SHQIPTARËT NË MAQEDONI I PËRFAQËSON HUMBËSI POLITIK MENDUH THAÇI
Nga Shaqir Islami
JAVA: Është një praktikë e vjetër në politikë, thuhet, kush meret një herë me politikë, gjithmonë do të merret me të. Rufi Osmani i dha fund karrierës politike, apo e sheh më të arsyeshme vazhdimin e karrierës si ligjërues univerzitar?
Rufi Osmani: Në çdo rregull ose ligjëshmëri ka përjashtim. Aktualisht jam duke plotësuar agjendën time jetësore me karrierën akademike, biznisin privat familjar dhe konsulencat ekonomike që u ofroj disa kompanive rajonale prestigjioze.
JAVA: Edhe pse ka kalu një dekadë, a mendoni se mund të evitohej tragjedia e Gostivarit? Apo ka qenë e kurdisur mirë nga shteti, që t’i bjerë një goditje klasës politike shqiptare, për ta ndaluar atë hov të ngritjes së saj të shpejtuar?
Rufi Osmani : Pa diskutim se kjo dilemë vazhdon ta parashtrohet nga unë edhe nga të tjerët për tragjendin e Gostivarit edhe tragjeditë e shumta të kësaj natyre ndër shqiptarët në Ballkan. Kjo tragjedi ka pasur skenar mirë të pregaditur dhe të ekzekutuar nga pushteti maqedonas i asaj kohe dhe i aminuar nga pozita kukull dhe opozita marionet shqiptare e vitit 1997. Viti 1997 ishte vit i bankrotit politik dhe ekonomik të Shqipërisë , okupimit tepër të rëndë të Kosovës, defaktorizimit komplet të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe bankrotit të skemave piramidale dhe politikave ekonomike të qeverisë së Maqedonisë. Në këtë konstelacion lokal dhe rajonal qeveria e Shkupit e kishte lehtë të ekzekutonte krimin në Gostivar, sepse s’kishte kush del ne mbrojtje të një popolli të pambrojtur. Kur vleresohet tragjedia e Gostivarit duhet te kihet parasysh fakti vijues: Ne ora 22h te 8 korrikut, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e flamurit shqiptar, ndersa ne naten e njejte ne ora 24h, policia filloi me intervenimin brutal policor, ne ora 3 te menegjesit une dhe bashkepuntoret e mije ishim te prangosur, te tjerat dihen.
Për më shumë detaje për tragjedin e Gostivarit dhe rolin e vërtetë të aktorëve kryesor ju rekomandoj të lexoni librin tim publicistik “Mendimi alternativ politik dhe ekonomik”.
JAVA: Ju ishit njëri ndër bartësit e asaj vale të re politikanësh, që premtonin shumë. Mendoni se ishit viktimë e perceptimeve tuaja politike, apo viktimë e një konjukture politike ?
Rufi Osmani: Unë dhe të ngjashmit nuk përputheshim me skemat e politikbërjes demokratike shqiptare të gatuara në kuzhinat sllavomaqedone të asaj kohe.
JAVA: Karriera juaj politike ishte e furishme. Pastaj ndodhi nëntëdhjetë e shtata dhe ju u larguat nga politika. Ata që ju besonin, bashkëpuntorët, simpatizantët e punës suaj politike ishin të bindur se Rufi Osmani do të kthehet sërish në politikë. Mendoni se i keni zhgënjyer gjithë ata, të cilët ju kanë besuar?
Rufi Osmani: Dy herë kandidova dhe bindshëm fitova besimin e elektoratit shqiptar, në vitin 1994 si deputet në parlament dhe në vitin 1996 si prefekt i Gostivarit.
Largimi im nga politika ishte i dhunshëm. Unë jamë i vetmi politikan në Maqedoninë e paspavarësimit që duke qenë i votur nga 20 mijë qytetarë dhe duke pasur imunitet u burgosa dhe u denova në një proces skandaloz gjyqësor. Ata që kapitalizuan politikisht tragjedinë e Gostivarit më nxorën nga burgu nëpërmjet një ligji diskutabil të amnestimit dhe hapësira e rikthimit tim në politik pas vitit 1999 nuk ekzistonte.
Ne vitin 1999 ndodhi ekzodi, lufta dhe çlirimi i Kosovës nga Natoja, në vitin 2001 ndodhi kryengritja e armatosur shqiptare në Maqedoni dhe në zgjedhjet e vitit 2002 në skenën politike prodefiloi garnitura politike e Ali Ahmetit. Ndaj përkrahësve të mi kam qenë i sinqert, publikshit ua komunikova largimin tim nga politika për arsye parimore ditën e parë që dola nga burgu.
JAVA: Largimi juaj nga politika mbet si një mister. E shihni veten si një dështak politik, i cili rastësisht pati sukses? Apo mendoni se keni vizion politik për të dhënë kontribut në ndërtimin e mirëqenies së qytetarëve të Maqedonisë.
Rufi Osmani: Dështimi dhe suksesi janë kategori të matshme. Pa rehabilitimin politik, juridik dhe nacional të tragjedisë së Gostivarit dhe të dëshmorëve të rënë në këtë tragjedi, nuk mund të ndodhë rikthimi im në politik. Rjedha e ngjarjeve nga viti 1999 dhe deri më sot nuk shkonin në favor të rikthimit tim në skenën politike konform bindjeve dhe vizionit politik që përkrahi unë dhe njerëzit që ndajnë bindjen time politike. Në ndërkohë kam pasur oferta politike nga më të ndryshmet që nuk kanë zgjuar interes tek unë. Prioritetet e mia jetësore pas daljes nga burgu i Idrizovës u orientuan në drejtim të rehabilitimit të shëndetit tim, përfundimit me sukses të magjistraturës dhe doktoraturës në shkencat ekonomike dhe botimit të dy librave universitar.
JAVA: Politikanët janë persona publik dhe gjithmonë janë “target” për opinione të ndryshme. Poashtu edhe për ju, dëgjohen thashetheme të ndryshme, si nga gojëmirët ashtu dhe gojkëqinjtë. “R. Osmani është ende një shpresë e madhe për politikën shqiptare në Maqedoni”- janë opinione të atyre që besojnë në ju. Ka edhe të tillë, që largimin tuaj e shohin me dyshime. Si psh: ndonjë marrëveshje të fshehtë me B. Cërvenkoskin, i cili ju ka kushtëzuar për largimin tuaj nga politika, për t’ju liruar nga burgu. Ka dhe të tillë, se keni kërcënime të shumta nga vetë klasa politike shqiptare, që të rini sa më larg nga politika. Çka mendoni ju për këto opinione ?
Rufi Osmani: Është fakt për t’u analizuar se pas një dekade të tërheqjes time nga skena politike vazhdojnë spekulimet për rikthimin tim në tregun politik. Këto spekulime gjithmonë paraqiten kur krijohet ndonjë parti e re politike shqiptare, kur bëj ndonjë prononcim publik ose kur mbahen ciklet zgjedhore. Pse vazhdon ky interesim i kësaj natyre u takon analistëve dhe kronistëve të japin vlerësimin objektiv. Më “presidentin kriminel- alias BS, vetëm një herë jam takuar më 30.06.1997 në shoqëri me A. Xhaferin dhe A.Demirin , takim në të cilin unë i ofrova kompromisin që nënkuptonte burgosjen time dhe sjelljen e ligjit për përdorim të flamurit shqiptar me të vetmin qëllim që mos e pësonte populli i pafajshëm. Kompromisi i ofruar nuk u pranua dhe të tjerat janë tashmë histori rënqethëse. Kërcnimet si ofendime kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e karrierës time politike dhe intelektuale së bashku me përgjimin permanent nga organet e sigurimit sllav me kameleonët shqiptarë në to, por këtyne shantazheve nuk u kam kushtuar rëndësi sepse si thotë populli ,qeni që lehë nuk kafshon. Është fakt se jemi popull joracional dhe dëshirojmë të identifikohemi me individ ose liderë të cilët ndoshta do na i zgjedhin problemet. Koha në të cilën jetojmë kërkon udhëheqës të mirfilltë që kryesisht nuk i kemi dhe mbi të gjitha kërkon ekipe menaxheriale që ne nuk i kemi në nivele të duhura.
JAVA: Klasa politike shqiptare në Maqedoni, sillet në një rreth vicioz. Ekziston një animozitet i paparë ndërmjet partive politike. Liderët partiakë s’komunikojnë me njëri tjetrin. Biles edhe në shoqëri ka divergjenca partiake, janë të ndarë dhe kafenetë në baza partiake. Sa ndikon kjo në suksesin e politikës sonë duke harxhuar energji të kota politike, me këto përleshje infantile? A është koha për një vetëdijesim të klasës politike shqiptare në Maqedoni?
Rufi Osmani: Jam dakord me konstatimin tuaj, por nga konstatimet nuk ka shumë dobi. Shkaqet e përçarjes ndërshqiptare janë shumë më të thella në veçanti gjatë dhe pas kryengritjes shqiptare të vitit 2001. Përderisa për këtë ngjarje që është ngjarja kulmore politike shqiptare ka qëndrime diametralisht të kundërta, përçarjet do të vazhdojnë me tendenca të kriminalizimit dhe qërimit fizik të hesapeve në mes të “pozitës” dhe opozitës shqiptare, edhe pse pozitë reale shqiptare në Maqedoni kur nuk ka pasur. Fakti që pas zgjedhjeve politike të vitit 2006 në qeverinë e Shkupit shqiptarët i përfaqëson humbësi politik shqiptar, e ka kuptimin e devalvimit të plotë politik të shqiptarëve dhe nënshtrimin dhe mohimin e vullnetit politik të popullit shqiptar në Maqedoni. Vetëdijësimi që ju thoni le të shpresojmë të jetë objektiv i politikanëve të ardhshëm, sepse këto aktualët nuk e kanë në agjendën e tyre politike.
JAVA: A keni ju një ofertë politike, për përmirësimin e atmosferës civilizuese të komunikimit në vetë klasën politike tonën. Cilët janë hapat e parë që duhet të ndërmirren nga vetë liderët partiakë. Mendoni se duhet një edukim kolektiv i politikanëve? Apo kjo atmosferë tensionuese vjen si pasojë e skamjes së vizioneve për nevojat politike të shqiptarëve në Maqedoni?
Rufi Osmani: Pyteja duhet t’u adresohet udhëheqëseve aktual politikë shqiptarë. Për mua dhe shumë të tjerë përgjigja është shumë shqip dhe shumë e thjeshtë.
Së pari, përderisa politikanët shqiptarë nuk bëhen një pakt politik përballë maqedonasve, çështja shqiptare nuk do të njohë zgjidhje të mirëfillt, dhe
së dyti, politikanët shqiptarë duhet të ndërprejnë procesin e manipulimit zgjedhor dhe kriminalizimit të votës shqiptare që të kuptojmë peshën e vërtetë elektorale të tyre. Me këtë rast duhet të përmendet edhe një fakt brengosës sa i përket intelegjencisë shqiptare, në veçanti asaj universitare. Kryesisht bëhet fjalë për intelektual me kredo të varfër intelektuale, frikacak dhe shumë të varur ndaj partive politike. Në një situatë të tillë masa kritike për të bërë një lëvizje politike të mirëfillt nuk te jep optimizmin e nevojshëm. Pa realizimin e demokratizimit të mirëfillt të partive politike edhe gjatë kohë këto parti do të funksionojnë më shumë si grupe mafioze se sa si parti demokratike pavarësisht nga retorika boshe mediale që propagandojn.
JAVA: Klasa politike shqiptare e Maqedonisë lëngon nga një varshmëri e tepruar nga klasa politike e Shqipërisë dhe e Kosovës. Aktualisht është një garë e tmershme, se cili Lider partiak do të jetë më i afërt, me liderët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Dhe kjo bëhet haptazi. A mendoni se klasa politike shqiptare në Maqedoni, ka nevojë urgjente për të krijuar një politikë autoktone, me një ekuidistancë nga fqinjët tanë ? A duhet klasa jonë politike t’i kthehet elektoratit të vet, ndaj të cilit mban përgjegjësi?
Rufi Osmani: Jam dakord me konstatimin tuaj, sepse në instancë të fundit përvoja e deritashme e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni nuk ka evidentuar në konton e saj ndonjë dobi funksionale nga të qenurit vazal të të djathtëve dhe të majtëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky vazalitet ka njohur dështime serioze të brendshme duke filluar nga vazaliteti ndaj presidentit Berisha dhe Rugova deri tek lidhjet speciale të politikanëve lokalë me liderët aktual të Shqipërisë dhe të Kosovës.
JAVA: Me luftën e dymijë e njëshit, shqiptarët në Maqedoni u faktorizuan edhe ushtarakisht. Prapseprap, s’mund të bëhen faktor politik i respektueshëm për maqedonasit. Ky është një paradoks. Ku është “kurcshlusi” politik? Cila është formula juaj politike? A duhet bërë ndryshime rënjësore në qasjen politike të shqiptarëve në Maqedoni?
