Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Flet publicisti dhe kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji

    “Rama do largohet shpejt nga politika shqiptare, nuk ka rezistencë psikologjike ta përballojë”


    Nga Mero Baze

    Flet publicisti dhe kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji







    Së fundi jeni shfaqur më shumë në tribuna se në media. A është ky një pasion i ri apo i momentit?




    Jetojmë mjerisht në mes të një kohe që më të turbullt nuk ka si të jetë. E turbullt dhe me falsitet deri në kockë. Kornizat mediatike të ekraneve më duken tejet të ngushta dhe shpesh tejet të kontrolluara për të luftuar kundër procesit të leckëzimit të popullit shqiptar. Sot, duhet një përgjigje radikale ndaj një të keqeje që po përparon dhe priret të kalbëzojë krejt sistemin shtetëror, ndonëse ky sistem i pashëndetshëm ka qenë gjithmonë. Është një zgjedhje besoj afatgjatë pozicionimi në vijën e parë. Jo detyrimisht nëpër tribuna, por betejave politike, po. Ka perënduar tashmë koha e fjalëve të kadifenjta dhe sintaksës së mëndafshtë. Sot, Shqipëria është një vend i rrezikuar dhe shqiptarët që kanë optikën ta shohin këtë rrezik, nuk mund të bëjnë sehir apo të qesëndisin tavolinave të begata politikën e sotme xhahile.

    Nuk kam iluzionin se e djeshmja ka qenë parajsë dhe e nesërmja do të jetë xhenet, porse aroma e rëndë e paradiktaturës nuk ka kutërbuar kurrë më shumë se sot, pavarësisht kostumeve të bukura dhe të shtrenjta të Berishës dhe parfumeve prej femrash që përdorin ministrat e tij.







    Po udhëhiqni një Komitet për Mbrojtjen e Kushtetutës, i cili ka një objektiv të rrezikuar nga kapriçot juridike të injektuara politikisht në Kushtetutë. Sa shpresë keni të ndani përfitimin politik nga kjo nismë, i cili mund të jetë i madh, nga bilanci negativ që mund të ketë objektivi i kësaj nisme?




    Kushtetuta në të gjithë botën e qytetëruar konsiderohet një testament, një akt që hipotekon të drejta të patundshme dhe themelore të një populli. Ta shpërdorosh atë, ta tjetërsosh në thelbin e vet, pa pyetur popullin, pa e thirrur “Sovranin”, të shprehë sovranitetin e vet, do të thotë ta kesh dhunuar këtë testament. Do të thotë të kesh grabitur dhe vjedhur shqiptarët nga një e drejtë, që është nëna dhe baba e të gjitha të drejtave dhe kjo është një paturpësi sa komuniste, aq edhe fashiste.

    Është paturpësia klasike e diktaturave, të cilat gjithmonë gjarpërojnë drejt pushtetit absolut, me mjete në thonjëza legale, por duke përjashtuar de facto popullin, duke e marrë të mirëqenë që ai s’ka pse pyetet, se ai është bagëti dhe duhet të ndjekë kokulur dhe duke blegërirë shefat që vendosin për të dhe pse jo, edhe në emër të tij, pa e pyetur atë. Kjo është arrogancë kafshërore dhe e pistë. Ne si Komitet kemi korrur një sukses të rëndësishëm. E kemi shqyer thesin me erë të rëndë që ndrynte brenda këtë fëlliqësi, e kemi shqyer dhe e kemi zbrazur në tryeza publike, ekraneve dhe tribunave. Kemi akuzuar dhe denoncuar këtë komplot, që u ngjiz, nuk di se ku, dhe polli natën e 21 prillit amendimet më perverse ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Një martesë e beftë politike, më spektakolare se e Karla Brunit me presidentin francez, Sarkozy, lidhi zotin Berisha me zotin Rama. Unaza e turpit e kësaj martese politike, kuptohet, ishte ruajtja e pushtetit në cilëndo rrethanë, njeri në bashki dhe tjetri në Kryeministri. Dhe “paja” e Ramës, që i blatoi Saliut, ishin amendimet kushtetuese, një kamerdare “in ekstremis“, për të shpëtuar qeverinë ‘Berisha’ mbas krimit shtetëror të Gërdecit.

    Nga Berisha kjo pritej, kurse nga Rama, jo. Ngatërresa e tij në këtë zymtësi më ka lënë pa gjumë për net të tëra, nuk e mendoja se Edi për pushtetin mund të jepte edhe grimën e fundit të ngrehinës së tij politike, së paku të fasadës së saj. Mjerim i madh kjo që ka bërë, ndonëse besoj se thellë-thellë, ai e vuan, por sa para bën, e keqja u krye dhe pas kësaj mjaft të tjera..

    Por, le të kthehemi te “Komiteti”. Këtë skandal antikushtetutor dhe antipopullor, kuzhinierëve që e gatuan, ua kish ënda ta mbanin të fshehtë, brenda kornizës së bashkëpunimit bilateral midis dy forcave të “mëdha” politike, brenda kornizës së dialogut. Ne e thyem këtë kornizë. Nuk është shumë, por nuk është edhe fare pak. Me kërkesat tona legale ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor, ne në mos tjetër diagnostikuam edhe njëherë sa rëndë është gjendja e këtij shteti-pacient dhe ndodhi ajo që kishim parashikuar, edhe në KQZ, votat e socialistëve dhe të demokratëve ishin një votë. Populli, zero.

    Porse për këtë së paku populli u informua, le t’i gjykojë ai hajdutët e së drejtës së tij, e së drejtës së referendumit të munguar të deritanishëm. Sepse vetëm populli drejtpërsëdrejti duhet të vendosë për tapinë e vet konstitucionale.







    Po angazhoheni përkrah Ilir Metës, një politikani, me portretin e të cilit keni pasur problem, sa herë e vizatonit disa vite më parë, në raport me Fatos Nanon. Çfarë mendon se ka ndryshuar tek ai apo te ju që të na bindë se raporti juaj si aleat politik është i natyrshëm?




    Pyetja e juaj është e saktë dhe pikante. Ilir Meta ishte dhe është një akuzator radikal i gjithë kësaj që rrëfeva më lart dhe kjo është pika më e rëndësishme që na lidh. Është një lidhje mbi një imperativ politik dhe moral, të ndalojmë marshimin autoritarist të pushtimit të institucioneve, të mbrojmë Kushtetutën e shqiptarëve dhe të thyejmë monopolin politiko-ekonomik të një kaste të re, që po hedh rrezikshëm shtat në Shqipëri. Edhe ju, zoti Baze, jeni një akuzator radikal i kësaj kaste dhe e kuptoni mirëfilli këtë që po them. Pra, natyrshmëria e aleancës politike lindi nga emergjenca e pazakontë e krijuar së fundi në Shqipëri. Është më e rehatshme, nga ana njerëzore apo mikroborgjeze, të rrish nën hijen e ombrellës së Berishës apo në hiret bashkiake të Ramës se sa të bësh aleance me një pakicë të momentit, por që ka kapur dhe bërë të vetin thelbin e shqetësimit të shumicës. Të asaj shumice që sot nuk e lë të shprehet. Unë dhe Ilir Meta jemi në një mendje për këtë dhe kjo sjell rritje të forcës goditëse ndaj kastës, dhe ju bëj me dije se nuk jemi pak.







    Nëse shtyhemi pak më tutje në kohë, nuk shmangim dot nga biseda Fatos Nanon. Keni thënë dikur se ju ka bërë për vete me fuqinë e tij për të prodhuar lëvizje brenda së majtës dhe për t’i përmbledhur të gjithë, me një të rënë, kundërshtarët e tij në parti që rrezikuan demokracinë dhe qeverisjen e së majtës. Sa besoni sot te Fatos Nano?




    Këto që citoni nuk i kam thënë asnjëherë kështu. Fatos Nanon e kam njohur nga afër, në ditë të vështira për të, politikisht e kam fjalën. Idetë e tij ndodheshin në një pakicë të skajshme, por kjo i bënte ato më intriguese. Në atë periudhë, shpejt mbas ‘97, ‘grushtshtetit berishian të ‘98 dhe luftës së Kosovës së ‘99, Nano të habiste me aftësinë për të gjeneruar tolerancë, dukej një specie e një lloji tjetër, që aksidentalisht kishte hyrë në politikën shqiptare. Ishte më shumë një tirons, që kishte pothuajse bezdi nga mbikulturimi i vet qytetar dhe që kishte po aq bezdi nga të pakulturuarit që mbanin kostum të zi dhe çorape të bardha.

    E majta shqiptare duhej reformuar së brendshmi dhe së jashtmi, dhe unë mendoj se Nano e dekomunistizoi kënaqshëm këtë të majtë, për arsye se Fatos Nano ishte dhe është shumë më pak ish-komunist se Sali Berisha. Shikoni Partinë Demokratike, është vetëm një repart ushtarak, ku ka vetëm një gjeneral, të tjerët mbeten vetëm rreshterë.

    Unë mendoj se këto dy vjetët e fundit Nano “ka hapur krahun” dhe, si më ka thënë në një bisedë, “ka prerë biletën në rreshtin e parë për të parë” teatrin e sotshëm politik.







    Nëse e shihni nga sot lëvizjen e tij për katarsis brenda PS në vitin 2001-2002, i jepni të drejt atij apo Ilir Metës që u bë viktimë e asaj lëvizjeje?




    Lëvizja për katarsis e atyre viteve ka qenë një lëvizje politike interesante, por nuk mbërriti qëllimet që i kishte vënë vetes. Ajo nuk drejtohej kundër Ilir Metës, por përfshiu edhe Ilir Metën. Ishte një dialektikë politike që synonte balancën e pushteteve brenda së majtës. U bënë ndoshta dhe teprime, porse mendoj se në thelb tregoi forcën e së majtës në luftën e vet drejt një identiteti të ri. Ilir Meta sot, është shumë më politikan i zoti dhe shumë më i vetëdijshëm se në vitin 2001. Në fund të fundit, ajo eksperiencë, me gjithë nuancat e hidhura personale që kishte, e rriti individualisht dhe politikisht atë.







    Nëse e zhvendosim lëvizjen e Nanos brenda shumicës së sotme, a do të ishte Berisha i besueshëm për një nismë të tillë, meqë kredencialet e qeverisë kanë rënë, për shkak të rritjes së perceptimit popullor se ajo është e korruptuar?




    Është një përqasje teorike shumë e vështirë. Mendoj se Berisha është një qenie politike mjerisht e pakorrigjueshme. Ai ka krijuar detashmentin e tij ushtarako-partiak, ku, kush mendon ndryshe, dënohet nga gjyqi ushtarako-partiak dhe asgjësohet si armik. Partia Demokratike është një parti staliniste, ajo do të mund të reformohet, vetëm kur të largohet Stalini i saj.







    Një nga tezat kryesore politike të opozitës së Ilir Metës është se Sali Berisha dhe Edi Rama kanë një pakt politik për të deformuar rrotacionin politik në Shqipëri. Deri ku e besoni këtë tezë?




    Nuk e besoj këtë tezë, por jam i bindur në vërtetësinë e këtij realiteti dhe kam mbërritur në këtë përfundim paralelisht me Metën, si dhe me mjaft kolegë e analistë të tjerë. Duket qartë komunikimi i Ramës me Berishën. Nuk është një komunikim tryezash të hapura, por një dialog përmes korrierësh të besuar. Dy-tre biznesmenë kryesisht. Kanë bërë një pakt të dukshëm mossulmimi dhe merren vesh e koordinohen për gjërat më kryesore. Shikoni se si po veprojnë së fundi me Kodin Zgjedhor. Duan t’i përjashtojnë të gjithë dhe të ndajnë tortën e pushtetit vetëm ata të dy. Sepse për ata, pushteti është tortë, që hahet dhe që ndahet për t’u shijuar dhe vetëm kaq. Të tjerat janë teatër për konsum të popullit që e dinë për “sylesh”. Por mendoj se edhe shqiptarët janë nuhatës të mirë.







