Komoditeti i burgut të Sheveningenit në Hagë dhe trajtimi i lartë i kriminelëve të luftës së ish-Jugosllavisë, jo vetëm që nuk i përngjan një burgu ku mbahen kriminelët e luftës por një hoteli luksoz, që do ta kishin zili edhe shumë turistë që paguajnë shtrenjtë për një komoditet të tillë.

Ambienti i pastër e i qetë, personeli i burgut i butë, të drejta pothuajse të pakufizuara të të burgosurve si dhe komoditeti i tepruar i dhomave të burgut s’ka asgjë të bëjë me Alkatrazin e famshëm “ku pasula hahej nga një kokërr” dhe se krimineli e ndiente thellë të qenit i mbyllur në sistemin e ashpër dhe rregullave të hekurta të burgut.

Parajsa e quajtur “Hilton” shpesh nëpër mediet ndërkombëtare tubon gati të gjithë kriminelët e ish-Jugosllavisë, që kryesisht janë serbë, të rangjeve dhe hierarkisë më të lartë politike e shtetërore që nga ish-presidenti serbo-jugosllav Millosheviq, Millutinoviq, Shainoviq, Petkoviq, Llazareviq e shumë 'Koka' tjera të krimit serb , deri tek numri 38 që mbanë krimineli Radovan Karaxhiq apo “dr. Dabiqi” i famshëm.

Në këtë parajsë mund të kualifikohen vetëm ata që kanë përgjakur rajonin e Ballkanit gjatë tri luftërave të shkaktuara me krime, masakra e gjenocid të paparë ndonjëherë nëpër këto troje, ku dogjën qindra-mijëra vendbanime, shpërngulën miliona të tjerë, vranë e masakruan barbarisht mbi 250 mijë njerëz të pafajshëm boshnjakë, kroatë e shqiptarë në emër të nacionalizmit serb dhe jetësimit të Serbisë së Madhe.

Arrestimi “misterioz” i dr. Dabiqit dhe fluturimi i tij nën masa të rrepta sigurie, që nuk ishte edhe aq e nevojshme, do të mbetën të paqarta për opinionin publik edhe për shumë kohë.

Pas këtij spektakli fshihen shumë gjëra të dhimbshme dhe tejet të hidhura për miliona njerëz që humbën të afërmit e tyre gjatë viteve të çmendurisë së tij, që ndoshta gjatë gjykimit të tij maratonik (dhashtë Zoti e mos vdektë në burg nga yndyra e gjellëve të shijshme të burgut) do të fillojnë të zbardhen.

Fija e misterit të dr. Dabiqit që jetonte fare i pa shqetësuar, duke praktikuar mjekësinë alternative në periferi të Beogradit, edhe përkundër presionit aq të madh të Gjykatës së Hagës dhe zonjës misterioze Del Ponte për arrestimin e tij, ndoshta sadopak do të fillojë të zbardhet më fillimin e gjyqit të tij.

Shumë njerëz dëshirojnë që këtë mister, krimineli i mistershëm i Ballkanit i kthyer në doktor të mistershëm, ta marrë me vete dhe kurrë të mos zbardhet.!!!

Krimi dhe gjenocidi që ka vulën e dr. Dabiqit ka mundur të parandalohet, prandaj si revansh i saj mund të krijohen hasmëri të reja në territoret ballkanike.

Përderisa në Serbi ai “ikte” nga Gjykata e Hagës dhe “kërkimet e pareshtura” të Del Pontes, gjente kohë të shkruante libra më jë vlerë të dobët letrare , të cilat i botonte legalisht përmes shtypshkronjave të njohura serbe, merrej aktivisht me politikë ku drejtonte partinë e tij, po shihej edhe nëpër vende publike.

Ndërsa në Hagë si kriminel i damkosur gjatë kohës kur po përgatitet për gjyqin e tij që shumëkush po e pret me kureshtje, dr. Dabiqi ka ndërruar jetën e tij me një “dhomë shpirtërore” në burgun e Sheveningenit në Hagë, ku do ta shërojë shpirtin e tij të pasherushem e të mykur nga doza e krimit për shumë vite rresht , ku ka qasje në kompjuter, ka satelit, dhomë të madhe me dritare private, masazh, vizita të pakufizuara, pajisje komplete gjimnastikore etj. Nëse ndonjëherë nuk kënaqet me komoditetin e burgut apo gjejnë ndonjë qime ne ushqim , interkomi e lidhë atë direkt me personelin e shërbimit të UN-it i cili e udhëheqë “Hilton”-in - parajsën e Hagës.

Atje padyshim se dr. Dabiqi mund të vazhdojë ta praktikojë zanatin e tij jo prej krimineli po prej shëruesi shpirtëror pasi që të tridhjetë e shtatë kriminelët e tjerë bashkëkombës të Karaxhiqit kanë nevojë për mjekësinë alternative të tij.

Në vend të lahutës së tij aq të dashur dhe këngëve çetnike serbe që ishin ushqimi shpirtëror i tij për ta trashur nacionalizmin dhe mprehur ndjenjat e krimit, qe i dëgjonte më endje ne vendlindje , ai mund të kënaqet me rrokun dhe muzikën klasike si dhe me kibordën elektronike që e ka në një qoshe të dhomës.

Shtypi ditor do t’i vijë tek dera çdo mëngjes, ku pos të tjerësh do të lexojë për humbjen e pagjurmë të “marrëveshjes” me ambasadorin Holbrooke, për çunin e ri serb basketbollist në Universitetin e Binghamtonit në New York, që goditi për vdekje kolegun e tij Steinhauer, e qe u kthye ne serbi me ndihmën e konsultës serbe , për përpjekjet e pareshtura të Jeremiqit për bllokimin e pavarësisë së Kosovës, e për shumë gjera tjera ...

Kurse në satelit mund t’i ndjekë Lojërat Olimpike në Kinën e tij të dashur, apo luftën e Rusisë nënë me Gjeorgjinë, që do t’i ngjallë atij shumë kujtime mbi masakrën e Srebrenicës dhe vrasjet e qindra-mijëra kroatëve e boshnjakëve, të iniciuara e të udhëhequra prej tij. Të gjitha këto, por dera e qelisë së tij do të rrijë e mbyllur përgjithmonë!


Telegrafi