Menduh THAÇI
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe votimit të ndryshimeve kushtetuese, kryeministri i atëhershëm maqedonas, z.Lubço Georgijevski pat deklaruar se tani e tutje Maqedonia nuk është më ajo që ka qenë, të paktën nuk është ajo si e ka paramenduar brezi i tij. Ai, në atë kohë nuk arrinte ta zotërojë mllefin ndaj faktorit ndërkombëtar që e përkrahte PDSH-në, përpjekjet e saja që konflikti të ndërpritet me negociata dhe jo me mjete ushtarake. Kryeministri i atëhershëm, si pjesa dërmuese e maqedonasve prezencën e shqiptarëve në këtë shtet, përqindjen e tyre, vetëdijen kombëtare, krenarinë dhe këmbënguljen që të arrijnë barazinë e përjetojnë si makth, nga i cili assesi nuk mund të çlirohen. Kjo mendësi nacionaliste, e krijuar me dekada, nuk mund ta durojë idenë që ky shtet të jetë edhe i shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë. Ose pronë e tyre ose ndarje kirurgjike në favor të tyre. Megjithatë, negociatat u zhvilluan dhe epilogu ishte "Marrëveshja e Ohrit", pra korrigjimi i konceptit të shtetit, duke e adaptuar atë realitetit multietnik të shoqërisë. Kjo ishte një arritje e madhe e faktorit politik shqiptar, i prirë nga PDSH-ja. Një luftë, e cilësuar me nota të errëta , e gabuar, e prirë nga interesa triviale dhe nga persona me dosje të dyshimta, përmes negociatave dhe arritjes së "Marrëveshjes së Ohrit" u shndërrua në luftë të drejtë.
* * *
Por jo vetëm kaq: nga të gjitha vatrat e konflikteve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, vetëm në Maqedoni u nxor ligji për amnisti të ish pjesëtarët e UÇK-së. Me siguri se ka të tillë që do të kontestojnë meritat e PDSH-së për këto arritje, por dokumentet ekzistojnë. Më 12 prill, në ditën që Maqedonia do ta nënshkruante Marrëveshjen për Asocim dhe Stabilizim me UE-në, PDSH-ja e publikoi projektin e saj, në trajtën e një Non Paper-i, ku shpjegohen motivet e konfliktit dhe ofrohen zgjidhje, përfshi këtu edhe idenë e amnistisë. Pjesët kryesore të këtij dokumenti janë përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit. Në atë kohë, organizatorët e konfliktit të armatosur, të ballafaquar me reagimet e ashpra të faktorit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, të vetëdijshëm për përmasat e gabimit të tyre ishin të gatshëm që ta ndërpresin kryengritjen pa asnjë kusht politik, por vetëm të lejohet largimi i tyre nga territori i Maqedonisë. Ata treguan gatishmëri për dorëzimin e armatimit përfaqësuesve të OSBE-së. Ky ishte plani i ambasadorit Frovik, që propozonte ndërprerjen e armiqësive pa kërkesa politike. Drejtuesit e kryengritjes pa hamendje u pajtuan me këtë zgjidhje dhe ajo gjithsesi do realizohej, sikur diplomati amerikan të mos shpallej nga qeveria maqedonase"persona non grata". PDSH-ja një konflikt të dështuar, të cilësuar si komprometuese për shqiptarët nga ana shteteve që paraprakisht e çliruan Kosovën nga zgjedha serbe, e shndërroi në fitore politike. Drejtuesit e kryengritjes pa plan politik dhe qëllim ushtarak, të cilësuar nga personalitetet më ta larta politike botërore (Solana, Robertson, Paten etj.) si terroristë, kriminelë, kontrabandistë, përmes menaxhimit politik të PDSH-së, u shndërruan në tribunë popullor. Me këtë rast duhet përkujtuar faktin se konflikti filloi pasi që Maqedonia luajti një rol strategjik për menaxhimin e krizës rreth Kosovës. Faktori ndërkombëtar vlerësonte tej mase rolin e saj jo vetëm në dimensionin logjistik, por edhe atë politik. Maqedonia u rreshtua në krahun e NATO-s. Pikërisht për këtë shkak përfaqësuesit ndërkombëtar nuk arrinin të kuptonin logjikën politike të kësaj kryengritjeje, pos si interes të një klani kriminelësh.
* * *
Kjo ishte faza e parë. Në fazën e dytë ata, përmes ligjit për amnisti, u bënë të paprekshëm, status ky që u garantua vetëm në Maqedoni. Në fazan e tretë të metamorfozës së këtij grupi që synonte prishjen e marrëdhënieve të mira të shqiptarëve me faktorët ndërkombëtar, duhej të sigurohej ardhmëria e tyre, të plotësoheshin kërkesat, interesat e tyre materiale dhe perspektivat shoqërore. Pas shpëtimit nga rreziku i humbjes, nga trajtimi si kriminel, pas shpalljes së amnistisë, natyrshëm u shfaq nevoja për themelim të një partie politike që në vazhdimësi do t'i artikulojë dhe sigurojë interesat e tyre të ngushta. Edhe kjo fazë u tejkalua lehtë. Ky grupim mjeshtërisht shfrytëzoi mllefin e popullit ndaj një sundimi hegjemonist maqedonas, të akumuluar me dekada dhe fare lehtë fitoi legjitimitetin politik. Sikur të shkonin rrugës normale, pa kryengritje dhe premtime boshe për çlirim kombëtar, kjo parti do të vegjetonte në margjinat e skenës politike. Por, falë mungesës së brengës, përgjegjësisë për fatet e ideve, falë shfrytëzimit të kapaciteteve morale, intelektuale, materiale të shoqërisë shqiptare, ky grupim, politikisht i pa definuar, u instalua lehtë në sistemin politik të Maqedonisë.
Në fazën e katërt, ata duhej t'i fitonin zgjedhjet që u arrit, po ashtu fare lehtë, qoftë falë statusit të rrejshëm të prijësit, qoftë përmes kërcënimeve, dhunës dhe vjedhjes së votave. Në fazën e pestë ata më në fund u rehatuan në pushtet, që sipas të gjitha gjasave ishte pikësynimi i tyre kryesor. Në këtë proces të legjitimimit politik të këtij grupimi morën pjesë të gjitha shtresat dhe faktorët shqiptar, në mesin e tyre edhe PDSH-ja, por në dallim nga të tjerët, ajo shumë shpejt u vetëdijesua se bëhet fjalë për një manipulim të paskrupullt.
Kjo u pa që në fillim të mandatit të tyre qeverisës 2002-2006, me rastin e votimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentet e udhëtimit, që paraprakisht PDSH refuzoi ta votojë. Në këtë ligj sanksionohej statusi i gjuhës shqipe, si gjuhë fakultative që do të përdoret nëse qytetari vetë kërkon që t'i lëshohet dokumenti i udhëtimit në gjuhën shqipe. Pra, ky ishte një testim dinak i kapaciteteve politike, morale dhe intelektuale të BDI-së. Edhe pse me këtë ligj, qartazi suspendohej statusi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, që garantohet me kushtetutë, edhe pse ishte e qartë se sistemi vetvetiu nuk funksion në të dyja gjuhët, edhe pse dihej që PDSH-ja për këto shkaqe nuk pranoi ta votojë këtë ligj, BDI-ja, që e pushtoi skenën politike me ofertën për ndryshime radikale, u gjunjëzua menjëherë dhe e votoi një ligj që është në kundërshtim me MO dhe me kushtetutën e Maqedonisë. A ishte ajo paraprakisht në gjunjë apo më vonë u gjunjëzua, a ishte ajo politikisht e papjekur që t' u ikë kurtheve të këtilla, a ishte kjo parti intelektualisht e pa aftë që ta kuptojë mashtrimin, kjo fare s' ka rëndësi, ngaqë statusi zyrtar i gjuhës shqipe u suspendua. Ky ishte një sinjal i qartë për zgjim, por mjerisht, puthadorë të ndryshëm, një dështim ordiner filluan ta paraqesin si fitore të madhe. Pala maqedonase, një mall të skaduar, që nuk arriti t'ia shesë PDSH-së, fare lehtë ia shiti BDI-së. Ky rast ishte paralajmërim i qartë se pala maqedonase nuk pranoi realisht korrigjimin e konceptit të shtetit dhe se do të bëjë çmos që t'i restaurojë raportet e vjetra në shoqëri. PDSH-ja, jo vetëm që nuk është e përshtatshme për një mision të këtillë, por duke njohur mirë mendësinë maqedonase, atë nacionalizëm grotesk, paralajmëronte me kohë se do të bëhen përpjekje sistematike për modifikime të MO.
Kjo u pa që në ditën e nënshkrimit solemn të MO-së në rezidencën e kryetarit të Maqedonisë, z.Boris Trajkovski ku ishte prezent i gjithë kori diplomatik, të dërguarit e veçantë të SHBA-ve dhe UE-së, pastaj z.Sollana, z.Robertson dhe z.Paten, kur z.Xhaferi e përshëndeti aktin e nënshkrimit të marrëveshjes vetëm në gjuhën shqipe. Ende pa e përfunduar fjalimin, kryeministri Georgijevski demonstrativisht u largua nga solemniteti, ndërkaq z.Trajkovski sokëllinte: Diversion, diversion, pas kësaj s'do të ketë marrëveshje! Këtë skenë histerike me habi, pa kuptuar fare e ndiqnin ndërkombëtarët. Pse ndodhi ky skandal? Mesazhi i z. Xhaferi ishte shumë i qëlluar. Ai porositi se gjuhët vetvetiu nuk janë as të mira as të këqija, por mesazhet janë të tilla, prandaj shfrytëzoi rastin që në gjuhën shqipe të dërgojë mesazhe miqësie popullit maqedonas... Skandali ndodhi, ashtu si ndodhte çdo ditë gjatë bisedimeve të Ohrit, për shkak të mospajtimit lidhur me përkufizimin e nocionit dygjuhësi. PDSH-ja insistonte me të drejtë që dygjuhësia nënkupton funksionimin e sistemit në të dy gjuhët, ndërkaq pala maqedonase të qytetarit. Sipas kësaj logjike z. Xhaferi duhej së pari të fliste maqedonisht dhe pastaj ta përkthente vetveten. Beteja e dytë gjuhësore që u zhvillua në Ohër ndërmjet delegacionit shqiptar dhe atij maqedonas lidhur me gjuhën, ishte përkufizimi i nocionit "20%'.
* * *
Pala shqiptare, e bindur se në Maqedoni 1/3 e popullsisë janë shqiptarë, pranoi standardin që gjuha të cilën e përdorin më se 20% të qytetarëve të Maqedonisë automatikisht të marrë statusin e gjuhës zyrtare, ndërkaq pala maqedonase impononte tezën se në vendet ku ka më shumë se 20% të qytetarëve që flasin një gjuhë tjetër, krahas maqedonishtes edhe ajo të jetë në përdorim zyrtar. Kjo betejë, në një atmosferë të presioneve të ndryshme zgjati një javë. Opsioni shqiptar, teoretikisht i saktë më në fund fitoi. Në nenin 7 të kushtetutës, hyri formulimi që 20 % është kusht që një gjuhë tjetër, pos maqedonishtes të përdoret zyrtarisht dhe jo versioni maqedonas që në vendet ku jetojnë më se 20% të qytetarëve që flasin një gjuhë tjetër, edhe ajo të jetë në përdorim zyrtar. Në mes të këtyre përkufizimeve ekziston një dallim i madh. Versioni i parë ofron mundësinë që në çdo cep të Maqedonisë, ku jeton madje vetëm një shqiptar, ai ka të drejt që të komunikojë me institucionet e shtetit në njërën nga gjuhët zyrtare, pra edhe në gjuhën shqipe, ndërkaq sipas versionit të dytë gjuha shqipe mund të përdoret vetëm në ato komuna ku ka më se 20% folës të një gjuhe tjetër, një variant që ka ekzistuar edhe më parë. Kush nuk e vëren këtë dallim duhet ta kontrollojë kuotën e inteligjencës ose t'i verifikojë konceptet morale. Në nenin 7 të Kushtetutës ka mbetur versioni i palës shqiptare dhe të gjitha ligjet që do të nxirren duhet ta respektojnë premisat kushtetuese. Natyrisht se ligjet nuk mund të ofrojnë më shumë se kushtetuta, por mund ta ngushtojnë atë, por për këtë duhet konsensusi politik me përfaqësuesit e popullit që e ka fituar të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës së tij. Këtë kusht e parashikon parimi i Badenterit, po ashtu një rezultat madhor i MO. Para palës maqedonase u shtrua nevoja e anashkalimit edhe të kësaj pengese.
Ky problem u zgjodh në bisedimet e fshehta paraelektorale ndërmjet Gruevskit dhe Ahmetit: BDI-ja duhet të fitojë më shumë se 2/3 e votave që të suspendohet parimi i konsensusit. Prandaj qeveria e Maqedonisë me aq zell punoi kundër partnerit të saj të koalicionit, PDSH- së, prandaj u anuluan rezultatet vetëm në ato vende ku ajo fitoi, prandaj gjithë ajo histerie dhe dhunë. Për ata që nuk besojnë se ky shpjegim nuk është i vërtetë, se është një tepri partiake, se nuk është e mundur një gjunjëzim kaq i poshtër i partisë shqiptare në pushtet një pyetje e fundit për këndellje: pse u nxor një ligj kaq i rëndësishëm pa paralajmërim, pa debate, pse atë e votoi edhe opozita maqedonase që është në raporte acaruese me partinë në pushtet? Përgjigjja është e thjeshtë, atë ne paralajmëruam.
Autori është kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare
Krijoni Kontakt