    Çfarë mund ta ketë bindur, sipas jush, Edi Ramën që t’i miratonte ndryshimet kushtetuese, të ofruara nga Berisha?




    Nuk mund ta di konkretisht, madje mund të them se jam akoma nën peshën dhe efektin e habisë për këtë sa ndodhi. Është një kapitullim nga ndonjë frikë e fshehur apo një marrëveshje bizantine? Di të them se rezultati është i tmerrshëm, përfitimet e Berishës, të pallogaritshme, diskreditimi i Partisë Socialiste, tejet i thellë. Humbja e prestigjit demokratik të vendit dhe sidomos përparimi i marshimit autoritarist të Berishës drejt kapjes së institucioneve dhe nënshtrimit të institucioneve ka hapur më 21 prill, dhe falë zotit, Rama, portën e një rreziku shumë të zymtë antidemokratik.







    Po Berishën çfarë mund ta ketë joshur nga oferta e Edi Ramës për të bashkëpunuar me të?




    Cila ofertë? Është në gjendje Edi Rama të bëjë oferta? Ai vetëm pranon oferta nga Berisha dhe i përmbush ato.

    E shikoni se kjo opozitë socialiste vetëm opozitë nuk është? Nuk flasin as për Gërdecin më, as sa për të shpëlarë gojën përpara familjarëve të viktimave, të plagosurve dhe të pastrehëve. Dhe kjo është dhimbje e madhe qytetare. Nëse ne ankohemi natë e ditë për drejtësinë tonë të Padrejtë, cili është mesazhi që i vjen drejtësisë nga politika? Kur politika vrau në Gërdec? Kur politika vodhi pasurinë e shqiptarëve në Gërdec? Dhe, kur politika, nënkupto në këtë rast PD dhe PS, bëhen bashkë për të fshehur krimin shtetëror të kryer në Gërdec? Zoti na ruajtë nga kjo gjendje, ndjehemi të gjithë të pasigurt!







    Ka akuza absurde ndaj Partisë Socialiste në opozitë, që ajo është aleate e PD dhe duket sikur PS nuk do të vijë në pushtet, sipas këtyre akuzave. Sa mendoni se njerëzit besojnë, se një opozitë kërkon të rrijë në opozitë për shkak të interesave të vogla?




    Unë mendoj se ky absurd po ndodh në teatrin e politikës shqiptare. Njerëzit po shohin, është mirë të besojnë që, kur bëhet fjala për pushtet e pará, ndodhka edhe ajo që ju e quani absurde.







    Si e shikon Shqipërinë me Edi Ramën kryeministër?




    Nuk besoj se Edi e sheh veten kryeministër. Po të ishte se e shihte, do të vepronte politikisht ndryshe. Rama do të largohet shpejt nga politika shqiptare, nuk ka rezistencë psikologjike ta përballojë. Do të blejë diku ndonjë ishull dhe do bëjë jetën e tij.







    A mendoni se përbën rrezik influenca e tij e madhe në media dhe aftësia për t’i kontrolluar ato?




    Ai nuk ka vetëm aftësinë teorike për të kontrolluar mediat, porse, fatkeqësisht, kontrollon de facto shumë prej tyre. Këtë e kuptova mirëfilli dhe në kurriz, kur filloi punë Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Na quajtën Komiteti i Shpëtimit, Komiteti i Metës… dhe kurrkund nuk hapeshin hapësira të plota televizive për pasqyrimin e këtij evenimenti.

    Ka TV që nuk kanë dhënë asnjë sekondë të deklaratave tona, si për shembull “News 24” e Babaramos dhe “A1” i Kokëdhimës. Kuptohet as “Gazeta Shqiptare”, as “Zëri i Popullit”, as “Shekulli” dhe as “Rilindja Demokratike”. Besoj nuk ka nevojë për koment.







    Partia Socialiste është përtërirë në ekipin e saj drejtues dhe duket qartë se kemi gjithnjë e më pak njerëz politikë në krye të saj. A shpreson se mund të funksionojë një parti vetëm me një kryetar dhe ekspertë?




    E përse duhet të funksionojë? Detyra e saj hëpërhë është vetëm të heshtë dhe të mos shqetësojë Berishën në bëmat e tij.







    Çfarë mendon se do të përcaktojë zgjedhjet e ardhshme, fryma kundër qeverisë apo besimi te lidershipi i ri i PS?




    Zgjedhjet e ardhshme janë të rëndësishme. Ato duhet të ulin sërish në stolin e opozitës Sali Berishën, që të marrë pak frymë e të “çlodhet”. Tanimë u kuptua katërcipërisht se Berisha dhe stafi i tij erdhi në pushtet për të marrë, për të marrë shumë, dhe jo për të dhënë. Porse nuk do të jetë PS surpriza e zgjedhjeve të ardhshme, por mendoj formacione të tjera politike.







    Nëse ndodh një aleancë mes Ilir Metës dhe Fatos Nanos, sa mendoni se do të trondiste Partinë Socialiste tradicionale?




    Nuk besoj se do ta trondiste, por do ta gëzonte bazën e Partisë Socialiste. Megjithatë, mendoj se nuk ka zëra të besueshëm që kjo mund të ndodhë hëpërhë.







    Fatos Nano është shumë i ri për të qenë pensionist në politikë. A mendon se një e majtë në pushtet i ka borxh atij mandatin e Presidentit të Republikës pas ndryshimeve të fundit kushtetuese?




    Fatos Nanon është mirë që e lanë gjallë dhe që e nxorën nga burgu. Sot, shumë miq sahanlëpirës i kanë kthyer krahët sërish. Institucioni i mirënjohjes është institucion që ne shqiptarët nuk e kemi krijuar akoma. Kush ishte politikisht Edi Rama pa ftesën dhe mbështetjen fillestare dhe jo vetëm fillestare të Fatos Nanos?

    Tani ai e quan atë politika e vjetër dhe në krah të djathtë ka një më të vjetër në moshë dhe në politikë. Berisha është i rrethuar nga ish-SHIK-sat, që i mbron si djemtë e tij, Rama ka për mbështetës babaxhan një ish-ministër të Brendshëm. Ky është realiteti dhe Nano e njeh mirë këtë, prandaj dhe i rri larg me zgjuarsi. Por, përkohësisht besoj.







    Nëse Edi Rama bëhet deputet në vitin 2009, kush mendon se do të promovohet si kandidat për Bashkinë e Tiranës?




    Nuk e kam idenë. Bashkia e Tiranës e betonoi kryeqytetin, e kreu pra funksionin e vet të radhës. Rama i ka dhënë pothuajse të gjitha lejet monstruoze të mundshme të ndërtimit. Tirana po vdes nga smogu dhe nga densiteti i stërmadh i betonit, në kurriz të hapësirave të gjelbra. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe nuk di ku t’i shpie të luajnë. Të tjera premtoi Edi dhe krejt të tjera bëri, prandaj dhe banon në Pezë, për t’iu shmangur smogut dhe ndotjes që ai vetë e shumëfishoi.







    Së fundi, një grupim i patestuar politik, G99, ka pretendime ambicioze për të qenë pjesë e koalicionit opozitar. Sa mendoni se janë të instaluar në infrastrukturën e sotme politike këta të rinj?




    Është ende shpejt për ta thënë. Duken të këndshëm, të veshur mirë dhe të financuar mirë, kjo është premisë pozitive. Më habitën që nuk nxorën asnjë fjalë nga goja për referendumin e munguar për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Ata thonë se kanë në qendër të vëmendjes së tyre politike qytetarin, por a ka shqetësim më qytetar se Kushtetuta?

