Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,982
    Postimet në Bllog
    22

    Pakicat janë pasuri dhe jo kërcënim

    Nga Agron Alibali

    Kriteret e Kopenhagës të vitit 1993 përcaktuan si kusht anëtarësimi në BE edhe “njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave” të vendeve kandidate. Rrjedhimisht, Komisioni Europian u autorizua të përfshinte edhe problemin e pakicave si temë të veçantë gjatë procesit të negociatave me vendet kandidate.
    Kjo padyshim ishte një kriter politik/juridik mjaft i rëndësishëm. Megjithatë, sikurse kam theksuar edhe tjetërkund, edhe pse BE zbaton një politikë të jashtme mjaft aktive lidhur me pakicat në vendet kandidate dhe më gjerë, ajo ende nuk ka një politikë komunitare për pakicat e veta, e cila do të siguronte kritere të qarta dhe mbrojtje të plotë juridike ndaj tyre. Si rrjedhim, pakicat e ndryshme etnike brenda BE-së gjejnë mbrojtje kryesisht duke u bazuar në legjislacionin e brendshëm të vendeve anëtare (rasti i Italisë dhe Spanjës), si dhe tek aktet juridike ndërkombëtare, komunitare dhe të brendshme për të drejtat themelore të individit.
    Kuptohet që kjo nuk mjafton, ndërkohë që me të drejtë BE-ja mund të kritikohet se zbaton një kusht të dyfishtë për pakicat jashtë saj – për të cilat kërkon njohje dhe mbrojtje – në krahasim me pakicat brenda saj – për të cilat bën fare pak, për të mos thënë aspak. Mund të thuhet se, me përjashtim të ndonjë rezolute jodetyruese të Parlamentit Europian, e të një dispozite tjetër jodetyruese të Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut, BE-ja në përgjithësi nuk ka ndërmarrë asnjë hap tjetër serioz për të hartuar dhe zbatuar një politikë komunitare në mbrojtje të pakicave të ndryshme dhe të shumta që jetojnë në vendet anëtare.
    I vetmi institucion komunitar në mbrojtje të të drejtave të pakicave brenda BE-së, nëse mund të quhet i tillë, është një OJQ me qendër në Bruksel dhe që quhet Zyra Europiane e Gjuhëve më Pak të Përdorura [European Bureau of Lesser-Used Languages – EBLUL].
    Disa probleme dhe mangësi që lidhen drejtpërdrejt më problemin e pakicave në Greqi u shpalosën edhe gjatë një konference që organizoi EBLUL në Selanik më 15 nëntor 2002. Në konferencë doli qartë se qoftë Greqia, qoftë BE-ja kanë bërë shumë pak për njohjen dhe mbrojtjen e pakicave etnike në Greqi dhe gjuhëve që ato flasin. Aty u pranua se pakicat në Greqi, që përfshijnë turqit, maqedonasit, vllehët, dhe arbërorët, pasqyrojnë historinë e pasur të rajonit. Megjithatë, shumica e tyre nuk kanë kurrfarë të drejtash si pakicë dhe gjendja e disa syresh paraqitet “e tmerrshme,” pasi atyre u mohohet madje edhe përdorimi i gjuhës amtare edhe si individë në vende publike. Edhe pse në konferencë nuk u përmend problemi i pakicës shqiptare në Çamëri, si dhe në rrethet e Janinës, Konicës, Kosturit e Follorinës, aty megjithatë u fol për traditën e pasur dhe të rëndësishme gjuhësore të arbërorëve të Greqisë dhe për problemet e shumta të tyre.
    Gjendja e vështirë e pakicave në disa rajone të Greqisë sa i takon të drejtës për mësimin dhe përdorimin e gjuhëve të tyre u krahasua nga vetë presidenti i EBLUL-it, B. Brezigar, si “gjenocid gjuhësor”, ndërsa anëtarja e Parlamentit Europian, Marieke Sanders, tha se mohimi i të drejtës së pakicave për të folur gjuhën e tyre nuk është gjë tjetër veçse “gjymtim shoqëror”.
    Konferenca e EBLUL-it në Greqi pa dyshim përbën një ngjarje të shënuar për njohjen dhe trajtimin e problemit të gjerë dhe të rëndësishëm të njohjes dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave etnike në Greqi. Në konferencë doli qartë se shteti grek në përgjithësi ka zbatuar një politikë sistematike mohuese dhe diskriminuese për pakicat, gjë që sot është e papranueshme dhe e papajtueshme me të drejtat e njeriut dhe me parimet dhe frymën e Europës së Bashkuar.
    Në kuadrin e negociatave me BE-në Shqipëria mund t’i kërkojë BE-së ndryshimin e politikës së sotme komunitare ndaj pakicave në mënyrë që të garantohet njohja dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave në Greqi. Për këtë ndoshta ka ardhur koha që vetë BE-ja të vendosë një kriter të ngjashëm me atë të Kopenhagës për pakicat e vetë shteteve anëtare të saj, sikurse është Greqia. Njëkohësisht, duhet të kihet parasysh se një kërkesë për kryerjen e një regjistrimi të popullsisë në Greqi të mbikëqyrur nga vëshgues ndërkombëtarë dhe ku si kriter i gjuhës së pakicave do të merrej gjuha e folur në shtëpi është bërë qysh në tetor 1994 nga Grupi i të Drejtave të Minoriteteve. [Minority Rights Group, The Southern Balkans, Report, October 1994, f. 21 – 22]. Sa i takon Shqipërisë, ajo nuk ka asnjë arsye që të mos tregojë ndaj pakicës shqiptare në Greqi të njëjtin interesim që ka treguar ndaj pakicave shqiptare në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
    Konferenca e EBLUL-it, si hap i parë, duhet ndjekur nga hapa të tjera të rëndësishme, qoftë në Parlamentin Europian, dhe qoftë në institucionet e tjera të BE-së. Me të vërtetë, në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, integrimi europian përbën një shans jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë BE-në dhe disa shtete anëtare të saj, si për shembull Greqinë. Fryma e sotme proeuropiane dhe properëndimore e pjesës së përparuar të shoqërisë greke është mjaft shpresëdhënëse. Sikurse u theksua në konferencën e EBLUL-it, pakicat etnike të një vendi janë dhe do të jenë pasuri e çmuar e tij, dhe nuk mund e nuk duhet të mendohen se përbëjnë kërcënim.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e safinator
    Anëtarësuar
    29-06-2011
    Postime
    711
    Jane pasuri deri ne momentin kur nuk fillojne te kerkojne si teper.

Tema të Ngjashme

  1. E mira dhe e keqa
    Nga Albin në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 27-10-2005, 15:01
  2. Feja Islame pervec Kuranit!(Sahihu Buhari)
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 03-09-2005, 13:19
  3. Për pakicat dhe standartet ndërkombëtare të zgjedhjeve
    Nga D&G Feminine në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 23-02-2005, 13:21
  4. Kush Na Solli NË KËtË BotË, Pasuri E Kujt Jemi Dhe Pse Jemi Krijuar...
    Nga Bekim Ismaili në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 31-05-2004, 05:35

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •