Sot në një konferencë për shtyp, kreu i socialistëve ka reaguar rreth treguesve te punës së qeverisë për 7 muajt e vitit 2008. Rama akuzoi Berishën se ka gënjyer shqiptarët rreth të vertetës së arritjeve të qeverisë. Sic bëri të ditur Rama, shifrat që dha kryeministri nuk korrespondojnë me raportin e FMN, i cili shfaq nje tjeter te vertete per Shqipërinë


TIRANE-Shfaqje të padenje dhe analize bolshevike e ka cilësuar kryesocialisti Edi Rama analizën e prezantuar ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i PS doli sot në një konferencë për shtyp në selinë e PS ku akuzoi qeverinë Berisha se ka dështuar plotësisht me punën e bërë 7 muajt e parë të vitit 2008, dhe si provë për këtë Rama theksoi raportin e FMN mbi ekonominë në Shqipëri. “Partia Socialiste reagoi zyrtarisht ndaj kësaj shfaqjeje të padenjë për një kryeministër që jeton në Europën e vitit 2008 dhe ligjëron si një agjitator i periudhës bolshevike i cili gënjen, gënjen dhe vetëm gënjen. Por, besoj nuk është e tepërt t'i rikthehemi sot asaj shfaqjeje skandaloze duke ballafaquar "kopshtin me trëndelinë" të propagandës bolshevike të kryeministrit tonë me shifrat kuptimplota të raportit më të fundit të FMN”.

Sipas Ramës, shifrat e raportit të FMN dëshmojnë qartë korrupsionin në vend duke e renditur atë si një ndër vendet më të korruptuara në Botë. “Shifrat konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Europian. Në treguesin e korrupsionit Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbaxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë”.

Rama shtoi se analiza e qeverisë e bërë nga kryeministri ka acaruar shqiptarët të cilët janë të zhgënjyer nga kjo qeverisje e tij. “Berisha vetëm sa acaroi akoma më shume nervat e shqiptareve te acaruar nga kjo keqqeverisje”

Sipas Ramës, Raporti konfirmon, përmes shifrave se treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, është përkeqësuar në mënyrë alarmante si dhe deshtimin me fshatin.
Kryesocialisti përmendi dhe reformën për energjinë në kuadër të së cilës e quajti KESH-in si një bombë me sahat për shqiptarët.
”Në vend që të përqëndrohej në modernizimin e menaxhimit dhe kontrollin mbi të ardhurat e shpenzimet, kryeministri ynë mbeti pre e paaftësisë së tij e të njerëzve të tij, duke paguar qimet e kokës së këtij vendi për të mbuluar me masa të përkohshme gropën e zezë të KESH-it dhe duke mbajtur fjalime parodike për Shqipërinë bërthamore. Mbledhja e të ardhurave të KESH-it sipas raportit ka rënë deri në më pak se 50% ... dhe duke bërë që zgjidhja e vetme të jetë rritja e vazhdueshme e tarifave të energjisë elektrike në kurriz të familjeve shqiptare”.

Kryesocialisti tha se përpara fakteve të tilla duhet një politikë e re për shqiptarët, një ndryshim thelbësor. ”Këtë rrugë do ta hapim ne, socialistët e progresistët shqiptarë, me bashkimin e ri të të gjithë atyre që duan një Shqipëri normale, përtej kufijve të vjetër të së majtës e të djathtës, për vete e për fëmijët e tyre”.



(d.b/Balkanweb)