    Me sa duket, nuk kanë dashur të prishin humore të ndjeshme në këtë sferë dhe ky nuk është një fillim interesant, por nuk dua t’i paragjykoj.







    Erion Veliaj, që kur është bërë i njohur si lideri i “MJAFT”, ka patur targete të ndryshme për të goditur, fillimisht Fatos Nanon dhe mbështetësit e tij, pastaj Sali Berishën dhe njerëzit e tij. I vetmi njeri i pasulmuar kurrë prej tij mbetet Edi Rama. Është ky pakt mossulmimi, një adhurim personal apo produkt i ndonjë marrëveshjeje të nëndheshme?




    Mendoj se pyetja e ka përgjigjen brenda. Targeti i tyre politik, që u godit me ashpërsi patologjike, ishte Fatos Nano. Nuk pamë të njëjtën gjë me Berishën ose e pamë shumë, shumë zbehtë. Me sa duket, detyra e tyre politike ishte asgjësimi i Nanos, pra hapja e udhës së lidershipit të Partisë Socialiste. Megjithatë, unë mendoj se Veliaj do ta kapërcejë këtë fazë, ai dhe 98 të tjerët janë ambiciozë, të aftë e të shkolluar. Nëse kanë pasur një Usta, si thonë kundërshtarët e tyre, Ustai duhet t’i ketë frikë më shumë se Berisha.







    Sidoqoftë, G99 është një ofertë e re e së majtës, ndërkohë që e djathta është krejt e zhytur në një kënetë, ku nuk lëviz asgjë. A mendon se një lëvizje e re nga e djathta, realisht jashtë ndikimit të Berishës, mund të prodhonte politikë në këto moment?




    Sigurisht që po, por nuk po duken në horizont. E djathta pësoi një tragjedi të dytë këto vitet e fundit. Mbas asgjësimit ekonomik dhe fizik, gjatë komunizmit, u falsifikua dhe u tradhtua paq nga ish-komunistët, si dhe ish-sigurimsat e “djathtësuar” befas.

    Ky është një nga mëkatet e rënda të Sali Berishës, ai në thelb mashtroi dhe më pas u tall me emocionet dhe të drejtat e nëpërkëmbura të tyre. Prandaj dhe më duket politikisht bajate një e ashtuquajtur ish- e persekutuar si Jozefina Topalli. Ajo i di shumë mirë këto gjëra, por bën megjithatë e nënshtruar lojën e ish-komunistëve dhe ish-sigurimsave. Dhe ngre edhe tonet, bën edhe show. Një komedi për të qarë ose, së paku, nëse Berishën e bën të qeshë, mua jo.

    E djathta? Ajo është varfëruar dhe jeton përgjithësisht në mjerim. Pasuria ka hedhur shtat gjetkë. Ju zoti Baze e dini më mirë se unë, ku.







    Kur flasim për angazhime të shoqërisë civile në politikë, të gjithë kemi parasysh një kufi, përtej të cilit nuk kalohet. A ke një kufi në mendje, deri ku do të shkosh apo mendon se politika është stacioni i fundit?




    Politika është një stacion i rëndësishëm. Unë jam i mendimit se sot, krijimi i një Kaste të gjithëpushtetshme, njerëzish të paprekshëm, është një rrezik për vendin.

    Ka grupime politike dhe biznesi me pasuri përrallore për një vend si Shqipëria. Të kallin datën me etjen e tyre të pakufishme për pará, por edhe për pushtet absolut që të garantojë mirëqenien e tyre. Kështu që janë bërë të vetëdijshëm që iu intereson një e ashtuquajtur paqe sociale, në mënyrë që të numërojnë dhe gëzojnë paratë e tyre në qetësi. Kjo është një frymë diktatoriale, sepse vetëm një diktaturë garanton qetësinë e duhur që të bësh gjithçka të duhet, dhe vetëm të duartrokitesh. Ky monopol duhet goditur sa nuk është vonë dhe politika është një mjet shumë efikas për ta bërë këtë.







