Ish-ministri flet nga SHBA: Nuk u njoftova zyrtarisht nga Prokuroria

"Nuk kam asnjë njoftim zyrtar dhe aktualisht ndodhem jashtë shtetit për arsye personale". Ish-ministri i Mbrojtjes ka shfaqur habi në anën tjetër të telefonit, ndërsa është pyetur nga gazeta për mosparaqitjen e tij në prokurori mëngjesin e djeshëm. Ai, gjithsesi, është shprehur i gatshëm të paraqitet në organin e akuzës, kur të kërkohet prej saj, gatishmëri të cilën Mediu ka theksuar se e ka pasur në çdo kohë. "Nuk mund të paraqitesha në prokurori, pasi ndodhem jashtë shtetit, por, pavarësisht kësaj, askush nuk më ka njoftuar dhe nuk kam ndonjë kërkesë zyrtare për t‘u paraqitur", ka deklaruar kryetari i Partisë Republikane për "Shqip", duke sqaruar edhe enigmën që shoqëroi lajmi për dështimin e seancës së pyetjeve, lidhur me ngjarjen tragjike të Gërdecit.


Nxitimi i prokurorëve

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sërish të marrë në pyetje ish-ministrin e Mbrojtjes, gjashtë muaj pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Burime të sigurta nga grupi hetimor u thanë gazetarëve dje se gati një javë më parë i kishin dërguar zotit Mediu një kërkesë për t‘u paraqitur për një seancë pyetjesh, lidhur me hetimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe përgjegjësitë e ish-ministrit të Mbrojtjes. Të njëjtat burime kishin thënë se njoftimi ishte nisur në datë 20 të këtij muaji dhe seanca ishte parashikuar të zhvillohej dje, në ora 10:00. Por, Mediu nuk është paraqitur dhe, madje sipas prokurorëve, asnjë përgjigje apo arsye për mosparaqitjen nuk ishte dërguar.

Në fund të muajin korrik të këtij viti, gazeta "Shqip" kishte publikuar lajmin e thirrjes së shpejtë të Mediut, për t‘u rimarrë në pyetje nga prokurorët në cilësinë e personit, ndaj të cilit po kryhen hetime. Në atë periudhë, zyrtarët e akuzës qendrore kishin deklaruar se, nëse dëshmia nuk do të merrej brenda muajit korrik ajo do të shtyhej për në shtator, pas mbarimit të pushimeve të prokurorëve dhe një pjese të politikës. Por, duket se urdhri i dhënë nga Kryeprokurorja Rama për t‘i mbyllur sa më shpejt hetimet, që lidhen me ngjarjen e rëndë të 15 marsit, madje duke sakrifikuar edhe periudhën e pushimeve e kanë detyruar grupin hetimor të kërkojë këtë seancë për ditën e djeshme. Ajo që duket se prokurorët nuk kanë marrë parasysh ka qenë fakti se, ndonëse pa imunitet parlamentar, muaji gusht është një muaj pushimi edhe për deputetin dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Republikane. Ndonëse personalisht zoti Mediu nuk deshi të saktësonte vendin ku ndodhej, burime nga Partia Republikane thanë se ai po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Hetimet

Mediu ishte zyrtari i parë dhe i vetëm i qeverisë që dha dorëheqjen pas shpërthimit të një punishteje për demontim municionesh në Gërdec. Pjesa tjetër e zyrtarëve të akuzuar për lidhje me këtë ngjarje apo për moskryerje të detyrës për parandalimin e saj u shkarkuan njëri pas tjetrit nga ministri Oketa, që pasoi Mediun. Ndërsa hetimet për deputetin e PR-së nisën në mes të muajit qershor, atëherë kur parlamenti me 101 vota pro, 23 kundër, 2 abstenim dhe 2 të pavlefshme, vendosi t‘i heqë atij imunitetin. Ky vendim i hapi rrugën organit të akuzës që të hetojë lidhur me veprimtarinë e ministrit të Mbrojtjes. Gjatë seancës për heqjen e imunitetit, Mediu deklaroi se ai e kishte dhënë dorëheqjen për të qenë i hapur për drejtësinë, duke treguar se nuk është i interesuar që të fshihet pas imunitetit.

Sipas burimeve jozyrtare, deri tani veprimet e prokurorëve janë përqendruar në zbardhjen e lidhjeve që Mediu ka pasur me Delijorgjin dhe Pinarin, dy nga të arrestuarit dhe të akuzuarit për shpërthimin e Gërdecit. Por situata e ish-ministrit u rëndua pas artikujve të botuar në shtypin amerikan, sipas të cilave, ai kishte qenë në dijeni të shitjes së armëve kineze, firmës së Efraim Diverolit. Këto artikuj, në të cilat citohej madje dëshmia e një diplomati, që kishte shërbyer në ambasadën amerikane në Tiranë, kanë hapur një tjetër shteg hetimi për prokurorët shqiptarë, të cilët tani janë duke verifikuar edhe mundësinë e përfshirjes së Mediut në një rrjet të trafikimit të armëve. Gjithsesi, deri tani, asnjë akuzë zyrtare nuk është ngritur ende për drejtuesin e Partisë Republikane dhe burime nga prokuroria thanë se ai do të vazhdojë të thirret, për t‘u pyetur me cilësinë e personit nën hetim.



Shqip