Adem Demaçi
Krejt çfarë ka bërë, deri më sot, z.Milosheviq në fushën politike ka qenë në kundërshtim të plotë me arsyen e shëndoshë, por ka qenë na pajtim të plotë me qëllimin e tij për ta ruajtur pushtetin për veten dhe për klasën e vet politike. Argumentet për këtë dihen dhe janë të shumtë.
Të gjitha veprimet politike të z.Milosheviq janë në funksion të robërisë dhe të padrejtësisë njerëzore dhe si të tilla janë në kundështim të plotë me Ligjin e pandalshëm të ecjes drejt lirisë. Burimi i problemeve të mëdha politike dhe ekonomike të Serbisë është klasa politike e Serbisë, e cila edhe pas të gjitha disfatave që pësoi, ende nuk ka hequr dorë nga politika autoritare ndaj popullit të vet dhe nga politika dominuese, diskriminuese dhe destruktive ndaj popujve joserb.
Shkaktarët më të mëdhenj të problemit më të madh politik të Serbisë së sotme, të çështjes së Kosovës, janë klasa politike në krye me z.Slobodan Milosheviq dhe kompleksi ushtarako-policor, gjithmonë në funksion të ruajtjes dhe të mbrojtjes së hegjemonizmit serbomadh.
Këto dy komponenta të regjimit serb ishin gjenerator i krizës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, janë gjenerator i krizës në Serbinë e sotme dhe, nëse nuk do të eliminohen, do të jenë gjenerator i krizës edhe në hapësirën e Ballkanit.
Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, do ta lehtësonte, deri në një pikë, komunikimin e faktorëve botëror me regjimin e Beogradit, por edhe vetë Beogradit do t'ia lejonte një fushë më të gjerë të manovrimit, sepse ndërmjetësuesi, me siguri, do të ishte nga OSBE-ja dhe këshilli Evropian. Dhe nga përvoja jo e largët e dimë se regjimi serb është shumë i aftë që, dallimet dhe diferencat midis anëtarëve të Bashkimit Evropian, t'i shfrytëzojë për qëllimet e veta hegjemoniste.
Mirëpo udhëheqësi e regjimit të Serbisë e parandjejnë se, në rastin e Kosovës, për shkak të pozitës së saj tejet të rrezikshme, faktorët e implikuar botërorë e sidomos SHBA-të, nuk do të lejonin reprizën e Bosnje e Hercegovinës. prandaj edhe regjimi i Beogradit, do të bëjë çmos që populli në Serbi të përcaktohet kundër internacionalizimit të çështjes së Kosovës.
Duhet ditur gjithashtu se internacionalizimi, vetvetiu, nuk e zgjidh çështjen e Kosovës, sepse ka rëndësi esenciale se kush do të jetë ndërmjetësuesi. Nga përvoja e hidhur që përjetuan në Bosnjë e Hercegovinë dhe pas masakrave më të ndërmjetësuesve dhe garante e negociatave, midis palës shqitare dhe serbe, të jenë SHBA-të. Asistenca dhe përkrahja e gjithanshme e Evropës Amerikanëve është më se e nevojshme, por Amerikanët duhet që ta marrin mbi vete përgjegjësinë për përgatitjen, zhvillimin e negociatave si dhe garantimin e implementimit të vendimeve eventuale. Praksa e tregoi se vetëm Amerikanët i kanë të gjitha mundësitë dhe instrumentet e domosdoshme për ta kryer një punë të tillë, të vështirë, me sukses.
Në mars të vitit 1989, regjimi terrorist serb, me veprime antikushtetutare, ushtarako-policore, mbyti përgjithmonë, në shpirtin e shqiptarëve të robëruar, mundësinë e çfarëdo statusi autonom të Kosovës nën Serbi.
Në janar, shkurt dhe mars të vitit vijuar 1998, regjimi terrorist i Beogradit, me masakrat e veta, më të egra dhe më gjakatare, ushtarako-policore, në Drenicë dhe Dukagjin, mbyti përgjithmonë mundësinë e mbetjes së Kosovës, me statusin e republikës së tretë, nën Federatën Jugosllave.
Nëse do të ketë forca dhe vullnet në botë, që të ndalen, sa s'është bërë tepër vonë, qëllimet, planet dhe përpjekjet gjakatare të z.z.Milosheviq e Sheshel për "serbizimin" e Kosovës, atëherë mbetet kompromisi i vetëm i mundshëm KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE ("BALLKANIA").
Ata që janë të interesuar mund ta kenë projekt-bërthamën në tërësi. Kjo është vetëm një përpjekje që të formulohet esenca e domosdoshme politike për organizimin e mundshëm të jetës në një bashkësi të këtillë shtetesh, të lira e sovrane, të Ballkanit. Kjo është, gjithashtu, në funksion të realizimit të deklarimit të popullit të Kosovës, në Referendumin e shtatorit të vitit 1991.
Në vend të komenteve të mia paraprake, po citoj një pjesë nga projekt-bërthama "BALLKANIA".
" Me qëllim që të ndërpritet gjakëderdhja e mëtejshme midis popullit shqiptar, në njërën anë dhe të popujve serb e malazez, në anën tjetër;
me qëllim që t'i shmangemi edhe një gjakderdhjeje edhe më katastrofike se ajo në Bosnjë - Hercegovinë.
me qëllim që t'i ruajmë maksimalisht interesat vitale të popujve shqiptar, serb e malazez;
me qëllim që të plotësohen kërkesat këmbëngulëse të faktorëve ndërkombëtarë për mosprishjen me dhunë të kufijve në hapësirën e ish-Jugosllavisë;
me qëllim që të krijohën kushtet konkrete dhe reale për zgjidhje të drejta dhe të përhershme, në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe në regjionin e Ballkanit, propozoj këtë projekt-bërthamë:
KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE (më tutje BALLKANIA), nuk duhet të ketë kushtetutë, por do të mjaftojë një KARTË, si një deklaratë solemne, e hartuar nga të tria palët, në frymën e tejkalimit të së kaluarës dhe të fillimit të një ere të re në marrdhëniet midis këtyre shteteve të lira e sovrane ballkanike:.
Ja edhe tre nenet e para nga projekt-bërthama e "BALLKANISË":
1. BALLKANIA është lidhje e tre shteteve sekularë, të lirë e sovrane të Siujdhesës Ballkanike: KOSOVA, MALI I ZI, SERBIA.
2. E drejta për të hyrë në BALLKANI dhe për të dalur nga BALLKANIA është e drejtë e patjetërsueshme, e paafatizuar dhe e paanulueshme.
3. Çdonjëra nga anëtaret e BALLKANISË e ruan vendin e vet në organizatat ndërkombëtare siç janë OKB-ja etj.
KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE (BALLKANIA), do të jetë vdekje për hegjemonizmin serbomadh dhe megalomaninë pansllaviste. Vetëm pas kësaj, pa pengesa, procesi i dezintegrimit, në hapësirat e ish-Jugosllavisë do të mund të shndërrohet në proces integrues.
Vetëm me projektin BALLKANIA do të mund të anashkaloheshin mospajtimet e disa shteteve ballkanike, të cilat nuk pajtohen me bashkimin e Kosovës në një shtet me Shqipërinë, ose me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Vetëm në këtë KONFEDERATË, populli shqiptar i Kosovës, duke pasur shtetin e vet me mekanizmat përkatëse mbrojtëse, do të mund të ishte i sigurt për të ardhmen e vet dhe nuk do t'i humbte lidhjet e veta me bashkëkombasit e vet në Serbi, Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Veëm në këtë KONFEDERATË serbët e malazezët e Kosovës nuk do të degradoheshin në pakica kombëtare, por do të mbeteshin popuj plotësisht të barabartë me shqiptarët.
Vetëm me projektin BALLKANIA do të mund të evitohej destabilizimi i padëshirueshëm i Maqedonisë, sepse porsa të provohej se KONFEDERATA E VOGËL BALLKANIKE do të funksiononte me sukses të plotë, asaj, shumë shpejt, do t'i bashkohej edhe Maqedonia. Në këtë mënyrë, do të fillonte edhe krijimi i KONFEDERATËS SË MESME BALLKANIKE. Në këtë mënyrë edhe populli shqiptar, brenda kufijve të Maqedonisë, do të pushonte të trajtohej si popull pakicë.
Shumë shpejt, pas Maqedonisë, interesa të shumta dhe të forta do ta shtynin edhe Bosnje-Hercegovinën që t'i bashkangjitej KONFEDERATËS SË MËSME BALLKANIKE.
Nga perspektiva e sotme duket si e pamundur, por brenda një kohe të shkurtë edhe Kroacia e tërhequr nga interesa të forta e të domosdoshme do t'i bashkohej KONFEDERATËS SË MESME BALLKANIKE dhe në këtë mënyrë do të hapej rruga edhe për krijimin e KONFEDERATËS SË MADHE BALLKANIKE.
Në këtë mënyrë, Ballkani do të mbetej "bure pa barot" dhe një herë e përgjithmonë do të zhdukej nga agjendat e politikës ndërkombëtare dhe do t'u vinte radha Rusisë, Kinës dhe Indisë.
Ky është opcioni im për zhvillimet e ardhme pavarësisht nga referendumi i 23 prillit, të vitit 1998, në Serbi.
Mirëpo kundër këtij opcioni të civilizuar, po përgatitet opcioni barbar dhe gjakatar i klasës politike dhe i kompleksit ushtarako-policor të Serbisë, në krye me z.Milosheviq dhe Sheshel.
Vallë, mos do të hezitojnë Amerika dhe Evropa, për t'i përdorë të gjitha mjetet e mundësitë e veta kolosale që kanë në dispozicion për të parandaluar urrejtjen dhe histerinë që po mbjellin kundër popullit të robëruar shqiptar dhe kundër botës së lirë e të civilizuar, mos do të hezitojnë, vallë, që do të parandalojnë luftën e re ne Ballkan, me pasoja katastrofike, që po përgatisin z.Milosheviq dhe Sheshel?
Ata nuk po tallen. Ata po e pozicionojnë ushtrinë e policinë e vet dhe armët më të rënda në të gjitha pikat e Kosovës me qëllim që të ndalin ecjen e pandalshme drejt lirisë.
Le të mos i lejojmë!
(Autori është kryetar i PPK-së)
Krijoni Kontakt