rroba të thinjura, me fytyrë të pjekur e sy krenarë që rrezatonte thjeshtësi. Mbi buzë i kish mbetur një buzëqeshje e sinqertë nga ato që pakkush sot është akoma në gjendje të mbartë me vete.
    Shumë prej atyre, të cilëve iu dha mundësia ta shijonin këtë pamje, pohonin, se qe pikërisht kjo thjeshtësi që fisnikëronte madhështinë e jetimit Martin.

    E ndala Martinin një ditë nga ato të vonat e jetës së vet dhe iu luta të më jepte një këshillë, ta mbaja si amanet prej njeriut që kish bërë aq shumë për shpirtin tim. Buzëqeshi me rrudhat që iu ngjallën në fytyrë.
    “Mos u tremb nga jeta biri im”, më tha. “Nëse gjatë saj të qëllojnë në njërën faqe, mos iu kthej qëlluesve tjetrën. Për aq kohë sa ajo (jeta) merr frymë brenda teje, lufto e mbushe veten me të mirën e të bukurën e kësaj bote. Ato do të të ndihmojnë të mbytësh të keqen që lind brenda nesh që në mbarsjen tonë.”
    E falenderova e i shtrëngova dorën duke i zgjatur me tjetrën një libër me përmbledhjen e pjesës së parë të veprës së tij që ish botuar nën përkujdesjen e shumë prej nesh bijve të tij shpirtërorë. Nuk i tregova, se në brendi do të gjente një fletë të palosur me një përkushtim timin për të. Ta lexonte më mirë në qetësinë e heshtjes së vet. Të ulej pranë oxhakut të gurtë të shtëpisë së madhe të pleqërisë që nuk kishte mundur ta mbushte me jetë fëmijësh. Ta hapte librin e të gjente:


    Krijuesi dhe Nxënësi


    Mendjekrisur ngrihet krijuesi nga varri i të vërtetës
    e nis arien në varrezën e operave tragjike të kohës
    për t’i zgjuar zërat në korin e zbuar prej lëndës së jetës.
    Lëkundet dheu nga tërbimi i të vërtetës mendjekrisur.

    Mendjegrisur përulet krijuesi para mallit të shpirtit;
    Hiri i zemrës në flakë sitet mbi vetullat e dashurisë,
    mirazhit që në pambarim endet syve babaxhanë të ejtës.
    Gdhendet fytyra me tiparet e dashurisë mendjegrisur.

    Mendjeshprishur grihet krijuesi nën tehun e plakur;
    Të copëzuar e pjekin në hellin e vullnetit të pushtetit
    për të ndalur gjakun në arteriet e këngës së jetës.
    Madhështohet natyra me vuajtjet nën floknajën mendjeshprishur.

    Mendjendritur zgjohet nxënësi para portës së artit të “vërtetë”;
    Sheh afrimin e krijuesit të dërrmuar në rrugëtimin përvëlues
    e i lumtur për mosvdekjen e shpirtit të dhunuar i thërret:
    “Mos e shkelni pragun zoti mësues! Përtej tij për vdekje ju urrejnë.”


    Nuk munda ta takoj më prej asaj dite. Do të kisha dashur të dëgjoja mendimin e tij për poezinë time, por për disa kohë m’u desh të shkëputesha nga skena e preferuar e kohës sime të lirë.
    Martini ndërroi jetë në një ditë, kur qielli derdhej pambarim në formë reshjesh shiu mbi tokën. Për ditë me radhë u shkrua në shtyp për personin dhe për veprën e tij. Histori pafund u trilluan mbi rrugëtimin e bërë, sesi ai u ngjit, sesi jetoi e sesi një ditë vendosi të zbriste e të mos ishte më. Mbi kurriz i ngjeshën bëma për të cilat ai vetë do të kish qeshur, nëse do të kish dëgjuar se ia ngarkonin supeve të tij; por është kjo pasoja e kthimit në legjendë.

    Unë jam njëri prej atyre, të cilët ia njohën thjeshtësinë, atë të vërtetën e buzëqeshjes e syve të tij, njëri prej atyre që ia dëgjuan zërin, kur ai u fliste hijeve. Jam dëshmitar i kësaj kohe, ndaj po guxoj të fiksoj në këtë rrëfim përpjekjen e rremë të atyre që mbinë si kërpudhat mbas shiut që e përcolli nën tokë.



    (Ripunim, Janar 2004)

  3. #3
    Gjirokaster ballergjende Maska e Albioni
    Anëtarësuar
    22-04-2002
    Vendndodhja
    Arizona
    Postime
    225

    Pershendetje!

