Skandal në bujqësi. Dhjetëra fermerë të komunës së Pajovës në qytetin e Peqinit protestuan sot pasi fitimi nga mijëra hektarë të mbjellura me misër është zero. Fermerët thonë se fara e misrit, e shpërndarë nga firma Agro- Blend, pronë e kryetarit të bashkisë së Vorës, ishte jashtë standardeve.
PEQIN- Dhjetëra fermerë të komunës së Pajovës, në qytetin e Peqinit janë ngritur sot paradite në protestë. Mijëra hektarë të mbjellura me misër kokërr kanë shkuar dëm dhe nuk kanë rezultuar prodhuese për shkak se fara e mistrit, ka qenë jashtë standardeve. Fermerët janë revoltuar për shkak se shpenzimet miliona lekësh të blerjes së farës, punimit të tokës kanë shkuar dëm, ndërsa prodhimi dhe fitimi për këtë sezon është zero.
Fermerët thonë se kanë mbjellur tokat e tyre me një farë misri e cila, sipas tyre, është sjellë nga Franca nëpërmjet shpërndarësit ekskluziv Agro- Blend, pronë e kryetarit të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Firma është e licencuar nga Drejtoria e Bujqësisë Ushqimit dhe e Konsumatorëve dhe Enti Shtetëror i Farërave.
Fermerët e komunës së Pajovës e cila numëron mbi 12 mijë familje, dhe që janë dëmtuar nga ky skandal në bujqësi kanë paralajmëruar se miniprotestës që kanë organizuar sot do t’i pasohet një protestë masive në fillim të javës së ardhshme. Madje ato kanë paralajmëruar se do të kërkojnë pezullimin e aktivitetit për shpërndarësit e kësaj fare, ( konkretisht firmës Agro- Blend me pronar Fiqiri Ismailin.
Ata pretendojnë se kanë shpenzuar miliona lekë për të blerë farën, punuar tokën por e gjitha ka shkuar dëm në sezonin e prodhimit. Skarcitetin e farës e vërtetuan edhe specialistët e bujqësisë, të cilët vëzhguan nga afër prodhimin.
Fermerët deklaruan se fermerët dhe bujqësia ndodhet përpara një skandali tepër të madh. Banorët e komunës së Pajovës së qytetit të Peqinit kanë thirrur dhe deputetin socialist Ndricim Hysa si përfaqësues i tyre në Parlament dhe specialist bujqësie që të verifikonte situatën. Vetë deputeti Hysa u ka premtuar se këtë këtë skandal të madh do ta bëjë publike si deputet dhe si specialist i bujqësisë. Banorët deklaruan se do të padisin firmën dhe do të kërkojnë dëmshpërblim për dënim e shkaktuar.
(s.g/NEWS24/Balkanweb)
Krijoni Kontakt