Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Haradinaj: Prishtina dhe Beogradi do të duhej të bisedonin drejtpërdrejt.

    Haradinaj: Kosova të flasë si e pavarur


    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i tha BBC-së se Prishtina dhe Beogradi do të duhej të bisedonin drejtpërdrejt me njëra tjetrën, mbi bazën e temave të dakorduara në mënyrë të ndërsjellë.

    Ai tha se kryeadministratori i UNMIK-ut nuk duhet të marrë rolin e lehtësuesit të bisedimeve, meqë Kosova është një vend i pavarur dhe ajo mund të identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë dhe në rast nevoje edhe ta identifikojë lehtësuesin në këtë process.

    Zoti Haradinaj ka vlerësuar se Kosova nuk ka qenë e suksesshme në politikën e jashtme dhe ka humbur disa mundësi deri tani që të jetë anëtare e OKB-së.

    Ai e ka kritikuar qeverinë aktuale të zotit Hashim Thaçi për ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në veçanti për ngecjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Sipas tij situata në veriun e Kosovës ka degraduar në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit, kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, mirëpo ka shtuar se ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje e duhur për këtë pjesë.

    Kreu i AAK-së ka takuar të dielën udhëheqësin e njërës prej partive politike në opozitë, AKR, Bexhet Pacollin për të kërkuar mënyra për aktivizimin e opozitës në vend.

    Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Ramush Haradinaj.

    BBC: Zoti Haradinaj, çfarë synimesh ka patur takimi me udhëheqësin e një partie tjetër politike opozitare në Kosovë?

    Ka ngecje në marrjen e njohjeve, pastaj në zotësinë tonë për të gjetur një zgjidhje adekuate për pakicat dhe për veriun.


    Haradinaj: Analiza jonë veç e veç e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, është se ka ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në disa prej temave me rëndësi për Kosovën duhet të mobilizohemi bashkarisht. Vlerësojmë se ka ngecje në marrjen e njohjeve, pastaj në zotësinë tonë për të gjetur një zgjidhje adekuate për pakicat dhe për veriun, dhe rreth qeverisjes në vend. Ne po kërkojmë se si të vijë në shprehje roli ynë në mënyrën e duhur.

    BBC: Por, shumica qeverisëse e ka ndarë opozitën në atë demokratike dhe në tjetrën që e ka quajtur më problematike?

    Haradinaj: Sipas bindjes sime këto janë qëndrime jo parimore, në fakt, nuk janë të drejta dhe reflektojnë, në një mënyrë, po ato që themi ne si opozitë për qeverinë se nuk është një lajm i mirë për vendin, qasja e tyre ndaj përgjegjësive që kanë në vend.

    BBC: Zoti Haradinaj, Kosova ka gjasa që të mos jetë pjesë e OKB-së. Cila është rruga e saj drejt këtyre zhvillimeve?

    Haradinaj: Ne në fakt deri më tani kemi konstatuar se kemi marrë besimin e disa vendeve të cilat e njohin Kosovën dhe besojnë në Kosovë. Ne kërkojmë një ndihmë nga të gjitha vendet që së bashku të sqarojmë dhe të shpjegojmë rastin e Kosovës edhe tek vendet e tjera për të marr besimin. Pra e ruajmë besimin në vetvete dhe në proceset që i kemi para vetes. Por, për të marrë njohje dhe përkrahje të vendeve kërkohet një diplomaci aktive dhe një mobilizim yni në këtë drejtim, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.

    BBC: Ju i keni ofruar në këtë rrafsh bashkëpunim qeverisë së Kosovës, por cilat janë hapat konkret që ju keni paraparë?

    Gjendja në veri nuk është e mirë. Në fakt ka ndodhur një degradim në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit.

    Haradinaj: Unë kam konstatuar se diplomacia jonë, ministria e jashtme dhe në këtë rrafsh institucionet e Kosovës duhet ta marrin ndihmën e secilit prej nesh dhe të veprojmë në mënyrë të koordinuar. Por poashtu duhet të marrim ndihmën e personaliteteve të njohura ndërkombëtare që besojnë në Kosovën, në rastin e Kosovës dhe të mekanizmave të tjerë të specializuar. Në rast se do të mobilizoheshim në këtë mënyrë, jam i bindur se momentumi do të krijohet në favor të Kosovës edhe tek shumë qeveri dhe vende të tjera.

    BBC: Pra Kosova do të duhet të presë edhe pak kohë deri sa të bëhet anëtare e OKB-së?

