Shuhet ëndrra kosovare, anulohet miqësorja Kosovë-Brazil
Ndeshja e shumëpritur miqësore, ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe skuadrës olimpike të Brazilit, e parashikuar për t'u zhvilluar më 25 korrik në Gjenevë, ka dështuar. Një lajm të tillë e kanë konfirmuar dje drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës nëpërmjet një deklarate për mediat. "Me keqardhje ju njoftojmë se me gjithë dëshirën e madhe dhe përpjekjeve maksimale dhe të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve të krerëve të FFK-së, ndeshja aq shumë e dëshiruar nga ana e FFK-së, por edhe nga ana e futbolldashësve kosovarë ndërmjet përfaqësueses së Kosovës së përfaqësuese Olimpike të Brazilit,e parashikuar për datën 25 korrik në Gjenevë nuk do të zhvillohet. Ashtu siç është njohur opinioni i Kosovës, të hënën në FFK kishte arritur ftesa përmes ndërmjetësit për ndeshje ndërkombëtare Mark Biolli që njëkohësisht është dhe agjent i FIFA-s, për këtë ndeshje dhe FFK-ja kishte nisur të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë takim, megjithatë FIFA ka vonuar në përgjigjen e saj për lejimin zhvillimit të kësaj ndeshje. Më parë, për zhvillimin e ndeshjes kishte rënë dakord jo vetëm Brazili e Kosova, por edhe autoritet zvicerane që kjo ndeshje të zhvillohej në shtetin e tyre, ndërsa të enjten FIFA ka kërkuar edhe një konfirmim të ri nga ana e Brazilit dhe Zvicrës. Dhe për shkak të kësaj zvarritje të përgjigjes nga ana e FIFA-s, Brazili është detyruar që të gjejë zgjidhje tjetër, pra për një ndeshje tjetër miqësore dhe ka udhëtuar për në Singapor me qëllim të përgatitjes së më të mirë për në Olimpiadë, si domosdoshmëri që të ketë ndeshje kontrolluese para udhëtimin në Pekin. Në të vërtet, FIFA nuk e ka refuzuar zhvillimin e ndeshjes përkundër asaj që në shumë media serbe, është shkruar se FIFA e ka ndaluar zhvillimin e ndeshjes, por me zvarritjen e vendimit për këtë ndeshje, ka detyruar rivalin Brazilin që të gjejë një rival tjetër për ndeshje miqësore, duke mos qenë e gatshme për të pritur më gjatë", thuhet në deklaratën e FFK-së.
GAZETA SOT
Krijoni Kontakt