Rufi Osmani: Situata në Maqedoni ishte tragjikomike në vitin 2001 dhe e tillë vazhdon edhe sot. Përderisa pala kryengritëse shqiptare luftonte me njësitet militare zyrtare, pala politike shqiptare ishte politikisht në anën e institucioneve zyrtare maqedonase. Si rezultat i këtij paradoksi funksional u prodhua marrëveshja e Ohrit më shumë si kompromis konjuktural politikw për të ndalur luftën se sa si një marrëveshje e mirëfillt për të barazuar shqiptarët me maqedonasit. Imagjinoni ju në Kosovë përderisa luftonte UÇK ushtrin serbe të kishi partitë politike kosovare që do të mirnin pjesë në parlamentin kukull kosovar dhe në parlamentin serb dhe qeverinë serbe, cili do ishte epilogu i këtij aktrimi politik për fatin e kombit kosovar. Formula për dalje nga ky qorrsokak është unifikimi i fakorit politik shqiptar në raport me faktorin politik maqedonas në drejtim të ridefinimit kushtetutar të Maqedonisë si shtet binacional. Në të kundërtën do të vazhdon avazi i ri me episode të reja dhe të vjetra të politikanëve ekzistues dhe të atyre të rij, por çështja shqiptare do të ngeli në vend me përjashtim të disa përmirësimeve që do të dalin nga procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
JAVA: Pjesa veriperendimore, ku janë të koncentruar shqiptarët, është e ndarë me një vijë të kuqe nga shteti; artificialisht mbahet si zona e rrezikshme për investime. Gati asnjë investim i huaj s’është bërë në këto rajone. Çka duhet bërë, që kjo vijë e kuqe të fshihet.
Rufi Osmani: Konflikti permanent politik ka lënë në veçanti pasoja shumë negtive në zhvillimin ekonomik të territoreve shqiptare në Maqedoni. Përderisa partitë politike shqiptare nuk pretendojnë si pjesë e qeverive alternative të ndajnë investimet publike në mënyrë proporcinale etnike dhe përderisa nuk menaxhojnë resorët e ekonomisë dhe të financave nuk mund të pritet përmirësim në këtë drejtim. Alternativa e pjesërishme në këtë drejtim mund të jetë bashkëpunimi më i avansuar i të gjitha komunave shqiptare në funksion të avansimit të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal.
Në këtë drejtim duhet të krijohen institucione rajonale ekonomike dhe të bëhen përpjekje serioze institucionale për t’u kyçur në kuadër të programeve zhvillimore të ,,Euro-regjioneve,, krahas shfrytëzimit të IPA fondeve të UE, si mundësi kjo që u ofrohet komunave në Maqedoni me avansimin e statusit kandidat të RM në kuadër të procesit të integrimit në UE. Kapitali i emigracionit ekonomik shqiptar është një mundësi investimi ende e pa shfrytëzuar që kërkon përkrahje institucionale dhe politika stimuluese ekonomike .
JAVA: Shqipëtarët në Maqedoni janë në një gjendje të mjerueshme. Kush e ka fajin: shteti i cili ende vazhdon diskriminimin e shqiptarëve apo klasa politike shqiptare, e cila është e paaftë që të avancojë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni ?
Rufi Osmani : Shqiptarët në Maqedoni, me përjashtim të të drejtave kolektive dhe individuale, në raport me institucionet e shtetit e kanë pozitën e njejtë si edhe shqiptarët tjerë në Ballkanin Perëndimor. Faji është gjithmonë jetim, në rastin konkret faji u takon të gjitha subjekteve që ju i përmendni.
JAVA: Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, liderët e partive tona politike, as që kanë patur ndonjë program të qartë ekonomik. Gati çdo parti ofron doza të fuqishme të demagogjive patriotike. A mund të jetohet me emocionet e forta patriotike? Çka mendoni, si duhet të bëhet shërimi i prapambeturisë ekonomike të shqiptarëve?
Rufi Osmani: Objektivisht analizuar, shqiptarët në përgjithësi kanë performansë të dobët jo vetëm politike, intelektuale, por në veçanti ekonomike. Duke u bazuar në këtë konstatim integrimi euroatlantik, heqja e vizave dhe integrimi ndërshqiptarë ekonomik mund të jetë një pikë shprese në rritjen e aftësive konkuruese të ekonomisë shqiptare. Problemi nuk qëndron vetëm te programi ekonomik i cili në instancë të fundit mund të porositet ose të kopjohet nga interneti. Problemi qëndron në mospasjen e kuadrove të afta politikisht të ngjyrosura dhe mospërkrahjen institucionale financiare për zbatimin paraktik të programeve ekonomike.
Ekonomia nuk toleron improvizime dhe cikle konjukturale ajo kërkon stabilitet politik dhe ndëretnik, funksionalitet të institucioneve, fuqi punëtore të kualifikuar dhe realizim të profitit. Nëse këto kushte nuk plotësohen ne vetëm verbalisht mund të debatojmë për investime ekonomike dhe ato kur të mos i kemi në vëllime të nevojshme. Pa investime të huaja ekonomike, pa dije dhe pa teknologji perendimore nuk kemi gjasa reale të tejkalojm gjendjen aktuale ekonomike në një periudhë 1o vjeçare.
JAVA: Shqiptarët janë kryesisht jasht tregjeve dhe institucioneve financiare në Maqedoni. Banka popullore e Maqedonisë është institucioni, ku shqiptarët s’janë të përfaqësuar as me një përqind. Kurse dihet mirë se gurbetqinjtë shqiptarë me të ardhurat që i sjellin nga jashtë janë infuzioni më i rëndësishëm për këtë shtet. Ku qëndron problemi?
Rufi Osmani : Problemi sërish është institucional dhe politik. Pa barazi politike nuk ka as barazi ekonomike dhe financiare. Përndryshe pjesëmarja e firmave shqiptare dhe personave fizik në rrjedhat e bursës së letrave me vlerë në Shkup është e lejuar me ligj. Mospjesëmarja e shqiptarëve i adresohet mospregaditjes së shqiptarëve të kenë bankat, kursimoret dhe institucionet tjera financiare me pronësi dominante shqiptare. Këtu faji është ekskluzivisht i joni. Përndryshe është për t’u përshëndetur pjesëmarrja e kompanive më të fuqishme të sigurimeve të Shqipërisë në tregun e Maqedonisë, trend ky që duhet të shoqërohet edhe me pjesëmarrjen e kompanive bankare dhe financiare. Bashkëpunimi financiar ndërshiptar në këtë lëmi mund të jetë një përparësi komparative që duhet të shfrytëzohet në perspektivë.
Dr.Rufi OSMANI ka lindur më 20 gusht 1961 në Çajlë komuna e Gostivarit,Maqedoni. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundon në Gostivar.
Në Universitetin e Prishtinës si student i dalluar mbaron studimet në fakultetin Ekonomik në vitin 1983.
Në vitin 1998 i regjistron ndërsa në janar të vitit 2002 i përfundon me suksesë studimet pasuniversitare dhe mer titullin magjistër i shkencave ekonomike.
Në janar të vitit 2005 mbron me sukses tezën e doktoraturës me temë,, Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, një analizë krahasimore ,, dhe mer titullin doktor i shkencave ekonomike.
Nga viti 1985 deri në vitin 1993 punon si udhëheqës financash dhe kontabiliteti në disa ndërmarje shoqërore dhe private. Në vitin 1994 zgjidhet deputet në Parlamentin e Maqedonisë.
Në vitin 1996 pasi jep dorëheqje nga posti i deputetit kandidohet dhe zgjidhet kryetar i Gostivarit, post të cilin me ndërprerje e ushtron deri në prill të vitit 1998.
Pas plotë 6 muajshë rrezistence institucionale dhe demokratike në funksion të legalizimit të flamurit kombëtar shqiptarë me rastin e ngjarjeve tragjike të 9 korrikut të vitit 1997 arestohet dhe dënohet me 14 vite burg,gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore.
Përfundimisht në burgjet e Maqedonisë i kalon afërsisht 2 vite.
Që nga themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994 ka qenë i kyçur në strukturat e financimit dhe në procesin mësimdhënies si ligjërues deri në vitin 2003.Aktualisht është duke punuar si profesor në UEJL në Tetovë dhe udhëheq biznes privat në kuadër të kompanisë familjare "Ardian" me seli në Gostivar.
Ka të publikuar me shumë punime profesionale,shkencore dhe publicistike në revista lokale dhe rajonale nga lëmia e ekonomisë,politikës dhe arsimit.
Ka të publikuar librat : Mendimi alternativ politik dhe ekonomik në vitin 2006 dhe librin universitar ,,,Kontabliteti Menaxherial në vitin 2007.
Specializimi i ngusht në bazë të përvojës profesionale lidhet me financë dhe kontabilitet ndërsa në bazë të hulumtimeve shkencore me financat ndërkombëtare dhe tranzicionin ekonomik
© by Gazetajava.com
http://gazetajava.com/artman/publish/article_958.shtml
Krijoni Kontakt