-
Raca e Ulët e Mëtonjësve
Shekulli
Raca e ulët e mëtonjësve
Nga Vangjush Saro
Këto ditë, ka patur një sërë spektaklesh, gjë e zakonshme për politikën dhe për shoqërinë shqiptare. Një përplasje e kryeministrit me njërin prej deputetëve socialistë, me të cilin edhe më parë ka patur debate të ashpra, përtej etikës elementare. Pastaj, një “keqkuptim” nga ana e ambasadorëve në lidhje me sjelljen brutale të administratës së Kuvendit. Dhe më në fund, disa ndryshime të pjesshme, pothuaj të pakuptueshme, në qeverinë në panik të zotit Berisha. Përtej kësaj tabloje, vazhdojnë të përgjojnë hallet e mëdha të këtij vendi: papunësia, varfëria, ngritjet (jo-spektakolare) të çmimeve, listat e ushqimeve, gënjeshtrat para dhe paselektorale, etj. Ndërkaq, e gjithë tabloja vazhdon të spërkatet me cërkat e baltës së korrupsionit, i cili vlon prej 17 vitesh.
Për publikun, gjithsesi, është e qartë se asnjë lëvizje e përkohshme në qeveri dhe në institucione të tjera, nuk mund të ketë forcë çudibërëse e të hutojë qytetarët dhe institucionet, në atë masë sa ata të harrojnë thelbin e zhvillimeve të sotme: përfitimet pa kufi nga pushteti. Këtë nuk mund ta bëjnë as shfaqjet skandaloze e sjelljet për faqe të zezë, si ato që u panë në Kuvend përpara disa ditësh. Gjithaq incidentet politike, si ai me përfaqësuesit e ambasadave, në rastin e raportimit të Prokurores së Përgjithshme. Përkundrazi, këto fragmente janë vetëm një pjesë e së tërës, janë shfaqje e ndjeshmërisë së pakët (ndaj ligjeve dhe publikut) në qeverisje e sipër. Tani pothuajse askush nuk flet për fondet e stërmëdha, të konsumuara në rrugën Durrës-Kukës, segmenti Rrëshen-Kalimash. Të pakta janë edhe trajtimet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit dhe trafikun e armëve. Sondazhet dhe nënvizimet e personaliteteve të ndryshme, vendase apo të huaja, në lidhje me korrupsionin, humbasin shpejt e shpejt si kripa në ujë.
Sipas sondazhit “Perceptime dhe Përvoja me Korrupsionin”, të realizuar nga IDRA, me financimin e USAID (maj 2008), 92% e qytetarëve thonë se korrupsioni është i përhapur në zyrtarët publikë dhe ka një rënie (vetëm) prej tetë pikësh krahasuar me vitin e kaluar. Afërsisht 70% e njerëzve të intervistuar, thanë se kanë paguar një ryshfet për trajtim mjekësor. Rreth 60% kanë shumë pak besim te sistemi gjyqësor. Në një raport 3 me 1, shqiptarët nuk mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm kur kryejnë gjykime. Administrata, për fat të keq edhe një pjesë e mediave, nuk i marrin seriozisht sondazhet. Zhurma e tyre zgjat (tamam siç thotë fjala popullore) dy ditë. Pati një impenjim të Presidentit të vendit, z.Bamir Topi, për të kujtuar që “raportet ndërkombëtare shpeshherë kanë konstatuar dhe kanë shprehur me tone kritike që në disa sektorë ka problematika, ku korrupsioni është më i ndjeshëm...”. Apo “që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve, të cilët janë të detyruar t’i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë”. Konstatimet u përcollën në heshtje.
Problemi është se këtu, shtyllat e korrupsionit nuk u lëkundën për asnjë çast përgjatë 17 viteve tranzicion. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur konceptimi për pushtetin është njësoj si në kooperativat bujqësore të dikurshme, ku slogani ishte: “Vidh e gënje!”. I lë postet njëra parti, i merr tjetra. Kjo sjell menjëherë nëpër zyra militantët e saj. Ata janë të etur, pas shumë e shumë kohësh qëndrimi në opozitë. Duan lekë. Duan përfitime. Të shpejta. Në të gjitha shtresat, tek shumica e njerëzve, etja e pasurimit ka zënë çdo pore të trupit. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet se si një copë tokë regjistrohet tre herë në Kadastër(!) Në cilin vend të botës ndodh kjo dhe në cilin vend spektatorët (nga mediat dhe publiku i gjerë) rrinë e vështrojnë “spektaklet”? Detajet, shpresojmë, nuk do ta bezdisnin lexuesin e nderuar.
Nëpër shkolla e institucione të tjera, që janë në dorën e pushtetit, emërohen njerëz të besuar, shpeshherë larg të qenit profesionistë. Deri edhe bizneset, fillojnë e cilësohen “të majtë” e të djathtë” dhe tenderat “maten mirë” para se të priten... E gjithë kjo, është një mësim i mësuar përmendësh dhe i përsëritur në mënyrë mekanike. Sistemi i korrupsionit, për të cilin demokratët flisnin shumë para se të vinin në pushtet, për fat të keq, nuk u prek prej tyre. Është e vërtetë, ata degdisën herë pas here, nëpër gjyqe e nëpër burgje, ca përfaqësues të aleatëve ose kryetarë komunash, që shpejt u rikthyen në jetën e tyre private, tashmë “të pastruar”. Dhe vetëm kaq.
Një prej argumenteve që do të duhej marrë në sy, kur flasim për keqpërdorimin e pushtetit, është fakti që shumë prej drejtuesve të partive politike dhe të institucioneve, iu mungon klasi. Ata, si të thuash, janë racë e dobët, e pacivilizuar, me shpirt fshataresk, me ndjenja farefisnore, ballkanikë në shpirt e në thua. Është raca e krijuar në katër apo pesë dekadat e diktaturës; një racë që nuk ka asgjë të përbashkët me staturën e njeriut “prej oxhaku”, pa ndjenjën e fisnikërisë dhe të vetëpërmbajtjes. Në fakt, ne kemi qenë këtu dhe kemi parë se si arrivistët e hershëm, citues e ndjekës të palodhur të Enver Hoxhës dhe më pas të Ramiz Alisë, dolën në krye të lëvizjes demokratike dhe të partive politike. Shumë prej lëvizjeve të mëtejshme të tyre, janë një tjetër çudi e tranzicionit shqiptar.
Pati syresh që u larguan nga PD dhe krijuan parti-ra “të reja”. Humbën për një çast, pastaj çuditërisht, morën përgjegjësi dhe detyra të rëndësishme përgjatë qeverisjes socialiste, pas ngjarjeve të vitit ‘97. Së fundmi, të dalë nga partia e dytë apo e tretë, ata përpiqen të bëjnë ndonjë tjetër parti; në udhë e sipër, përdorin sipas rastit ndonjë kostum “demokrat”. Më në fund, kthehen prapë tek PD. E njëjtë “historia” edhe për shumë pseudosocialistë. (Deri diku, kjo të kujton prirjen e hershme për të qenë me njërën këmbë tek “Balli” dhe me tjetrën tek Partia Komuniste.)
Këto shakara (gjoja)pluraliste, këto çudira me mëtonjës të panginjur e të pafytyrë, ndodhin rëndom në Shqipëri. Prandaj këtu, thelbi i reformave dhe i demokracisë në tërësi, nuk është marrja përsipër dhe përmbushja apo shpjegimi i përgjegjësive. Historia e tranzicionit shqiptar, është ngadhënjimi i arrivistëve dhe i mëtonjësve. Një koleg i nderuar, në një shkrim të këtyre ditëve, sillte shembullin e zonjës Merkel, në lidhje me kuptimin e pushtetit dhe të përgjegjësisë. E kemi shkruar edhe njëherë tjetër: ajo dhe kolege të tjera të saj, në qeveritë dhe institucionet evropiane, nuk e kanë mendjen tek luku dhe avionët(!) Dhe meqë ishim tek një personalitet gjerman, le ta përfundojmë me një thënie të Bethoven-it: “Medet! S’ka gjë më të vogël se njerëzit tanë të mëdhenj!”.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt