01/12/2011 Flet drejtori i ujësjellësit: Shkak thatësira dhe shterimi i ujërave nëntokësorë
ELBASAN- Thatësira e tejzgjatur e këtij viti ka bërë që të shterojnë burimet hidrike në zonën e Elbasanit. Një situatë e pazakontë është krijuar edhe në puset që furnizojnë me ujë qytetin e Elbasanit. Prej një jave Ndërmarrja e Ujësjellësit në Elbasan ndodhet në vështirësi për furnizimin me ujë të qytetit të Elbasanit dhe periferisë së tij. Nisur nga kjo gjendje, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Ardian Zhidro, i ka bërë thirrje publike konsumatorëve të ujit ta kursejnë e të mos e shpërdorojnë atë.
Pa ujë...
“Dua të them se kemi të bëjmë me situatën më kritike për nivelin e ujit në pompa këto 20 vitet e fundit. Mungesa e reshjeve dhe rënia e prurjeve për ujërat nëntokësorë ka bërë që pompat të mos nxjerrin sasi të mjaftueshme uji për furnizimin e qytetit. Kjo ka bërë që të fillojë të mungojë uji, duke shkurtuar orët që merrte mesatarisht qyteti. Kështu mendohet që të bëjmë një kufizim 1 në dy orë më pak. Kufizimet do të prekin të gjithë konsumatorët deri në përmirësimin e situatës. Institucionet të rëndësisë së veçantë siç janë spitalet do të kenë kufizime më të vogla.
Dua të theksoj se kemi të bëjmë me situatën më kritike këto 20 vitet e fundit dhe niveli i puseve është në stadin kritik gjë që na detyron të marrim masa. Ne kemi arritur të stabilizojmë të gjitha lavazhet që tashmë kanë sistem të vetin të furnizimit me ujë. Dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të kufizojnë përdorimin e ujit dhe shpërdorimin e tij”. Ndërkohë lidhur me mundësinë e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm, drejtori Zhidro deklaroi se do të kërkohet një rritje 5 lekë për metërkub. “Duke pasur parasysh investimet e realizuara gjatë këtij viti dhe ato të parashikuara për vitin që vjen ne jemi të detyruar të kërkojmë një rritje çmimi. Kjo vjen edhe për shkak të rritjes së çmimit të energjisë që shtojnë shpenzimet e ndërmarrjes. Kërkesa jonë do të jetë për një rritje minimale 5 lekë për metër kub për konsumatorët privat dhe familjarë.
Ne jemi duke shlyer kredinë e vjetër nga KFV gjermane dhe po kërkojmë nga KFV një kredi të butë që do na sigurojë investim për furnizim 24 orë me ujë të qytetit të Elbasanit. Për rritjen e çmimit të ujit nuk është një kërkesë e jona e njëanshme, por është studiuar mirë situata në të cilën ndodhemi dhe investimet që kërkojmë të bëjmë. Për këtë arsye Këshilli Bashkiak, Bashkia apo Enti Rregullator duhet ta kuptojnë se kjo rritje është e detyruar. Theksoj se çdo masë apo vendim që do të merret ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetit tonë”. Aktualisht konsumatori familjar në Elbasan e paguan 46.3 lekë një metër kub ujë dhe nëse rritja do të miratohet do të duhet ta paguajë 51.3 bashkë me kanalizimet. Elbasani numëron 120 mijë banorë dhe Elber arrin të grumbullojë faturat për rreth 80% të konsumatorëve.
Krijoni Kontakt