Rexhepi ndërroi mendjen, ktheu në punë muftiun Bislimi
Vetëm dy javë pasi dha vendimin për shkarkim, kryetari i Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi ka ndërruar mendjen dhe ka kthyer në vendin e tij të punës muftiun e Shkupit Taxhedin Bislimi.
Në vendimin në të cilin i është dhënë dje pasdite Taxhedin Bislimit shkruan se Reis Ulemaja i Bashkësisë Islame të Republikës së Maqedonisë konform nenit 44 paragrafi 1 pika 2 e Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame ka marrë vendim që Taxhedin Bislimi të autorizohet për kryerjen e detyrës mufti në Muftininë e Shkupit. Duke u thirrur në po të njëjtën Kushtetutë, Sulejman Rexhepi më 8 gusht të këtij viti me vendim po të ngjashëm shkarkoi Bislimin nga detyra pasi ky i fundit disa ditë më parë hapur kritikoi ndryshimet e fundit kushtetuese në këtë institucion fetar që u bënë me iniciativë të kreut të BFI- së Sulejman Rexhepi.
Nga kabineti i Sulejman Rexhepit për Alsat deklaruan se vendimin për kthimin në detyrë të Taxhedin Bislimit bëhet për hir të muajit të shenjtë të Ramazanit me qëllim të uljes së gjakrave dhe pajtimit.
Taxhedin Bislimi i cili asnjëherë nuk pranoi shkarkimin e tij është befasuar nga vendimi i ri që ka marrë gjatë ditës së djeshme.
Tensionet në Bashkësinë Islame në muajt e fundit erdhën si rezulat i ndryshimeve të fundit të Kushtetutës pa u respektuar parimet kushtetuese të këtij institucioni.
Kushtetuta u ndryshua nga vetë kreu i Bashkësisë Islame dhe disa muftive pa u thirrur organi kompetent - Kuvendi për të bërë këto ndryshime.
Alsat
Krijoni Kontakt