Blendi Gonxhe mbërrin në Pezë, rikthehet sekseri i Bashkisë
Anila Prifti
Njeriu i akuzuar publikisht nga politikanë të shumtë si sekseri i kryetarit të Bashkisë, Blendi Gonxhe është rikthyer. Burime të besueshme treguan për gazetën, se fillimisht ka mbërritur në Pezë të Tiranës, ku edhe ka një banesë të tijën. Nuk dihet nëse ardhja e tij është e përkohshme apo për të rifilluar karrierën e tij, por gjithsesi atë e kanë parë në shoqërinë e të afërmeve të tij, sikurse edhe në shoqërinë e kryetarit të Edi Rama. Gonxhe u largua nga Shqipëri disa vite më parë, kur plasi skandali i rrugëve dhe atëkohë u fol se një urdhër arresti po përgatitej për të. Në fakt prokuroria nuk lëshoi asnjë të tillë dhe Blendi Gonxhe nuk u shpall asnjë ditë në kërkim. Zëra të besueshëm në institucionin e akuzës thanë atëkohë se urdhri i arrestit u gris vetëm disa ditë, pasi nënkryetari i bashkisë së Tiranës kishte mbërritur në destinacionin e ri, për të cilin u tha se ishte Kanadaja e më pas Greqia.
Blendi Gonxhe, i kudogjenduri deri në përmbytjen e turpshme të Tiranës së Re, në planifikimin e shitjes së lejeve të ndërtimit nëpër KRT-të e bashkisë, marrjen e përqindjes së ndërtimeve, që thuajse ishte kthyer në normë e që publikohej në mjedise të gjera nga vetë ai, tashmë është rikthyer. Burime të mirinformuara flasin se, pavarësisht mungesës 6 vjeçare, Rama-Gonxhe kanë lulëzuar bizneset e përbashkëta. Madje, për Gonxhen thuhet se është "truri" i aferave të kryebashkiakut në fushën e ndërtimeve. Pasi kaloi në ekzil si rezident në Italinë e Jugut për ca kohë, Gonxhe ka monitoruar bizneset e përbashkëta që nga Selaniku, ku ka ngritur zyrën e linjës së transportit të udhëtarëve Selanik-Tiranë e po ashtu, është "interesuar" vazhdimisht edhe për 80 përqind të linjave të transportit urban në kryeqytet.
"Karriera" e Gonxhes dhe "kriza e personalitetit tim"
Në rast se fut në skaner marrëdhëniet Rama-Gonxhe, mund të thuhet qartë se modeli i qeverisjes lokale të tyre ka qenë gjithnjë dhe mbetet perfeksion i sistemit klientelist të qeverisjes. Këtë e di më mirë se kushdo komuniteti i gjerë i ndërtuesve në kryeqytet dhe jo ata pak të privilegjuar rreth kryetarit të Bashkisë, që kanë menaxhuar për vite të tëra të gjitha lejet e ndërtimit të kryeqytetit. Herë-herë, janë paraqitur si të zemëruar me njëri-tjetrin, por koha ka treguar se ata janë ndarë vetëm për të fshehur parullën "një pallat-një votë". "Teatrot" e tyre kanë nisur që kur kanë qenë në ministrinë e Kulturës, duke firmosur hotele luksoze dhe objekte biznesi në perlat e bregdetit shqiptar, për të vijuar në Bashkinë e Tiranës, ku Rama tashmë njihet si "zotëria 20 %", ndërsa Gonxhe si "kriza e personalitetit tim". Pseudonimi i Ramës dihet pse, ndërsa i Gonxhes shpjegohet në këtë mënyrë: Para shumë vitesh (fillimet e demokracisë), Edi Rama i shkruan një letër "mallëngjyese" Blendi Gonxhes, kur ky ishte në Greqi. Një letër kjo, që Edi Rama ka pasur kurajën komprometuese ta botojë në librin e vet "Refleksione": "I nderuari Gonxhe, kriza e personalitetit tim, besoj se është fare e lexueshme përderisa unë po merrem me një figurë kaq të hepuar si ti. Hepimi yt që mbi të gjitha është mungesë personaliteti, sidoqoftë nuk e balancon aspak zbrazëtinë time të plotë përpara jetës Megjithatë, zotrote mos kujto se erdhi dita të jetosh kryelartë, në një kohë që unë ende marr frymë mbi të njëjtën botë ku zvarritesh edhe ti". ("Refleksione", Shtëpia botuese "Albania", Tiranë 1992, f. 163).
Një histori meshkujsh...
Rama e ka vlerësuar fort Blendi Gonxhen dhe me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës konfirmoi se kishte plane të mëdha për vete e për të. Kështu ai zhvilloi një lobing të fuqishëm për të emëruar Gonxhen nënkryetar të SHIK-ut, e më pas edhe për të kryer rrokadën me Fatos Klosin. Por, kur kryeministrat socialistë i treguan sinoret, ai ndryshoi strategji dhe iu kthye terrenit... Blendi Gonxhe u kthye në një centralizues të vërtetë të të gjitha lejeve të ndërtimit dhe dëshmitë e sotme për 1 milionë dollarë gjobë për një leje ndërtimi, janë vetëm mbetjet e asaj klime të zezë që ka mbjellë modeli Rama-Gonxhe i qeverisjes së Tiranës. Përmbytja e Tiranës së re nga hapja e papërgjegjshme e dyerve të Liqenit Artificial prej Gonxhes është vetëm pjesa e dukshme e këtij sistemi të papërgjegjshëm qeverisës që funksionon sot e gjithë ditën, megjithëse Rama mundohet ta mbulojë realitetin duke paraqitur si gjethe herë Mimi Kodhelin e herë Vali Bizhgën, a ndonjë tjetër të rastësishëm në stafin aktual të Bashkisë. Komisioni parlamentar hetimor i vitit 2003, apo shfletimi i dosjeve të papërgjegjshmërive personale që kryetari i Bashkisë i ka reflektuar në kryerjen e detyrës nuk mund të shmangin vëmendjen nga modeli i monopoleve që është më i gjallë se kurrë në Tiranë e që s'pësojnë asnjë rrezik pse truri i këtij modeli, Blendi Gonxhe, për 6 vjet e shpalli veten në ilegalitet, ndërsa tani shfaqja e dytë duket sikur paralajmëron Vaterlonë e përmbytur për së dyti; Tiranën.
E Marte, 29 Korrik 2008
Gazeta Agon
Krijoni Kontakt