Alma Mile
Fri, 18 Jul 2008 12:34:00

Ndodh rëndom që kur lexojmë letërsi të huaj pak kujtohemi për shqipëruesin. Janë në prapaskenë, edhe pse pa ata librat nuk do të ekzistonin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkthyesit e librit të shkruar në një hapësirë kohore shumëshekullore (1300 vjet para Krishtit e deri 100 pas Krishtit), Biblës. Emrat e të parëve që guxuan të sjellin në shqip shkrimet e shenjta, u gdhendën në kohë, pasi u bënë edhe dokumentuesit e parë të shqipes së shkruar, ndërsa ata që erdhën më pas, edhe pse përsosën artin e përkthimit dhe të gjuhës shqipe, mbetën në hije. Kjo është arsyeja pse Dom Nikë Ukgjini, autor i disa dokumentarëve për patriarkët e shqipes, realizonnjë tjetër historik për të gjithë ata që sollën shkrimet e shenjta në shqip. “Heronjtë e librit”, i prodhuar nga studio “Ukgjini” në Shkodër, është me regji të Tonin Ujkës, skenar të Stefan Çapalikut, zgjat 30 minuta. Filmi, përveç frymës dokumentare, ka edhe një linjë të rindërtuar me aktorë dhe figurantë.

Në krye të herës është Shën Pali, “Prometeu” i krishterë në tokën shqiptare (Ilirik) gjatë viteve 50 pas Krishtit, dhe pas tij vjen një tjetër figurë e rëndësishme, Shën Jeronimi nga Stridoni i Ilirisë (shek IV), i cili qe përkthyesi i Biblës në gjuhën latine, të quajtur ndryshe Vulgata.

Pas prezantimit të botës së krishterë, tregohet për udhën e heronjve të librit në gjuhën shqipe. Fjalët e para ungjillore në shqip, të cilat mbajnë firmën e Kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit, paraqiten përmes një inskenimi: “Unte paghesonte premenit Atit et birit et spertit senit”, që daton 8 nëntor 1462 dhe që i prin momentit shumë të rëndësishëm të shkrimit shqip, tek libri i parë liturgjik, “Meshari” (1555) i Gjon Buzukut, rolin e të cilit e luan aktori Gjovalin Gjoni.

Autorë të tjerë vijnë bashkë me kohën. Pjetër Budi, ipeshkëv i Sapës dhe i Sardës me veprat e tij “Doktrina e krishterë”, (Romë 1618), “Pasqyra e të Rrëfyemit” dhe “Rituali roman” (1621), Frang Bardhi, ipeshkëv i Sapës, një nga nistarët e shquar të gjuhës shqipe, Pjetër Bogdani, ipeshkëv i Shkodrës dhe më vonë i Shkupit si figurë e spikatur e letërsisë së vjetër shqipe, me veprën “Çeta e Profetëve”, botuar në Venedik më 1685. Sipas Dom Nikës, dokumentari i flet botës gjithëshqiptare, ndaj edhe nuk janë lënë jashtë listës së “heronjve” edhe disa nga autorët e botës arbëreshe, apo autorët e kishës Ortodokse shqiptare, të cilët kanë përkthyer tekste biblike e libra liturgjikë.

Ndër arbëreshët veçohet Lekë Matrënga, klerik nga bashkësia arbëreshe e Siçilisë dhe përkthyes i veprës, “E mbsuame e krështerë”, (1592) dhe Jul Variboba me veprën “Gjella e Shën Mëris Virgjërë”,1762. Pavarësisht rrasos katolike, në filmin dokumentar të dom Nikë Ukgjinit, përkthyesit ortodoksë kanë peshë të veçantë. Si teksti më i vjetër i traditës fetare ortodokse, paraqitet “Anonimi i Elbasanit”, i gjetur në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Ky përkthim në albanologji njihet si dorëshkrim i moçëm elbasanas, i përgatitur nga një meshtar i ritit ortodoks, si një predikim i lirë, prej 59 faqesh. Dorëshkrimi mendohet të jetë i shek. XVII-XVIII. Vangjel Meksi dhe Grigor Gjirokastriti paraqiten në film në lidhje me përkthimin dhe botimin e disa teksteve integrale të Dhiatës së Re (1760-1823) botuar në vitin 1821 dhe botimit të “Ungjillit sipas Mateut”, në Korfuz 1824. Në vazhdën e këtyre përkthimeve në dokumentar bën pjesë edhe Teodor Haxhifilipi (Dhaskal Todhri), për të cilin Georg fon Hahn ka thënë se “i përktheu të dy dhiatat”, por edhe vepra të tjera fetare, që janë ruajtur në mënyrë të pjesshme, të cilat u dogjën nga pushtuesit në vitin 1827.

Një vëmendje të veçantë dokumentari i kushton rilindësve, të cilët duke qenë të ndikuar nga iluminizmi evropian u dhanë hov përkthimeve biblike. Përmendet Naum Veqilharxhi i cili botoi të parën abetare shqip, “Evetarin” që përmban fragmente të historisë së shenjtë 1844. Pastaj Kostandin Kristoforidhi, që sipas Ukgjinit është gjuhëtari më i madh i Rilindjes shqiptare dhe përkthyes i krejt Dhiatës së Re gegërisht më 1872, dhe toskërisht më 1879, përkthyes i pjesës më të madhe të Dhiatës së Vjetër dhe i disa librave shkollorë për mësim feje. Një paraqitje e veçuar në dokumentar i bëhet figurës së shumanshme të Fan Nolit dhe episodi që i kushtohet atij fillon me zërin origjinal të vitit 1962, dhe vazhdon me paraqitjen e veprave të tija liturgjike në gjuhën shqipe të botuara në Boston dhe Bruksel.

Hapësirë e konsiderueshme u lihet disa autorëve veriorë, të cilët në përkthimet biblike ishin vazhdues të traditës buzukiane si Atë Anton Xanoni i cili përktheu “Ungjillin e Jezu Krishtit mas Sh’Matheut”, i botuar në Shkodër, 1915. Ndre Mjeda, i cili përkthente ndër të tjera edhe libra fetarë dhe teologjikë. Botoi, “Historia Shejte” në Vjenё, 1915 “Katekizmi i Madh”, përmbledhje e shkurtër e mësimit tё krishterë, nё 4 vëllime, Shkodër 1927 etj.. Ndërsa nga autorët në mërgim, të cilët për shkak të diktaturës komuniste jetuan larg Shqipërisë, dokumentari veçon Dom Zef Oroshin, i cili solli në shqip librin “Katër Ungjijt” dhe “Punët e Apostujve”, Romë 1960, dhe Atë Danjel Gjeçaj, i cili përktheu dhe zhvilloi me gjuhën shqipe të kohës, librat liturgjikë “Mesharin e të kremteve” (Romë, 1966) dhe “Rendorin e meshës me popull” Romë, 1973. Nga Gjeçaj në kohët e fundit janë botuar edhe “Libri i Psalmeve”, Shkodër, 1999 dhe “Lutjet e Përditshme”, në katër vëllime, Shkodër, 2006. Mësohet të ketë lënë në dorëshkrim edhe përkthime të tjera biblike.

Duket se filli lidhës i gjithë dokumentarit është kleriku dom Simon Filipaj, i cili duke përkthyer dhe botuar në vitin 1994 Biblën integrale në gjuhen standarde shqipe, plotësoi ëndrrën shekullore të të gjithë paraardhësve të tij. Dom Simon Filipaj (1925 - 1999) lindi në Kllezne të Ulqinit, në Mal të Zi. Gjatë qëndrimit si famullitar në Shën Gjergj të bregut të Bunës dhe Kllezne nga vitet ’66-‘99, iu përkushtua përkthimeve biblike dhe në vitin 1994, botoi veprën jetësore, “Biblën”, duke e kurorëzuar me sukses punën 40-vjeçare. “Në film, Filipaj, paraqitet si një intelektual me kulturë të gjerë albanologjike dhe kishtare, studiues i zellshëmi veprave të Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdani, Matrengës, Kristoforidhit, Fishtës, Mjedës etj, ia doli të krijonte një kryevepër përkthimore të letërsisë liturgjike shqiptare, duke i mishëruar të gjitha ngjyrimet e artit letrar”, - thotë Ukgjini. Xhirimet e dokumentarit janë bërë pothuajse në të gjitha vendet, ku përkthyesit vepruan, si dhe në Itali, ku u shkollua pjesa më e madhe e tyre.

Shekulli