Shekulli Premte, 05 Shtator 2008
Porti, 1.2 miliardë, bllofi i radhës i Berishes
Gjergj Erebara
Kryeministri Sali Berisha përuroi një investim prej 1.2 miliardë eurosh, nga një kompani me kapital prej 200 mijë frangash gjermane
Kjo nuk është hera e parë që jepet një lajm i tillë. Dje, kryeministri Sali Berisha shkoi në Vlorë, ku shpalli një megaprojekt për ndërtim porti me vlerë miliardash.
“Kryeministri e cilësoi investimin me vlerë 1.2 miliardë eurosh që parashikon projekti, si një besim të jashtëzakonshëm që kompania dëshmon tek Shqipëria. Projekti parashikon ndërtimin e një terminali me kapacitet prej më shumë se 3 milionë kontejnerë në vit. Ai do të shërbejë si një port tranzit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar gjithashtu hyrje efikase për në det për komunitetin lokal. Zona e lirë do të ofrojë lehtësira dhe shërbime për të mbështetur zhvillimin e industrisë së lehtë në Vlorë”, thuhet në njoftimin për shtyp të kabinetit të Kryeministrit.
Kompania që ka premtuar të hedhë paratë, u prezantua si një konsorcium anglo-zviceran me emrin “Zumax Ag.”. Kompania në fjalë ka një faqe web që u hap dje, zumaxag.com, ku nuk ka deklaruar asgjëkund sa e ka kapitalin e sa e ka xhiron e vitit fiskal paraardhës. Por ka deklaruar se ka disa projekte të rëndësishme në duar, mes të cilave, Vlora, Korridori Tetë, ideja për marrjen me koncesion të një porti në Afrikë dhe asgjë tjetër. Nga regjistri i kompanive zvicerane, rezulton se kompania “Zumax Ag.”, ka një kapital prej 200 mijë frangash zvicerane, (rreth 130 mijë euro).
Projekti
Projekti i prezantuar dje nga vetë Kryeministri, parashikon ndërtimin e një porti kontejnerësh super të madh në Vlorë, si dhe ndërtimin e një hekurudhe që të lidhë Vlorën me Shkupin dhe Sofjen, në mënyrë që të qarkullojnë kontejnerët. Për projektin thuhet se është e interesuar edhe kompania hekurudhore e Estonisë. Por të gjitha prezantimet, nuk tregojnë ndonjë fuqi investuese të vlerës së miliardave. Projekti për portin e kontejnerëve në Vlorë është miratuar nga qeveria shqiptare në prill të këtij viti. Vetëm porti i kontejnerëve duhet të kushtojë rreth 500 milionë euro, dhe do të ketë, sipas prezantimit, një kapacitet përpunues prej 1.1 milionë kontejnerësh në vit.
Miliardat
Projektet multimiliardere janë mëse të zakonshme për qeverinë e sotme, sido që shqiptarët në realitet nuk i kanë parë kurrë këto miliarda. Nëse kërkon te faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave, dalin lajme me bollëk nga kjo fushë, lajme që fillimisht kanë qenë po kaq pompoze sa ai i djeshmi, por që janë harruar totalisht, tashmë.
Në mars të vitit 2007, qeveria deklaroi se “kompania internacionale "Oppenheimer", kërkon të investojë miliarda dollarë në fushën e turizmit për zhvillimin e infrastrukturës turistike dhe ndërtimin e fshatrave turistikë, në fushën e energjisë dhe të industrisë, në ndërtimin e një porti të ri dhe një rafinerie”. Pas kësaj, kompania nuk është bërë e gjallë më. Emri i drejtorit të kompanisë “Samuel Grossmann” me të cilin Kryeministri u takua atëherë, nuk gjendet gjëkundi në internet.
Më 30 maj 2006, kryeministri Berisha deklaroi se është takuar me përfaqësues të kompanisë “Foreign Capital Development Group”, të cilët i kanë prezantuar projektet e para në fushën e energjetikës, minierës dhe turizmit. Emri i kësaj kompanie të prezantuar si “kineze” nuk gjendet gjëkundi në internet.
Më 7 shtator 2007, Kryeministri takohet me “Fratelli rone” dhe “SEA”, të cilët premtojnë investime në energjetikë. As emrat e këtyre kompanive nuk gjenden gjëkundi.
Më 28 gusht 2007, Kryeministri takohet me kompaninë sllovene “Energo Gora”. (Nuk gjendet në internet). U premtuan pesë hidrocentrale me vlerë 60 milionë euro dhe një termocentral në Porto Romano me vlerë 30 milionë euro, me kapacitet 95 mega.
Më 11 shtator 2007, kryhet takimi me kompaninë amerikane “Hydro Electric Power” Inc., e cila premton investime në kaskadën e Osumit.
Më 26 korrik 2007, kryhet takimi me kompaninë “wARTSILA”, për një projekt termocentrali të lëvizshëm me vlerë 17 milionë euro. Për projektin nuk ka folur më askush që nga ajo kohë.
Më 24 korrik 2007, TGK Skavica, të përbërë nga kompanitë “Kinglor”, “Geotecna” dhe “Tassera”, për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, me kosto 600 milionë euro. Kontrata koncesionare është nënshkruar nga qeveria “Nano” në 2004.
Më 23 korrik 2007, kryeministri Berisha takohet me një kompani maqedonase, një kompani greke, dhe një kompani kineze, të gjitha me projekte për termocentrale 600 megavatëshe dhe me vlerë investimi prej 700 milionë euro secila. Emrat e kompanive "Deboj- Tron", "Linkchart Albania" Sh.a., dhe "Boading Tianwei Group", nuk u dëgjuan më pas kësaj date.
Më 27 tetor 2007, kompania italiane “Enel” premtoi dy termocentrale qymyri me vlerë 700 milionë euro secila. Më 7 nëntor, dy kompani të tjera italiane premtuan termocentrale me cikël të kombinuar me vlerë miliarda euro.
Krijoni Kontakt