Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1

    100 datat historike të Pavarësisë së Kosovës

    Sot është dita më e madhe e kombit shqiptar. Kosova në orën 15:00 shpall pavarësinë dhe njëherësh kjo datë është edhe e drejta e mohuar e kombit shqiptar. Pas një përpjekjeje shekullore, pasi është martirizuar si asnjë popull në Evropë, pas vetëmohimit dhe vetëpërmbajtjes, Kosova sot prek pavarësinë. Një ëndërr të gjatë që arriti ta fitojë dhe prekë, vetëm falë shpirtit dhe ndjenjës që vetëm ky popull e ka. Po si ka kaluar ky proces kaq i gjatë, ky kalvar i dhimbshëm historik? Gazeta “Tirana Observer” boton sot 100 datat më të rëndësishme që kanë kaluar që nga përpjekja e parë e deri në ditën e pavarësisë së Kosovës. Që nga shprehja e kancelarit gjerman, Bismarck, i cili deklaroi në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit se, “Shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se “një term gjeografik”. Megjithatë, në të njëjtin vit, delegatët me influencë nga krahinat e Shqipërisë themeluan Lidhjen e Prizrenit, ku shqiptarët dolën nga gjumi letargjik nën Perandorinë Osmane dhe inicioi lindjen e shtetit shqiptar, tek shkëputja e Kosovës nga toka mëmë Shqipëri. Nga padrejtësitë e politikës evropiane me vendime aq absurde, nga padrejtësitë dhe rrëmbimet e tokave shqiptare nga serbët dhe ajo që u quajt Jugosllavi, deri tek përndjekja, dhunimi, arrestimi e deri tek krimet makabre ndaj kosovarëve. Nga gafa e rëndë e Enver Hoxhës, duke e lënë Kosovës nën Jugosllavi, e deri tek rizgjimi i madh popullor në demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Për të ardhur në ndërrimin e sistemit komunist, ku Kosovës në vend që t’i jepet e drejta e mohuar, u sulmua edhe më shumë nga serbët duke vrarë, prerë e masakruar sërish popullsinë. Një ecuri që pati si kulm të saj ofensivën serbe në vitin 1999 dhe po atë vit, të ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të parën luftë që Aleanca e Atlantikut ka ndërmarrë në historinë e saj. Duke ardhur në ditën e sotme, ku Kosova më fund është e PAVARUR.


    Kongresi i Berlinit

    Bismarck
    Në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, kancelari gjerman Bismarck deklaroi se Shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se "një shprehje gjeografike". Megjithatë, në të njëjtin vit, u themelua Lidhja e Prizrenit. E cila vuri themelet e pretendimeve të para moderne të statusit kombëtar.

    28 nëntor 1912
    Shpallja e Pavarësisë

    Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor në Vlorë nuk ishte vetëm një datë për Shqipërinë. Efekti i saj ishte në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Në shpalljen e pavarësisë në Vlorë morën pjesë dhe përfaqësues të popullit të Kosovës.

    22 mars 1913
    Ndarja e kufijve

    Konferenca e Ambasadorëve në Londër përcakton ndarjen territoriale të vendit. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra. Krahina e Kosovës me një popullsi autoktone shqiptare iu la Serbisë.

    1913-1914
    Shifrat e terrorit

    Pas ndarjes së territorit, serbët nuk u mjaftuan vetëm me trojet. Në këto vite shënohen dhe shifra më të larta të represionit sllav mbi popullsinë e Kosovës. Sipas historianëve, dëmi që iu shkaktua Kosovës në këto vite ishte më i madh se ai i pushtimit osman.

    1914
    Ligji serb i Kolonizimit

    Shteti serb solli në Kosovë gjatë vitit 1914 rreth 20 mijë serbë. Pjesa dërrmuese e të cilëve kriminelë që u përdorën për të nxitur konflikte me shqiptarët. Pushtuesve iu dhanë toka të shqiptarëve, duke ndryshuar dhe kadastrën e tyre.

    1 dhjetor 1918
    Krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate

    Lufta e Parë Botërore do të shënonte dhe krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sollovene, e cila do të kishe brenda saj disa shtete-kombe. Kjo mbretëri do të kishte pjesë të saj dhe Kosovën.

    Versajë 1919
    Konferenca e Versajës

    Konferenca e dytë ndërkombëtare që sanksionoi përfundimisht copëzimin e trojeve Shqiptare e la si pjesë të Serbisë krahinën e Kosovës. Një e treta e popullsisë shqiptare mbeti jashtë trungut amë.

    1919
    Reforma Agrare

    Pas pushtimit serbët u kujdesën që të ardhurit të kishin pronat e tyre. Në vitet 1920 nis dhe Reforma Agrare e drejtuar nga një ministri e veçantë. Megjithëse u shkelën hapur traktatet ndërkombëtare, përsëri askush nuk u kujtua për të drejtat e shqiptarëve.

    7 mars 1937
    Teoria e spastrimit
    Pas 1913-s për shkombëtarizimin e Kosovës, serbët përpunuan një strategji të tërë. Në bazë të teorisë antishqiptare u vu akademiku Vaso Çubrilloviç.

    4 dhjetor 1943
    Deklarata e Titos

    Në Luftën II Botërore Kosova u radhit në krah të Koalicionit Antifashist. Udhëheqësi serb, Tito, pranon se çështja e Kosovës do të zgjidhet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë që koha provoi të kundërtën.

    31 dhjetor 1943
    Konferenca e Bujanit

    Gjatë Luftës së Dytë Botërore patriotë kosovarë u mblodhën në Bujan për të fituar të drejtat e tyre, duke kërkuar shkëputjen nga Jugosllavia. E cilësuar si një Lidhje e Dytë e Prizrenit, Konferenca Bujanit pati jehonë në mbarë botën shqiptare.

    1943-1944
    Pushtimi gjerman

    Një pikë ku duket se historianët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit, është Lufta e Dytë Botërore. Kosova, sipas burimeve historike, pati rreth 80 mijë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

    18 shkurt 1945
    Ushtria Jugosllave në Kosovë

    Pas largimit të gjermanëve, ushtria jugosllave kërkon vendosjen e administratës ushtarake në Kosovë, me pretekst për “stabilizimin e situatës politike e të sigurisë”.

    1 prill 1945
    Masakra e Tivarit

    Është një nga masakrat më të mëdha që ju bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mal i Zi dhe në rrugën për në Tivar. Numri i të vrarëve mendohet të jetë 1700-4300.

    1945
    Viktimat e komunizmit

    Pas hyrjes së forcave serbe në Kosovë, nis përsëri masakra. Me pretekstin se ishin antikomunistë, gjatë vitit 1945 në gjithë Kosovën numërohen rreth 40 mijë shqiptarë të vrarë.

    31 janar 1946
    Kosova nën Serbi

    Fundi i Luftës së Dytë Botërore e vendosi përfundimisht Kosovën nën Jugosllavinë. Kushtetuta e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, Kosova u përcaktua si njësi autonome brenda Serbisë.

    17 janar 1947
    Kushtetuta serbe

    Nën rrethanat e administrimit ushtarak, Kushtetuta e Republikës Serbe i heq të drejtat popullsisë së Kosovës. Këto dispozita kushtetuese caktojnë Kuvendin Popullor të Serbisë si vendimmarrës për Kosovën.

    1950
    Dëbimet në Turqi

    Etiketimi si turq i shqiptarëve nga ana e serbëve, sjelljet mizore të ushtrisë serbe, bënë që të deportoheshin në Turqi mbi 230 mijë shqiptarë. Një spastrim etnik që i kish rrënjët në teoritë raciste të Vaso Çubrilloviçit.

    7 prill 1963
    Shqiptarëve u njihet kombësia

    Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ u shndërrua në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në nenin 111 të saj, Kosova shpallet krahinë autonome. Ndërsa për shqiptarët nuk përdoret më nocioni “pakicë kombëtare”, por “kombësi”.

    14 korrik 1967
    Kërkesat për Republikë

    Përfaqësuesit e Kosovës në Kuvendin e Kombeve të Jugosllavisë, me në krye Fadil Hoxhën, kërkojnë rishikimin e hapësirave kushtetuese për Kosovën. Ata kërkuan bisedime me Beogradin për shpalljen Republikë të Kosovës.

    6 tetor 1968
    Demonstratat e studentëve

    Pas refuzimit të kërkesës për Republikë të Kosovës filluan protestat e para të intelektualëve dhe studentëve. Në qendër të kërkesave të saj ishte bërja e “Kosovës Republikë”.

    1968
    Demonstrata

    Lëvizja e re arriti të ndryshojë statusin juridik të Kosovës. Në po këtë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, u la të përdorej flamuri si simbol kombëtar dhe hapja e Universitetit të Prishtinës.

    1974
    Autonomia

    Pas protestave, Kushtetuta Jugosllave e 1974-s do t’i jepte Kosovës autonominë. Për të parën herë i jepet e drejta që përmes Parlamentit të vet dhe Këshillit Ekzekutiv të nisë në Gjyqin Kushtetues të Jugosllavisë procesi për vlerësimin e konstitucionalizmit dhe ligjshmërisë.

    1989
    Millosheviçi

    Fundi i autonomisë së Kosovës ka një nisje. Dhe për ironi, pikërisht ardhja në krye të Beogradit e Sllovodan Millosheviçit solli një tjetër realitet në Kosovë.

    28 mars 1989
    Heqja e autonomisë

    Qeveria e Beogradit i heq ato pak të drejta që ju dhanë Kosovës në 1974-n. Në këtë mënyrë, Kosova u kthye në pikën e saj më kritike. Në vitin 1989, në Kosovë shpërthyen protestat paqësore.

    22 mars 1990
    Helmimet

    Nacionalizmi serb në Kosovë tregoi anën e tij më të errët. Janë rreth 20 mijë fëmijë shqiptarë që u helmuan gjatë viteve 1988-1900 nga shërbimet sekrete të Serbisë.

    1989-1990
    100 të vrarë
    Heqja e autonomisë solli protesta në gjithë Kosovën. Gjatë kësaj periudhe, megjithëse kosovarët protestonin në mënyrë paqësore, ushtria serbe vrau mbi 100 persona, 400 të tjerë u plagosën, u helmuan 20 mijë fëmijë.

    23 dhjetor 1989
    Themelimi i LDK-së

    Themelimi i Lidhjes Demokratike e Kosovës nuk është vetëm krijimi i të parës parti politike me mbështetje të gjerë, por edhe të parës lëvizje që iu kundërvu drejtpërdrejtë regjimit komunist në fuqi.

    2 korrik 1990
    Deklarata e Pavarësisë

    Më 2 korrik 1990, Parlamenti i Kosovës harton të parën Kushtetutë, ku përcaktohej pavarësia e Kosovës. Ideator i saj ishte kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.

    9 shtator 1990
    Kushtetua e Kaçanikut

    Kushtetua e Kaçanikut është i pari dokument i miratuar nga Parlamenti i Kosovës që e njihte atë si shtet të mëvetësishëm me simbolet e tij.
    ¿Quién ganará la Champions? = BARÇA

  2. #2
    26-30 shtator 1991
    Referendumi

    Pas shpalljes nga ana e Parlamentit Republikë, Kosovës i duhet të legjitimonte pushtetin e saj. Për këtë qëllim u mbajt referendumi për shpalljen Republikë të Kosovës. Rezultatet e këtij referendumi u shpallën të pavlefshme nga Beogradi.

    24 maj 1992
    Zgjedhjet pluraliste
    Referendumi i shtatorit ishte preludi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë. Më 24 maj 1992, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. President u zgjodh doktor Ibrahim Rugova.

    1995
    Marrëveshja e Dejtonit

    Pas disa vitesh luftë të përgjakshme, ndërkombëtarët ulin në bisedime serbët, boshnjakët dhe kroatët. Marrëveshja u nënshkrua në Dejton (SHBA). Ndërkombëtarët arritën të ulnin gjakrat mes sllavëve, por u anashkalua çështja e Kosovës.

    28 nëntor 1997
    Ushtria Çlirimtare e Kosovës
    Kur bisedimet nuk vlejnë më, atëherë e kanë radhën armët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua pas viteve 1995, si përgjigje e represionit serb në Kosovë. Dalja e parë publike e saj u bë më 28 nëntor 1997.


    5 mars 1998
    Masakra e Prekazit
    Në fshatin Prekaz vriten 50 shqiptarë dhe dy serbë nga luftimet mes ushtrisë serbe dhe forcave të UÇK-së. Shumica e të vrarëve nga radhët e shqiptarëve ishin civilë të paarmatosur, gra dhe fëmijë.

    Janar 1999
    ”Terrorizmi” shqiptar

    E gjithë lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës u interpretua nga zyrtarët serbë, ndonjëherë dhe ata rusë, si një lëvizje terroriste.

    6 mars 1998
    Vrasja e Adem Jasharit
    Çdo kohë ka heronjtë e vetë. Dhe lufta e Kosovës ka me mijëra të tillë, por emri i Adem Jasharit është një nga ata që spikat më shumë. Ai u vra më 6 mars 1998 nga një sulm i ushtrisë serbe në kullën e Jasharajve.

    15 qershor 1998
    Aeroplanët e NATO-s fillojnë manovrat mbi Maqedoni dhe Shqipëri. Ushtria serbe e mori si një kërcënim të hapur dhe nisi një ofensivë edhe më të ashpër për të eliminuar UÇK-në, prandaj hynë ndërkombëtarët në Kosovë.

    23 shtator 1999
    Armëpushimi i rremë
    Kërcënimet e NATO-s e detyruan Millosheviçin të ndërpresë për një farë kohe masakrat në Kosovë. Këshilli i Sigurisë të OKB-së arriti për disa javë të ndalë luftimet. Por më vonë ushtria serbe deklaroi se ka vrarë rreth 30 luftëtarë të UÇK-së afër Podujevës.

    6 janar 1999
    Alarmi i NATO-s
    Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë, Wesli Klark, deklaroi se Kosova po shkon drejt fillimit të luftës civile. Sipas tij, Beogradi ka armatosur policinë me armët më të rënda dhe po shkon drejt Kosovës.

    8 janar 1999
    Deklarata
    Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova kërkon ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Rugova edhe njëherë u kërkon ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

    18 janar 1999
    Parlamenti shqiptar

    Në kushtet e një lufte të pashpallur, në Shqipëri po merreshin masa për të përballuar situatën. Parlamenti shqiptar miraton një rezolutë ku kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të NATO-s në Kosovë.

    20 janar 1999
    Klark-Milosheviç
    Gjenerali i NATO-s për Evropën, Wesli Klark, takon presidentin e Serbisë, Sllovodan Millosheviç. Pas takimit, Klark në një deklaratë për mediat, e cilësoi Millosheviçin si njeri me mentalitet bunkeri.

    27 janar 1999
    Plani i shfarosjes
    Sipas burimeve të raporteve të NATO-s, në qershor të vitit 1998 shtabi i lartë ushtarak i Serbisë kish planifikuar dërgimin e mbi 200 mijë forcave ushtarake për të mposhtur rebelimin e Kosovës.

    28 janar 1999
    Asambleja e KE-së

    Vetëm pas një seri masakrash dhe kur mediat ndërkombëtare raportuan krimet në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar nisi të merrte masa konkrete. Mbledhja e radhës e KE-së dënoi masakrën e Raçakut.

    Mars-qershor 1999
    Dëbimi biblik

    Lufta në Kosovë do të tregonte anën e saj më të shëmtuar në fundin e shekullit modern. Ushtria serbe duke ndërmarrë një operacion të gjerë dëboi nga shtëpitë e tyre mbi një milion shqiptarë, shumica e të cilëve gra, fëmijë e pleq.

    15 janar 1999
    Masakra e Raçakut

    Krimi që do të ndërgjegjësonte ndërkombëtarët për atë çfarë po ndodhte në Kosovë ishte masakra e Raçakut. Mëngjesin e 15 janarit në fshatin Raçak, forcat paramilitare serbe sulmojnë fshatin duke vrarë 45 persona mes të cilëve një grua.

    Maj 1999
    Rrugova merret peng

    Në momentet kur presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, e pa se lufta ishte e humbur, urdhëron të merret peng presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Por ndërhyrja e SHBA-së, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, bënë që Millosheviçi ta lironte më pas.

    20 Mars 1999
    Marrëveshja e Rambujesë

    Është një marrëveshje e firmosur vetëm nga shqiptarët, pasi serbët nuk pranuan ta firmosin. Nga pala shqiptare morën pjesë presidenti Ibrahim Rrugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja.

    22 mars 1999
    Hollbruk-Millosheviç

    I dërguari special i Uashingtonit, Riçard Hollbruk, më 22 mars takohet me diktatorin Sllobodan Millosheviç. Hollbruk i kërkon Millosheviçit tërheqjen e trupave nga Kosova. Hollbruk nuk merr përgjigje pozitive nga Millosheviçi dhe NATO përgatitet për luftë.

    23 mars 1999
    Majko: Gati për luftë

    Më 23 mars kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, raporton në Parlamentin shqiptar për masat që do të merren pas dështimit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Majko deklaron se vendi është gati për luftë.

    24 mars 1999
    Sulmet e NATO-s
    Serbët u kishin thënë “jo” bisedimeve në Rambuje. Ndërkohë që krimet në Kosovë vazhdonin nga ushtria serbe. Në këtë situatë NATO ndërmerr sulmin frontal ndaj ushtrisë serbe.

    24 Mars 1999
    Masakra në Bellaçerkë

    Nga data 24 deri më 26 mars, trupat policore dhe ato
    paraushtarake ekzekutuan qindra burra. Vrasjet e kryera në Bellaçerkë dhe në Krushën e Madhe janë renditur midis gjashtë incidenteve të listës së hartuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

    26 mars 1999
    Krusha e Vogël

    Më 26 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Vogël, trupat ushtarake serbe kryen një ndër masakrat më të mëdha ndaj popullsisë së pambrojtur kosovare. Përafërsisht njëqind burra u vranë dhe u dogjën nga serbët.

    14 prill 1999
    Karvani i civilëve
    Një incident i rëndë në rrugën në rrethinat e Gjakovës ishte bombardimi nga ana e NATO-s e një karvani civilësh. Sipas NATO-s, u mësua se objektivi ishte një karvan ushtarak dhe se përgjegjës për sulmin mbi civilët mund të ishin trupat serbe.

    Prill 1999
    Masakra e Suharekës

    Një masakër tepër e dhimbshme ishte edhe vrasja në qytetin e Suharekës, e të paktën njëzet e katër anëtarëve të familjes së gjerë Berisha, duke përfshirë këtu edhe njëmbëdhjetë fëmijë nga
    mosha gjashtëmbëdhjetë vjeç e poshtë, për shkak se i kishin dhënë dy shtëpi me qira OSBE-së.

    Prill 1999
    Masakra në Tërnje

    Në fshatin Tërnje do të gjenin vdekjen të paktën njëzet e katër persona, duke përfshirë edhe shtatë fëmijë të moshës pesëmbëdhjetë vjeç, madje edhe më të vegjël. Gjatë kohës së bombardimeve, në komunën e Suharekës u vranë 430 vetë.

    1999
    Bill Klinton
    Mes Amerikës dhe shqiptarëve, tashmë ka një lidhje historike që i kalon shekujt. Pas Udro Willsonit, një tjetër president do të bëhej iniciator i shpëtimit të popullit të Kosovës. Bill Klinton do të mbahet mend si Presidenti që mori përsipër kostot e sulmit të NATO-s në Serbi.

    6 maj 1999
    Vrasja e Fehmi Aganit

    Një nga intelektualët më në zë të Kosovës, gazetar, sociolog, filozof dhe nënkryetar i LDK-së. Vdekja e tij ende nuk është sqaruar. Trupi i 66-vjeçarit, akademikut dhe politikanit kosovar, u gjet i vrarë në rrethana misterioze më 6 maj 1999.

    26 qershor 1998
    SHBA njeh UÇK-në

    Ushtria Çlirimtare e Kosovës fillimisht u mbaj larg bisedimeve. Për këtë ndikuan dhe qarqet ruso-serbe, të cilat i paraqisnin si fondamentalistë islamikë. Por roli i tyre nuk mund të nënvleftësohej. I dërguari i SHBA-së, Riçard Holbruk, ishte i pari zyrtar i lartë që do ta quante atë faktor dhe do të takohej me ta.

    Qershor 1999
    Kosova nën ndërkombëtarët
    Që prej përfundimit të luftës së armatosur, Kosova është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të saj, komuniteti ndërkombëtar ka marrë përsipër administrimin e territorit të Kosovës.

    1999
    Strehimi në Shqipëri
    Peshën më të madhe të eksodit të kosovarëve e mbajtën shqiptarët. Karvanët e gjatë me njerëz u dyndën në kufijtë e shtetit amë. Me mijëra familje shqiptare hapën dyert për popullsinë e Kosovës duke i pritur deri në përfundim të luftës.

    Qershor 1999
    Marrëveshja e Kumanovës

    Pas 74 ditë bombardimesh të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pikave strategjike në tërë Serbinë, Serbia dhe Millosheviçi kapitulloi. Ushtria serbe u tërhoq nga Kosova. Të shpërngulurit u kthyen në vatrat e tyre.

    10 qershor 1999
    Çlirimi i Kosovës

    Ushtria e NATO-s së bashku me UÇK-në, më 10 qershor të 1999-s arritën të çlironin Kosovën. 10 qershori mbahet si data kur ushtria serbe pas më shumë se 100 vitesh u largua nga trojet e Kosovës.

    1998-1999
    Bilanci i luftës
    Në përfundim të një luftë frontale që zgjati një vit, bilanci ishte rrënqethës për popullsinë e Kosovës. Forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore mbi 15 mijë shqiptarë.

    28 tetor 2000
    Zgjedhjet e para në Kosovë

    Prova e parë e aftësive shtet-formuese të Kosovës u pa në zgjedhjet lokale të 28 tetorit 2000. Por më shumë se fitorja e një force të moderuar, rëndësi kishte zhvillimi i zgjedhjeve. Zgjedhjet e para të lira të popullsisë së Kosovës u klasifikuan të rregullta.

    2001
    ”Vetëvendosja”
    Mbarimi i luftës dhe zgjatja e procesit të negociatave për statusin e Kosovës, bënë që mes popullsisë të krijohen përsëri pakënaqësi. Në këtë linjë ishte dhe krijimi i lëvizjes paqësore “Vetëvendosja”.

    2001
    Korniza Kushtetuese
    Në vitin 2001 nën miratimin e UNMIK-ut forcat politike miratojnë Kornizën Kushtetuese që i lejon autoritet e Kosovës të ndërtojnë institucionet vendore. Njihet e drejta për krijimin e institucioneve vetëqeverisëse, si ato qendrore ashtu edhe lokale.

    17 nëntor 2001
    Zgjedhjet parlamentare

    Cilësohen si zgjedhjet e para të përgjithshëm pas luftës. Fitues u shpall LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Nga këto zgjedhje doli Parlamenti i parë i Kosovës, i cili nën mbikëqyrjen e misionit të OKB-së në Kosovë, zgjodhi presidentin dhe krijoi qeverinë e Kosovës.

    2 mars 2003
    Zoran Gjingjiç

    Kryeministri Zoran Gjingjiç ishte i pari politikan serb që e trajtoi ndryshe çështjen e Kosovës. Por për nacionalistët, politikanë të tillë nuk e siguronin mbijetesën. Gjingjiç u vra në një atentat pak kohë më pas deklaratës.

    3 dhjetor 2004
    Ramush Haradinaj

    Një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u zgjodh kryeministër më datën 3 dhjetor 2004 dhe e mbajti këtë mandat deri më 8 mars 2005.

    8 mars 2005
    Gjyqi i Haradinaj
    Më 8 mars të vitit 2005, Gjykata për Krime të Luftës publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj Ramush Haradinajt. Ai të nesërmen shkoi vullnetarisht në Hagë, duke dhënë një shembull të përgjegjësisë politike.
    ¿Quién ganará la Champions? = BARÇA

  3. #3
    10 nëntor 2005
    Emërimi i Ahtisarit

    Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara aprovon emërimin e Marti Ahtisari si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës.

    21 nëntor 2005
    Ahtisari në Kosovë

    Marti Ahtisari viziton Kosovën përherë që pas emërimit si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai bën takime me kryeadministratorin e OKB-së, presidentin Rugova, kryeministrin Kosumi, përfaqësues të opozitës dhe minoritetit serb.

    10 shkurt 2006
    Sejdiu-President

    Më 10 shkurt 2006, pas rrethit të tretë të votimeve në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh President i Kosovës. Sejdiu është cilësuar si “dishepulli” i Rugovës.

    10 shkurt 2006
    Fatmir Sejdiu
    Është Presidenti i dytë i Kosovës. Pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, Sejdiu mori votat e Parlamentit të Kosovës për të drejtuar vendin në fazën e fundit të negociatave.

    11 mars 2006
    Sllobodan Milosheviç

    Nëse ka një njeri, emri i të cilit lidhet me vuajtjet e kosovarëve në fundin e mijëvjeçarit, ai është Sllobodan Milosheviçi, i cilësuar si “Kasapi i Ballkanit”. Vdiq në burgun e Hagës pa e marrë ende dënimin më 11 mars 2006.

    21 nëntor 2006
    Vdekja e Ibrahim Rugovës

    Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, vdiq pa e parë të realizuar plotësisht ëndrrën e tij, Kosovën të pavarur. E megjithatë, ai ishte njeriu që dha kontributin më të madh politik për pavarësinë e saj.

    2 dhjetor 2006
    Merkel për Pavarësinë

    Kancelaria gjermane, Angela Merkel, pas takimeve me kryenegociatorin Ahtisari dhe presidentin e serb, Tadiç, u shpreh pro pavarësisë së Kosovës. Në këtë mënyrë betejës diplomatike të pavarësisë iu shtua dhe një tjetër aleat i rëndësishëm.

    3 dhjetor 2006
    Tadiç për pavarësinë

    Në fillim të dhjetorit, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të deklaronte se “Kosova sot ndodhet më afër pavarësisë dhe këtë e di çdo qytetar në Serbi, por ne po përpiqemi që të ruajmë integritetin territorial të vendit tonë”.

    1 mars 2006
    Dorëheqja e Bajram Kosumit

    Më 1 mars të 2006-s, kryeministri Bajram Kosumi jep dorëheqjen. Edhe kryeparlamentari Daçi detyrohet ta bëjë këtë. Disa ditë më vonë në këtë post zgjidhet, Agim Çeku.

    26 mars 2007
    ”Pakoja Ahtisari” në OKB

    Në 26 mars “Pakoja Ahtisari” iu paraqit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shqyrtim. Marrëveshja parashikon një Kosovë të pavarur shumë etnike.

    24 korrik 2006
    Takimi dypalësh

    Takimi i zyrtarëve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Vjenë të Austrisë. Nuk arrihet asnjë marrëveshje, por Ahtisari e konsideron të suksesshëm për faktin se këta liderë janë takuar sy në sy.

    24 janar 2007
    Asambleja e KE-së

    Asambleja e Këshillit të Evropës miraton rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Njëri nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë, ku thuhej se Kosova duhet të marrë pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan.

    26 janar 2007
    Grupi i Kontaktit

    Marti Ahtisari më 26 janar të vitit 2007 takohet me Grupin e Kontaktit. Takimi ishte me dyer të mbyllura, por u njoftua se Ahtisari ka informuar se do të propozonte pavarësi të kushtëzuar.

    10 shkurt 2007
    Protesta e “Vetëvendosjes”

    Lëvizja “Vetëvendosje” organizon protestë në Prishtinë kundra pakos së Ahtisarit që ata mendojnë nuk i bien Kosovës pavarësi. Disa nga protestuesit filluan të përleshen me policinë. Vdesin dy protestues.

    12 shkurt 2007
    Fatmir Rexhepi

    Ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje pas dhunës në protestat e 10 shkurtit të organizuara nga “Vetëvendosje”, ku vdiqën dy shqiptarë të rinj. Ai thotë se ndjente përgjegjësi morale edhe pse policia as ajo e UNMIK-ut dhe as SHPK, nuk janë nën kontroll të tij. Po këtë ditë, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) viziton Albin Kurtin në paraburgim. Ndërkohë që Kurti tregon për keqtrajtim.

    10 mars 2007
    Takimi i Vjenës

    Më 10 mars të vitit 2007, në Vjenë të Austrisë mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve, pa marrëveshje.

    26 mars 2007
    Raporti në OKB

    Marti Ahtisari, më 26 mars të vitit 2007 i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur.

    3 prill 2007
    OKB-Ahtisarit

    Fillon shqyrtimi i planit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura është dëgjuar i dërguari special për Kosovën Marti Ahtisari, duke shpalosur planin që pritet t’i japë Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur.

    17 prill 2007
    Deklarata e SHBA-së
    Zëvendësministri i Jashtëm i ShBA-së, Nicholas Burns, në një fjalim para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington tha se, Uashingtoni e konsideronte pavarësinë si opsionin më të përshtatshëm për Kosovën.

    13 maj 2007
    Rezoluta e SHBA-së

    Një rezolutë e hartuar nga ShBA-ja iu shpërndahet shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë çon drejt pavarësisë së Kosovës. ShBA vazhdon të deklarojnë se e përkrah pavarësinë e Kosovës dhe se kjo duhet të vijë brenda muajit maj.

    8 qershor 2007
    Takimi i G8-s

    Më 8 qershor të vitit 2007 përfundon takimi i G8-s. Nuk është arritur marrëveshje për pavarësinë e Kosovës. Rusia vazhdon të jetë pengesa e vetme për pavarësinë e Kosovës. ShBA vazhdon të këmbëngulë se pavarësia është zgjidhja e vetme dhe më e mirë.

    10 qershor 2007
    Xhorxh W. Bush

    Vizita e Presidentit të ShBA-së në Shqipëri, Xhorxh W. Bush nuk do të mbahet mend vetëm sepse ishte e para e një personaliteti të tillë. Duke folur për çështjen e Kosovës, Bush bëri deklaratën historike “se rezultati përfundimtar për statusin e Kosovës është pavarësia”.

    13 qershor 2007
    Flamuri i Kosovës

    Ekipi i Unitetit shpall konkursin 15-ditor për flamurin dhe stemën e Kosovës, ku thuhet se “secili propozim duhet t’i përmbahet frymës dhe përmbajtjes së propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”.

    17 nëntor 2007
    Zgjedhjet parlamentare

    Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Këto zgjedhjet ishin të pestat që nga përfundimi i luftës në vend. U cilësuan si zgjedhjet më model.

    19 nëntor 2007
    Partia Demokratike e Hashim Thaçit del fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë me 34 për qind. E dyta renditet LDK-ja e Fatmir Sejdiut.

    9 janar 2008
    Rizgjidhet Sejdiu

    Më 9 janar 2008, Fatmir Sejdiu u rizgjodh sërish President i Kosovës. Ndërkohë që më 10 shkurt 2006, Sejdiu u zgjodh President i Kosovës si pasues i Ibrahim Rugovës.

    9 janar 2008
    Thaçi-kryeministër

    Hashim Thaçi, 39 vjeç, betohet si kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, gati dy muaj pasi Partia e tij Demokratike e Kosovës fitoi zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit.

    9 janar–16 shkurt

    Brenda këtyre 35 ditëve Kosova ka qenë nën ethet e ditës së shpalljes së pavarësisë. Ky ka qenë edhe muaji që janë kryer aq shumë negociata e bisedime se sa gjatë 95 viteve të pushtimit serb.

    17 shkurt
    Pavarësia

    17 shkurt është dita e madhe e kosovarëve. Plotësimi i datës 28 Nëntor 1912. Në orën 15:00 Kuvendi i Kosovës shpall Kosovën e Pavarur. Ëndrra shekullore plotësohet. Plasin fishekzjarrët dhe lotët e gëzimit.
    ¿Quién ganará la Champions? = BARÇA

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-07-2007
    Postime
    7
    Konferenca e Bujanit dhe Kosova

    Valmir Elezi

    Në mbajtjen e kësaj Konference vlerësoj se, ndikuan dy ngjarje të rëndësishme, ndër të shumta që kanë mundur të ndikojnë në këtë drejtim. E para, mbajtja e Mbledhjes së II të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, më 1928 në Drezden. Dhe, e dyta, thirrja e kësaj Konference ishte bazuar në parimet Kartës së Atlantikut.
    Më 1912 është shpallur pavarësia e Shqipërisë, që për shqiptarët nënkuptonte pavarësimi i të gjitha tokave shqiptare dhe inkuadrimi i tyre në një shtet të vetëm. Por, ajo që ndodhi më 1913, na bënë të kuptojmë se, pavarësimi nuk do të vlente, ndër tjerash, edhe për shqiptarët e Kosovës. Në këtë kontekst pamundësia e shqiptarëve për t’iu kundërvënë një vendimi të tillë, dhe për të dalur mbi atë vendim do të bënte që një numër i madh i popullatës dhe i tokave shqiptare të mbesin jashtë shtetit shqiptar. Kjo gjë nuk do ta qtësonte asnjëherë këtë pjesë të popullatës. Në themel të të gjitha lëvizjeve të shqiptarëve të asaj kohe qëndronte bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Problemi i bashkimit kombëtar të popullit shqiptar nuk doli për herë të parë përpara udhëheqjes së Partisë Komuniste të Jugosllavisë pas fitores mbi fashizmin. Kjo parti, duke e ndier këtë gjendje, edhe më herët ishte ndalur dhe kishte njohur, sigurisht, me objektivat që i kishte vënë vetes, të drejtën e popullit shqiptar për bashkim kombëtar. Në Kongresin e IV të PKJ që u mbajt në Drezden, më 1928, u trajtua në mënyrë të drejtpërdrejt edhe problemi kombëtar i popullit shqiptar në Jugosllavi dhe u nënvizua se, për të ‘’duhej të zbatohej parimi i vetëvendosjes deri në shkëputje’’. Me këtë rast u theksua se, realizimi i këtij parimi do të çonte në ‘’shkëputjen e pakicës shqiptare’’ (Ali Hadri, ‘’Politika kombëtare e PKJ në Kosovë’’, Prishtinë, 1974, f. 76). Poashtu në Drezden, në këtë mënyrë PKJ kishte shpallur qëndrimin e vet dhe në themel të këtij programi – qëndrimi (që do të theksohej në prag dhe deri kah fundi i Luftës së II Botërore) qëndronin karakteri kundërfashist dhe nacionalçlirimtar i luftës. Sipas këtij programi, PKJ, shpalli se do të luftonte për barazinë midis popujve dhe për të drejtën e tyre për të vetëvendosur pas triumfit mbi fashizmin. Në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës kishin parë ‘’një dritë në fund të tunelit’’ dhe se, ishin bashkangjitur në luftë kundërfashizmit të cilën e udhëhiqte PKJ, në këtë pjesë, të cilën gjë e dëshironte kjo parti pasiqë në këtë mënyrë do të inkuadronte në radhat e saj mijëra luftëtarë shqiptarë.
    Thirrja e Konferencës së Bujanit, zhvillimi dhe vendimet që ajo mori, ndër tjerash, ishin të mbështetura në parimet e politikës aleate kundërfashiste të shprehura veçantërisht në Kartën e Atlantikut. Historia na tregon se, ky dokumet është firmosur më 14 gusht të vitit 1941 në Argjentinë nga përfaqësuesit e ShBA dhe të Britanisë së Madhe, respektivisht nga presidenti amerikan i asaj kohe Franklin Rusvelt dhe kryeministri anglez Winston Churchill, që kishin për synim krijimin e një aleance kundërfashizmit. Këto vende formuluan parimet demokratike që do të viheshin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe theksuan se, asnjë modifikim, ose ndryshim territorial nuk do të bëhej pa pëlqimin e shprehur lirisht nga popujt e interesuar dhe se, çdo popull do të kishte të drejtën të zgjidhte lirisht formën e qeverisjes së tij. Në këtë dokument që nuk do të kishte karakter univerzal por, do të ishte e vlefshme vetëm për vendet dhe popujt evropianë. Kësisoj, edhe PKJ që ishte vënë në krye të Luftës Kundërfashiste në Jugosllavi, kurrsesi nuk kishte se, si t’i shmangej platformës aleate të shpallur në Kartën e Atlantikut.
    Konferenca e Bujanit u mbajt për tre ditë rresht, nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar të vitit 1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, ku pjesëmarrës, përpos shqiptarëve, ishin edhe disa serbë e malazez. Në këtë Konferencë u bë konstituimi i Këshillit Nacionaçlirimtar me 51 anëtarë dhe i kryesisë së tij prej 9 anëtarësh në përpjestim të drejtëpërdrejtë me përbërjen nacionale të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Krijimi i këtij organi të lartë vërteton njohjen faktike të njësisë së Kosovës si e barabrtë me njësitë e tjera dhe e pavarur nga çdonjëra prej tyre në kuadrin e Jugosllavisë. Dokumenti më i rëndësishëm i kësaj Konference ishte Rezoluta, e cila ishte miratuar njëzëri nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo Rezolutë ishte një akt me fuqi konstituive dhe me garanci ndërkombëtare. Tri elemente qenësore të Rezolutës në të cilat mbështetej e drejta për vetëvendosje e popullit shqiptar në Kosovë ishin, elementi etnik, historik dhe politik. Përcaktimet politike në Rezolutën e Konferencës së Bujanit kishin hasur në reagime të ashpra të kreut politik jugosllav, që qëllim kryesor ishte menjanimi i mundësisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës jashtë Jugosllavisë.
    Menjëherë pas mbarimit të Luftës së II Botërore, udhëheqja e PKJ, pasi realizoi copëtimin e territoreve shqiptare ndërmjet republikave të ndryshme brenda Federatës Jugosllave, diskutimin e problemit e përqendroi në rrugët që duheshin ndjekur për të penguar afirmimin e kombëtar të këtij populli dhe mbajtjen me dhunë brenda kuadrit të kësaj federate. Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe udhëheqësit e saj e hodhën poshtë Konferencën e Bujanit, shkelën mbi parimet e vetëvendosjes pasi duke i ardhur fundi i Luftës në Koalicionin Kundërfashist (fitues), filloi me furi lufta e nëndheshme, “Lufta e Ftohtë” e cila do të kishte krejtësisht parime të tjera nga ato të aleancës. Saqë, siç shkruante komentatori i ngjarjeve politike të pasluftës së II Botërore, Walter Laqueur, “për botën në përgjithësi pak rëndësi kishte nëse kufiri midis Polonisë dhe Çekosllovakisë ose midis Hungarisë dhe Rumanisë do të mbështetej në kufijtë etnikë apo do të ndiqte ndonjë linjë tjetër” (Walter Laqueur, “Evropa në kohën tonë 1945 – 1992”, përktheu nga anglishtja në shqip Gëzim Arapi, Shtëpia Botuese ‘’Dituria’’, Tiranë 1996, f. 29).
    Aneksimi i Kosovës në kuadrin e Republikës së Serbisë u paraqit si një rrugë që do të ndikonte në forcimin e ‘’vëllazërim – bashkimit’’. Por, a thua vallë se, mund të ndërtohej diçka e tillë duke dëmtuar të tjerët?! Them se, kjo është e ngjashme si ‘’të ndërtosh mure të kështjellës prej rëre’’! Aneksimi i dhunshëm (siç e quan profesori im, Arsim Bajrami) i Kosovës u bë më 8 shkurt të vitit 1945, nga dy dokumente ‘’tejet sekrete’’, njëri nga ta me numër 31, ku Mareshali i Jugosllavisë, Tito, kishte urdhëruar që në Kosovë e Metohi të vendoset e të shtrihet Administrimi Ushtarak, që do të ishte organ i pushtetit ushtarak e shtetëror në këtë krahinë dhe detyra kryesore e këtij pushteti do të ishte ‘’shpartallimi i forcave kundërrevolucionae’’. Në Kosovë ‘’forcat kundërrevolucionare’’ arrinin në 30 000 veta (Lefter Hasi, ‘’Ripushtimi i Kosovës, shtator 1944 – korrik 1945”, Tiranë 1994, f. 161).
    Aneksimi i Kosovës në përbërje të Republikës së Serbisë, bëri që PKJ të ‘’tradhëtoi’’ të thënat e saj para dhe gjatë Luftës së II Botërore. Por, prapëseprapë, pavarësisht nga parullat e udhëheqjes jugosllave për ‘’barazinë në mes të popujve’’, ‘’vëllazërim – bashkim’’ ndërmjet tyre, në praktikë populli shqiptar ndieu dhe provoi rrjedhojat e një politike që ishte në kundërshtim të plotë me këto pohime. Politika që u ndoq nga PKJ pas mbarimit të luftës u përshkua nga një konstante e pandryshuar antishqiptare. Shtypja kombëtare, shfrytëzimi ekonomik, diskriminimi i shqiptarëve në krahasim me popujt e tjerë të ish – Federatës Jugosllave kanë qenë dhe mbetën edhe këto ditë shkaqet kryesore të luftës së shqiptarëve në këto vise për realizimin e të drejtave kombëtare. Andaj, siç thoshte profesori i ndjerë, Fehmi Agani, në një Sesion Shkencor të mbajtur në Tiranë me rastin e 50 vjetorit të Konferencës së Bujanit se, kërkesat politike të shqiptarëve, qofshin kërkesa për zgjerim e thellim të autonomisë ose ato për Republikën e Kosovës (1968, 1981), kërkesa për mbajtjen e autonomisë kur kjo ishte e rrezikuar më 1988-1989, si dhe kërkesa për pavarësi të plotë të Kosovës, në kohën kur hegjemonizmi serb rrënoi autonominë dhe pushtoi Kosovën, të gjitha këto kërkesa me të njëjtën të drejtë gjejnë jo vetëm inspirim, por, edhe mbështetje në Konferencën e Bujanit dhe në vendimet e saj.


    Kjo ese eshte marre nga Gazeta 55, Tirane. korrik 2008

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-07-2007
    Postime
    7
    Komentoni....

    Te fala
    Engjulli nga Prishtina

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  3. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •