KIM RROFSH SA MALET...
Mbledhësit e luleve të vyshkura
Kim MEHMETI
Në ambientin politik të Maqedonisë, ka dy mënyra si mund të bashkëpunosh me atë që njëherë e ke shpallur armik politik: ose t’ia vësh gjunjët në fyt dhe mos ta lësh të ketë zgjidhje tjetër përpos të të pranojë si partner të barabartë, ose ai të ta bëj të njëjtën, e të të detyrojë t’i nënshtrohesh dhe të bëhesh i dëgjueshmi i tij. Rrugë të mesme nuk ka. Ndoshta edhe ka, por ajo rrugë me siguri nuk të çon më larg se deri tek ngatërresat edhe më të mëdha me armikun politik dhe në humnerën e devalvimin të të gjitha parimeve që ke. Mbase BDI-ja e Ali Ahmetit, u bë pjesë e koalicionit qeveritarë me VMRO-DPMNE-në, duke besuar se do gjejë ndonjë rrugë të mesme, e cila nga dy armiqtë e dikurshëm politik, do bëjë dy bashkudhëtarë që do i prijnë Maqedonisë gjatë rrugëtimit të saj drejtë një ardhmërie më të mirë. Me çka BDI-ja dëshmoi se nuk e njeh armikun e saj politik, se ajo ende nuk e ka kuptuar se Gruevski mund ta paramendojë Maqedoninë edhe si republikë të cilësdo federate sllave, por assesi jo edhe si shtet të përbashkët me shqiptarët.
Pra, BDI-ja e Ali Ahmetit, nuk e kuptoi se antishqiptarizmi, populizmi dhe ortodoksizmi fanatik i Gruevskit, nuk janë koncept i politikës ditore, por çështje “gjenetike”, kod i një mendësie dominuese tek kryesuesit e VMRO-DPMNE-së, e cila mendësi thotë: më mirë të mos ketë Maqedoni, se sa ata që veten e quajnë maqedonas etnik, këtë shtet ta bashkëqeverisin me shqiptarët. Dhe nëse BDI-ja e Ali Ahmetit nuk arriti këtë ta kuptojë gjatë bashkëqeverisjes dyvjeçare të VMRO-DPMNE-së me PDSH-në, ajo këtë nuk do arrijë ta kuptojë kurrë. Posaçërisht jo tani, kur Gruevski siç duket ia ka vënë të dy gjunjët në fyt BDI-së, dhe nuk e lë të sheh, se ajo ka legjitimitet t’i përfaqësojë shqiptarët në të gjitha institucionet më të larta shtetërore (gjë që i mungonte PDSH-së në qeverinë e mëparshme të Gruevskit), por nuk ka legjitimitet të përbuzë vullnetin politik shqiptarë.
Pra, BDI-ja ka legjitimitet të bëjë kontrata politike në emër të shqiptarëve me cilindo parti politike maqedonase, por jo edhe me ato që hapur manifestojnë antishqiptarizëm, jo edhe me kusht që “çmimi” i pjesëmarrjes në qeveri të jetë aq i pavlerë, sa shqiptarët e këtushëm të kenë përshtypjen se Gruevski tallet me ndjenjat dhe kërkesat e tyre. Apo thënë edhe më saktë: BDI-ja është përfaqësuese legjitime politike e shqiptarëve të Maqedonisë, por ajo nuk ka legjitimitet që punësimin e disa shqiptarëve si ministra, zëvendësministra, drejtorë dhe zëvendësdrejtorë, ta paguaj me ndjenjën e shqiptarëve se ata nuk janë kurrnjëfarë faktori në këtë shtet.
Ka shumë mënyra se si mundë të bëhesh bashkëpronar i asaj që të takon, por kjo assesi nuk arrihet nëse nuk e ke të qartë çka është e jotja dhe se askush atë nuk ta kthen, deri sa je lypës i pafuqishëm, deri sa nuk gjen mënyrë ta marrësh tënden, ashtu siç i ka hije pronarit. Duke u bërë pjesë e koalicionit qeveritarë, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja mbase shpreson se pronari mund të arrijë ta merr të veten edhe duke qenë i durueshëm, duke i dhënë mundësi vjedhësit të pronës tënde, ta kuptojë se e huaja kurrë nuk bëhet e jotja. Mirëpo, edhe me këtë, Ali Ahmeti dëshmoi se nuk e njeh mirë kundërshtarin e tij politikë, se ende nuk e ka kuptuar se Gruevski jo se nuk e din se është shpallur pronar edhe i pjesës që u takon shqiptarëve, por ai bënë çmos atë ta kthejë sa më vonë. Që atë ta shfrytëzojë deri sa nuk ia vë dy gjunjët mbi fyt, që të të lut ta marrësh pjesën tënde. E, BDI-ja e Ali Ahmetit kishte mundësi këtë t’ia bëjë Gruevskit, por nuk e bëri sepse nuk kishte as vullnet, as koncept të qartë politikë që ta vazhdojë deri në fund luftën e filluar në 2006.
Pas zgjedhjeve të sivjetme të parakohshme parlamentare, BDI-ja kishte dy mundësi: o të flijojë interesin e ngushtë të disa qarqeve partiake që mezi prisnin të bëhen ministra, o të flijojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra,të rrezikojë edhe mos hyrjen në qeveri, duke e kushtëzuar Gruevskin me dy zgjedhjet e mundshme dhe të pranueshme për shqiptarët e këtushëm: o realizimin e kërkesave të arsyeshme shqiptare, o federalizmin e shtetit. Por, Ali Ahmeti mbase përsëri zgjodhi rrugën më të rrezikshme, atë të mesmen, atë të shtruar nga shpresat se pasi të hyjë në qeveri, do arrijë që ujkut t’ia ndërrojë edhe qimen edhe veset. Gjë që deri tani është treguar si eksperiment i pamundshëm. Pra, Ali Ahmeti, nuk i flijoi ata që mendojnë se partia ekziston vetëm për të realizuar ëndrrën e tyre për t’u bërë ministra, por rrezikoi ardhmërinë e partisë dhe interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Ku ta dish, mbase edhe kësaj radhe, do ngadhënjejë durimi i tij, se do arrijë ta vetëdisojë Gruevskin, duke ia përsëritur pa ndërprerë të vërtetën, se një populli i takon aq fat dhe ardhmëri, sa ai është i gatshëm t’ia pranojë popullit tjetër. Gjë të cilën vite me radha, shumë veta, ia përsërisnin edhe Millosheviqit, por ai shkoi në varr duke mos e kuptuar domethënien e kësaj urtësie.
Duke mos pasur vullnet dhe guxim politikë ta vazhdojë betejën me VMRO-DPMNE-në, tani kur ishte më e fortë se pas zgjedhjeve parlamentare të 2006, BDI-ja u bë ajo që shihet në seancat e deri tanishme të parlamentit republikan: zë i dëgjueshëm i Gruevskit. Gjë që BDI-në mund ta çojë drejtë defaktorizimit të saj politik (siç i ndodhi edhe PDSH-së), e shqiptarët e këtushëm prapë t’i bie në udhëkryqin ku do presin alternativën e tretë politike, kalorësinë e ardhshëm i cili doemos do duhet të ofrojë formulat e paprovuar deri më tani: federalizmin, apo kantonizimin e Maqedonisë. Mbase edhe shqiptarëve të Maqedonisë, Gruevski nuk u ka lënë rrugëdalje tjetër, përpos të fillojnë me ndërtimin e institucioneve paralele, me insistimin për rishqyrtimin e rendit kushtetues të Maqedonisë dhe me padëgjueshmëri qytetare e cila do çojë drejtë definimit të qartë të një shoqërie të ndërtuar mbi baza dyetnike. Nëse nuk ndodh kjo, lehtë mund të ndodh që edhe katër vitet e ardhshme të bashkëqeverisjes mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, të jenë periudhë e humbur për shqiptarët e Maqedonisë, të mbeten vite të cilat shqiptarëve të këtushëm do u sjellin vetëm frustracione dhe pakënaqësi nga partitë e tyre politike.
Pa marrë parasysh frustracionet e sotme dhe ato të ardhshmet e shqiptarëve të Maqedonisë, Parlamenti i këtij shteti më në fund u bë i tillë siç e dëshironte kryetari i VMRO-DPMNE-së: efikas dhe në shërbim të partisë së Gruevskit. Parlamenti i Maqedonisë, u bë aq efikas, sa ligjet dhe rregulloret aprovohen për aq kohë sa i nevojitet kryeparlamentarit të lexojë titullin e tyre dhe emrin e propozuesit. Pra, vetëm për disa minuta, për aq kohë sa zgjati edhe shtypja e butonave për miratimin e Rregullores së re të Parlamentit, të cilën BDI-ja e Ali Ahmetit, në përbërjen e kaluar parlamentare, e kontestonte si të papranueshme për shqiptarët dhe e bllokoi miratimin e saj me më shumë se dy mijë amendamente. Çka ndodhi në ndërkohë që e çoi BDI-në të votonte për Rregulloren që para disa muajve e konsideronte si të papranueshme për shqiptarët e Maqedonisë? Cila është BDI-ja e vërtetë: ajo e atëhershmja që me të drejtë e sulmonte PDSH-në për sjellje mospërfillëse ndaj të drejtave shqiptare, apo kjo e tanishmja, e cila i përkrah propozimet e Gruevskit, thuajse janë të hartuar në selinë e BDI-së?
Këto janë pyetjet që i shtrojnë ata që ende nuk e kanë kuptuar atë që dihet prej moti: BDI-ja nuk është as ajo e djeshmja, as kjo e sotmja, po atë që prej moti janë bërë dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni – ente për punësimin e shqiptarëve të papunë. Dhe të zëna peng nga kërkesa e anëtarëve që aktivitetin partiak e konsiderojnë si mundësi të vijnë nëpër poste ku kurrë nuk do i sillnin aftësitë personale, ato kanë koncept politik deri sa janë në opozitë, por s’kanë asnjë standard politik kur bëhen pjesë e qeverisë. Të tilla siç janë, ato nuk i bëri askush tjetër, përpos dëshira e krerëve partiak që duke kontrolluar edhe punësimet e pastruesve të shkollave, të mbanin nën kontroll çdo votues shqiptarë.
Se partitë shqiptare nuk kanë koncepte politike, por lista për punësim, më së miri e lexoi Gruevski. Dhe e përdori me mençuri: e morri BDI-në në koalicionin qeveritarë, duke e ditur se PDSH-ja pret pas derës së kabinetit të tij, e gatshme që në çdo çast të bëhet pjesë e qeverisë. Andaj edhe partitë shqiptare, ai nuk i ndjen si partnerë politikë, por si dy rrota rezerve të karrocës së tij qeveritare, të cilat mund t’i ndërrojë gjatë udhëtimit të mëtejmë në krye të qeverisë së Maqedonisë. Me çka edhe njëherë u dëshmua ajo që nuk mund ta shohin vetëm analfabetët politik: Gruevski nuk është i fortë pse ka 63 parlamentarë të vetë në parlament, por pse shqiptarët nuk kanë asnjë parti të veten parlamentare me koncept të qartë politik.
Pra, Gruevski është i fortë shkaku se partitë shqiptare, atij i lejuan të ndjehet pronar i vetëm i lulishtes multietnike të quajtur Maqedoni. Lulishte të ujitur edhe nga djersa shqiptare, por ku shtatëmbëdhjetë vite me radhë, shqiptarët nuk u arritën të bëhen bashkëpronarë të sajë, por mbetën vetëm mbledhës të luleve të vyshkura.
Krijoni Kontakt