Tuesday, 05 August 2008
Nga Zenel Anxhaku -
1
Nën tisin e errët të kohës
Nuk humbet kurrë Dylqinja e Topozës
Kur shfaqet një kalorës i vonët...
...Një habi filozofike,një habi për tu habitur kur dëgjon emrat e rinj të Akademisë së Shkencave ,të përzgjedhurit ,ose të përkëdhelurit e pushtetit. Çfarë veprash kanë bërë? Çfarë kanë bërë për këtë popull këto emrat të pa-emërt ?
Luka Karaxhale ,një nga humoristët më të mëdhenj të shekullit të kaluar ka edhe një skicë humoristike të titulluar “Akedamikët” ku midis të tjerave shprehet për një akademik që kishte një rrogë aq të madhe sa për njëqind punëtorë apo fshatarë rumunë dhe kishte njëzetë vjet që punonte për një lloj të veçantë trëndafili dhe kërkonte edhe njëzetë vjet të tjera për ta çuar deri në fund këtë studim që kishte gjasa që nuk do të mbaronte kurrë “por që i shërbente shume shkencës të së ardhmes“
Një akademik tillë është edhe akademiku ynë i ri më i “spikatur”, që prej kohësh titullin akademik “e kishte në xhep”, zoti Artan Fuga.
Çfarë ka bërë në shkencë Artan Fuga që ta meritonte titullin akademik?
Ja se çfarë…
2
Oh këto mistere
Na bëjnë dhe ju bëjmë ndere
Qoftë dhe në beteja letre...
...Para disa vjetëve një idhull i rremë e quajtur Zonja e Shpirtit Eleonorë trumbetoj se po ngrinte në Shqipëri një fe te re, dhe madje ngriti edhe ndërtesën e këtij kulti diku pranë Selitës në një tokë që i përkiste dikujt tjetër. Kjo ish punëtore e kombinatit te tekstileve Stalin që nuk kishte mbaruar as shkollën e mesme ngaqë i ranë në dorë para filloi edhe të shkruante, madje filloi të kuturiste të botonte edhe libra. Dhe librat e saj me “përsijatje filozofike dhe fetare” ja shkruante parathëniet e ndritura lavdëruese as më shumë dhe as më pak por vetë Akademiku ynë zoti Fuga. Ky Fugë i Akademisë së Shkencave donte t’ja bënte mendjen fugë popullit shqiptar për të ngritur ne piedestal zonjën e Shpirtit Eleonorë.
Në librin “filozofik”, etik dhe psikologjik “Njeriu përballë qënijes” (Letërsi ekuilibri) të Zonjës së Shpirtit Eleonorë parathënien e mrekullueshme dhe entuziaste në dhjetëra faqe e ka bërë vete Zoti Fuga
Zoti Fuga shpërthen në konkluzionin entuziast panegjerik në këtë parathënie nuk e di për çfarë tjetër të frymëzuar përveçse nga ndonjë honorar i shëndoshë që ti zbeh bindjet dhe idetë e shkreta“Nuk kam dyshim se pasi të lexoni këtë libër do ti doni më shumë të tjerët, njeriu njerëzit, fëmija babanë dhe nënën dhe prindërit fëminë, bahçevani lulen, bletërritësi bletën, detari detin, gjeologu tokën, bile armiqtë do të meritojnë më pak mizori të panevojshme”.
Po ti shikosh thellë do të vësh re se nuk janë gjë tjetër veçse fjalë në erë, gjë të për të cilën profesori i komunikimit apo i çkomunikimit i ka shumë përshtat dhe shpesh fluturin me to për ti ngritur ne qiell sponsoret e vet.
Po cilat janë arsyet që duhet ta lexojmë dhe vlerësojmë sa më shumë dhe jetikisht këtë libër të zonjës së shpirtit Eleonorë?
“Në libër do të gjejmë vlerësimin e leximit që nuk është fanatizëm, fenë që nuk është dogmatizëm, spiritualizmin që nuk është sdipzizëm, kreacionizmin që nuk është teologji”. Vini re të nderuar lexues radhët e fjalëve të huaja pa kuptim nga ky ish profesor i marksizëm leninizmit dhe që ka mbaruar pikërisht atë fakultet bazë dhe tani është kthyer në një mbrojtjes të një feje “te re” të shpikur se fundi nga Zonja e Shpirtit Eleonore. Fjalë të mëdha, për të mbuluar zbrazëtinë e mendimit logjik, mungesë e mendimit më të thjeshtë për të dhënë si të vërtetë një gënjeshtër siç ishte gënjeshtër aktiviteti i zonjës se shpirtit të Fugës.
