UASHINGTON – Ekonomia shqiptare ndodhet përballë problemeve serioze. Ky është alarmi i dhënë nga institucioni më i rëndësishëm financiar ndërkombëtar. Në një raport të publikuar dy ditë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për gjendjen e ekonomisë së Shqipërisë, janë kritikuar problemet që kanë të bëjnë me krizën e vazhdueshme të sektorit energjetik dhe klima në të cilën ndodhet biznesi në vend. Për aq më tepër, Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve elektorale, të cilat pritet të rrisin ndjeshëm risqet për ekonominë. Dy ditë më parë FMN-ja publikoi edhe Strategjinë afatmesme të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë për periudhën 2007-2013, e përgatitur nga qeveria “Berisha”, si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit mes këtij institucioni dhe institucioneve tona financiare.
Problemet
Në raportin e publikuar dy ditë më parë thuhet se “Shqipëria ndodhet përballë sfidave ekonomike serioze, pavarësisht nga progresi që ka bërë vitet e fundit”. Sipas tij, disa probleme të rrënjosura thellë mbeten, sidomos në sektorin energjetik dhe me klimën e biznesit. Shqipëria vazhdon të jenë e fundit, krahasuar me vendet e rajonit përsa i përket pagimit të energjisë elektrike, e cila arrin një mesatare prej 50%. “Pa progres në këtë fushë, pozita financiare e KESH-it do të vazhdojë të ketë rrjedhje dhe do të jetë i pasigurt furnizimi me energji për ekonominë”, - thuhet në këtë raport. Sipas ekspertëve të FMN-së, kjo do të bëjë të vështirë edhe privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Edhe klima e biznesit nuk është e favorshme për shkak të shumë faktorëve. Ekspertët rendisin nivelin e lartë të korrupsionit, problemet e Gjyqësorit, por edhe mungesën e titujve të pronësisë.
Në vijim të konstatimit të sfidave për ekonominë shqiptare është edhe trendi global i rritjes së çmimeve. Aktualisht në Shqipëri ka një tendencë të ndjeshme të rritjes së importeve krahasuar me ekspertet. Duke iu referuar statistikave të dhëna nga autoritetet shqiptare, një deficit i tillë tregtarë do të sjellë ndikime të vazhdueshme negative në ekonominë shqiptare. Kjo rrezikon që të rrisë nivelin e inflacionit përtej kufijve maksimal të parashikuar. Raporti thekson se politikat buxhetore të shtrënguara duhet të zbuten.
Mes çështjeve që përbëjnë një rrezik për ekonominë shqiptare është edhe niveli i lartë i kreditimit, i cili është rritur në masën 30 për qind të GDP-së gjatë dy viteve të fundit. Kësaj situate u shtohen edhe problemet e pazgjidhura financiare ndërkombëtare dhe prania e madhe e bankave të huaja në Shqipëri. Ekspertët sugjerojnë që duhet të zgjidhet problemi i legalizimit të pronave, i cili do të garantonte kolaterale të sigurta për kredimarrësit.
Situata politike
Kur Shqipërisë i ka mbetur edhe një vit që të hyjë në zgjedhjet e reja parlamentare, situata konstatohet me probleme. Sipas raportit, ekziston një klimë politike plot kundërshti. Kjo rrezikon vazhdimin e politikave potencialisht jopopullore. Përkundër kësaj situate, ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e cila u bë në prill të këtij viti dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian në qershor të vitit 2006, kanë sjellë ndikime pozitive për ekonominë shqiptare.
Edhe institucionet financiare brenda vendit kanë dhënë sinjale të vazhdueshme për problemet që ekzistojnë në vend. Banka Qendrore ka raportuar në mënyrë konstante problemet. Rritja globale e çmimeve, inflacioni tej normale të lejuara për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe produkteve ushqimore, apo niveli i lartë i kreditimit vendosën ekonominë shqiptare përballë presioneve shumta gjatë 6 muajve të parë të këtij viti.
SFIDAT
Rritja globale e çmimeve të konsumit do të ndikojë drejtpërdrejt në situatën ekonomike të Shqipërisë për shkak të rritjes së importeve
Klimë e dobët për sipërmarrjen private, e cila vjen për shkak të pengesave që vijnë nga niveli i korrupsionit, Gjyqësori, titujt e pronësisë
Rritja e kreditimit nga bankat private shton rreziqet financiare. Situata do të përmirësohej nëse do të përfundonte me sukses procesi i legalizimeve
Kriza energjetike. Niveli i ulët i pagesës së energjisë do të përkeqësojë gjendjen financiare të KESH-it dhe do të sjellë një privatizim të pasuksesshëm
Burimi
Krijoni Kontakt