Gentian Vyshka
Marte, 19 Gusht 2008 08:56:00

Shënime mbi librin “Orme di un cavalliere” të Helvin Sallabandës

Ka pak kohë që ka dalë nga shtypi libri “Gjurmë të një kalorësi” i Helvin Sallabandës (Shtëpia botuese AlbPaper 2008). I shkruar me një italishte të admirueshme, libri përbën një dokument mjaft interesant në fushën e hulumtimin historiografik e posaçërisht në atë të heraldikës, emblemës dhe simbolikës iliro-pellazgjike.

Lexuesi i pamësuar me italishten teknike, ka gjasa që të stepet në fillim, por sigurisht kjo stepje do të mbetet fillestare. Ikonografia masive dhe tejet interesante, e bën automatikisht këtë libër të kapshëm dhe interesant për publikun e interesuar në fushën e albanologjisë, historisë, dhe historisë së pikturës në veçanti.

Libri, i cili herë-herë merr tiparet e një monografie, e herë të tjera atë të një novele, është shkruar me një stil të brishtë: për autorin kjo është sprova e parë. Megjithatë, pikturat impresionuese dhe simbolikat e bartura brenda tyre, e bëjnë paraqitjen impozante dhe përshkrimin imponues; piktura dhe heraldika në zanafillë të tyre kanë qenë paramenduar për të folur vetvetiu, pa patur nevojë për interpretë.

I ndarë në kapituj, libri i përngjason njëkohësisht edhe një udhëtimi në kohë. Autori, i cili mbi të gjitha mishëron entuziazmin dhe interesin për një fushë të lënë pothuaj në harresë, ka shëtitur dhe fotografuar vetë një pjesë të mirë të kishave dhe pikturave murale në Italinë e jugut dhe gjetkë, duke qëmtuar aty-këtu gjurmët arbëreshe dhe kulturën e përcjellë prej tyre në pesëqind vitet e shkuara, gjatë emigracionit të detyruar prej hordhive turke.

Këto gjurmë të stampuara ikonografikisht në kubetë dhe navatat e kishave dhe ndërtesave të kultit; kjo heraldikë e cila rëndom ekuivalentohet me shqiponjën dykrenare në një larmi formash e ngjyrash, mbetet e thjeshtë në thelb të saj, pikërisht sepse një heraldikë si kjo nuk lindi si kundërpërgjigje ndaj makthit që provokonte horror vacui. Kjo heraldikë ka kumtuar një shpirt; kjo simbolikë ka përcjellë një gjuhë, dhe këto emblema kanë vulosur një fat. Me trupin në gadishullin apenin dhe me shpirtin në gadishullin ballkanik, shqiponja e heraldikës pellazge, ilire dhe arbëreshe nuk kishte se si të mos shikonte njëkohësisht në perëndim dhe në lindje: dy koka, dy vështrime, dy anë të horizontit, dhe një fat i dyzuar.

Këtë fat të dyzuar e dëshmon edhe ky kalorës i sprasmë, i cili përpiqet të fshijë pluhurin e harresës që ka mbuluar emblemën e dikurshme, edhe në sensin që i ka dhënë këtij togfjalëshi Kadareja në novelën e tij. Me frikën e natyrshme dhe të pavetëdijshme se gjuha e folur në një shekull të caktuar do të ishte – siç edhe është vërtet kështu në mjaft raste – krejt e pakuptueshme për shekullin pasues, heraldika më shumë se të qenit një grup simbolesh thjesht totemike, ka luajtur edhe funksionin e pazëvendësueshëm të transmetimit të mesazheve ndër shekuj; bashkë me përvijimin e profilit të një kombi, i cili këtë simbolikë e brendëzoi deri tek ADN-ja e tij.

Këtë heraldikë dhe simbolikë, Helvin Sallabanda e risjell në vëmendje të lexuesit të kujdesshëm, dhe këtë gjë e bën në shekullin XXI, shumë kohë pasi që njeriu i sotëm ka humbur çdo mundësi praktike për të kuptuar gjuhën e shekujve të shkuara.

Gazeta Shekulli