Misteri mbi faktorët e jashtëm dhe vetjakë, që e bën individin qenie të vetme e të ndryshme nga të tjerët, ka tërhequr historikisht mbi vete interesin e filozofëve e psikologëve. Struktura bazë, për shkak të trashëgimisë, përbën një faktor që përcaktohet vetëm nga vetë subjekti, por cilat janë ato ndërveprime të pakapshme që ndodhin mes gjeneve e ambientit? Te qeniet njerëzore është vështirë të flitet për ekzistencën e "gjeneve të personalitetit". Janë të panumërt faktorët që influencojnë sjelljen njerëzore, gjë që e bën mjaft të vështirë përcaktimin e tyre përmes formave eksperimentale. Nga ana tjetër, zogjtë e egër përbëjnë subjekte mjaft më të lehta eksperimentimi në këtë kuadër dhe ndofta duket disi e çuditshme që edhe ata shfaqin trajta mjaft të ndryshme personaliteti, të cilat manifestohen në mënyrën si ndërveprojnë me botën që i rrethon.
Për t‘u dhënë përgjigje pyetjeve të tilla, shkencëtarët janë përpjekur të aplikojnë në botën e kafshëve dy koncepte të njohura psikologjike: "ekstroversionin" dhe "introversionin". Mund të konsiderohen si dy skajet e një segmenti ku ekstroversët janë ata që kanë prirjen të ruajnë kontakte të forta dhe ndërveprojnë në masë të madhe me botën e jashtme, ndërsa termi introvert në thelb tregon një njeri pak të shoqërueshëm, të vetmuar e që preferon më së shumti botën e vet të brendshme. Aplikimi i këtyre koncepteve te kafshët e shpendët për shumë specialistë është i tepërt e i nxituar, e megjithatë disa forma sjelljesh të përsëritura rregullisht në kohë mund të studiohen fare mirë për këtë qëllim, duke çuar në rezultate mjaft inkurajuese.
Një skuadër e përbërë nga shkencëtarë nga vende të ndryshme, e kryesuar nga biologë të institutit ornitologjik, "Max Planck", ka provuar dhe konfirmuar përmes eksperimenteve ekzistencën e "gjenit të kuriozitetit" te një lloj zogu që bën pjesë në familjen e harabelave, i cili ndeshet mjaft dendur në pyjet apo kopshtet e shumë prej vendeve evropiane, në Afrikën e Veriut, në ishujt e mëdhenj të Mesdheut, në Turqi, në Kaukaz e në një pjesë të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme.
Bëhet fjalë për një zog me përmasa mesatare (me gjatë rreth 16 centimetra dhe me peshë që varijon nga 16 në 21 gramë), me kokën dhe gushën të zezë (kjo e fundit është më e madhe te meshkujt se te femrat). Pjesa tjetër e kokës është e bardhë, ndërsa trupi është në ngjyrë të verdhë, ose i verdhë në të jeshiltë. Ky lloj harabeli përbën subjekt ideal studimi për shkencëtarët, pasi e kalon gjithë jetën në një habitad të vetëm dhe shtyhet shumë lehtë të përdorë foletë e prodhuara artificialisht nga njeriu.
Gjeni në fjalë quhet Drd4 dhe kodifikon sintezën e një receptori në tru ku vendoset neurotransmetuesi i njohur si dopaminë. Zogjtë që zotërojnë një varian specifik të këtij gjeni, tregojnë një prirje më të spikatur për të eksploruar ambientin, se sa individët me variante të tjerë të këtij gjeni (artikull i publikuar më 2 maj të këtij viti në "Proceedings of the Royal Society" të Londrës). Provat se ekzistenca e variacioneve (polimorfizmave) të gjeneve që kanë të bëjnë me neurotransmetitorët lidhet me ndryshimet e personaliteteve te qeniet njerëzore ishin zbuluar prej kohësh. Në mënyrë të veçantë, kërkimet e kryera gjatë viteve të fundit flasin për një lidhje mes gjenit Drd4 dhe tiparit njerëzor "kureshtje" (prirja për të kërkuar eksperienca të reja).
Dhe me të vërtetë, vendimi për të studiuar në nivel molekular gjenin Drd4 te ky lloj harabeli rezultoi mjaft frytdhënës. Në strukturën e gjenit Drd4 të këtyre zogjve u zbuluan plot 73 polimorfizma, mes të cilave 66 janë "Single Nucleotide Polymorphisms" (ku ndryshon vetëm një nukleotid në dy variantet e gjenit).
Eksperimentet u kryen në dy vija zogjsh, të cilat u përcaktuan përmes kryqëzimeve të posaçme në bazë të nivelit përkatës të kuriozitetit (një vijë për zogjtë me kuriozitet të lartë dhe një tjetër për ata me kuriozitet të ulët). Në një test për të vërejtur mënyrën e sjelljes, studiuesit matën kohën që shpenzuan zogjtë për të eksploruar katër pemë artificiale pas lëshimit të tyre nga kafazet. Disa nga zogjtë menjëherë dolën jashtë për të vëzhguar ambientin e ri. Ndërsa të tjerët treguan shenja indiference. Në një test të dytë u mat interesi i zogjve kundrejt dy objekteve të panjohura, të vendosur në kafazet e tyre (një prej këtyre objekteve ishte "Pantera e Kuqe").
Rezultatet e arritura me individët e seleksionuar përmes kryqëzimeve u krahasuan me ato të këtyre zogjve që jetonin në gjendje të lirë. "Tipari dominues i personalitetit mund të shfaqet si shumë i rëndësishëm në përcaktimin e mënyrës se si individët u përgjigjen ndryshimeve të parashikuara dhe të paparashikuara në ambientin përkatës, si edhe sa do të arrijnë të përshtaten me të", shpjegon Bart Kempenaers i institutit "Max Planck". "Në rast se duam të thellohemi në rëndësinë ekologjike dhe evolutive të gjallesave që jetojnë në gjendje të lirë, do të na vijë shumë në ndihmë njohja e mekanizmave gjenetike në nivel molekular, duke qenë se janë pikërisht ato që përcaktojnë personalitetin e individëve".
Po njeriu? Studimet e personalitetit te shpendët e te kafshët mbase fshehin strategjinë e duhur për të kuptuar çfarë kemi të përbashkët me ta dhe çfarë i përket ekskluzivisht njeriut.
Marre nga : Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt