Kryetarët e komunave kërkojnë bashkim me Kërçovë
Zajazi dhe Osllomeja të zhgënjyera
Shkup, 15 korrik - Marrëveshja e arritur midis kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe mandatar për formimin e qeverisë se re, Nikolla Gruevski me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti për prolongimin e bashkimit të komunave të Zajazit dhe Osllomese me atë të Kërçovës deri në vitin 2012, nuk është në interes të komunave të Zajazit dhe Osllomesë. Këtë e konfirmojnë edhe vet kryetarët e këtyre dy komunave, që vijnë nga radhët e BDI-së, Rufat Iseni dhe Sanije Sadiku. Me bashkimin, Komuna e Kërçovës do të shndërrohej në komunë me shumicë shqiptare dhe në bazë të marrëveshjes Ahmeti-Buçkovski të vitit 2005, një gjë e tillë duhej të ndodhte gjatë këtij viti.
"Vendimi për bashkimin e komunës sonë me atë të Kërçovës është ligjor dhe kjo duhet të realizohet, ndërsa vendimi i Gruevskit dhe Ahmetit është vendim i pastër politik dhe nuk ka bazë ligjore", thotë Rufat Huseini, kryetar i Komunës së Zajazit. Ai më tej vazhdon se kjo komunë një kohë të gjatë ka probleme financiare dhe si e pavarur nuk mund të funksionojë. "Nëse gjërat nuk ndryshojnë në të mirë, atëherë do të insistojmë që Ligji të realizohet sa më shpejt që është e mundur. Si kryetar dëshiroj që qytetarëve të Komunës sime t'u sigurojë kushte më të mira për jetë", thotë ai. Huseini sqaron gjithashtu se bashkimi i vendbanimeve më të vogla rurale dhe Kërçovës në një komunë, do të mundësojë edhe zvogëlimin e administratës dhe mjetet financiare të shfrytëzohen për gjëra tjera, para se gjithash për investime në komunë.
Po edhe kryetarja e Komunës së Osllomesë, Sanije Sadiku është në vijën e njëjtë. Edhe ajo konfirmon se nuk mund të ekzistojnë financiarisht si të pavarur dhe se është e domosdoshme të bashkohen.
"Nuk mund shumë të kontestojmë, sepse kjo është një marrëveshje politike që lideri ynë Ahmeti e ka arritur me kryeministrin. Nëse neni i Ligjit që parasheh bashkim të Osllomesë, Zajazit, Vraneshticës dhe Drugovës me Kërçovën ndryshohet në Parlament, atëherë nuk do të mund asgjë të bëjmë.
Por deri sa Ligji nuk ndryshon, do të shpresojmë se ndarja territoriale do të realizohet", thotë ajo. Në Bashkimin Demokratik për Integrim nuk dinë se çka të thonë me saktësi se pse lideri i tyre është dakorduar për një marrëveshje të tillë, kur megjithatë Ligji është në interes të shqiptarëve që jetojnë në ato pjesë. "Është e saktë se u morëm vesh për implementim të plotë të Marrëveshjes kornizë, që parasheh kufijtë përfundimtarë të komunave, por për këtë duhet të dakordohet edhe shumica në Parlament, sepse ndryshimet e tillë sillen me dy të tretën. Ky është një proces i ndërlikuar, për të cilin duhet të ndahet një kohë më e gjatë", sqarojnë burime të BDI-së. Nga kjo parti i hedhin poshtë pohimet dhe mosdakordimet e kryetarëve të Komunave me vendimin e Ahmetit.
"Nëse kundërshtojnë thjesht nuk do të fitojnë mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme lokale", janë të vendosur në partinë e Ahmetit. Nga ana tjetër, në VMRO-DPMNE e Gruevskit nuk kanë arsyetim për marrëveshjen me partnerin e koalicionit. Por në një takim të para disa ditëve, zëvendëskryetari i Bashkësisë së Njësive të Pushtetit Vendor, Koce Trajanovski që i takon VMRO-DPMNE-së, tha se vendimi është i drejtë. "Është mirë që ky proces u shty gjatë katër viteve të ardhshme, sepse e dini se në çfarë mënyrë u miratua në Kuvendin e Maqedonisë. Ky ishte ligji për organizimin territorial të Maqedonisë, kështu që lihet një periudhë 4 vjeçare gjatë së cilës vlerësoj se marrëdhëniet në Maqedoni do të revitalizohen më tepër", vlerësoi zëvendëskryetari tjetër i BNJVL-së dhe kryetar i Gazi Babës, Trajanovski.
Krijoni Kontakt