    Te dya me pelqyen Dita.

    Urime dhe gjithe te mirat per kete vit.
    Be peacefull in your pursuit of a beautiful life.

  4. #4
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Po shkruaj për ripunimin.
    E po e nis nga ato ku unë ngre pikëpyetje.
    Fjalia:
    Nëse gjatë saj të qëllojnë në njërën faqe, mos iu kthej qëlluesve tjetrën,...
    është diametralisht në të kundërt të asaj të Krishtit "Kur të qëllojnë në një faqe ktheju tjetrën, e për më tepër të vetë jetës krishtërore të heroit. Me mendimin se shënjestra jote në tregim nuk është feja dhe se një Martin siç e ke përshkruar nuk mund të jetë tipi i "të tjera bëj të tjera thuaj", ajo fjali sikur nuk përshtatet.
    Tjetër për mua është ngjitja në tregim e një poezie. Pa e çikur fare poezinë mendoj se ato që ajo përmban ti vije përsëri nëpërmjet prozës. Pra të shkruhet ... " i shkruaja se Krijuesi ngrihej nga ... etj, etj." Nëse do tja drejtosh një botuesi atje ku je një tregim e një poezi bashkangjitur ai patjetër do mendojë (pa e lexuar fare poezinë mbase) se kërkon ti shesësh lopën e gjelin bashkë.
    Gjithçka tjetër në tregim më pëlqen, një prozë e shkurtër monolite që arrin të japë shumëçka. Urime.

  5. #5
    El-Letërsia Maska e macia_blu
    Anëtarësuar
    04-05-2002
    Vendndodhja
    michigan usa
    Postime
    2,492
    me pelqeu, ndonese te jep pershtypjen se eshte shume e shterzuar.
    "Shkolla nuk e ben njeriun me te mencur, e meson te duket i tille" (e.m)

  6. #6
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    nga D D

    Nëse gjatë saj të qëllojnë në njërën faqe, mos iu kthej qëlluesve tjetrën,...
    është diametralisht në të kundërt të asaj të Krishtit "Kur të qëllojnë në një faqe ktheju tjetrën, e për më tepër të vetë jetës krishtërore të heroit. Me mendimin se shënjestra jote në tregim nuk është feja dhe se një Martin siç e ke përshkruar nuk mund të jetë tipi i "të tjera bëj të tjera thuaj", ajo fjali sikur nuk përshtatet.

    Shenjestra nuk eshte feja, por Martini (qe ne cilesite e karakterit te cilat deshiroj t'ia sjell permes kesaj proze perkon me Martin Idenin) nuk ishte fetar. Perkundrazi.


    Kurse per poezine brenda prozes ... me ate c'ke shkruar kuptova se po te ishe ti botuesi do te mendoje se po kerkoj te te shes lopen e gjelin bashke.


    Falemnderit per mendimet e dhena.

  7. #7
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Mund të ketë dhe mënyra të tjera jo aq të drejtpërdrejta për të dhënë atë mesazhin e Martinit.
    Nëse do mendoja se një poezi në tregim nuk shkon do të thesha "sipas meje" apo "për mua" "do të shesësh lopën dhe pulën bashkë", siç bëj zakonisht. Puna është se botuesit edhe kur të ofrojnë të shkruash apo të ofrojnë të qënit shkrimtar në profesion të lirë, të nxitin të shkruash me gabime sa të kesh qef, por të luten me dorë në zemër: "Ju lutemi, jo poezi!"
    Për ta mbyllur, personalisht i kam pikë të dobët këto të fundit.

  8. #8
    vandal Maska e guntheric
    Anëtarësuar
    10-02-2003
    Vendndodhja
    pak majtas henes
    Postime
    92
    Dita ne pergjithesi me pelqen. Ke nje menyre te vecante shkrimi. Kete ta kam thene shume here. Megjithate vandali do te bej te mendosh pak me keto qe do shkruaj.
    Se pari me dukes sikur Martini ka dale ne rruge, jo ne rruget e jetes. Pra "e jetes" me duket teprice sepse ashtu sic vazhdon shkrimi kjo teprice nuk shton dicka apo "mbrohet" nga cshkruan me poshte. E vetmja mbrojtje mund te jete ndrrimi i kohes, pra kur thua qe ai vazhdonte levizjet poshte e larte edhe kur binte shi. Ama eshte mbrojtje e dobet, sidomos kur shkruan ne paragrafin e dyte qe "derisa mberriti tek njeriu i pare".

