Lubonja: Shqipëria ndodhet në një situatë depresioni
Nga Ani Ruçi, DW
“Njerëzit i janë nënshtruar kësaj kaste politike që është në pushtet prej vitesh, të mësuar me pandëshkueshmërinë dhe abuzimin dhe pushtetin“. Kështu shprehet analisti i njohur Fatos Lubonja, në një intervistë për Radion Deutsche Welle. I pyetur se cilat janë mëkatet më të mëdha të klasës politike, Lubonja vlerëson: “Mëkati kryesor është që ende nuk kanë arritur që politikën ta shohin si një mision të madh në shërbim të njerëzve, dhe në kuptimin individual, diçka që i jep kuptim jetës së atyre që merren me të, por e kanë shndërruar në një ndërmarrje banale, kriminale të përfitimit personal. Kjo dominon në këtë klasë politike, dhe është mëkati më i madh”.
Si e shikoni situatën aktuale në Shqipëri?
Me një fjalë të vetme do të thoja se është një situatë depresioni. Me këtë kuptoj ndjenjën e përgjithshme në opinionin publik që vjen nga zhgënjimi prej klasës politike në tërësi. Mosbesimi tek ndryshimi, edhe pse flitet kaq shumë për të, është karakteristika kryesore e situatës, sipas meje, njerëzit i janë nënshtruar kësaj kaste politike që është në pushtet prej vitesh, të mësuar me pandëshkueshmërinë dhe abuzimin dhe pushtetin dhe... njerëzit ndihen të pafuqishëm, u mungojnë instrumentet për të reaguar ndaj saj.
Por ka lëvizje të reja, kanë hyrë aktorë të rinj në skenën politike që mund të sjellin ndryshimin e dëshiruar.
Nuk shikoj ndonjë lëvizje që ngjall shpresa për të ndryshuar situatën. Ndoshta e kam gabim... por parashikoj një kolaps, një krizë ekonomike nga sistemi që është ndërtuar, që nuk është funksional pasi është bazuar mbi kriminalitetin, mbi trafiqet dhe jo mbi një ekonomi që prodhon. Ndoshta pas këtij kolapsi mund të ketë lëvizje. Por situata të tilla kaosi, kolapsi nuk është se krijojnë shpresa... vijnë vetëm abuzues, mashtrues të rinj që bëhen protagonistë...
Lëvizjet pozitive, që sjellin zhvillim lindin kur shoqëria është e shëndoshë, kur klasa politike paraardhëse ka bërë hapa cilësorë përpara, kur ajo pjell një brez të ri që çon përpara diçka që ka nisur. Situatat që sjellin depresionin dhe krijojnë një kulturë politike që bazohet mbi përfitimin, mbi abuzimin dhe pandëshkueshmërinë, atëherë pakësohen edhe mundësitë e daljes së një brezi të ri që mund ta ndryshojë këtë situatë. Prandaj anoj më tepër nga ideja që ne do të mësojmë nga pësimi, se nuk do të jemi të aftë të parashikojmë dhe të parandalojmë të keqen. Kjo ka qenë edhe historia jonë. Po të shikojmë shtetin tonë që kur është krijuar dhe këtej, kanë qenë shkaqe të jashtme që kanë bërë të ikin nga pushteti klasa politike apo kasta që kanë abuzuar vazhdimisht. Po përmend Mbretin Zog, Enver Hoxhën dhe pastaj Ramiz Alinë, mund të përmendim 1997-ën kur iku Berisha, apo ikjen e socialistëve për shkak të një korrupsioni shumë të rëndë dhe tani. Unë shikoj se vështirë se del diçka pozitive nga rënia që është e mbarsur me tërë problematikën e trashëguar
Cilat janë mëkatet më të mëdha të klasës politike?
Mëkati kryesor është që ende nuk kanë arritur që politikën ta shohin si një mision të madh në shërbim të njerëzve, dhe në kuptimin individual, diçka që i jep kuptim jetës së atyre që merren me të, por e kanë shndërruar në një ndërmarrje banale, kriminale të përfitimit personal. Kjo dominon në këtë klasë politike dhe është mëkati më i madh.
Po vjen viti 2009, zgjedhjet parlamentare, si i parashikoni ato?
Parashikoj një përqindje shumë të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje. Nuk përjashtoj manipulimet nga ana e partisë në pushtet dhe mungesën e mbështetjes popullore për opozitën e manipuluar, si të thuash, nuk përjashtoj edhe fitoren e zgjedhjeve nga opozita, sepse maxhoranca sa më shumë kalon koha aq më shumë rëndohet. Në tërësinë e tyre i shoh si zgjedhje të mbarsura edhe me problematikat e së kaluarës, ku hyjnë edhe kontestimi i rezultatit nga palët, niveli i ulët i pjesëmarrjes në votime dhe humbja e besimit tek klasa jonë politike.
Ngjyrat e errëta me të cilat sapo përshkruat situatën, z.Lubonja, bien pak si ndesh me ato të ndërkombëtarëve, autoriteteve ekzekutive të BE apo NATO-s që i kanë hapur dritën e gjelbër progresit në proceset integruese edhe në bazë të ecurisë demokratike dhe zhvillimit ekonomik....
Nuk është hera e parë që ndodh kështu. A e keni parasysh periudhën në Shqipëri para shembjes së piramidave, në vitet 1995- 1996, kur për Shqipërinë kishte shumë përgëzime për ecjen përpara, por ne, që ishim brenda e dinim më mirë se ndërkombëtarët se çfarë po ndodhte vërtet. Ata nuk mund ta kenë gjithë informacionin sepse ai nuk merret vetëm në mënyrë racionale, me disa shifra apo kontakte me intelektualë apo politikanë, por merren kur e jeton përditë, e shkel përditë këtë vend, kur jeton atmosferën me gjithë problematikën dhe jo nga vilat e ambasadave apo hotelet luksoze të Tiranës. Nga ana tjetër mendoj që përkrahja ndaj Shqipërisë ka një kontekst gjeopolitik dhe bëhet në një kuadër më të gjërë se planet afatshkurtra që mund të kenë politikanët apo ndërkombëtarët. Mbështetja është në një kontekst gjeopolitik rajonal dhe kjo ndikon p.sh. që Shqipëria të hyjë në NATO, për arsye gjeopolitike dhe jo sepse vërtet ka arritur standardet.
Pyetja e fundit. Arrestimi i Radovan Karaxhiç-it, çfarë ju ka bërë të mendoni, si e shikoni? Beogradi e dorëzoi më në fund.
E shikoj në dy anë. Njëra pozitive. Vrasës si ai marrin një mësim se herët a vonë, drejtësia do të bjerë mbi ta. Ana tjetër, ajo që më godet në këtë arrestim është diçka e vënë re edhe më parë. Kur lexon librin e Del Pontes për gjykatën e Hagës sheh sesi shpesh drejtësia nuk bëhet për hir të drejtësisë, por për hir të politikave. Pra, këta soj njerëzish shpesh janë kapur ose janë vonuar të kapen për shkak të politikave dhe jo të drejtësisë, që duhet të jetë e pavarur nga politika. Në këtë kuptim edhe arrestimi i Karaxhiçit më duket tepër i vonuar, ka dimensionin politik brenda dhe ngre një problem shumë të madh që mendoj se ekziston: A mund të funksionojë një drejtësi ndërkombëtare kur ajo bie ndesh me interesat kombëtare? Pra, kemi një drejtësi ndërkombëtare por kemi shtete që bëjnë politikat e tyre kombëtare, që shpesh nuk lejojnë të funksionojë kjo drejtësi ndërkombëtare. Është një sfidë për njerëzimin dhe mendoj se arrestimi i Karaxhiçit e lë të hapur si sfidë.
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt