Serbisë mund t‘i kërkohet që të bashkëpunojë me autoritetet e reja të Kosovës, me qëllim që ajo t‘i bashkohet Bashkimit Evropian (BE), por, sidoqoftë, tani për tani, nuk ka plane konkrete afatshkurtra që BE-ja t‘i kërkojë Beogradit që të vendosë marrëdhënie diplomatike të plota me Prishtinën, që ai (Beogradi), t‘i afrohet bashkimit me BE-në, vë në dukje një burim diplomatik perëndimor i nivelit të lartë, të cilit i referohet revista e përjavshme e Beogradit, NIN, në një nga numrat e saj të fundit. Por, megjithatë, shton ky burim, ajo (BE-ja) pret që Beogradi të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës. Në këtë mënyrë, thekson revista e lartpërmendur, BE-ja, me këtë lloj formulimi, do të mundë të pajtonte interesat e vendeve anëtare të saj, që janë mbështetëse të Kosovës së pavarur, me interesat e atyre vendeve, si të Rumanisë, Sllovakisë dhe të Spanjës që nuk pranojnë që "krahinën jugore serbe" ta njohin si shtet, por, megjithatë, në të njëjtën kohë, do të krijonte mundësinë e ushtrimit të presionit ndaj Serbisë që, "duke bashkëpunuar me Prishtinën", të pranonte de fakto shkëputjen e një pjese të territorit të saj.

Vendosja e "marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë" është një nga kushtet e bashkimit të Serbisë me BE-në dhe, megjithëse ky nocion nuk është përcaktuar qartë, ai mund të shfrytëzohet si një mjet presioni mbi vendet anëtare të ardhshme të BE-së, gjë që e ndjeu edhe Kroacia gjatë mosmarrëveshjeve të saj me Slloveninë dhe Italinë rreth përcaktimit të kufirit detar dhe brezit të peshkimit. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë i përmendi, gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd, edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plashnik. Ajo, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit të B92-shit, nëse nga Serbia pritet që ajo të vendosë marrëdhënie të tilla me Kosovën, vuri në dukje: "A e dini se fakti se cili është fqinji juaj, është çështje gjeografie dhe ju këtë nuk e ndryshoni dot? Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga parimet themelore të Bashkimit Evropian. Ky parim është si një vepër arti, ku ju duhet të përfshini aspekte të ndryshme, që përbën thelbin e jetesës së përbashkët në kontekstin tonë evropian. Serbia, sipas mendimit tim, në të kaluarën, ka qenë vend evropian dhe, kam bindjen, se ajo do të jetë pjesë e Evropës së re edhe në të ardhmen. Por, kjo do të thotë se ju duhet t‘u përmbaheni standardeve evropiane që përfshijnë edhe marrëdhënie të mira me vendet fqinjë dhe me të gjitha vendet e tjera". Znj. Plashnik, megjithatë, nuk saktësoi nëse ky është qëndrimi i Austrisë që Serbia të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën si shtet i pavarur, duke thënë vetëm se qëndrimi i vendit të saj është i njohur dhe se ai nuk ka ndryshuar.

"Por, sidoqoftë, plani i shumicës së vendeve evropiane ndodhet në rrugën e dështimit", konsideron revista londineze "Economist", së cilës i referohet NIN-i, duke e përmendur Austrinë si një perandori të dikurshme, kryeqytet i së cilës, po ashtu, ka qenë Vjena. "Kur Mbretëria Austro-Hungareze i shpalli luftë Serbisë në korrik të vitit 1914, pakkush mund të besonte se pasojë e saj (luftës) do të ishte jo vetëm shpërbërja e Perandorisë së Habsburgëve, por edhe të atyre ruse dhe osmane. Askush nuk beson se sfida e Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, lidhur me Kosovën, do të jetë po aq dramatike, pasi shumica e serbëve, në fund të fundit, dëshirojnë që vendi të hyjë në BE dhe jo ta shkatërrojnë atë. Por, sidoqoftë, 100 ditë mbasi Kosova shpalli pavarësinë, Serbia ka arritur shumë më tepër se çfarë mund të ketë pritur kushdo qoftë, duke prishur planet e BE-së lidhur me këtë", shkruan revista "Economist", së cilës i referohet revista beogradase e mësipërme, duke vënë në dukje se shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur pak më shumë sesa 40 vende, midis tyre edhe "mikroshtete" të tilla si Nauru dhe Ishujt Mareshal, ndërsa Spanja, Egjipti dhe pjesa më e madhe e vendeve islamike nuk e kanë bërë këtë.

Kjo e përjavshme thekson se që nga 17 shkurti 2008, qeveria në Beograd e ka fuqizuar praninë e saj në rajonet ku jetojnë serbët dhe se misioni i BE-së dhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Faith, nuk mund të funksionojnë midis tyre (serbëve). "Për Bashkimin Evropian ky është një operacion i ‘shpëtimit të imazhit‘, pasi plani i tij ka dështuar", u referohet revista fjalëve të një diplomati perëndimor të lartë. Plani momental, sipas tij, është që Euleksi (Eulex) të vendoset nën kompetencën e OKB-së, por, për shkak të qëndrimit të Rusisë, e cila ka paralajmëruar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Botërore, Ban Ki Mund, që të mos ndërmerret asgjë jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për këtë ende nuk ka marrëveshje. "Tani, shqiptarëve të Kosovës po u bëhet e qartë, në mënyrë të mundimshme, se, megjithëse kanë shpallur pavarësinë, e ardhmja e tyre është ende e lidhur me Serbinë", përfundon revista londineze "Economist", së cilës i referohet revista beogradase.



Shqip