    Krahasimi qe ben kur e mbulon cadra me "tende e stermadhe portative" nuk me duket shume i qendrushem. Se pari te gjitha tendat portative jane. Se dyti tenda eshte dicka e palevizshme, pra nuk rend dot lart e poshte i mbuluar nga ajo. Ndaj dhe ky krahasim me duket i tepert.

    "Te heshtur perfunduan ne nje trotuar" shkruan. Ti perdor foljen "perfundoj" qe do te thote qe ata kerkuan shume te gjenin nje vend te uleshin. Mirepo trotuari qe gjendet kudo sikur nuk shkon me foljen perfundoj sepse duket sikur nuk kerkuan fare por u ulen menjnehere.

    Nuk kam kohe ta vazhdoj tani ndaj po e le me kaq, si fillim.
    white noise

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    06-06-2003
    Postime
    15
    Dita,ke shkruar bukur.Se ka mangesi ka por te pa rendesishme qe ti prishin teresine.
    Zakonisht nuk shkruaj sepse nuk jam ne nje fushe te tille(te kritikes),dhe,aq me pak e bejne kete DD e Vandali.Pa dashur te ndalem ne ato qe ka thene DD(sepse aji merret nese duhet te lihet poezia aty apo jo pa thene asgje se a vlen si poezi ne fakt apo si tregim ne teresi).Kurse vandalit do ti thosha se ke njemi vende te tjera per te "perfunduar"por Dites aty i leverdis te "perfundojne".

  10. #10
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Dejviandersen,

    falemnderit per c'ke shkruar. Uroj te kesh ndjekur e te ndjekesh edhe shkrime te tjera te miat. Nderhyrjet jane gjithmone te mirepritura, patjeter edhe ne forme verejtjesh.
    Me lejo qe duke u nisur nga c'ke shkruar ti, te kaloj edhe tek verejtjet e D D dhe Vandalit.


    Nga D D verejtjet nese vijne jane vetem te llojit direkt. Sqarova me te dicka qe me shqetesoi ne lexim e pertej saj mendoj se e kuptova se c'donte te me percillte. Po sjell nje reagim timin ndaj asaj qe D D ka shprehur per poezine brenda tregimit.

    Poezine e shkruan rrefyesi i cili ku i dihet, po e le gjithcka ne forme te shkruar e po permbledh me vertetesi materialet qe ka mbi jeten e personit, e perderisa eshte nje deshmitar i kohes ka rendesi qe te sjelle me saktesi rrjedhen sic e njeh ai e ne kete rrjedhe ben pjese edhe poezia qe eshte e vetmja gje qe ai i dha konkretisht ne kembim mesuesit te shpirtit te vet, nje perkushtim. Ne kete veshtrim mua nuk me duket sikur nuk shkon brenda historise.




    Nga Vandali verejtjet jane si nga D D. Nese vijne ato jane vetem te llojit direkt. Megjithate vej re nga ato qe i ka nisur si verejtje se po bazohet ne variantin e pare ate te 2002. Vandal, lexo dhe ate te dhjetorit 2003. Po pres per vazhdimin nga ti.




    Per t'u kthyer edhe njehere tek Dejviandersen.
    Kur shkruan sado ta mundosh veten ke vetem dy sy, nje mendje dhe nje zemer. Sado ngjyra te tjera t'i japesh secilit prej ketyre elementeve nuk del dot krejtesisht nga vetja per te qene objektiv, ndaj kur ndalen te tjere e te thone verejtje, qofte edhe JO-kritike te vertete, ato kane vlere. Te pakten keshtu ndodh me mua, kuptohet nese nuk kane tendenca fyerese. Ndryshe "verejtjet" le te kthehen andej nga kane dale.



    Secilin prej jush e falenderoj edhe njehere per pjesmarrjen e dhenien e mendimeve ne kete teme.


    Ju pershendes,
    Dita

Tema të Ngjashme

  1. Bibla Kur'ani Dhe Shkenca
    Nga Florim07 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 15-04-2009, 21:26
  2. Vriten ekstremistët e fundit, mbyllet sulmi terrorist ne Indi.
    Nga Soccerboy në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-11-2008, 10:10
  3. Mbi dashurine
    Nga ani-ani80 në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 05-03-2006, 12:05
  4. Lamtumira fundit e Vath Koreshit
    Nga Brari në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 07-02-2006, 18:16
  5. E fundit
    Nga dikeafajtore në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 03-09-2002, 13:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •