Analiza e Oxford Analitica: Shqipëria, një rast suksesi
Instituti prestigjioz i analizave dhe gjeopolitikës vlerëson rritjen ekonomike të pandërprerë
Sipas Oxford Analitica, një think tank dhe institucion konsulence, që bën studime analizash dhe vlerësime në lidhje me gjeopolitikën dhe ekonominë e vendeve të ndryshme, Shqipëria konsiderohet sot një rast suksesi në zhvillimin e saj ekonomiko-politik. Kjo organizatë është themeluar në vitin 1975 nga David Young, këshilltar i Niksonit dhe Kisingerit, me qëllim promovimin dhe krahasimin e zhvillimeve gjeopolitike dhe ekonomike të ekonomive botërore. Opinioni dhe vlerësimi i saj është konsideruar si ndër më shkencorët dhe të besuarit në botë.
Më poshtë po japim vështrimin ekonomik dhe gjeopolitik të botuar prej tyre në ëeb më datë 29 gusht 2009:
Një këndvështrim social-ekonomik i Shqipërisë
Politikat fiskale, monetare dhe sociale të qeverisë janë aprovuar gjerësisht nga FMN në një strategji të hartuar në bashkëpunim dhe me Bankën Botërore, si dhe në programin e rishqyrtuar për reduktimin e varfërisë në Tiranë. Megjithatë, të dyja raportet, të publikuara këtë muaj, paralajmërojnë nevojën për forcimin e kapaciteteve administrative, për të sulmuar korrupsionin në mënyre më efektive dhe për të trajtuar problemet aktuale energjetike.
Analiza:
Qeveria e koalicionit të qendrës së djathtë e kryeministrit Sali Berisha, e cila ka më pak se një vit kohë drejt zgjedhjeve në pranverën e ardhshme, ka hartuar një Strategji Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2009-2013. Duke zëvendësuar Strategjinë e Rritjes Ekonomike dhe Uljes së Varfërisë e përgatitur në 2001, programi i ri afatmesëm përfshin propozime serioze në 36 sektorë.
Prioritetet e tij janë: Integrimi në BE dhe NATO (në Samitin e Bukureshtit në prill aleanca ftoi Shqipërinë, përkrah Kroacisë, për t'ju bashkuar radhëve të saj); Zhvillim social-ekonomik i shpejtë dhe thelbësor; Konsolidim i rendit ligjor dhe demokracisë; Rritja ekonomike dhe Inflacioni:
Shqipëria është në rrugë të sigurtë të mbajë performancat e vitit të kaluar, me një rritje ekonomike solide e reale 6% të PBB në 2008; i njëjti rezultat parashikohet për 2009. Kriza globale e kreditit nuk ka patur impakt në ekonominë lokale. Në të kundërtën, efekti i saj pritet të jetë përfitues, i ndikuar nga lulëzimi i pritshëm në këtë fushë. Huadhënia është dyfishuar në dy vitet e fundit, duke arritur 30% të PBB, ndërkohë që bankat konkurrojnë për segmente në tregun në lulëzim. Shqipëria është e pozicionuar fort në balancimin e presionit që ushtron rritja e çmimeve të karburanteve dhe të mineraleve në tregun ndërkombëtar ndaj inflacionit lokal, i cili është mbajtur në nivel të ulët 2-4% ndërsa në vendet e tjera inflacioni kapi vlera dyshifrore. Rritja e të ardhurave nga bujqësia, si dhe situata e mirë energjetike ( energjia elektrike në Shqipëri është pothuajse e mbështetur tërësisht në hidrocentralet), ka ndikuar pozitivisht në treguesit e inflacionit. Të njëjtin efekt ka patur edhe forcimi i monedhës së vendit, leku dhe stabiliteti i saj. Kjo e fundit është rritur në vlerë ndaj dollarit dhe ka qëndruar konstante kundrejt euros, që prej fundit të vitit të kaluar.
Taksat dhe Financat Publike
Prezantimi i një sistemi taksash të ulta dhe i taksës së sheshtë në faza: në gusht 2007 dhe janar 2008, sipas të dhënave të deritanishme, ka rezultuar shumë i suksesshëm. Taksa e të ardhurave personale dhe taksa e fitimit, janë tani të gjitha në një nivel uniform 10%, duke shënuar një ulje të ndjeshme nga niveli i mëparshëm prej 30%. Si rezultat i thjeshtësimit të sistemit të taksave, i uljes së ndjeshme të tyre, i rritjes së bazës mbledhëse të tyre dhe vlerës absolute, gjithashtu, të ardhurat në tremujorin e parë të vitit të kaluar u rritën me 40% në krahasim me periudhën e një viti më parë. Rritja e të ardhurave ka ndihmuar në mbështetjen financiare të bërë për raste krizash, të tilla si kompensimi për viktimat e shpërthimit të Gërdecit. Pavarësisht nga rritja e dukshme e të ardhurave nga taksat këtë vit, mundet që defiçiti i planifikuar buxhetor prej 5.2% i PBB të jetë më i lartë. Megjithatë, vlera e defiçitit të këtij viti është një përjashtim, i shkaktuar nga investimet e mëdha në infrastrukturë dhe investimet kapitale. Tendenca e përgjithshme nga 2009 e në vazhdim është drejt uljes, me shumë se 3% në vit. Si rezultat pozitiv i të ardhurave nga privatizimet e deritanishme, borxhi publik është zvogëluar nga 57% e PPB në 2005 në më pak se 54% në vitin e kaluar, ndërsa 2011 është parashikuar si viti i nivelit të borxhit publik nën 50%.
Privatizimi
Qeveria e Berishës synon të plotësojë planin e privatizimit para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pas shitjes se ARMO-s një konsorciumi zviceriano-amerikan në qershor 2008, kanë mbetur për privatizim vetëm pak kompani, ose komplet prona shtetërore, ose me aksione të konsiderueshme të shtetit në to. Këto përfshijnë kompanitë e Albpetrol-it, të Insig-ut, si dhe KESH, sistemi shpërndarës i së cilës duhet të privatizohet deri në fund të 2008. Axhenda e privatizimit të KESH është shumë ambicioze dhe suksesi i këtij procesi do të përbëjë një arritje drastike. Mbledhja e të ardhurave nga faturat ka qenë 50%, ndërsa tarifat e energjisë u rritën rreth 20%, ndërsa humbjet kanë përbërë rreth 1.2% të produktit të përgjithshëm bruto (PBB).
Problemet e energjisë:
Sektori i energjisë mbetet akoma një nga pikat e dobëta të ekonomisë dhe ka akoma ndërprerje energjie për arsye të: Pothuajse gjithë prodhimi i energjisë bazohet në burimet hidrike nga HEC e të pamirëmbajtura, që nga ndërtimi e që punojnë me kapacitete të reduktuara dhe që në momente thatësire, si në 2007, prodhojnë shumë pak energji për të përballuar kërkesën.
Burimet e tjera të energjisë, si TEC i Vlorës dhe impianti i prodhimit të energjisë nga era, investim privat italian, nuk janë vënë në shfrytëzim akoma. Ka një potencial akoma dhe më të madh për zhvillim në sektorin e energjisë.
Zhvillimi ekonomik:
Vitet e fundit është vënë re një zhvillim i madh i turizmit, veçanërisht në bregun e Adriatikut, pranë Durrësit e Sarandës, përballë Korfuzit. Shërbimi akoma jo në standarde ndërkombëtare tërheq më shumë turistët e vendeve fqinje: Kosovë, Maqedoni ndaj vendeve të tjera perëndimore.
Mungesa e sistemeve te përpunimit të ujërave të zeza në gjithë bregun nuk ka shënuar akoma një pikë turistike të veçantë e të standardit të lartë, megjithëse ka një bregdet prej 400 km, më të madh se ai i Malit të Zi, 18 km. Turizmi tani është në një pikë vendimtare zhvillimi.
Tregtia me shumicë e pakicë:
Ka disa kompani të mëdha në Shqipëri që kanë pothuaj status monopoli. Lirimi i ekonomisë nga shtrëngimi i tyre do të zhvillojë më mirë konkurrencën dhe do të përshpejtojë uljen e çmimeve.
Bujqësia:
Bujqësia është një tjetër burim akoma i pashfrytëzuar. Qartësimi i titujve të pronësisë në proces, përdorimi i teknologjive moderne, ndërtimi i rrugëve në proces, që do të lidhë zonat e largta me tregjet, do të sjellë lulëzimin e saj.
Varfëria:
FMN është e sigurt që rritja e PBB do të mbesë e fortë dhe e qëndrueshme, si në vitet e fundit dhe për këtë Shqipëria do të kualifikohet në janar 2009 për fonde ekstensive lehtësuese, në vend të programit për uljen e varfërisë që ju ofrohet vendeve me të ardhura të ulta. Pra, Shqipëria ka kapërcyer pragun e varfërisë dhe ka kaluar në ekonomi në zhvillim.
Megjithëse Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës Lindore e Jugore dhe paga mujore është 220$, rritja e pandërprerë ekonomike e viteve të fundit ka nxjerrë jashtë varfërisë mjaft individë e familje. Proporcioni i popullsisë që jetonte në varfëri është ulur nga 25% në 2002, në 18.5% në 2005 (të dhënat e fundit të përdorura).
Pas prezantimit nga qeveria Berisha të fondit të ri të rritjes së pensioneve, një skemë e re në bashkëpunim me opozitën pritet të prezantohet pas zgjedhjeve.
Korrupsioni:
Megjithë vënien në qendër të vëmendjes nga qeveria Berisha të tij, tre vjet më parë me ardhjen në pushtet, ka akoma për të bërë në këtë sektor. Edhe pse emërimi i Prokurores së re të Përgjithshme, Ina Rama, ka bërë më aktiv se me paraardhësin e saj, Dhori Sollaku, rolin e Prokurorisë, në këtë drejtim duhet bërë më shumë.
FMN insiston që Prokuroria e Tiranës duhet të krijojë edhe një sistem tjetër shtesë, si pjesë e objektivave afatshkurtër për të luftuar korrupsionin dhe informalitetin. Qeveria në muajin maj ka hartuar dhe aprovuar një ligj kundra pastrimit të parasë, që pritet të japë rezultat shpejt.
Konkluzione:
Të ardhurat nga remitancat e shqiptarëve jashtë dhe pse janë ulur, së bashku me rritjen e ekonomisë së ndërtimit dhe të sistemit të kreditimit, po çojnë përpara ekonominë shqiptare dhe po ndikojnë në uljen e nivelit të varfërisë.
Politikat fiskale dhe monetare të qeverisë përbëjnë një kontribut thelbësor në këtë proces.
Ndërkaq, duhen shtuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe në drejtim të përmirësimit të standardeve në administratën publike, me qëllim që të shfrytëzohen tërësisht potencialet ekonomike të zhvillimit të krijuara tashmë.
RD
Krijoni Kontakt