Vetëdorëzohet në polici autori i vrasjes së babait të 3 fëmijëve në qytetin e Rrëshenit. Gjin Lleshi u vetëdorëzua sot paradite në polici. 44 vjecari u qëllua me dy plumba në kokë në sy të fëmijës së tij 10 vjecar.
MIRDITE- Është vetëdorëzuar në polici i akuzuari si autor i vrasjes së ndodhur dje në periferi të qytetit të Rrëshenit. Gjin Lleshi u dorëzua sot paradite në komisariatin e policisë së Rrëshenit. Vëllai i kreut të komunës së Selitës, Nikolin Lleshi, ishte larguar menjëherë pas vrasjes në drejtim të paditur, ndërkohë që policia ndërmori operacion për arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14. 15 minuta në në brendësi të territorit të ish-SMT-së në periferi të qytetit të Rrëshenit. 35-vjeçari i kishte kërkuar babait të tre fëmijëve që të hapte traun e portës për të parkuar kamionin. Por viktima Gjergj Ndreca e kishte kundërshtuar duke thënë se nuk mund të parkonte mjetin në brendësi të territorit të ish-SMT-së, pasi kishte urdhër të prerë nga pronari i objekteve, Viktor Kaçorri, që ishte njëkohësisht dhe daja i tij.
Pas debateve të ashpra dhe sharjeve të ndërsjella, 35-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar dy herë në kokë Gjergj Ndrecën, duke e lënë të vdekur në vend. Vrasjen e ka parë edhe djali 10 vjecar i viktimës.
Gjin Lleshi akuzohet për "vrasje të kryer me dashje", si dhe për "armëmbajtje pa leje". 35-vjeçari (vëlla i kryetarit të Komunës së Selitës, Nikolin Lleshi), njihej si person shumë problematik.
(s.g/Balkanweb)
Krijoni Kontakt