    Haradinaj: Fatkeqësisht ne kemi humbur disa hapa. Nuk kemi qenë të suksesshëm në disa aspekte deri më tani, por duhet që në veprime të mëtejme të jemi të saktë. E them se kemi humbur disa mundësi deri më tani.

    BBC: Zoti Haradinaj, ka patur zëra që kanë thënë se Kosova po ecën drejt një konflikti të ngrirë. Madje është thënë se veriu i Kosovës gjason shumë me konfliktet e ngrira në botë. Cili është vlerësimi juaj?

    Haradinaj: Gjendja në veri nuk është e mirë. Në fakt ka ndodhur një degradim në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit. Kemi mosfunksionimin e doganave, të sistemit gjyqësor, të mekanizmave të rendit. Ndërsa kemi një punë të suksesshme që bëjnë forcat e sigurisë, të KFOR-it, në Kosovë, në veri.

    Por, në bazë të pamjes që kemi ne, ka shumë parametra dhe ka mundësi që Kosova të gjejë zgjidhjen e duhur për veriun dhe në këtë mënyrë së bashku qytetarët e Kosovës, edhe pakica serbe, të ndërtojnë një jetë në përputhje me deklarimet tona dhe me vlerat që janë përcaktuar, e që janë vlera të kontinetit të cilit i takojmë.

    BBC: Nëse keni qenë shumë kritik deri tash, a do të thotë kjo se Kosova rrezikon të bëhet konflikt i ngrirë?

    Haradinaj: Ne duhet të punojmë që kjo mos të ndodhë. Gjendja nuk është e mirë, por ne duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë.

    BBC: Por zoti Haradinaj, ka patur shumë krahasime të Kosovës me dy krahinat e Gjeorgjisë dhe konfliktin e atjshëm. Cilat, sipas jush, janë dallimet apo edhe të përbashkëtat e tyre?

    Haradinaj: Nuk mendoj se ka ngjashmëri në situatat tona. Rasti i Kosovës dhe vetë Kosova është një situatë krejtësisht origjinale. Ne jemi nëntë vite të administruar nga OKB-ja. Ka patur një process ndërkombëtar dhe një zgjidhje, që është propozuar nga i ngarkuari i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe aspekte të tjera duke përfshirë edhe origjinën e vetë cështjes së Kosovës, dallojnë.

    Ne në Kosovë presim që të gjitha qeveritë dhe vendet që nuk na kanë njohur, të vërtetojnë se Kosova dhe zgjidhja për Kosovën, e këtillë çfarë është, në bazë të paketës së Ahtisaarit, është zgjidhja më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe presim të marrim një përkrahje të tillë.

    BBC: Ju thoni se ka patur një process negociator, por pritet të ketë një tjetër process gjithashtu për çështjet që kanë të bëjnë me interesin e përbashkët me Serbinë. Çfarë mendimi ndani ju në këtë mes?

    Haradinaj: Besoj se ne në Kosovë tani duhet të identifikojmë temat vetë, që janë me interes të përbashkët, të ndërsjellë, për qytetarët e të dyja vendeve fqinje. Dhe në bazë të temave të identifikuar atë propzojmë vendosjen e një dialogu me Serbinë, që është një dialog mes të dy vendeve fqinje.

    Gjithashtu nëse ne vlerësojmë se kemi nevojë për ndihmën e një lehtësuesi për këto biseda ne vetë ta identifikojmë lehtësuesin. Unë nuk mendoj se ka situatë ose nevojë që kryeadministratori i Kosovës të marrë një rol të lehtësuesit të bisedave. Zhvillimet kanë shkuar më tej, Kosova është vend i pavarur dhe ajo mund t'i identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë fqinje dhe në rast se e vlerësojmë se ka nevojë ne do të kërkojmë një lehtësues.

    BBC: Pra nëse e kuptoj drejt, ju jeni për bisedime të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit?

    Haradinaj: Po, në bazë të temave të identifikuara ndërsjellë dhe gjithsesi në bazë të axhendave të dakorduara ndërsjellë si dy vende fqinje.

    BBC

  2. #2
    Sejdiu i gatshëm për takim me Tadiq



    Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka shfaqur gatishmërinë e tij për takim me homologun serb Boris Tadiq, por vetëm me një prani, siç ka thënë, të rëndësishme ndërkombëtare.

    Në një intervistë për BBC-në, presidenti tha se takimi me udhëheqësin serb do të mund të përqëndrohej vetëm në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane, duke kundërshtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit.

    Zoti Sejdiu tha se UNMIK-u nuk është një partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta, por sipas tij ai së bashku me EULEX-in mund të lehtësojnë dhe të çtensionojnë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Presidenti i Kosovës tha se Serbia nuk mund të pengojë shtetet e ndryshme në njohjen e realitetit në Kosovë dhe shfaqi bindjen e tij se nisma e qeverisë së Serbisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të japë rezultat.

    Presidenti kundërshtoi paralelet mes Kosovës dhe Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, duke e cilësuar Kosovën si rast të veçantë dhe nënvizoi se Rusia ka hyrë në një situatë shumë të komplikuar.

    Zoti Sejdiu ka përjashtuar çdo mundësi të përplasjeve me Serbinë, përfshirë edhe veriun e Kosovës, të cilin e cilësoi si pjesë integrale të Kosovës. Ai ka dekretuar të martën, përfaqësuesit e parë diplomatikë të Kosovës në dhjetë shtete të botës.

    Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me presidentin e Kosovës dhe fillimisht i kërkoi vlerësim për diplomacinë kosovare, që e kishte dekretuar.

    Presidenti Sejdiu: Unë mendoj se përzgjedhja që është bërë është e tillë që garanton cilësi. Mendoj se është një hap i rëndësishëm që në fillim me këtë njerëz. Me rëndësi është se ne kemi zhvilluar konsulta të thella me kryeministrin, me ministrin e jashtëm për një periudhë të gjatë kohore për të nxjerrë këtë listë.

    Kujtoj se edhe ekipet e tjera që do të jenë bahskë me ta do të jenë kompetente. Për ne ka qenë e rëndësishme që të propozojmë dhe në fund të bëjmë edhe dekretimin e këtyre njerëzve që do të jenë, që lirisht po e quaj, do të jenë bërthama e parë e diplomacisë së Kosovës, në kuptim të qëndrueshmërisë kohore, pra ajo që gjithmonë mëtohet, në vendet e demokracisë së zhvilluar, që të jenë diplomatë të karrierës.

    Për ne është ky një fillim, unë dëshiroj të vazhdojmë sikur që ka qenë kjo qasje e bashkëpunimit të thellë dhe e përzgjedhjes jashtë konturave partiake, sepse pjesa dërrmuese dhe si tërësi janë të tillë, pra nuk ka ndonjë refleksione të lidhmërisë organike të strukturave partiake të të propozuarve.

    Pra janë njerëz që do të prezantojnë denjësisht Kosovën, janë njerëz që kanë një horizont në ndërtimin edhe profesional dhe të kulturës. Kjo do të jetë një uverturë e mirë për ecjet e mëtejme.

    BBC: President ju i dekretuat përfaqësuesit e parë diplomatikë të Kosovës në kohën kur opozita kishte shtuar kritikat ndaj politikës së jashtme kosovare…

    Presidenti Sejdiu: Ky është një moment i rëndësishëm që shënon pjesën e përkushtimit tonë në ndërtimin e strukturave të shtetit, të institucioneve, me këtë rast edhe të rrjetit diplomatic të Republikës së Kosovës. Paralelisht bëhet një punë e madhe në njohjen e mëtejme të Republikës së Kosovës nga vendet e tjera.

    Ne s'mund të publikojmë ose të trumpetojmë se biseduam këtu dhe me këtë njeri, kemi këtë ndërhyrje ose kemi këtë porosi të përcjellur. Është me rëndësi se puna nuk ndalet. Krahas institucioneve të Kosovës, flas këtu nga kabineti im, nga ministria e punëve të jashtme dhe nga kryeministri i Republikës, ne kemi po ashtu një përkushtim të veçantë të vendeve mike të Kosovës që të ndihmojnë atë në njohjet e reja.

    Mund të them se ndonjë prej vendeve që mund të paralajmërohet si meritë e ndonjërit nga njerëzit tanë mund të them se paralajëmrimet janë shumë më të hershme në rrugë zyrtare dhe kanale zyrtare. Me këtë nuk dua të nënçmoj angazhimin e secilit njeri që mund të kontribuojë për Kosovën në atë që ne mund ta quajmë në mirëbesim, por rruga institucionale është përparësi e të gjithëve. Por këtu përfshihet edhe bashkëpunimi me personalitete.

    Në këtë rast dua të them se për ne është me rëndësi të ruajmë një komunikim të mirë me vendet që e kanë njohur Republikën e Kosvës, me vendet që janë në përgatitje të njohjes së Republikës së Kosovës.

    Në këtë kuadër janë disa sosh dhe nuk dua të përmend emra për të marrë dhe për të thënë se kjo do të ndodh këtë ditë, ose ky vend do ta bëjë këtë ditë. Për ne është me rëndësi që të kemi sa më shumë njohje.

    BBC: President, kjo është diplomaci në krijim. Por a mund të bartet ajo me diplomacinë serbe që ka nisur ofensivën e saj madje edhe në OKB për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë?

    Presidenti Sejdiu: Unë nuk mund të them se kjo është një garë, por një përballje e dy qasjeve që mund të kenë edhe nivele të përballjes në mekanizmat ndërkombëtarë, por është përballje e dy kauzave. Asaj që Serbia pretendon edhe tash, çmendurisht, që të rikthejë pozicionet koloniale ndaj Kosovës dhe të jetë hegjemone edhe ndaj vendeve të tjera juglindore dhe që nuk mund të ketë argumente që ta mbrojë këtë qasje. Madje as në kërkesën e saj që të vë në bankën e zezë çështjen e Kosovës dhe vendet që e kanë njohur paralelisht pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër kemi argumentet tona që janë të mbështetura ndërkombëtarisht.

    Unë edhe njëherë ripërsëris se Kosova është njohur nga më shumë se tri të katërta e BE-së dhe këto ditë do të ketë edhe njohje të tjera, nga nodnjë prej vendeve anëtare të BE-së dhe natyrisht është e njohur nga vendet më të fuqishme të botës. Për këtë arsye themi se ne jemi në një rrugë të drejtë, por kjo s'do të thotë që të mos japim përgjegjet tona dhe këtë do ta bëjmë në nivele të ndryshme.

    Kujtoj se kjo qasje, dhe kjo nismë që Serbia e ka inicuar, do të thosha drejtpërdrejtë, për të shpërlarë retorikën e vet të ashpër ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj ndonjë vendi që ka trumpetuar për të mendoj se do të mbete pa efekte.

    Ne do të vazhdojmë rrugën tonë të zhvillimit, rrugën e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje në rajon, pra edhe me vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por që janë në proces të studimit dhe atë që ne duam ta themi, ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik, shtet i të gjithë qytetarëve të saj, me garanca të veçanta për komunitetet pakicë. Orientimet tona themelore janë integrimi në BE dhe në NATO dhe partneri e miqësia e mirë me vendet që e kanë mbështet gjatë Republikën e Kosovës, në këtë rast SHBA-në dhe BE-në.

    BBC: Do ta pengojë kjo nismë e Serbisë Kosovën në rrugëtimin e saj të mëtejmë?

    Presidenti Sejdiu: Unë nuk besoj se do të ketë pengesa. Mbase mund të ketë ndonjë vend, tepër i rrallë, që mund të shtrojë para vetes dilemën që ta studiojë lëndën e Kosovës edhe ndonjë ditë. Unë nuk besoj se Serbia do të arrijë që të pengojë vendet në ecjen e tyre për njohjen e këtij realiteti praktik që kemi në Kosovë, pra Republikën sovrane të Kosovës, që është e njohur nga shumë vende të botës.

    BBC: President ju keni deklaruar më herët se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me asnjë rast tjetër në botë. Por a mendoni se bllokada në KS të OKB-së dhe këmbëngulësia ruse në Këshill të Sigurimit mund ta pengojë Kosovën në të ardhmen?

    Preisdenti Sejdiu: Unë mendoj se ai trajtim që e kemi dhënë më herët dhe që është në mbështetje të përgjithshme ndërkombëtare është se Kosova është sui generis dhe nuk mund të jetë as shembull precedenti për zgjedhje apo për situata në hapësira të tjera të globit. Ju e shihni se forcërisht këtë qëndrim e mbajnë edhe sot e kësaj dite vendet kryesore të BE-së, të SHBA-së por edhe të vendeve të tjera. Rusia ka hyrë në një situatë, që edhe në aspektin psikologjik por edhe në aspektin e lëvizjeve strategjike është bukur e komplikuar.

    Ne kemi shprehur shqetësimet tona për viktimat që kanë ndodhur në Gjeorgji, por paralelisht themi se është i nevojshëm investimi ndërkombëtar për të ndërprerë ecjen e mëtejme të trazimit të asaj pjese të botës, duke pasur parasysh këto angazhime të veçanta që i bëjnë SHBA, Britania e Madhe e Franca. Për ne është me rëndësi që ta vazhdojmë bërjen e Kosovës funksionale në kuptimin e shprehjes së identitetit dhe të vlerave të saj në mënyrën më të mirë të mundshme si shtet i të gjithë qytetarëve.

    Paralelisht mund të themi në të njëjtën kohë, ka edhe shqetësime të veçanta që kanë ardhur edhe tek pala serbe në kuptimin e marrëdhënieve të saj me Federatën Ruse. Ju e keni parë "kujdesin" ose moskujdesin për deklarimet që i bën Federata Ruse për vendet që ajo mendon se mund t'i ketë në një rrafsh të përbashkët, për të njohur Abkhazinë ose Osetinë Jugore. Ne kthehemi edhe njëherë në formulën tonë se Kosova është sui generis dhe nuk mund të jetë shembull krahasues me askë, me asnjë vend, dhe në këtë rast as me këto dy hapësira që janë në kuadër të shtetit të Gjeorgjisë.

    BBC: Me sa e kuptoj ju mendoni se pozicioni i Serbisë përballë Kosovës në këto çaste është më i dobësuar?

    Presidenti Sejdiu: Unë mund të them se Serbia ka marrë edhe një përgjigje shtesë nga ajo që ka mësyrë në një rrugë të keqe. Kujtoj se ajo gjendet në një dilemë të madhe. Ju i shihni edhe lëvizjet që i gjejmë në pjesën e diplomacisë së saj, në reflektimet e herëpashershme të njerëzve të institucioneve se çka të bëjnë dhe në përplasjet e mëdha që janë brenda vetëvetes. Nuk mund të them në këtë rast të pozitës dhe opozitës por të dy qëndrimeve eventuale që mund të jenë të pranishme në politikën serbe, e para të asaj retorikës së ashpër dhe joracionale me të cilën është udhëhequr deri më tani dhe dyta, të zërave që mund të jenë me një arsye të re apo me një gjykim të ri që e duan Serbinë të shkëputet nga rruga që e ka nisur dhe të vazhdojë, të pranojë dhe të përkrahë nismat perëndimore për integrimin e saj dhe për lëvizjet pozitive që duhet t'i ketë e që në radhë të parë janë interes edhe i vetë Serbisë.

    BBC: Zoti president jeni të gatshëm që të takoheni me Beogradin zyrtar për të diskutuar çështjet e interesit të përbashkët?

    Presidenti Sejdiu: Në situata të ecjes të mëtejmë, gjithmonë si dy vende sovrane, në temat që mund të jenë në interes të qytetarëve të njëri dhe vendit tjetër, po, absolutisht po. Natyrisht se në këtë periudhë ne japim edhe një përgjigje paralele se me Beogradin asnjëherë s'do të ketë takime dhe tema të cilat lidhen me statusin.

    Kosova ka përfunduar procesin e pavarësimit të saj, ajo është njohur ndërkombëtarisht nga shumë vende. Kosova ka pasur dhe ka shumë miq që e kanë mbështetur këtë rrugë të lirisë së saj dhe të lirisë së njerëzve të saj, pra të të gjithëve.

    Prandaj nuk ka asnjë hapësirë që të zë vend ndonjë përkushtim në kërkesat apo temat që Beogradi dëshiron t'i shtrojë si të pakryera apo t'u qaset apo riqaset se s'kemi pasë mundësi të arrijmë pëlqimet. Rreth çështjeve të statusit asnjëherë nuk mund të arrihet pëlqimi.

    Ne e kemi përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme në një process ndërkombëtar. Ndërsa temat që kanë të bëjnë me relacionet që lidhen apo me marrëdhëniet mes shteteve sovrane ato janë të nevojshme të trajtohen, pse jo.

    BBC: Me ndërmjetësim apo pa ndërmjetësim të UNMIK-ut?

    Presidenti Sejdiu: Unë në këtë rast nuk e quaj UNMIK-un partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta në tema, por mund ta quaj si pjesë të një faktori ndihmëtar së bashku me EULEX-un që mund të lehtësojnë apo të japin një relaks në marrëdhëniet tona, në kuptim të investimit për të rënë tensionet. Një gjë e mirë është se nga ana e Kosovës nuk ka impulsime për të pasur tensione me Serbinë.

    Krahas asaj që mund të quhet paradoksale, kemi dhënë sinjale më të mira të mundshme për raportet e ardhshme mes dy vendeve, karshi elementit se Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për viktimat që ka shkaktuar dhe për shkatërrimet që i ka bërë në Kosovë.

    Në anën tjetër, nëse Serbia e zgjedh ende që të mbajë tensione dhe të involvohet në forma të ndryshme në mbajtjen dhe ushqimin e strukturave paralele, sigurisht se nuk do të jetë poen pozitiv për vetveten dhe mendoj se do të krijojë edhe një iluzion për një kohë tek qytetarët serbë, të cilët mendojnë, sidomos ajo pjesa radikale e cila është eksponuar në këto forma, se do të kenë shanse të rikthimit të Kosovës, me dhunë, në kuadër të vetvetes.

    BBC: Por a mund të ketë përplasje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut të saj?

    Presidenti Sejdiu: Mendoj se koha e konfrontimeve ka kapërcyer. Për ne është më shumë rëndësi se Kosovën, kufijtë e Kosovës dhe integritetin e saj e mbron armata më e fuqishme botërore, që është e cilësuar si armatë e paqes, e stabilitetit dhe e ruajtjes apo mbrojtjes së lirisë njerëzore. Në këtë kuadër ne kemi një partneritet të jashtëzakonshëm me NATO-n.

    Asnjëherë nuk mendojmë se duhet të hyhet në një luftë të re për cështje të natyrave apo të formave sic kanë qenë në këtë rast sic thoni edhe për cështjen e veriut. Veriu i Kosovës është i Kosovës, është pjesë integrale e Kosovës. Natyrisht se ka probleme, por që do të tejkalohen me një investim dhe inkurajim të asaj pjese të popuyllatës por edhe me programme zhvillimore. Gjithashtu do të them se ata që duan të përplasen me NATO-n e kanë shansin të përplasen nëse dëshirojnë.

    BBC: Dhe më lejoni. Jeni të gatshëm të uleni në një bisedë të drejtpërdrejt me presidentin serb, Tadiq?

    Presidenti Sejdiu: Në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane gjithmonë, nuk ka ndonjë problem asnjëherë.

    BBC: Ku do të takoheshit?

    Presidenti Sejdiu: Do të takoheshim gjithmonë, natyrisht me një prani të rëndësishme ndërkombëtare sikur e kami patur deri tash me miqtë tanë.

    BBC

  3. #3
    Beogradi reagon për deklaratën e Sejdiut



    Takim me Sejdiun vetëm nëse rinisin negociatat


    Presidenti i Serbisë do të takohej me presidentin e Kosovës vetëm nëse do të rihapeshin negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka deklaruar të enjten për mediat kabineti i Presidentit Tadiq.

    Kabineti i z. Tadiq reagoi pas një deklarate të presidentit Sejdiu dhënë BBC-së dy ditë më parë ku ai nuk e përjashtoi mundësinë e takimit me z. Tadiq, por përjashtoi mundësinë e bisedimeve për statusin e Kosovës.

    Presidenti Sejdiu shfaqi gatishmërinë për takim me z. Tadiq por vetëm në prani 'të rëndësishme' ndërkombëtare.

    Reagim

    Por kabineti i presidentit serb ka deklaruar për mediat e Beogradit se ai dhe z. Sejdiu do të mund të takoheshin vetëm nëse do të nisnin negociata të reja mbi statusin e Kosovës, nën kujdestarinë e OKB-së.

    "Mënyra e vetme e mundshme që të takohen presidenti i Serbisë, Boris Tadiq dhe Zotri Sejdiu janë negociatat e reja nën mbikqyrjen e KB mbi statusin e ardhshem të krahinës tonë Jugore të Kosovës e Metohisë", kanë deklaruar nga kabineti i presidentit Tadiq.

    Ky është një skenar që presidenti i Kosovës e ka hedhur poshtë.

    Në intervistën dhënë BBC-së, z. Sejdiu tha se takimi i mundësh me udhëheqësin serb do të mund të përqëndrohej vetëm në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane, duke kundërshtuar kështu mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit.

    BBC

Tema të Ngjashme

  1. Hasan Prishtina [1873-1933]
    Nga AuGuSt_ në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 49
    Postimi i Fundit: 28-11-2011, 15:53
  2. Drenica
    Nga Foleja_ në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 181
    Postimi i Fundit: 14-01-2011, 00:30
  3. Mediat Ne Kosove
    Nga ARIANI_TB në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-03-2006, 19:08
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-09-2005, 11:06
  5. Aktakuza e tribunalit të Hagës për Haradinaj
    Nga I-amëshuar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 14:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •