
Postuar më parë nga
ClaY_MorE
Gramsh: djali i dajës vret 20-vjeçaren Greta Sulxhaferri, pasi viktima i kërkoi të përfundonin historinë e tyre të dashurisë, që kishte nisur rreth tre vite më parë.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:00 në lagjen "18 gushti" të qytetit. Sipas policisë, Ilir Koçi, 27 vjeç ekzekutoi me kallash me katër plumba kushërirën e tij të parë për çështje xhelozie. Burimet bënë të ditur se autori ka shkuar në shtëpinë e dajës së tij dhe ka debatuar ashpër me 20-vjeçaren, e cila mësohet se ishte studente në vitin e dytë për Infermieri në Elbasan. Sipas policisë, djali kishte kalur në depresion kur kishte mësuar se vajza e dajës së tij donte të fejohej me një person tjetër. Pikërisht për këtë shkak viktima kishte refuzuar për të vijuar historinë e tyre të dashurisë. Pas kësaj, ai ka dalë tepër i irrituar nga banesa e dajës së tij për t'u kthyer vetëm disa minuta më pas i armatosur me kallashnikov. Koçi ka qëlluar katër herë me armë, ku një nga plumbat e ka goditur 20-vjeçaren në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai është larguar, duke e lënë viktimën mes pellgut me gjak, për t'u arrestuar nga policia e Gramshit vetëm disa momente më vonë. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe drejtori i policisë së Elbasanit, si dhe ekspertë të tjerë të policisë.
Sipas burimeve, i riu nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit, ndërsa ka pranuar autorësinë. "E vrava sepse ajo nuk donte të ishte më e dashura ime. Kishim gati tre vjet të lidhur, dhe për këtë ishin në dijeni edhe familjet tona. Ajo donte të krijonte jetën e saj, por unë e doja, nuk mund ta lejoja këtë. Doja martesën me të", mësohet të ketë deponuar i riu para grupit të hetimit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Dëshmia e të riut, i cili mësohet se ishte besimtar mysliman, që shkonte rregullisht në Xhami ka lënë të shtangur edhe ekspertët hetimorë. Ai ka këmbëngulur se për këtë lidhje ishin në dijeni edhe familjet e tyre dhe se feja në të cilën ai besonte nuk e ndalonte martesën e kushërinjve të parë.
Madje sipas burimeve nga grupi hetimor, që po merret tashmë me dokumentimin e ngjarjes, lidhja e dashurisë ndërmjet dy kushërinjve të parë dihej thuajse nga gjithë qyteti. Komshinjtë e viktimës kanë deponuar se kjo lidhje kishte kohë që "përgojohej" në qytet. Por asnjëra nga dy familjet nuk e kishte pranuar publikisht këtë fakt. Madje, për të shmangur thashethemet në qytet, ata e kishin çuar vajzën në Elbasan me studime. Por as largësia me pak kilometra nuk i kishte mbajtur të ndarë të rinjtë. Lidhja e tyre kishte vijuar, derisa vajza më në fund kishte vendosur të shkëpuste një herë e mirë këtë marrëdhënie, e cila kurrsesi nuk mund të celebrohej me martesë. Mësohet se viktima kishte qenë më parë e fejuar dhe ishte ndarë pikërisht për shkak të lidhjes me djalin e dajës së saj.
Ngjarja e djeshme ka shokuar gjithë qytetin, ndërsa familja e vajzës po përjeton një tragjedi të madhe. Mësohet se në familjen Sulxhaferri po qëndron një mjek për t'u dhënë ndihmë, pasi pas kësaj ngjarjeje tragjike, ata disa herë kanë kaluar në gjendje të fikëti.
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt