Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1

    Adem Demaçi: KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE ("BALLKANIA")

    Adem Demaçi


    Krejt çfarë ka bërë, deri më sot, z.Milosheviq në fushën politike ka qenë në kundërshtim të plotë me arsyen e shëndoshë, por ka qenë na pajtim të plotë me qëllimin e tij për ta ruajtur pushtetin për veten dhe për klasën e vet politike. Argumentet për këtë dihen dhe janë të shumtë.
    Të gjitha veprimet politike të z.Milosheviq janë në funksion të robërisë dhe të padrejtësisë njerëzore dhe si të tilla janë në kundështim të plotë me Ligjin e pandalshëm të ecjes drejt lirisë. Burimi i problemeve të mëdha politike dhe ekonomike të Serbisë është klasa politike e Serbisë, e cila edhe pas të gjitha disfatave që pësoi, ende nuk ka hequr dorë nga politika autoritare ndaj popullit të vet dhe nga politika dominuese, diskriminuese dhe destruktive ndaj popujve joserb.
    Shkaktarët më të mëdhenj të problemit më të madh politik të Serbisë së sotme, të çështjes së Kosovës, janë klasa politike në krye me z.Slobodan Milosheviq dhe kompleksi ushtarako-policor, gjithmonë në funksion të ruajtjes dhe të mbrojtjes së hegjemonizmit serbomadh.
    Këto dy komponenta të regjimit serb ishin gjenerator i krizës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, janë gjenerator i krizës në Serbinë e sotme dhe, nëse nuk do të eliminohen, do të jenë gjenerator i krizës edhe në hapësirën e Ballkanit.
    Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, do ta lehtësonte, deri në një pikë, komunikimin e faktorëve botëror me regjimin e Beogradit, por edhe vetë Beogradit do t'ia lejonte një fushë më të gjerë të manovrimit, sepse ndërmjetësuesi, me siguri, do të ishte nga OSBE-ja dhe këshilli Evropian. Dhe nga përvoja jo e largët e dimë se regjimi serb është shumë i aftë që, dallimet dhe diferencat midis anëtarëve të Bashkimit Evropian, t'i shfrytëzojë për qëllimet e veta hegjemoniste.
    Mirëpo udhëheqësi e regjimit të Serbisë e parandjejnë se, në rastin e Kosovës, për shkak të pozitës së saj tejet të rrezikshme, faktorët e implikuar botërorë e sidomos SHBA-të, nuk do të lejonin reprizën e Bosnje e Hercegovinës. prandaj edhe regjimi i Beogradit, do të bëjë çmos që populli në Serbi të përcaktohet kundër internacionalizimit të çështjes së Kosovës.
    Duhet ditur gjithashtu se internacionalizimi, vetvetiu, nuk e zgjidh çështjen e Kosovës, sepse ka rëndësi esenciale se kush do të jetë ndërmjetësuesi. Nga përvoja e hidhur që përjetuan në Bosnjë e Hercegovinë dhe pas masakrave më të ndërmjetësuesve dhe garante e negociatave, midis palës shqitare dhe serbe, të jenë SHBA-të. Asistenca dhe përkrahja e gjithanshme e Evropës Amerikanëve është më se e nevojshme, por Amerikanët duhet që ta marrin mbi vete përgjegjësinë për përgatitjen, zhvillimin e negociatave si dhe garantimin e implementimit të vendimeve eventuale. Praksa e tregoi se vetëm Amerikanët i kanë të gjitha mundësitë dhe instrumentet e domosdoshme për ta kryer një punë të tillë, të vështirë, me sukses.
    Në mars të vitit 1989, regjimi terrorist serb, me veprime antikushtetutare, ushtarako-policore, mbyti përgjithmonë, në shpirtin e shqiptarëve të robëruar, mundësinë e çfarëdo statusi autonom të Kosovës nën Serbi.
    Në janar, shkurt dhe mars të vitit vijuar 1998, regjimi terrorist i Beogradit, me masakrat e veta, më të egra dhe më gjakatare, ushtarako-policore, në Drenicë dhe Dukagjin, mbyti përgjithmonë mundësinë e mbetjes së Kosovës, me statusin e republikës së tretë, nën Federatën Jugosllave.
    Nëse do të ketë forca dhe vullnet në botë, që të ndalen, sa s'është bërë tepër vonë, qëllimet, planet dhe përpjekjet gjakatare të z.z.Milosheviq e Sheshel për "serbizimin" e Kosovës, atëherë mbetet kompromisi i vetëm i mundshëm KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE ("BALLKANIA").

