Shtëpia ku lindi Berisha do të bëhet muze
VALENTINA MADANI
Shtëpia ku ka lindur Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, do të bëhet muze. Ndërtesa 100-vjeçare në Viçidol të Tropojës, tashmë do të kthehet në një objekt historik për shqiptarët. Prej vitesh ajo është e pabanuar nga të zotët e shtëpisë, por që është gjithnjë nën kujdesin e kushërinjve të Kryeministrit të vendit. Përgjatë 100 viteve, ndërtesa trekatëshe, nga rëndesa e viteve të gjata ka filluar të rrëzojë pjesë të murit. Ajo ka kaluar të gjitha etapat e historisë që ka përjetuar dhe treva e Malësisë së Gjakovës. Dhe historia nis me strehimin e patriotëve të zonës, duke u kthyer kështu në një bazë të fortë të qëndresës antiserbe. Më pas erdhi Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ku sërish kulla e Berishajve që njiheshin për patriotizmin e tyre në mbrojtje të vendit, u bën një qëndresë e pakapërcyeshme për okupatorët e Shqipërisë. Në atë vite lindi dhe ai që do t’i krijonte një histori më vete shtëpisë Berisha, në atë kohë plot meshkuj shtëpie. Djali i vogël i Ramë Berishës, do të dallonte për zgjuarsinë e tij, ndaj shumë shpejt do të linte vendlindjen për të nisur studimet në moshën 14-vjeçare. Ky moment shënoi dhe shkëputjen e tij nga Viçidoli, të cilin do e vizitonte gjithnjë e më rrallë, dhe vetëm në kohë pushimesh. Në Tiranë, djali tropojan gjeti vetveten por duke memorizuar fort porositë e prindërve, ata që deri në vdekje i ushqyen dhe i mbajtën gjallë ndjenjën patriotike për atdheun. Dhe një ditë shtëpia do të mbetej bosh, por gjithnjë përreth saj e populluar nga fisi Berisha, të gjithë kushërinj të atij që tashmë ishte vënë të krye të lëvizjes antikomuniste në vitet ‘90. Ngjarjet politike të mëvonshme që përkuan me rrëzimin e diktaturës komuniste dhe ardhjen në pushtet të PD-së, e ngritën atë në majën më të lartë të shtetit, duke u bërë President i vendit. Dhe shtëpia në Viçidol, tani do të mbante një emër tjetër, shtëpia e Presidentit. Ajo ngjalli interesin e kujtdo që vizitonte atë zonë, dhe shumë më tepër, atë të kosovarëve, me të cilin e ndanin pak minuta matanë kufirit. Por ata se kishin menduar se në vitin e vështirë të gjenocidit serb, në vitin 1999, do të kishin si strehë të tyre, pikërisht, atë shtëpinë e ish-presindetit Berisha. Ndërtesa që po u afrohej 100 vite jetë, tashmë do të kthehej në një bazë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lejen e dha vetë Sali Berisha, në atë kohë kryetar i PD-së në opozitë. Deri në çlirimin e plotë të Kosovës, shtëpia e tij u shndërrua si vendstrehim por edhe vendstërvitje për ushtarët kosovarë të cilët u kthyen në Kosovë fitimtarë pas një luftë të egër dhe mizore e cila u mori njerëzit më të dashur. Por shtëpia ka filluar të rrëzohet. Vitet kanë bërë të vetën. Por pritet të ringrihet sërish, për të ringjallur edhe historinë e saj 100-vjeçare. Ajo vizitohet shpesh nga familjarët e Kryeministrit Berisha, nga bashkëshortja Liria, vajza Argita dhe djali Shkëlzeni. Ndaj dhe shumë shpejt do të ketë dhe një projekt muzeal për shtëpinë e njeriut që i dha Shqipërisë dhe kombit vlera për 18 vite me radhë. Ishin paraardhësit e tij, atje në Viçidol të Tropojës, të cilët edhe sot mbahen mend në zonën e Malësisë së Gjakovës, për ndjenjat patriote dhe atdhedashëse, të cilat u përcollën edhe tek ai që sot qeveris vendin, dhe ai është Sali Berisha.
13/07/2008
Gazeta Standart
---------------------------------------------
Berisha dhe shtepine e tij do ta rindertoje me parate e taksapaguesve.
PS. Viçidol, eshte toponim sllav apo do te thote Viçi - dol(i) ?
Krijoni Kontakt