    Nëse do t’ju ofronte një vend thuajse të sigurt në listat e kandidatëve për deputetë Rama Berisha, Meta, ose Nano, nëse del më vete, kë listë do të zgjidhje?




    Është pyetje e parakohshme. Me Berishën sigurisht që jo, as me Ramën.







    Ju vini nga një familje që ka kontestuar, së paku dhe me biografinë e saj, komunizmin. Babai juaj, Petro Zheji, është një nga muzeumet e gjallë të kontestimit të regjimit. Si u gjende mes të majtës pas vitit 2000, mes një të majte që familja jote s’do të ndjehej rehat?




    Petro Zheji është një mendimtar i madh dhe, ta kesh për baba, është lumturi e madhe, por edhe peshë e madhe. Ai është një patriot që do mbi të gjitha dhe mbi gjithçka Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai e di mirë se kufijtë midis së Majtës dhe së Djathtës, janë kufij të rremë. Miqtë e tij ai i ka zgjedhur kryesisht për kah karakteri, për kah dijet dhe për kah shqiptarizmi. Kush është për triumfin dhe njohjen e madhështisë së gjuhës shqipe, është miku i tij dhe një shqiptar i mirë.

    Por në këtë vend të drejtuar dhe të zymtuar nga shpirtra biologjikë që duan pushtetin e rrafshët të vdekatarit të rëndomtë, kush ka kohë të kthejë sytë nga një Kalorës vetmitar, që zbulon dhe ruan thesaret e vërteta universale të shqiptarëve?

    TeMa

  2. #2
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    TemA

    Kryeministri kërcënon me vdekje deputetin, mediat e censurojnë
    Nga derstandard.at

    Agjencia prestigjioze gjermane citon kërcënimin e Berishës ndaj Ballës: “Unë të vras”.

    Por, sipas gazetës austriake “Standard”: “Në shumë media shqiptare online, kërcënimi me vrasje i Berishës nuk gjendet gjëkundi. Vetëm TemAonline njofton se Balla ka folur vetë për kërcënimin me vrasje dhe publikon njëkohësisht citatet e seancës”. Më poshtë gazeta boton tekstin e kësaj gazete.


    Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka ndërmarrë disa ndryshime në qeveri. Por këto lëvizje në kabinet u shoqëruan nga një debat i ashpër i tij me një deputet të socialistëve në opozitë, në parlament, natën e së martës. Sipas agjencisë DPA, “Deutsche Presse-Agentur”, Berisha ka kërcënuar Taulant Ballën se do ta vrasë.

    “Ti duhet ta dish se unë të vras”, - ka thënë kryeministri, sipas DPA. “Ti nuk do të vish më i gjallë në parlament. Unë do të të vras!” Më pas, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të kryeministrit, Sali Berisha, ndërpreu transmetimin live të seancës.

    Në shumë media shqiptare online, kërcënimi me vrasje i Berishës nuk gjendet gjëkundi. Vetëm TemAonline njofton se Balla ka folur vetë për kërcënimin me vrasje dhe publikon njëkohësisht citatet e seancës.

    Më pas mediat shqiptare, të cilat debatin në parlament e riprodhojnë në mënyrë të pjesshme, raportojnë se Balla u ngrit në debatin që ishte për buxhetin, dhe foli në lidhje me emërimin e Anila Godos si ministre e re e Shëndetësisë.

    Kjo është vajza e shkrimtarit, si dhe themeluesit dhe njërit prej deputetëve më të hershëm të Partisë Republikane, Sabri Godo.

    Balla tha se Berisha tashmë do të ketë sherr në shtëpi pas emërimit të Anila Godos: Tashmë edhe vetë vajza e Berishës pretendon një post në qeveri. Ai foli dhe për një kryeministër mashtrues. Sipas shumë raportimeve të mediave, Berisha i nevrikosur sulmoi verbalisht familjen e Ballës, duke deklaruar se motra e Ballës merret me prostitucion. Topalli më pas i hoqi fjalën Ballës dhe e pezulloi nga parlamenti për 15 ditë; ajo ndërpreu dhe seancën.

    Më pas erdhi dhe reagimi kritik i opozitës ndaj Berishës: shefi i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se rasti në fjalë tregonte primitivizmin e shefit të qeverisë.

    Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-kryeministri, Ilir Meta, kërkoi që të ndërpritet dialogu me kryeministrin, derisa ai të kërkojë falje.


    * Marrë nga gazeta e njohur austriake “Standard”. Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Titulli në origjinal: Kryeministri shqiptar kërcënon deputetin me vdekje

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ne dy metrot interviste te zhejit tek merua tashme i edvinit.. ka vetem nje xhavahir..

    ja cthote zheji..

    --

    Nëse Edi Rama bëhet deputet në vitin 2009, kush mendon se do të promovohet si kandidat për Bashkinë e Tiranës?




    Nuk e kam idenë. Bashkia e Tiranës e betonoi kryeqytetin, e kreu pra funksionin e vet të radhës. Rama i ka dhënë pothuajse të gjitha lejet monstruoze të mundshme të ndërtimit. Tirana po vdes nga smogu dhe nga densiteti i stërmadh i betonit, në kurriz të hapësirave të gjelbra. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe nuk di ku t’i shpie të luajnë. Të tjera premtoi Edi dhe krejt të tjera bëri, prandaj dhe banon në Pezë, për t’iu shmangur smogut dhe ndotjes që ai vetë e shumëfishoi.


    ------


    mir e tha zheji ..por e thote shum vone..
    dujsiv.. mos beni sikur jini trembur nga berisha se mo ju vret taulantin e hakmarrjes..
    lerini filmat o derman..

    lol

  4. #4
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    ne dy metrot interviste te zhejit tek merua tashme i edvinit.. ka vetem nje xhavahir..

    ja cthote zheji..
    --
    Nëse Edi Rama bëhet deputet në vitin 2009, kush mendon se do të promovohet si kandidat për Bashkinë e Tiranës?

    Nuk e kam idenë. Bashkia e Tiranës e betonoi kryeqytetin, e kreu pra funksionin e vet të radhës. Rama i ka dhënë pothuajse të gjitha lejet monstruoze të mundshme të ndërtimit. Tirana po vdes nga smogu dhe nga densiteti i stërmadh i betonit, në kurriz të hapësirave të gjelbra. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe nuk di ku t’i shpie të luajnë. Të tjera premtoi Edi dhe krejt të tjera bëri, prandaj dhe banon në Pezë, për t’iu shmangur smogut dhe ndotjes që ai vetë e shumëfishoi.
    ------
    mir e tha zheji ..por e thote shum vone..
    dujsiv.. mos beni sikur jini trembur nga berisha se mo ju vret taulantin e hakmarrjes..
    lerini filmat o derman..
    lol
    mo je gje buburec qe i di nga sajohen ushezimet per salen ...

    apo i kane hequr veshin per perdorim te larte ilaçesh ...

    une kam nje mejtim ...

    sales i kane thene qe vitin e ardhçem, rotacioni do te vere edin krieminister ...

    saline nuk e ze vendi prej merakut ... ndaj beri pazar me godon ...

    e mira eshte qe te kandidoje per krietar bashkie ne tirane ... kur ta leshoje edi ...

    dhe smogu do te ike ... tolerance zero ndaj betonit, se korrupcionit i rruajtet bishtin, dhe e moret pjesen tuaj ...

    provoje nje here mer buburec ...

Tema të Ngjashme

  1. Nikoll Lesi rreth vetes dhe Mafies socialiste
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 13-01-2016, 16:09
  2. Lidhja e dytë e Prizrenit
    Nga shendelli në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 18-12-2011, 11:46
  3. Gjilani
    Nga cod3r në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 10-05-2009, 13:18
  4. Përgjigje: 98
    Postimi i Fundit: 26-12-2007, 20:14
  5. Vet)Vrasja e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 08-05-2006, 17:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •