Ndalja e Maqedonisë- Nga Bashkim Muça

02/08/2008

Zgjedhjet e parakohshme nuk i kanë shërbyer Maqedonisë për të dalë prej ngërçit ku ishte futur. Rrjedha e ngjarjeve po tregon se e vetmja gjë që ka ndryshuar është partia shqiptare në koalicion. Nuk është më PDSH, por BDI. Asnjë përparim lidhur me emrin, asnjë kompromis serioz lidhur me pozitën shtetformuese të shqiptarëve, asnjë premtim zyrtar lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës.

Situata ka precipituar, pas bojkotit zyrtar që dy partitë më të mëdha të opozitës, partia maqedonase LSDM dhe ajo shqiptare PDSH i kanë bërë Parlamentit. Qeveria e re e Gruevskit është miratuar pa pjesëmarrjen e opozitës në Parlament, ndërkohë që Maqedonia ndodhet e bllokuar përpara dy evenimenteve shumë të rëndësishme: anëtarësimit të saj në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Maqedoninë po e shoqërojnë paralelisht, tri konflikte të brendshme: konflikti politik në rritje mes dy partive kryesore maqedonase; konflikti i thellë mes dy partive shqiptare dhe konflikti tradicional mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Konflikti ndëretnik, rreth të cilit zhvillohen të gjitha lojërat politike dhe burojnë të gjitha konfliktet e tjera, mbetet “thembra e Akilit” për Maqedoninë. Konflikti i thellë mes shqiptarëve dhe së fundi hendeku i krijuar mes maqedonasve, janë vetëm nën-konflikte të tij. Qëndrimet e dy partive shqiptare ngjajnë si dy pika uji. Kur janë në opozitë, si BDI ashtu dhe PDSH, bëhen më radikale në kërkesat e tyre kombëtare dhe në veprimet politike. E njëjta gjë ndodh me partitë maqedonase. Asnjëra prej tyre nuk e ka tejkaluar mentalitetin e superioritetit etnik ndaj shqiptarëve, pasojë e të cilit është zvarritja e disa problemeve themelore për popullsinë tjetër etnike shtetformuese. Kjo lojë e maqedonasve ka futur në grackë shqiptarët, të cilët në rivalitet me njëri-tjetrin, nuk e shikojnë pushtetin si mënyrë për të avancuar në pozitën themelore shtetformuese, në funksion të rritjes së mirëqenies ekonomike, por si një mjet të përkohshëm për të avancuar sa të jetë e mundur, sipas rrethanave. Nëse shqiptarët do të ishin të grupuar në një parti politike të madhe, misioni i tyre themelor mund të quhej i përfunduar. Nuk do të kishte rrugë tjetër, ose barazi shtetformuese, ose ndarje. Por nëse ne s'mund të imponojmë, e as të ndalojmë vullnetet e shqiptarëve për t’u grupuar politikisht, mund të imponojmë një kompromis politik mbi palët e që nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me pushtetin qeverisës. Një besëlidhje e vogël shqiptare mund të bëhet në Maqedoni, në funksion të realizimit të shpejtë të 3-4 problemeve themelore të mbetura në rrugë.

Maqedonia ka nevojë për një ridimensionim tjetër kushtetues, sipas të cilit, ajo do të adaptonte përfundimisht modelin e një shteti të përbashkët të dy etniteteve kryesore. Sa kohë që nuk do ta bëjë këtë, ajo do të kërcënohet të shkojë drejt shpërbërjes. Maqedonasit, duke kërkuar të luajnë barbarisht me shqiptarët, po bien vetë viktimë e kësaj loje të tyre. Maqedonia ndodhet mes dëshirës së shumicës sllavo-maqedonase për të zyrtarizuar identitetin kombëtar dhe mundësisë për të ndërtuar një shtet civil. Rreth 40% e qytetarëve të këtij shteti mbeten peng i identitetit të munguar të pjesës tjetër të tij. Po për çfarë ju duhet maqedonasve identiteti kombëtar në një proces integrimi europinan ku kombet po shkojnë drejt dorëzimit të një pjesë të identiteteve të tyre? Përse maqedonasit nuk heqin dorë nga miti i një nacionalizmi, në themel të të cilit është shpërbërja e këtij shteti? Asnjë kahe tjetër, përveç integrimit në BE, nuk mund ta ruajë Maqedoninë nga të paktën federalizimi. Maqedonasit nuk janë të zotët as ta ruajnë një shtet unik dhe as ta integrojnë këtë shtet me emrin që dëshirojnë. Ata po presin t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Në këtë udhëkryq ku ndodhet Maqedonia, gjëja më e rëndësishme për të është integrimi, që do të thotë heqja dorë nga identiteti sllav, kompromisi me Greqinë për emrin dhe barabartësia mes dy etnive kryesore në shtetformim. Përndryshe, gjithkush ka të drejtë të pyesë se përse shqiptarët duhet të bashkëjetojnë në një shtet me maqedonasit, kur nuk janë në gjendje të zgjidhin çështjet themelore të tyre. Në vijim, pse duhet që shqiptarët të ndërtojnë një qeveri të përbashkët me maqedonasit, kur këta të fundit nuk janë të gatshëm akoma për t’u hapur rrugë zhvillimeve integruese?

Maqedonia ka ndalur. Gruevski po kërkon dy të pamundura njëkohësisht: e para, të marrë identitetin në Greqi dhe, e dyta, t'ua imponojë këtë identitet shqiptarëve. Në planin e brendshëm, qeveria e sapoformuar do të kalojë ditët e saj formalisht në pushtet, ndërsa opozita të kërkojë të rikthejë situatën përsëri në një rreth vicioz. Asnjë lloj kombinimi pushtetor nuk e çon përpara Maqedoninë, sa kohë që maqedonasit do luajnë të njëjtën lojë varësisht nga raportet me shqiptarët dhe këta të fundit, bëjnë të njëjtën gjë varësisht nga raportet me pushtetin. Kryeministri Gruevski do të vazhdojë të mbetet aty ku është sot, mes Ahmetit dhe Thaçit, me të cilët mund të luajë njëlloj si më parë, me njërin të qeverisë në koalicion, ndërsa me tjetrin të bëjë marrëveshje politike jashtë-institucionale (kujtojmë faktin kur qeveriste më PDSH dhe bënte marrëveshje me BDI-në). Por koha nuk pret edhe shumë. Askush nuk e pret Gruevskin, nëse ai nuk do ta kapërcejë vetveten...