--------------------------------------------------------------------------------
Për nji histori të re të letërsisë shqipe
1>
(30.07.2008)
Me vijue me ecë me historitë e letërsisë shqipe të botueme gjatë kohës së komunizmit asht njilloj si me dashtë me u mbajt me paterica tue qenë shëndosh e mirë.Me vijue me ecë me historitë e letërsisë shqipe të botueme gjatë kohës së komunizmit asht njilloj si me dashtë me u mbajt me paterica tue qenë shëndosh e mirë
Me vijue me ecë me historitë e letërsisë shqipe të botueme gjatë kohës së komunizmit asht njilloj si me dashtë me u mbajt me paterica tue qenë shëndosh e mirë.
Dogmatizmi i Shuteriqit apo i Qoses me shokë në fushën e letërsisë asht i barabartë me dogmatizmin e Kushtetutës së 1976... a ju kujtohet incipit i neveritshëm: “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit, që shpreh e mbron interesat e të gjithë punonjësve” apo “Partia e Punës e Shqipërisë, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë”.
Paralelizmi nuk asht paradoksal por i përgjegjet vetë realitetit: të njejtat parime që ushqejnë Kushtetutën shqiptare të 1976 (për mos me shkue ma andej) i gjejmë edhe në leximin dhe interpretimin e letërsisë prej emnave si ato që sapo përmendem.
Sot atyne që kanë teprue, bijve dhe dishepujve të tyne u duket se po u përmbyset bota mbi krye kur ndigjojnë se do të shkruhet rishtas historia e letërsisë shqiptare.
Kanë mendue se historitë e tyne ishin guri i themelit i kritikës letrare, ata, të cilëve shikimi u ndalej triumfues në kasollen e Galigatit apo në katundet e mjerueme shqiptare ku vdisej ûnit; ata që u shitën si intelektualë deri në fund dhe që hangrën bukë e turp, tue paditë kolegët e vet, tue u pre rrogat, tue i transferue me pahir dhe tue u ba masha e terrorit dhe e mediokritetit në letërsi dhe në art.
Sot kohnat kanë ndryshue, asnji njeri me mend në krye nuk shkon me gjetë nektar tek veprat mediokre të realizmit socialist dhe nuk ndjek si të ishin Bibla a Ku’rani interpretimet ideologjike të letërsisë shqiptare që jepen në veprat e botueme gjatë asaj periudhe të palavdishme.
Merrni në dorë nji Histori të letërsisë të asaj kohe dhe shihni emnat e atyne që njehen si shkrimtarë, lexoni vlerat e tyne, ndiqni hosanimin e prrallave të tyne me mbret. Veni oroe mungesat themelore në ato tekste: nuk do të gjeni as Konicën, as Mit’hat Frashërin, as Fishtën, as Palajn, as Ali Asllanin, as Haxhiademin e as shumë e shumë të tjerë.
Si mendoni, a mundet brezi i ri shqiptar me u formue apo ma keq, me ndjekë, gjymtime të këtilla letrare fryt i mendësisë së gjymtueme komuniste të Shuteriqit dhe Qoses?
Kemi shkrue për ta edhe herë të tjera e nuk ia vlen të ndalemi, mbasi “veprat” e tyne qysh tashti i ka marrë lumi, e vetmja gja që na intereson asht formimi i nji botëkuptimi të ri realist, pa pranga në tru, pa paragjykimet e serisë së djegun të Shuteve dhe Qoseve.
E në fakt drejt këtij botëkuptimi po ecim, ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme.
Vetë ndryshimet në Akademinë Shqiptare të Shkencave, reformat e ish ministrit Pollo në arsim, fryma e re në ambjentet akademike shqiptare... janë shenja pozitive dhe shpresëdhanëse.
Në qoftë se deri dje historitë e letërsisë shqipe shkruheshin prej atyne që ishin dishepujt e nji “mjeshtri” të vetëm, sot që studjuesit ma të rinj kanë ndjekë universitete perëndimore dhe kanë njohtë e janë takue me idena dhe me interpretime të ndryshme, kemi mundësinë me interpretue me anë të nji pluralizmi kandvështrimesh estetike, pa pasë frikë se po ndyejmë a po shklasim vijën e shenjtë të Tiranës së kuqe o të Beogradit.
Nuk mjafton me i ba pak makijazh historinave të maparshme, nuk mjafton me integrue ndonji autor apo me redimensionue ndonji tjetër, duhet me braktisë mënyrën e vjetër dogmatike dhe statike të menduemit dhe të intepretimit të historisë së letërsisë sonë. Përvoja na tregon se asnji prej atyne të djeshmive nuk ka mbërrijtë me qortue vetveten, prandaj s’mund t’u lihen atyne në dorë me përgatit nji tjetër prej atyne bozave apo paçarizave që veç ata dijnë me ba.
Kemi nevojë për nji histori të udhëhequn prej nji teorie vërtetë kritike, kemi nevojë për atë që anglo-saksonët e quejnë “cultural-studies”, kemi ma shumë nevojë për praninë e filologut në studion e historianit të letërsisë, duem historianin e vërtetë afër tij e jo kalemxhijtë e Enver Hoxhës... këto gjana përbajnë zotnimin e këtij brezi studjuesish me shkrue nji histori të re të letërsisë sonë shqipe.
Kemi shpresë se shpejt do ta kemi nji histori të këtillë, pse energjitë e reja tashma nuk mungojnë e shikimi asht çlirue prej mjegullave të errta të marrisë komuniste.
Nga Ardian Ndreca
55
Krijoni Kontakt