“Të lë përshtypje të veçantë fakti se libri e përcjell vetveten në dy forma të veçanta shprehëse: Pjesa e parë përmban një formëzim racionalist dhe mistik, ndërsa e dyta ndërtohet artistikisht. Por nuk është i njëjti mesazh. Në prozën artistike keni qenien e njerëzuar në formën e mbresave të pjesshme që shërbejnë si konvecione të një realiteti të pathënë e të pa-thënëshëm drejtpërdrejtë”
Që zoti Fuga ka vendosur të bëje një ekskursion spiritual në botën e mistereve të zonës Eleonorë i nxitur nga motive të errëta kjo duket më së miri, por misteri i mistereve është fakti se e ka gjetur Zonja e Shpirtit Eleonorë Fugën, apo Fuga në fluturimet e tij spirituale e ka gjetur ai i pari zonjën Elonorë, duke u befasuar mirëfillin nga misteret e saj. Dhe ky ekskursion në fjalë boshe dhe pa mendim për të çoroditur mendjet e lexuesve për ta shitur një libër pa vlera si një kryevepër, për të dhënë në dorë të lexuesit si flori safi, një metal të dyshimtë shkon nga misteri në mister dhe nga absurditeti ne absurditet, i denjë vetëm për mjeshtërinë boshe të një akademiku të paguar sot nga zoti Berisha.
“Pas simbolikës pak kohë e hapësirë të përcaktuar është një e vërtetë që pret të ndërtohet prej nesh. Por,ajo çka ne mund të ndërtojmë këtu nuk i ngjan një objekti të ndërtuar me llaç dhe me tulla të botës profane. Ai është me të vërtetë një objekt virtual, një prishje shprishje e pafund”
Akademiku ynë qenka prishur dhe shprishur në mënyrë të pafund me sofizmat e tij për Zonjën e Shpirtit Elonorë dhe në këtë filozofi të ekuilibrit besoi se honorari nuk ka qenë në mënyrë virtuale.“Pjesa e parë, metafizika, duket sikur nga Qenia do të shkojë tek Njeriu, pjesa e dytë ngjason të marrë drejtimin në kahjen e kundërt: nga Njeriu të shkojë tek Qenia“
Ose zoti Fuga ka patur bindjen se këtë libër nuk do ta lexojë askush vetëm se ai dhe zonja e shpirtit Eleonorë ose akademiku ynë Fuga në misterin e pafund të prishje shprishjeve kur ka shkruar këtë parathënie filozofike ekuilibri ka qenë në ekstazë të plotë kur me penë në dorë kërkonte gjinjtë e detrave të fjalëve boshe, e të sofizmave mjerane .
Dhe Don Kishoti i Mançes përpara Dylqinjës së tij nuk do të fliste kaq çapraz saç flet akademiku Fuga përballë Zonjës së Shpirtit Eleonorë. Mullinjtë e erës janë përpara dhe kapitujt e librit janë përpara dhe Fuga shpërthen: “Libri që keni në dorë i zonjës Eleonorë, ka një përgjigje të qyrtë. Duhet ruajtur ekuilibri i Qenies, në të gjitha sinonimet e saj: Zot, Krijues, shpirt. Askush nuk jeton arbitrarisht e me vullnet tekanjoz, por sipas kërkesave të Universales që s’ka anë e fund, që nuk njeh kohë të kufizuar dhe hapësirë të cunguar. Është fjala për Qenien si lëndë tërësore që përfshin gjithçka, fijen e barit dhe lotin e syrit, majën e malit dhe dallgën e detit, fluturën e agimeve dhe njeriun e fortë”. Po njeriun e dobët nuk e përfshin Ekuilibri Filozofik i Qenies?-Jo, zoti Fuga flet vetëm për njeriun e fortë që kuturis nëpër botë dhe sidomos kur është në pushtet. Kur është në pushtet ky njeri i fortë .ai të bën shumë hapësira dhe të jep shumë avantazhe dhe madje për këto përçartje teologjike filozofike të bën edhe Akademik me një rrogë fikse të trashëguar duke marrë rregullisht një pjesë te taksave tona nga të ardhurat tona mjerane.
Akademiku ynë i nderuar i zbulesës së mistereve siç do ta shikojmë ka zbuluar madje edhe një enigmë: Ja dëgjojeni si e ka zgjidhur këtë enigmë të fundit. E pastër dhe e argjendtë “Kur më ra në dorë ky libër i Zonjës Eleonorë, shumë më parë se të kisha bërë njohjen me të, të kisha shkëmbyer opinionet e mia me të sajat (duket që ka qenë një Njohje e gjatë e Qenies më qenien, shënim i artikullshkruesit),nuk e fsheh mendova: Kujt do ti vlejë ky libër? Ç’qëllime kërkojnë ti mbërijnë rrëfimet, imazhet, metaforeat e tij? Dhe ja, diku në pjesën e prozës artistike, diku në fund, enigma mu shpalos ashtu sikurse e desha”
Dhe si e donte këtë enigmë Akademiku jonë i mistereve? Ja se si:“E pastër e argjendtë dhe e ndritshme”:
E pastërt, e argjendtë dhe e ndritshme do të shfaqet enigma-fugë e Fugës edhe në një rast të një lloi të këtillë.
3
Nën perden e fjalëve
Ju bëjmë një rreng të varfërve
Të humburve, të këputurve fare
...Ndërsa zonja e parë e quajtur Eleonorë që na shfaqet në parathënien brilante të Fugës si një zonjë mirëfilli edhe filozofe edhe kërkuese e thesareve të shpirtrave, edhe sociologe dhe shkrimtare. Në këtë mënyrë ajo sipas misterit të shfaqur të Artan Fugës përmban në vetvete pushtetin e zemrave dhe të shpirtrave, pushtetin e ndjenjave, të eternës, të pakapshmes së ndritshme prej argjendi.
Ndërsa zonja e dytë nuk është kaq fluide, kaq eterne, kaq poetike. Ajo përfaqëson pushtetin e tokës dhe jo të qiellit dhe si të tillë ajo ka në dorë jo vetëm ndjenjat, por edhe postet akademike dhe universitare dhe tenderët e ofiqeve dhe emërtimet e çifligjeve.
Ndaj ne mbrojtje dhe në panegjirikët për këtë zonjë domethënë për zonjën Xhozefina Topalli, Akademiku jonë Fuga nëpërmjet fugave të tij është më i drejtpërdrejtë dhe nuk lë mister pa e zbuluar deri në fund.
Në një intervistë eksluzive me 50 pyetje dhe 50 përgjigje dhëna para pak kohësh gazetës “Tirana Observer“ madje vetë kryeredaktorit të saj (i cili vërtetë nuk ka mbaruar gazetari por i njeh mirë artet e komunikimit) thotë e çfarë nuk thotë. Flet për oreksin e tij që siç pohon e ngrëna është barbare, por pastaj del se është e mrekullueshme në të gjithë llojet dhe nënllojet e veta. Përmend si për apertitiv një tufë shkrimtaresh francezë të preferuar, ekzaltohet se nuk ha mish shqiponje dhe nuk e ka tradhtuar kurrë mëmëdhenë ,flet kodra pas bregut plot tre kaper faqe gazete, me broçkulla që janë të barazvlefshme me thëniet për Zonjën e shpirtit Eleonorë dhe pastaj kalon në pikën me delikate, për atë takëm fjalësh për të cilat në fakt është marrë intervista me një nxitim dhe përpikmëri ushtarake të Gardës dhe Akademisë së Republikës.
Ushtari i Mirë Akademik Fuga vjen në kohën e duhur, në vendin e duhur për të thënë fjalën e duhur për zonjën Xhozefina. Është pikërisht koha kur opozita dhe ca zëra nga maxhoranca kanë kërkuar mocion mosbesimi ndaj Kryetares së Parlamentit. Pasi shprehet se fjalët janë perde për të mbuluar thelbin e sendeve, shefi i katedrës së komunikimit të në Universitetin e Tiranës jep opinionet e tij safi politike:
“Të gjithë që bisedojnë, diskutojnë, dëgjojnë dhe kanë një raport miqësor me të, janë nën një vëzhgim”. Këtu nuk ka si të mos çuditemi por artikullshkruesi nxiton: “Por nën një vëzhgim pozitiv ama, të një filozofi nga më të rrallët që ka Shqipëria (Pse çfarë ka bërë ky filozof sipas këtij gazetari nuk thuhet). Dhe që në fund i dhanë dhe titullin Akademik (Pra ja dhanë nuk e fitoi)...
...E ngacmojmë pak për politikën. Fjala vjen si i duket atij sherri në Parlament mes Berishës dhe Taulant Ballës?A e dini përgjigjen? (Po në fakt e dimë, se ky Akademik u zgjodh nga Berisha dhe Xhozefina dhe kjo pikërisht për të thënë këto fjalë aprovuese)
“Artan Fuga thotë: Po të isha në vendin e Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që është e suksesshme në punën e saj, duke drejtuar më dorë të fortë atë tufë burrash hiper macistë në Kuvend, do të kisha bërë të njëjtën gjë. Jo për të ndëshkuar deputetin Balla, por thjeshtë për të mbyllur një sherr që transmetohej direkt ne Televizion”.
Tamam përgjigje prej filozofi pedagog akademik të paguar mirë nga qeveria, një përgjigje e një nënpunësi të paguar të arkës së shtetit dhe në shërbim të një nënshtetasi të bindur sinqerisht ndaj shtetit. Të një akademiku që di të mbaje anën e duhur pra të pozitës kundër opozitës.
Ashtu siç shprehet me fjalë superlative për Zonjën e Shpirtit Eleonorë, Fuga shprehet me superlativa për zonjën kryeparlamentare Topalli.
Po me këtë rast nuk kemi si të mos bëjmë disa pyetje të natyrshme ndaj zbuluesit të mistereve të paguara të zotit Fuga: Së pari çtë keqe ka ky profesor i komunikimit nga komunikimi i një sherri parlamentar drejtpërdrejtë kur në fakt të gjitha çfarë tha kryeministri dhe kryeparlamentarja u dëgjuan live nga gjithë populli shqiptar këtu dhe në trevat madje edhe nëpër botë? Dhe së dyti që të mbyllej ky sherr pse të mos rujtë (zot na ruaj ) ai që hapi sherrin domethënë Kryeministri?
Natyrisht që Akademiku ynë nuk është bërë akademik për tju përgjigjur këtyre pyetjeve, Akademia vetë është një nga institucionet e pavarura, që zoti Berisha dhe zonja Xhozefina mundën që ti marrin nën sqetull dhe natyrisht që akademikët e emëruar prej tyre do të thonë sot dhe në të ardhmen ato që do t’u kërkojë “ mira e shtetit” për arsye shtetërore të larta” dhe “në emër të shtetit”
4
Hasan Zyko Kamberi shekuj më parë e thoshte acik “Kur veqili merr paranë, ters e vërtit dynjanë”
Gazeta e ka dhënë akademikun Fuga në një foto në një bibliotekë cit me libra. Por a nuk do të ishte mirë që ta jepte në një foto të tillë, midis zonjës së shpirtit Eleonorë “që ka bërë çudira me librin e saj dhe zonjës së nderuar Xhozefina Topalli” që është e suksesshme
Kur flasin akademikët, duhet të heshtin kritikët, apo jo?
Këtu ishte Don Kishoti
Ish i mirë dhe ish i zoti
Barin mirë e kulloti…
5
Në vend të epilogut ose një kantatë për barkun
Krenarisht ngrihet barku
Çka barku e nxjerr çardhaku
S’do t’ia dijë rrumbullaku
Një nga pyetjet më interesante të gazetarit për Akademikun tonë në këtë intervistë, është një pyetje e lidhur me barkollogjinë: Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar?- Dhe përgjigja më tërë kuptimin e plotë të fjalës, pa perdet e çkomunikimit është një kantatë e vërtetë poetike për barkun. Ja, një pjesë nga përgjigja: “Më pëlqen gjeli i detit i Lezhës me kulaç, burania me lakra tiranase me kos, kosi deles, ashtu i leshtë sikurse e bëjnë në Skrapar, Kavajë,Gos, orizi i llojit tai me fruta deti ose me rosë pekineze, kuskusi i gatuar me misha qengji dhe me erëza të forta pikante sipas variantit maroken, më pëlqejnë shumë tullumbat sikurse i bëjnë në Stamboll, gurabijet e vjetra, ëmbëlsira tespiçe shkodrane, ballokume elbasanase, paçe Gramshi, pica napolitane, kadaif ngado që të vijë”
Shiko,shiko, vetëm kadaifi nuk bëka përjashtim…Bravo i qoftë Akademikut tonë për këtë kulturë të lartë gastronomike barkore. Duket qartë se Akademiku ynë dilemën e Migjenit për intelektualin se si duhet të jetë “Sokrat i përvuajtur apo derr i kënaqur” e ka bërë zgjidhjen e vet pozitive. Ashtu më i lumtë. Dhe të gjitha këto variacione të barkut natyrisht që ti jep pushteti, lavdërim i pushtetit, qoftë edhe lavdërim i marrëzisë, vetëm e vetëm lavdërimi ti shkojë pushtetit.
Dhe kur mendon se të gjitha këto kalojnë nëpërmjet zorrës së trashë siç thoshte Viktor Hygo na parathënien për Rablenë…
Në fakt nuk është aspak filozofike zorra e trashë, por nuk ke çi bën, është njeriu përballë Qenies dhe i plotësuar plotësisht me Qenien. Dhe këtu merr fund Misteri, tek Lavdërimi i Barkut
Pse mos jesh ti frankofon
Si Artani që gjëmon
Një kantatë në gastranom.?
Njeriu përballë Qenies, këtu shfaqet i fortë, i madhërishëm dhe pse jo edhe magjik. Dhe e meriton të jetë Akademik i Qeverisë.
Më jep një personazh të bëj një komedi, do të thërriste me të drejtë dikur Karaxhale.
E megjithatë kjo komedi ja vlen që të shkruhet.
Krijoni Kontakt