Friday, 25 July 2008
Nga Izet SHEHU - Kakarima të çuditshme po dëgjojmë në këtë korrik përvëlues, kur njeriu kërkon një metër hije për të futur kokën dhe pak ujë për të lagur buzën e tharë.Politikanët rrahin gjoksin në këtë zheg zhuritës, duke pohuar dhe mohuar gjer në absurd, duke u vënë në garë se cili sajon përrallën më mashtruese e më joshëse. Ligjet e shoqërisë kurrsesi nuk identifikohen me ligjet e natyrës, por, gjersa jetojmë e punojmë midis kafshëve e shpendëve, bimëve e drurëve, shkëmbinjve e gurëve, s’kemi arsye që të mos i përdorim ato në ligjërimin tonë bisedimor e shkrimor. Ka pula që rrallë e bëjnë ose se bëjnë fare një kokërr vezë dhe kakarisin aq shumë, sa të çmendin e të çajnë veshët me kakarimat e tyre. Por ka dhe pula, që bëjnë shpesh dhe, pasi shkunden e kakarisin nja dy a tri herë, zënë e qëmtojnë qetësisht me sqep ndonjë fije bari , ndonjë milingonë apo diçka tjetër. Po të tregohesh pak i kujdesshëm, kjo dukuri shfaqet edhe tek njerëzit. Ka punëtorë të krahut dhe të mendjes që i harxhojnë energjitë e tyre për të mbijetuar në këtë xhungël të nxehtë dhe s’u ndjehet zëri. Kjo ndodh edhe me sendet në natyrë. Po të hedhësh një gur në lumë, ai aty mbetet, kurse po të hedhësh një bajgë, ajo noton në sipërfaqen e ujit, gjersa thërrmohet e bëhet fir gjatë rrjedhës për në det. Edhe në këto kushte, kur shoqëria jonë e re, që është e etur për demokraci, ka mijëra bujq, mësues, ekonomistë, policë, mjekë e ku t’i përmend me radhë, që ulin kokën, durojnë vapën e korrikut dhe të politikës dhe s’e rrahin gjoksin, dhe s’ia adresojnë askujt pakënaqësitë e tyre që janë të prekshme në këtë kaos e xhungël të egër njerëzore. Ndërsa njerëzit e ndershëm dhe specialistët e mirëfilltë punojnë pa u mburrur, jo si ato pulat që e bëjnë ose s′e bëjnë një kokërr vezë, mburravecë e triumfatorë të dalë në krye jo për vlerat e tyre, por për ortakllëkun me djallin, u bëjnë reklamë ″sukseseve përrallore″. Kur reklamojnë ″arritjet″ që njeriu i thjeshtë i sheh e i prek me dorë, ata bëhen më të neveritshëm se vapa përvëluese. Për të qenë real dhe i besueshëm sot, në kushtet e demokracisë, duan apo s′duan ″zulmëmëdhenjtë″, jeta s′ka të krahasuar me të kaluarën diktatoriale. Në liri jetohet më mirë. Vini re se ç′ndodh: njëri i ngre gjer në çatinë e kaltër të qiellit ″sukseset″ e mëdha. Tjetri, më maniak se i pari, i mohon atij edhe atë kokërr vezë, duke e bërë gropë gjoksin e tij se, kur të vijë ai në pushtet, përtej së majtës që e kryeson dhe të djathtës, që e kryeson ai tjetri, ai do ti mbushë fushat dhe malet, qytetet dhe fshatrat, detet dhe lumenjtë me vezë të mëdha e të bardha. Madje premton se edhe qiellin do ta mbushë jo me yje që si ka ai në dorë, por me vezë të bardha. Sa pa e mbaruar një fjalim në terren apo në televizion, i pari, me zë të ngjirur e me një shishe ujë përpara, na del ky, pretenduesi i ″fronit kryeministror″, i cili na ngop pa hesap me fjalë e fjali që notojnë në ajrin e nxehtë e të kuq. ″Unë nuk po ju them se po hap këtë kanal, se po mbyll atë kanal, se do të bëj një pishinë këtu e një tjetër atje, që, po të doni të laheni me ujë të kripur, shkoni atje dhe po të doni të laheni me ujë të ëmbël, këtu, as se po ju bie ujë në shtëpi e ta shisni në Itali, por ju them si socialistëve edhe demokratëve, të gjithë popullit, që duhet të dalim përtej flamujve të partive dhe të merremi së bashku me tokën, me punën, me ujin″. I dëgjon me kujdes këto fjalë e fjali disa herë në disa televizione, ku lideri i majtë jep e merr me dorë e me këmbë mu në pisk të vapës përvëluese të korrikut. Të gjorët fshatarë e dëgjojnë me gojën hapur, sikur do t′i hanë ato fjalë të tymta. O Zot, sa fjalë e flluska fjalësh të hedhura në erë! Po me kë po flet ky delir? – thua me vete.- Mbase e ka fajin vapa?! Por, dhe tjetri, ndonëse me zë të ngjirur, s′i lë kusur. Ai rrokullis gurë e fjalë në erë plot tullumbace e potere. A e dini se jemi në siklet këtë verë? Hall me ″Bordin e dialogut me Shqipërinë″, hall me zhegun përvëlues. Po duhet edhe një vit, ndaj përse nxitohen? Tani kemi edhe ″Kodin Zgjedhor të reformuar″ dhe ka kohë për të bërë garë elektorale dhe për të rrëshqitur përralla në baltë e borë, në shi e breshër. Mos u nxitoni, lider të nderuar! Aktori i opozitës po na çudit pa masë: U bën thirrje popullit se, po të vijë në pushtet, s′do të jetë kryeministër i socialistëve, por i gjithë popullit. Aha! E qartë. Do të na kthejë prapa pa alternativë, pa krahë, pa opozitë. Do të na kthejë në kohën kur një njeri i rrëmben në dorë të gjitha. Edhe frymëmarrjen. Tek shkruaj këto rreshta, m′u kujtua një thënie e Tokvilit: ″Edhe demokracia rrëshqet në tirani″. Nëse predikojmë dhe luftojmë për të pasur në krye një parti, ne s′bëjmë gjë tjetër veçse kthehemi atje ku ishim: në diktaturë. Këtë po shohim në këtë muaj të nxehtë, në këtë garë elektorale të ethshme e të parakohshme. Pse ndodh kjo? Mbase dy liderët, edhe pse bashkohen në çastet kur u vihet në rrezik karrigia, prapë i bren mola e pabesisë. Kjo dhe vetëm kjo të bën që të kakariskësh para kohe. Kjo dhe vetëm kjo të bën të jetosh në ethe dhe këto ethe t′ia përcjellësh popullit tënd të sfilitur. Keq e kemi me zhegun (këtë se kemi në dorë), keq me zjarret e qëllimtë që ndizen e shuhen anekënd vendit, por edhe më keq me gjinkallat bezdisëse të politikës në këtë korrik përvëlues.