    Ata që janë të interesuar mund ta kenë projekt-bërthamën në tërësi. Kjo është vetëm një përpjekje që të formulohet esenca e domosdoshme politike për organizimin e mundshëm të jetës në një bashkësi të këtillë shtetesh, të lira e sovrane, të Ballkanit. Kjo është, gjithashtu, në funksion të realizimit të deklarimit të popullit të Kosovës, në Referendumin e shtatorit të vitit 1991.
    Në vend të komenteve të mia paraprake, po citoj një pjesë nga projekt-bërthama "BALLKANIA".
    " Me qëllim që të ndërpritet gjakëderdhja e mëtejshme midis popullit shqiptar, në njërën anë dhe të popujve serb e malazez, në anën tjetër;
    me qëllim që t'i shmangemi edhe një gjakderdhjeje edhe më katastrofike se ajo në Bosnjë - Hercegovinë.
    me qëllim që t'i ruajmë maksimalisht interesat vitale të popujve shqiptar, serb e malazez;
    me qëllim që të plotësohen kërkesat këmbëngulëse të faktorëve ndërkombëtarë për mosprishjen me dhunë të kufijve në hapësirën e ish-Jugosllavisë;
    me qëllim që të krijohën kushtet konkrete dhe reale për zgjidhje të drejta dhe të përhershme, në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe në regjionin e Ballkanit, propozoj këtë projekt-bërthamë:

    KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE (më tutje BALLKANIA), nuk duhet të ketë kushtetutë, por do të mjaftojë një KARTË, si një deklaratë solemne, e hartuar nga të tria palët, në frymën e tejkalimit të së kaluarës dhe të fillimit të një ere të re në marrdhëniet midis këtyre shteteve të lira e sovrane ballkanike:.

    Ja edhe tre nenet e para nga projekt-bërthama e "BALLKANISË":

    1. BALLKANIA është lidhje e tre shteteve sekularë, të lirë e sovrane të Siujdhesës Ballkanike: KOSOVA, MALI I ZI, SERBIA.

    2. E drejta për të hyrë në BALLKANI dhe për të dalur nga BALLKANIA është e drejtë e patjetërsueshme, e paafatizuar dhe e paanulueshme.

    3. Çdonjëra nga anëtaret e BALLKANISË e ruan vendin e vet në organizatat ndërkombëtare siç janë OKB-ja etj.

    KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE (BALLKANIA), do të jetë vdekje për hegjemonizmin serbomadh dhe megalomaninë pansllaviste. Vetëm pas kësaj, pa pengesa, procesi i dezintegrimit, në hapësirat e ish-Jugosllavisë do të mund të shndërrohet në proces integrues.
    Vetëm me projektin BALLKANIA do të mund të anashkaloheshin mospajtimet e disa shteteve ballkanike, të cilat nuk pajtohen me bashkimin e Kosovës në një shtet me Shqipërinë, ose me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
    Vetëm në këtë KONFEDERATË, populli shqiptar i Kosovës, duke pasur shtetin e vet me mekanizmat përkatëse mbrojtëse, do të mund të ishte i sigurt për të ardhmen e vet dhe nuk do t'i humbte lidhjet e veta me bashkëkombasit e vet në Serbi, Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Maqedoni.
    Veëm në këtë KONFEDERATË serbët e malazezët e Kosovës nuk do të degradoheshin në pakica kombëtare, por do të mbeteshin popuj plotësisht të barabartë me shqiptarët.
    Vetëm me projektin BALLKANIA do të mund të evitohej destabilizimi i padëshirueshëm i Maqedonisë, sepse porsa të provohej se KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE do të funksiononte me sukses të plotë, asaj, shumë shpejt, do t'i bashkohej edhe Maqedonia. Në këtë mënyrë, do të fillonte edhe krijimi i KONFEDERATËS SË MESME BALLKANIKE. Në këtë mënyrë edhe populli shqiptar, brenda kufijve të Maqedonisë, do të pushonte të trajtohej si popull pakicë.
    Shumë shpejt, pas Maqedonisë, interesa të shumta dhe të forta do ta shtynin edhe Bosnje-Hercegovinën që t'i bashkangjitej KONFEDERATËS SË MËSME BALLKANIKE.
    Nga perspektiva e sotme duket si e pamundur, por brenda një kohe të shkurtë edhe Kroacia e tërhequr nga interesa të forta e të domosdoshme do t'i bashkohej KONFEDERATËS SË MESME BALLKANIKE dhe në këtë mënyrë do të hapej rruga edhe për krijimin e KONFEDERATËS SË MADHE BALLKANIKE.
    Në këtë mënyrë, Ballkani do të mbetej "bure pa barot" dhe një herë e përgjithmonë do të zhdukej nga agjendat e politikës ndërkombëtare dhe do t'u vinte radha Rusisë, Kinës dhe Indisë.
    Ky është opcioni im për zhvillimet e ardhme pavarësisht nga referendumi i 23 prillit, të vitit 1998, në Serbi.
    Mirëpo kundër këtij opcioni të civilizuar, po përgatitet opcioni barbar dhe gjakatar i klasës politike dhe i kompleksit ushtarako-policor të Serbisë, në krye me z.Milosheviq dhe Sheshel.
    Vallë, mos do të hezitojnë Amerika dhe Evropa, për t'i përdorë të gjitha mjetet e mundësitë e veta kolosale që kanë në dispozicion për të parandaluar urrejtjen dhe histerinë që po mbjellin kundër popullit të robëruar shqiptar dhe kundër botës së lirë e të civilizuar, mos do të hezitojnë, vallë, që do të parandalojnë luftën e re ne Ballkan, me pasoja katastrofike, që po përgatisin z.Milosheviq dhe Sheshel?
    Ata nuk po tallen. Ata po e pozicionojnë ushtrinë e policinë e vet dhe armët më të rënda në të gjitha pikat e Kosovës me qëllim që të ndalin ecjen e pandalshme drejt lirisë.
    Le të mos i lejojmë!

    (Autori është kryetar i PPK-së)

  2. #2
    Intervistë me Adem Demaçin
    Edhe po qe se Kosova bëhet e pavarur, unë do të jem ithtar i projektit Ballkania...

    Në këtë intervistë Nelson Mandela i Kosovës flet ekskluzivisht për bashkimin kombëtar dhe për projektin e tij Ballkania. Ai është i bindur se Ballkania nuk është projekt i dëmshëm. Shqiptarët nuk kanë kapacitet që ta kuptojnë këtë projekt – thotë simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Bile-bile, ai thotë se edhe pasi që Kosova të bëhet e pavarur, do të jetë edhe më tutje ithtar i projektit Ballkania…


    Intervistuar nga Shkëlzen Gashi

    A je për bashkim kombëtar a jo?

    Shikoni, çështja e bashkimit kombëtar nuk është çështje dëshire. Ajo klasë, e cila e ka krijuar vetëdijen kombëtare, e, e cila klasë na ka munguar gjatë gjithë kohës, sepse klasa kapitaliste e interesuar për ta ruajtur tregun e vet e ka zhvilluar ndjenjën kombëtare duke u munduar që të mos lejoj konkurrentë në tregun e vet kombëtar… ajo klasë ka luftuar për unisimin e gjuhës, për ngritjen e vetëdijes se ne i takojmë një kombi; se ne duhet ta kemi shtetin tonë; se ne s’duhet të na përzihet kërkush etjetj…E kjo klasë na ka munguar neve. Kur erdhi koha që të fillonin embrionet e para të krijimit të klasës kapitaliste, atëherë në Shqipëri fitoi komunizmi, e cila ishte një brymë e ftohtë që i shkatërroi në themel mundësitë e krijimit të klasës kapitaliste sepse komunizmi doli me idenë e internacionalizmit - çka na duhet neve kombi?! Domethënë, ende pa u bërë kombëtar, u bëmë ndërkombëtar…

    Tash po e dinamizojmë pakëz intervistën! Ju jeni njeri prej njerëzve kryesorë që jeni angazhuar për bashkim kombëtar dhe…

    Ashtu është! Ne të rinjtë atëherë kemi menduar se nuk ka zgjidhje tjetër përveç bashkimit kombëtar…

    Pse nuk keni kërkuar republikë, por keni kërkuar bashkim kombëtar?

    Sepse prapë do të ishim të lidhur me Serbinë. Po qe se ne kërkonim republikë, prapëseprapë Serbia do ta kishte fjalën kryesore dhe…

    Pse s’keni kërkuar atëherë konfederatë ku krejt republikat do të ishin të barabarta…

    Atëherë s’kemi pasur ide për konfederata. Pavarësia na dukej zgjidhja më e mirë…

    Pavarësia zgjidhja më e mirë apo bashkimi kombëtar…

    Pavarësia në kuptimin e bashkimit me Shqipërinë sepse mendonin se do të na ndihmonte Rusia ngase Rusia e dënonte revizionizmin serb…

    Do të thotë keni gabuar që keni kërkuar bashkim kombëtar…

    Ka qenë një vlerësim, një strategji e gabuar. Kemi menduar se do të na ndihmojë Rusia, e cila i kishte 100 popuj të shtypur. E lamë Rusinë e u kapëm për Kinën, duke menduar se edhe Kina do të na ndihmonte sepse edhe Kina filloi njëfarë propaganda anti-jugosllave. E ne thamë: e tash kemi rënë në një miliardë kinez dhe ka kush na ndihmon, por kinezët vetë e kishin Tibetin, e kishin…

    Kur e keni kuptuar se keni gabuar?

    Kur kam rënë në burg e kam kuptuar se kam gabuar, pra kur kam rënë në burg kam pasur më shumë kohë të lexoj dhe i kam kuptuar zhvillimet e ngjarjeve. Domethënë, e kam kuptuar Rusinë e Kinën…

    Kur ka qenë kjo?

    Në kohën e burgut të dytë! Ne kemi rënën në burg në qershor të vitit 1964, domethënë deri në qershor të vitit 1974, pra më janë dashur dhjetë vite që ta kuptoj se kemi vlerësuar gabimisht. Pra më është dashur ta lexoj Leninin krejt, Marksin e Engelsin krejt, pastaj autorë si Raselli, e shumë autorë të ndryshëm botërorë që ta kuptoj të vërtetën.

    Dhe e keni kuptuar që keni bërë gabim…

    E kam kuptuar që kemi vlerësuar gabimisht! Nga rezistenca jonë kemi arritur ta detyronim regjimin serb që t’u bënte lëshime shqiptarëve. Nga rezistenca jonë, të cilën e filluam në vitin 1964, kur i qitëm flamujt e parë në prill – me 13 prill 1964 – e deri në vitin 1974 u bënë një numër lëshimesh… Amendamentet e Kushtetutës së vitin 1964…

    E herën e tretë kur keni rënë në burg për çfarë arsye keni rënë pasi që jo për bashkim kombëtar, pra pasi që e keni kuptuar se keni bërë gabim…

    Mos thoni gabim! Nuk është gabim, por është vlerësim i gabuar. Politikisht doli se nuk ka qenë gabim sepse populli shqiptar megjithatë fitoi me ndryshimin e kushtetutës së vitit 1974. Me Kosovën më nuk mund të luanin majtap si më përpara…

    E pse keni rënë në burg herën e tretë atëherë?

    Më kanë përcjellur mirë gjatë kohës sa kam qenë në burg dhe e kanë vërejtur se politikisht jam pjekur shumë mirë dhe mund të jem i rrezikshëm për ta…

    Qysh i rrezikshëm? Ke mundur të fillosh të gjuash bomba…

    Jo, por të organizoj një formë të rezistencës…

    Tash për pavarësi e jo për bashkim kombëtar…

    Tash kjo ishte diçka tjetër. Ka pasur mundësi të përfundonte në bashkim kombëtar. Unë kam dalur nga burgu pikërisht në kohën kur Kushtetuta e vitit 1974 ka filluar të zbatohej. Kjo kushtetutë parashihte bukur shumë privilegje për Kosovën. Ne nuk e kemi pasur ende të formuluar mirë se çfarë të kërkonim…

    Vetëm se jo bashkim kombëtar…

    Bashkimi kombëtar varej se si do të vinte puna. Nëse do të vinte puna që bashkimi kombëtar të na sillte interes më të madh, ne do ta kërkonim atë… Nëse do të vinte puna që ne të kërkonim një konfederatë, siç edhe e patën filluar ta kërkojnë sllovenët…

    A kanë menduar kështu sikur ju edhe shokët me të cilët keni punuar… pra se më nuk duhet të punohet për bashkim kombëtar…

    Jo! Kurrë nuk kanë menduar se duhet të ndërpritet puna për bashkim kombëtar! Është një fenomen me mua dhe me shokët e mi. Gjithmonë kur kam dalur unë nga burgu, shokët i kam gjetur në ato pikat fillestare, pra në ato pikëpamjet fillestare, kurse unë…

    Do të thotë i keni tradhtuar shokët…

    Kurse unë… S’i kam tradhtuar shokët, por kam ecur përpara… Kurse unë jam kapur me do shokë tjerë të cilët kanë menduar pak më ndryshe. Për shembull kur kam dalur nga burgu i parë jam kapur me do shokë të cilët kanë menduar për bashkim kombëtar, ndërsa në fillim para se të burgosesha unë kanë menduar për do të drejta e anej knej… Nuk luftohet kundër Serbisë! Është e pamundur të luftohet Serbia e poshtë e përpjetë… Kurse burgu i dytë ishte diçka tjetër: duhet vetëm bashkim kombëtar sepse terrori atëherë - ti s’ke qenë atëherë – ka qenë i papërshkrueshëm…

    A ke pasur problem me shokët kur ke dalur nga burgu…?

    Nuk kam pasur problem me shokë. Mua më janë afruar njerëz me pikëpamje më të avancuara dhe unë me ta jam kapur…

    Më të avancuara do të thotë të heqësh dorë nga bashkimi kombëtar…

    Jo! S’është lëshuar pe nga bashkimi kombëtar. As sot s’po lëshohet pe nga bashkimi kombëtar. Tash ne po tentojmë që bashkimin kombëtar ta bëjmë në suazën e trendeve evropiane. Unë nuk jam kundër bashkimit kombëtar sepse kjo është një e drejtë elementare e çdo populli, mirëpo…

    Pasiqë qenka e drejtë elementare e çdo populli pse s’po angazhoheni atëherë për bashkim kombëtar…

    Nuk angazhohem sepse bashkimi kombëtar nuk mund të arrihet me ato mjetet klasike…

    Cilat janë ato mjete?

    Nuk e kemi forcën! Ne do të binim në konflikt me shqiptarët rreth e rrotull…

    Ne biem në konflikt po qe se angazhohemi për pavarësi e i lëmë anash shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi…

    Jo nuk biem sepse krijohet një situatë e qetë ku të gjithë afërsisht gjinden aty ku janë dhe…

    E pse s’krijohet kjo situatë e qetë me bashkimin kombëtar? Pse besoni që shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi s’do të kryengriten…

    Së pari, ne nuk e kemi klasën që do ta krijonte bashkimin kombëtar. Ende nuk është krijuar klasa kapitaliste. Vetëm klasa kapitaliste mund ta krijoj bashkimin kombëtar. Në procesin që po hyjmë ne do ta kemi shumë të vështirë ta krijojmë klasën kapitaliste. Ju po e shihni se ka njerëz që kanë para, por nuk i harxhojnë për çështje kombëtare, por i harxhojnë për çka po di unë – bukuroshen e kësaj e bukuroshen e asaj… për sport e për poshtë e përpjetë… Me fjalë tjera, ne nuk e kemi klasën kapitaliste sikur që ka lindur te popujt tjerë…

    S’mora përgjigje në pyetje! Pse mendoni që nuk do të ketë kryengritje në viset ku jetojnë shqiptarët përreth Kosovës po qe se nuk bëhet bashkimi kombëtar… A s’i tradhtojmë ne shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi po qe se angazhohemi vetëm për pavarësinë e Kosovës…

    Shikoni! Tradhtia është fjalë e rëndë! Nëse ti ke mundësi ta bësh një punë dhe për interesa të ngushta nuk e bën atëherë i tradhton ata… Por nëse ti nuk mundësi sepse rrethanat nuk të lejojnë sepse s’ke as mekanizma as forcë sepse tekefundit forca është ajo që i ndërron kufijtë e i ndërron situatat etjetj… Ne nuk kemi vetëdije kombëtare të formuar sa duhet. Luftonte Drenica e derdhte gjak ndërsa nëpër Prishtinë dilnin gocat me miniqa deri në 12:00 të natës… Me fjalë tjera, vetëdija kombëtare është ende në formim e sipër. Popujt tjerë po heqin dorë nga shtetet nacionale dhe ne nuk po hasim në mirëkuptim te të tjerët për shtetin nacional…

    Ju jeni për shtet të pavarur të Kosovës…

    Unë jam për shtet të pavarur të Kosovës. Jam për një kanton të shqiptarëve në Maqedoni. Jam gjithashtu për një kanton të shqiptarëve në Serbi dhe…

    Edhe për një kanton të serbëve në Kosovë…

    Le të bëhet edhe një kanton i serbëve në Kosovë në qoftë se duan ata. Por të bëhet kantoni para se ne të bëhemi të pavarur nuk bën. Atëherë kjo do të nënkuptonte bashkimin e atij kantoni me Serbinë…

    Nëse jeni për shtet të pavarur të Kosovës atëherë jeni edhe për flamur të Kosovës…

    Patjetër! Ne duhet ta kemi flamurin tonë! Duhet ta kemi edhe himnin tonë!

    A mos po i fyeni pakëz shokët me të cilët keni punuar për bashkim kombëtar…

    Ha-ha-ha! Mund të fyhen ata të cilët nuk e kuptojnë realitetin! Sepse nëse dëshiron të bëhesh shtet duhet ta kesh firmën tënde. Nëse ti dëshiron të jesh Shkëlzen ti duhet ta kesh emrin tënd. S’mund të jesh ti edhe Shkëlzen edhe Adem…

    A ke menduar ndonjëherë se kjo ideja e himnit të Kosovës dhe e flamurit të Kosovës është në përputhje me idetë e qarqeve politike shoviniste serbe e greke…

    Ne nuk humbim asgjë nëse ne bashkohemi në Evropën e Bashkuar sepse kufiri do të mbetet formal. Ne humbim vetëm nëse nuk mund të hyjmë në Evropë të pavarur. Atëherë Serbia dalëngadalë do të na kapërdijë, ndërsa nëse hyjmë në Evropë të pavarur ne automatikisht nuk humbim asgjë… Nuk duam të bëjmë probleme e të ndryshojmë kufij formal sepse s’do të na pengojë askush që net ë bashkëpunojmë në të gjitha fushat me Shqipërinë… Kufijtë do të jenë vetëm administrative… Pikërisht sepse ka zgjatur kaq gjatë ndarja e Kosovës dhe Shqipërisë…

    Fillimisht keni menduar për bashkimin kombëtar si zgjidhja më e mirë, pastaj pas viteve të 90-ta keni menduar se zgjidhja më e mirë është pavarësia… Në vitin 1997 Keni dalur me projektin Ballkania…

    Projekti Ballkania ishte një përpjekje që ta mashtronim Serbinë sepse në atë kohë ne ishim ngritur në kryengritje dhe duke paraparë që do të ketë gjakderdhje të madhe dhe duke e ditur s’jemi të përgatitur që të luftojmë me armatën jugosllave dhe ta mundim atë, atëherë propozimi im ka qenë Ballkania – ku të gjithë, pra Mali I Zi Serbia dhe ne do të ishim shtete me himne; me flamuj; me anëtar në Kombet e Bashkuara; me armatë… me të gjitha…

    Veç pak të lidhur me Serbinë…

    Po pak të lidhur me Serbinë në atë mënyrë që të mund të shkoqesh kur të duash. Ne nuk do të humbnim asgjë me këtë konfederatë…

    Për vitin 1997 kjo ide s’ka qenë e keqe, por ju tash keni deklaruar për një gazetë beogradase se projekti Ballkania do të mund të realizohej edhe tani dhe ju jeni i gatshëm që…

    Veç se tash është një ndryshim këtu: Atëherë kam propozuar derisa kemi qenë të robëruar nga Serbia, kurse tash po propozoj që ne fillimisht të pranohemi si shtet e pastaj hyjmë në biseda për konfederatë. Me fjalë tjera, prapë po dua…

    Po don që të na kthesh në Serbi…

    Jo, jo nuk është nën Serbi konfederata…

    Po ju po thoni se njëherë duhet të bëhemi të pavarur! E pse paskëtaj të futemi në konfederatë me Serbinë…

    Jo! Ne po i bashkojmë disa sende që na interesojnë!

    Jo s’po duam të kemi asgjë të përbashkët me Serbinë…

    Nën kë do të futemi po qe se hyjmë në BE?!

    Në Evropë, por jo në Serbi

    Çka është ajo Evropë?! Pse po tutesh ti nga Serbia kur ti e ke armatën tënde, ekonominë tënde, politikën tënde…

    Po Serbia na ka vrarë, na ka prerë… dhe nuk duam të kemi më lidhje me të…

    Na ka vrarë e na ka prerë, por ti nuk mund ta vazhdosh armiqësinë deri në infinit… Krijimi i konfederatës pasi që të bëhet Kosova subjekt i pavarur, pra pasi që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara – edhe malazezët po duan një gjë të tillë – do të ishte një përparësi e madhe për shqiptarët sepse do të arrinim ta përfundonim konfliktin shqiptaro-serb. A e dini çfarë po thonë serbët?! Ata po thonë se nuk guxojmë t’ia japim Kosovës pavarësinë sepse menjëherë bashkohet me Shqipërinë dhe krijohet Shqipëria e madhe. Kështu që kur të krijohet konfederata me Serbinë dhe me Malin e Zi del që ne s’jemi të interesuar të bashkohemi me Shqipërinë, por të bëhen shtet stabil…

    Në bazë të kësaj që po e thoni tani del se ne është dashur ta pranojmë Rambujenë…

    Jo! Rambujeja nuk e ka nënkuptuar këtë punë, por e ka nënkuptuar autonominë në kuadër Serbisë…

    Ka njëfarë ngjashmërie këtu sepse…

    S’ka kurrfarë ngjashmërie…

    Po, sepse ju fillimisht keni lëshuar pe nga bashkimi kombëtar në pavarësi… edhe ata prej pavarësisë kanë lëshuar pe në autonomi (Rambuje)… S’u bë kurrgjë…

    Jo qysh s’u bë kurrgjë…

    Ata i kanë vlerësuar objektivisht rrethanat sikur ju qysh i keni vlerësuar rrethanat kur keni dalë prej burgut dhe keni hequr dorë nga bashkimi kombëtar…

    Ata nuk i kanë vlerësuar gjërat si duhet…

    Atëherë as ti nuk i ke vlerësuar gjërat si duhet kur ke hequr dorë nga bashkimi kombëtar…

    Unë s’kam hequr dorë nga bashkimi kombëtar, por bashkimin kombëtar po e kërkoj sipas mundësive aktuale botërore. E kam kërkuar bashkimin kombëtar me ndihmën e Rusisë e pastaj me ndihmën e Kinës, por kjo ka qenë një fantazi…

    Edhe ata që e kanë nënshkruar Rambujenë kanë kërkuar pavarësinë me ndihmën e Amerikës, por kjo ka qenë një fantazi dhe kanë pranuar Rambujenë…

    S’është kështu sepse Amerika ka qenë e gatshme që t’i dalë në ndihmë popullit shqiptar dhe i doli në ndihmë…

    Me çka i doli në ndihmë?! Me intervenimin e NATO-s…

    Po pra me intervenimin e NATO-s, pastaj me shumë rezoluta të miratuara…

    Po ai intervenim është bërë për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Serbisë…

    Nuk e kanë pranuar Serbinë në organizatat ndërkombëtare, pra Serbia ishte e anatemuar dhe sikur shqiptarët të qëndronin vetëm edhe pak dhe këtu do të merrej për bazë e drejta për vetëvendosje…

    Edhe ju sikur të qëndronit vetëm edhe pak, e të mos hiqnit dorë nga bashkimi kombëtar ne do t’i ishim bashkuar…

    S’ka pasur shanse…

    Adem Demaçi dikur simboli i bashkimit kombëtar, sot kundër bashkimit kombëtar…

    S’kemi mundur të bashkohemi për shkak të mungesës së klasës kapitaliste…

    Është dashur t’i kaloni dhjetë vite në burg që ta kuptoni se ideja e bashkimit kombëtar është ide e gabueshme… Edhe sa vite duhet t’i kaloni në burg që ta kuptoni se projekti Ballkania është i gabueshëm…

    Mos ma imputoni këtë ide e gabuar! Unë po them vlerësim i gabuar, kurse ideja e bashkimit kombëtar nuk është e gabuar. Ne po shkojmë kah realizimi i idesë së bashkimit kombëtar por në kushte dhe rrethana tjera…

    Është dashur t’i kaloni dhjetë vite në burg që ta kuptoni se ideja e bashkimit kombëtar është ide e gabueshme… Edhe sa vjet duhet t’i kaloni në burg që ta kuptoni se projekti Ballkania është i gabueshëm… A mjaftojnë pesë vite…

    Nuk besoj që është i dëmshëm në qoftë se projekti Ballkania realizohet ashtu si po them unë. Edhe po qe se e fiton Kosova nesër pavarësinë, unë do të jem ithtar i projektit Ballkania… Ballkania do të jetë një shkollë përgatitore për të shkuar në Evropë. Nuk na pranon neve Evropa qysh po mendojnë shqiptarët…

    Duhet të lidhemi me Serbinë që të na pranojë Evropa…

    Po duhet të lidhemi me Serbinë e me Malin i Zi… Duhet të tregojmë se s’mbajmë inati etjetj…

    Pse s’bën projekti Ballkania me Shqipërinë – pra Kosova dhe Shqipëria të jenë subjekte të Ballkanisë…

    S’ka kuptim me Shqipërinë…

    E me Serbinë ka kuptim?

    Me Serbinë ka kuptim, kurse me Shqipërinë s’ka kuptim projekti Ballkania…

    Me Shqipërinë s’ka kuptim se ata s’na kanë vrarë kurse me Serbinë ka kuptim se ata na kanë vrarë na kanë masakruar…

    Nëse ne jemi një popull, një gjuhë e një gjak atëherë duhet të bashkohemi - kjo ka kuptim e jo konfederata… Ne mund të bashkohemi me Shqipërinë, por atëherë dalin kundërshtarët e thonë: ja, ne u kemi thënë se Shqipëria e madhe po krijohet, e prandaj ne kemi thënë se s’duhet të njihet pavarësia e Kosovës. Kështu që ne duhet të shkojmë në konfederatë, e cila mund të jetë e përkohshme 10 vjet, 15 vjet… s’ka rëndësi… atëherë kjo do të jetë një përgatitje për shkuarjen në konfederatën e madhe evropiane… Kështu ne paraqitemi një popull jo-hakmarrës, jo-destruktiv…

    Ata edhe me pavarësinë po na paraqesin destruktiv, ekstremist…

    Ajo është në natyrën e atyre që nuk duan të japin diçka që të takon, mirëpo pavarësia sot po hahet… Po të kishin shqiptarët kapacitet që ta pranojnë këtë projektin Ballkania atëherë disa shtete që nuk janë dakord t’ia japin Kosovës pavarësinë do të bindeshin që ne nuk jemi për Shqipëri të madhe…

    Faleminderit për intervistën!

    Edhe juve faleminderit!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,636
    Nuke e mora vesh mirë; ka ndermend te krijoje " Albaniden" apo" Ballkaniden" e re ?
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

  4. #4
    Njohuria te ben te lire Maska e SuNRiSeR
    Anëtarësuar
    29-05-2002
    Vendndodhja
    ...where everything fades...
    Postime
    368
    Kjo ideja e Ballkanias po me duket interesante, hyme ne lidhje, merzitemi, dalim nga lidhja, skemi c'bejme, hyjme prape ne lidhje, rrime ca kohe dalim prape deri sa vjen roja i pyllit dhe i nxjerr te gjithe jashte nga lidhja.

    Megjithese nuk dua te tregohem kundershtar i hapur i ketij projekti utopik por deri diku dhe qesharak, nuk mund te mos me vijne ndermend arsyet dhe shpresat e jugosllaveve kur paraqiten konfederaten e tyre te rr per here te pare ne konferencen e parisit me 1919. Bashkepunim midis republikave, e drejta per tu larguar nga konfederata sipas interesave te vecanta te co republike, barazi per te gjithe popujt e tyre. "Si u nis dhe si u bitis."

    Pershendetje, SS

Tema të Ngjashme

  1. Onomastikë - Etniku dardan dhe horonimi Dardania
    Nga Shën Albani në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 55
    Postimi i Fundit: 20-03-2009, 13:30
  2. Vetëvendosja proteston dhunshëm kundër planit të Ahtisarit
    Nga Alienated në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 769
    Postimi i Fundit: 02-01-2008, 08:50
  3. Demaçi jep dorëheqjen nga bordi i RTK-së
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 16-01-2004, 14:32

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •