Wednesday, 30 July 2008
Nga Spiro Konomi - Si është shprehur edhe më parë, shumë analistë, në shkrime apo në biseda , shprehën mendimin se lideri karizmatik i lëvizjes “MJAFT”, kishte synime të qarta politike.Ai arriti të përfshijë në planet e tij disa analistë dhe përfaqësues me emër të shoqërisë civile, nga ata që në shumicën e rasteve kritikojnë qeveritë, por pa qenë në gjendje të japin rrugëzgjidhje apo të shtrojnë alternativa të tjera. Sa ishte Nano, kërkonin të ikë Nano, tani që është Berisha, të ikë Berisha. Erjon Velia, që e filloi me dorën e kuqe “Mjaft”, simbol i shumë lëvizjeve të këtij lloji në Evropë, siç ishte rasti i lëvizjes që lindi në Greqi , për t'i thënë mjaft akteve terroriste të ekstremit të majtë, të lëvizjes "!7 Nëntori".I shfaqi shumë herët ambiciet e tij politike, pa arritur sa duhet të formonte mjaftueshëm profilin e tij, të nevojshëm për një lider politik, i ndryshëm nga ai i ideatorit të shfaqjeve populiste, me letra higjienike nëpër pemë, etj. Nga lidhjet e afërta, të dukshme apo të padukshme që krijoi me Edi Ramën, u krijua bindja se Edi po e përdorte si alternativë për të shmangur të padëshirueshmit e tij brenda PS. Atë kohë u hodh, ashtu si rastësisht, edhe mendimi që Erjoni mund të ishte Ministri i Jashtëm i qeverisë të Edi Ramës, në një fitore të mundshme të socialistëve në zgjedhjet e ardhshme... Kjo ide zuri edhe më shumë vend nga angazhimi i Skënder Minxhozit dhe i revistës së tij MAPO për të mbështetur Erjonin. Mesa duket ky plan i Edit ishte në këmbë deri sa e majta e mbante atë lider të saj. Deklarimi i G. Rucit për kandidaturën e Edi Ramës si kryeministër I të majtës, krijoi çarjen me Ilir Metën dhe ndryshoi destinacionin e lëvizjes të Erjon Veliajt. Rama duhet të luante dhe të luante "fort". Nga njëra anë ishin oponentët e tij në PS, si rrezik gjithnjë eminent për të dhe nga ana tjetër I. Meta. Rama luajti njëkohësisht në të dy krahët. Në njërin krah bëri marrëveshjen me Sali Berishën për të ndryshuar Kushtetutën, për sistemin e zgjedhjeve dhe me kompetencat që të dy kryetarët i dhanë vetes u bënë të plot fuqishëm. Kjo ka qenë dëshirë e kahershme e Berishës, veçanërisht tashmë kur edhe atij i duhet të shmangë disa "mosmirënjohës" jo të parëndësishëm siç është Mustafaj, apo të atij grupi që e futi në konflikt me Presidentin Topi, por më i interesuar ishte Rama. Pra, me ndryshimin e Kushtetutës, pa pyetur as kryesitë e tyre, të dy të parët e partive më të mëdha e siguruan "paqen" brenda partive të tyre. Rama kishte edhe anën tjetër, I. Metën. Atëherë futi në lojë "lojtarin rezervë". Erjon Veliajn, që i sforcuar shpalli formimin e Lëvizjes "G- 99", me atributet e një partie politike. Për disa nga analistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kjo lëvizje e Veliajt iu duk "si prerje në besë". Por për shumicën nuk kishte asgjë të papritur. E veçanta është përdorimi i Veliajt nga Edi Rama. Këtu padyshim duke I njohur tashmë ambiciet e Erjonit, nuk mund të mos mendosh se kemi të bëjmë me një "ideal" ndërmjet të dyve. Erjoni, me eksperiencë të pasur nga miqtë e tij çifutë, nuk mund të shitej lirë. Dhe tashmë Rama e ka në dorë t'i ofroj Erjonit një vend të sigurtë në listën e PS për zgjedhjet e ardhshme. Në këmbim Rama I kërkon Erjonit të silurojë I. Metën dhe LSI. Fillimisht nga lista e anëtarëve të lëvizjes së Erjonit ka shumë emra që duhet të kenë qenë anëtarë potencialë të LSI-së. Zyrtarë të lartë të PS, të dyshimtë në preferencën e Ramës, ishin në rrugëtimin e tyre drejt LSI-së. Me sa duket Erjoni u dha të tjera garanci. Me këtë rast Rama neutralizoi edhe MAPO-n e Minxhozit, që anonte më shumë nga ata që I ka pasur shefa në MPJ dhe që nuk shihen si të preferuar të Ramës. Por Rama e orienton lëvizjen e Erjonit në një drejtim që del jashtë kufijve të Shqipërisë. Para disa kohësh, I. Meta shpalli nismën për të votuar emigrantët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lëvizja është shumë e zgjuar. Ai po e sheh që Berisha po i mban premtimet dhe tashmë pas pranimit në NATO, kredencialet e tij dhe të qeverisë së tij janë rritur. Gërdeci mund të funksiononte një ose dy muaj pas tragjedisë por jo pas një viti e gjysmë. Fitoret e njëpasnjëshme në zgjedhjet lokale të pjesshme po ia bëjnë gjithnjë e më shumë të qartë se Berisha nuk është larg një mandati të dytë. Vota e emigrantëve është kundër qeverisjes sepse emigranti është ushqyer vetëm me defektet dhe dështimet e qeverisë. Pra opozita mendon se fitorja mund të garantohet vetëm nga vota e emigrantëve. Prandaj Rama s'mund t'ja linte iniciativën Metës. Kështu futi në lojë Erjonin si komardare. Por as Meta as Rama nuk kanë një platformë të qartë se si mund të bëhet që të votojnë emigrantët .Deri tani kjo ide është në nivelin e një argumenti të opozitës (si puna e çertifikatave) për të vonuar miratimin e kodit zgjedhor dhe për të bërë përgjegjëse qeverinë. Kjo alternativë do të hidhet në treg, kur të shihet që kartat e identitetit do të jenë në dispozicion të zgjedhësve. Deri tani, në përplasjen e të dyve, më rezultativ është I. Meta. Ai po tregohet se e njeh mirë psikologjinë e të majtës shqiptare, që nuk pranon asnjë kompromis me të djathtën. Edi Rama e ka të vështirë. Nga sa po flitet Ilir Meta ka të pa konsumuar "Refleksionet" e Edit të vitit 1991, për t'i treguar të majtëve që ky është misioni i vërtetë i Edi Ramës: të shkatërrojë të majtën. Pas kësaj i përdoruri Erjon Veliaj do i duhet përsëri të gjejë terren për idetë e tij në Afrikë. Çe-Guevara është idhulli dhe modeli I tij.
Krijoni Kontakt