Petrika GROSI
Për një shumë krejt modeste, krahasuar me buxhetin qeveritar, Qendra e Albanologjisë prej muajsh të tërë ka mbetur i paralizuar, me potenciale të mangëta, e deri diku edhe i “turpëruar” me bashkëpuntorët e huaj, ndaj të cilëve shfaqet edhe si joserioz, e kjo jo për faj të këtij institucioni. Janë rreth 40 mijë euro, të cilat mbajnë të bllokuara punët dhe projektet kërkimore-shkencore në institutet e Albanologjisë, ndërkohë që Arkeologjia është edhe sektori më i rrezikuar, i cili ka nevojë të ngutshme për financa. Gjithçka mbetet e ngrirë në Ministrinë e Financave, e cila për fat të keq nuk bën lëshime, as kur flitet për një prioritet kombëtar siç është Albanologjia.
Mësojmë gjithashtu, se nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë miratuar edhe 30 vende shtesë për në institutet e Albanologjisë, por për fat të keq edhe këto vende do të mbeten të mbyllura deri në momentin kur Ministria e Financave do të çelë fondin për QSA-në. Për më tepër mbi situatën e krijuar, drejtori i Qendrës të Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi flet në intervistën e sotme, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”.
Ka rreth 7 muaj që ekspeditat nuk paguhen, ndërkohë që tashmë është sezoni për të zhvilluar ekspedita të tjera sipas programit. Si do të zgjidhet ky handikap për arkeologjinë shqiptare?
Ekspeditat vazhdojnë që të bëhen në terren me vullnetin e mirë të arkeologëve, megjithëse mungojnë mjetet financiare. Shpesh ato kryen edhe me ndihmën e arkeologëve nga jashtë, Franca, Aglia, Italia, etj., të cilët duke e kuptuar gjendjen e duke u ndodhur edhe gjatë viteve të tjera në një problematikë të ngjashme, janë treguar të gatshëm për të na ndihmuar. Të gjithë po përpiqemi që punët të mos mbeten pa kryer. Arkeologët tanë që kanë mundësi kanë sakrifikuar, por edhe më shumë ata të huajt, duke i paguar me shpenzimet e veta punëtorët me mëditje. Për pjesën që duhet të paguanim ne dhe që natyrisht, duhet të ishte që në fillim në buxhetin e Qendrës të Studimeve Albanologjike, fatkeqësisht kjo nuk është arritur dhe jemi ende në pritje. Presim të lëvrohen fondet nga Ministria e Financave dhe të fillojë puna. Ne kemi përgatitur kontratat për punonjësit që do të merren me punë të përkohshme, pra që ndihmojnë gërmimet, ndërkaq që situata mund të shpëtohet edhe nga studentët stazhierë, të cilët mund të ndihmojnë profesorët e tyre arkeologë.
Sa shqetësuese është kjo situatë?
Është aq e rëndë sa uroj me të vërtetë që të mos përsëritet më. Aq sa logjika njerëzore percepton, përpiqemi që ta konceptojmë me durimin që kërkon kjo çështje. Problemi qëndron se për QSA-në nuk është përcaktuar fillimisht një buxhet por është menduar që ai të jepet gjatë rrugës. Pra bëhet projektet dhe më pas miratohen. E gjitha kjo punë mori shumë më tepër kohë dhe mund nga sa ishte parashikuar.
Pra ju keni çuar projektet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, e cila i ka aprovuar dhe tashmë ju mban peng vetëm Ministria e Financave?
Siç e thamë dhe herën e fundit sëbashku, projektet për arkeologjinë janë dorëzuar në muajin maj dhe janë trajtuar si një zë i veçantë, për arsye se kërkohej një investim serioz nga shteti. Investimi u mor përsipër dhe u miratua nga MASH-i, por duke qenë se ai nuk ishte i parashikuar në buxhetin e vitit të kaluar, është shumë e vështirë që të kesh mirëkuptim ose tolerim nga Ministria e Financës. Ne presim nga dita në ditë që të dalë urdhër-xhirimi dhe fondi të kalojë te administrimi i QSA-së.
Po rrogat sa kohë ka që nuk janë dhënë?
Për rrogat nuk ka asnjë problem sepse janë parashikuar që në fillim. Ato merren që në datën e caktuar, madje edhe ndonjë ditë më parë, dua të them se i paguajmë më parë nga të gjitha institucionet e tjera. Nuk jemi më në atë fazë ku rrogat janë me pikëpyetje.
A keni bllokim të punës në institutet e tjera sikurse ndodh me arkeologjinë për shkak të mungesës së fondeve?
Problemi nuk është vetëm me arkeologjinë por me gjithë qendrën. Ndryshimi është se institutet e tjera nuk kanë gërmime por kanë projekte të ndryshme shkencore për të realizuar. Punonjësit e këtyre instituteve ndoshta mund të punojnë edhe në bibliotekë e arkiva, pa marrë financim direkt, por për qendrën kjo është një diçka shumë e pafavorshme, pasi detyrohemi të punojmë me fatura të papaguara, ndërkohë që presim të lëvrohet buxheti që kemi kërkuar dhe që është miratuar nga MASH.
A shfaqemi seriozë sa u takon marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve me të huajt duke qenë në këtë gjendje?
Sa i takon arkeologjisë, detyrimisht që humbasim seriozitetin. E para e punës nuk realizojmë atë çfarë është e detyrueshme të realizohet, (një administrim të saktë, të shpejtë dhe efektiv të planeve). Administrimi gjithmonë është i lidhur me financat, ndaj dhe kjo gjë për arkeologjinë nuk po realizohet dot. Kurse për institutet e tjera, ky bllokim fondesh bën që të mos afrohen dot bashkëpunëtorë si dhe që të bjerë potenciali i projekteve të ndryshme që ne kemi. Edhe për konferencën shkencore që zhvilluam para pak ditësh kishim menduar të ftonim specialistë të historisë nga Kosova e diaspora, por që nuk arritëm dot pasi nuk kishim fonde.
Sipas deklaratave të vet kryeministrit, albanologjia duhej që të ishte një prioritet për qeverinë. Si e shpjegoni këtë situatë?
Unë besoj se albanologjia është vërtet një prioritet për qeverinë. Fakti që në një kohë të shpejtë u çelën fondet tregon se ky ishte një hap i menduar, përndryshe ne nuk do të kishim mundur të hapnim fonde të paparashikuara në buxhetin e shtetit. Pra fondet u dhanë dhe në një masë të kënaqshme. Puna ngelet te konkordimi mes instancave të ndryshme të pushtetit, të cilat kanë pavarsinë, specifikat e veta dhe atë tolerancën ose mostolerancën e tyre.
Dhe kur pritet që të marrë zgjidhje përfundimisht ky problem?
Ne kemi pasur kontakte të vazhdueshme me MASH-in dhe Ministrinë e Financave.
Në shtator pritet që të hapen disa vende të reja pune pranë Qendrës të Studimeve Albanologjike. Ç’mund të na tregoni më tepër?
Është e vërtetë. Ne kemi bërë kërkesën e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe i është dërguar gjithashtu, Ministrisë së Financave, e cila pritet që të vendosë përfundimisht duke çelur fondet përkatëse. Pas kësaj ne do të bëjmë afishimin përkatës dhe njoftimin në media.
Çfarë vendesh do të hapen më konkretisht?
Instituti i Historisë do të ketë 8 vende, po kaq edhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, ndërkohë që 6 vende të reja do të hapen në Institutin e Kulturës Popullore, 5 te Arkeologjia dhe disa të tjera për arshiv e personel.
Cilat do të jenë kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për vendet përkatëse dhe a do të kenë prioritet ata që kanë kryer masterat jashtë shtetit?
Këto vende shtohen pikërisht në kuadër të atij procesi që ka për qëllim të bëjë “kthimin e trurit” në Shqipëri. Natyrisht që ata, të cilët kanë studiuar jashtë shtetit do të jenë të privilegjuar pasi sjellin me vete metoda pune të reja dhe eksperiencat që kanë nxënë. Do te jetë një komision i cili do të shqyrtojë të gjithë CV-të e kanidatëve duke parë kritere si grada shkencore, numri i botimeve dhe cilësia e tyre, specializimet, etj.
Vendet shtesë në QSA nga programi kombëtar “BRAIN GAIN”
Instituti i Historisë:
1) histori e latinitetit
2) histori e feve / histori sociale
3) histori e mesjetës europiane / bizantologji
4) histori e popujve të Ballkanit
5) histori otomane
6) shkenca politike
7) shkenca ekonomike
8) e drejtë europiane
Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë:
1) indoeuropianistikë / histori e gjuhës shqipe
2) ballkanologji
3) gramatikë
4) leksikografi
5) gjuhësi e përgjithshme / semiologji / sociolinguistikë
6) narratologji / romanologji
7) letërsi krahasuese
8) shkenca filologjike (studim dhe botim kritik tekstesh)
Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit:
1) etnokoreologji
2) antropologji e nacionalitetit
3) antropologji religjioni
4) etnofolklor
5) muzikologji
6) etnomuzikologji
Instituti i Arkeologjisë:
1) prehistori
2) antropologji fizike
3) arkeologji detare dhe nënujore
4) histori e antikitetit
5) histori e Mesjetës së hershme
Specialistë fondesh dhe arkivash:
1) konservator biblioteke / arkivist
2) inxhinieri kimike / restaurues
3) shkenca informatike
6 Gusht 2008, Gazeta Albania
Krijoni Kontakt