Mare nga gazeta, "TRIBUNA". E PERJAVSHME INFORMATIVE E PAVARUR, NE GJUHEN SHQIPE NE GREQI.
www.tribuna-news.com
Qiejt e ndjenjës
E diela poetike kushtuar poetit Bedri Hoxha
Nga Dashnor Selimi
Poezia është një rrjedhë shpirti, është rrjedhë e një çasti që lëviz brenda fantazisë me forcën e ngjyrave dhe në qetësinë e rrëmbimit.Vargu i kthyer takohet mes dëshirave të ylberta, në një galeri melankonike. Përjetimi ka lëshuar biskun e luleshpresës, aromën e ndjesore ku rishfaqet e konturuar pritja. Poeti nxjerr në pah shpirtin e bukur, i cili ka të drejtë të qëndrojë në një shtatore funksionale po të tillë. Poeti apelon për të kundruar me shikim dashuritë bindëse, apelon dhe mesazhon për frte të kujdesshme të dashurisë njerëzore. Kur afrohet diellëzimi, kur eklipsi i ngjyrave e prek thellë në skutat e dhimbjes, gëlltit buzë detit smeraldet në një çast lotët e heshtjes pasqyrojnë pamjet e s’mund të zbusin paradokset e jetës.
Këto ndenja i përjetoi dhe një ditë të diel, në një të diel poetike që Lidhja e Krijuesve “Dega e Blertë” ia kushtoi poetit të ri dibran Bedri Hoxha. Në atë ambjent modest e romantik të ngohtë e plot të papritura sytë të vinin kahera në një kënd të veçantë me poezitë e tregimet, me fotografitë në skenat e teatrit, e për të thyer disi këtë heshtje, shpirti të tallazitej kur dëgjoje atë zë të ëmbël të Bedritut që dilte nga sidija e nxjerrë dy vite më parë.
Ndodheshin në këtë “dasëm dibrane” emigrantë të thjeshtë të dashuruar pas artit të shkrurarit e të skenës, poetë e prozatorë, intelektualë e drejtues të ndryshëm shoqatash, drejtues të partive politike. Duke e marrë fjalën drejtuesi i Lidhjes së Blertë fabulisti Bujar Muçaj pasi falenderoi pjesëmarrësit ndërmjet të tjerave tha:
“Bedri Hoxhën mund ta quaj si poet i lirikave dashurore, por edhe të dhimbjes e të mallit. Do ta quaja poet që i këndon dashurisë pasi po të vësh re gjysmën e poezive të tij e rrok kjo temë, duke e ilustruar thënien time me një dyvargësh të arrirë, ku poeti thjesht e bukur pa shumë shtregime na e jep qart ç’është dashuria për të e për të tjerët.
Dashuria
Zjarri i një nate të herëshme
Që më djeg tani.
Më tej Muçaj do të arrinte në përfundimin se po ta vështrosh imtësisht poezinë e Bedriut do të shikosh se ai asnjëherë nuk shkëputet nga natyra e sidomos nga malet. Ishin ato male që e përcollën njomëzak nëpër dyert e shkollës, e më vonë rrugëve të dhimbëshme të kurbetit dhe ato male janë për poetin mbështetja siç ishte toka për Anteun. Do të njatjetohesh në vargjet e poezive të librit të tij të fundit “Tinguj që agojnë”, e të poezive të tjera të botuara në shtypin e Athinës, me Korabin, Qafën e malit, Bregun e Lumit etj. Drini i Bardhë do të përshëndes me shkumën e bardhë të ujvarave, e do të ftoi për një kafe në sofrën dibrane Grama e tij, nën prehërin e “Nandë Maleve”, pa harruar “Everestin e Ballkanit”, Olimpin, i cili na ka mbirë përditë në sy”:
Isha tek ti kalimthi
Në atë kupë të bardhë qiellore
Dhe piva një grusht ujë të ftohtë
Bashkë me Artemisën...
Në mbyllje të fjalës së tij Muçaj duke i uruar dhe ditlindjen që përkonte me ditën e poezisë së tij ka theksuar se :
“Kurba e poezisë tënde Bedri njeh vetëm ngjitje.Me poezinë tënde e meriton të ulesh në sofrën e poezisë, përkrah miqëve të tu poetë dhe “Tingujt që agojnë” lutemi me gjithë shpirt të nxjerrin të tjerë tinguj, pandërprerë, pandërprerë.
Më pas poeti i lirikave dhe sekretari i kësaj lidhjeje krijuesish Ziko Kapurani bënë portretin e poetit Bedri Hoxha nëpërmjet penelatave të ngjyera me epitete e metafora të merituara në ato pak vite njohjeje.
“Bedri Hoxha nuk është vetëm një vështrim poeti apo prozatori. Ai është një këngëtar i mirëfilltë, një aktor i mirë, për të cilin është folur pak. Portretin e Bedriut nuk mund ta përshkruash në qoftë se nuk i ke në duar të gjitha ngjyrat... Vargu i Bedriut sa vjen e kristalizohet, kthehet në rrjedhë ku ke qejf të ulësh kokën e të njomësh buzët e shpirtit... Ai nuk ka ngarkesa, nuk di që duke ecur rrugës, t’i hedhë kalit të vargut pesha të tjera përbi barrën e duhur. Vargu i ngjet një kali, ai është krenar, krifëkrehur, ka trok të bukur, revan, hingëllimë e turfullimë, por kjo kur zotëria e tij e mirëpërdor atë.”
Në mbyllje të sekuencave në skenën e teatrit në një komedi të Aristofanit fjalën e merr poeti dhe gazetari Dashnor Selimi i cili theksoi se:
“Qiejt e ndenjës janë ngatërrestarë. Ata gufojnë, emocionojnë e mbushin si të duan dhe kur të duan hapësirën e tyre me “re” të bardha kalimtare, shtungullore, me konfiguracione “kontinente e harta shtetesh”, trajta vendesh dhe objekte të çuditshme dhe herë herë edhe me skluptura resh, njerëzish, perëndish... i mbush ndjenjat eshpirtit kur ke lexuar shumë poezi të poetit Bedri Hoxha dhe mes këtyre emocioneve me motive lirike – dashurie, zëri i tij në këngë shpirti bashkohet ndjeshëm me endrrat që udhëtojnë në qiell dhe thua në vetvete:
Me mijra herë zotit i jam lutur,
kur do t’i shoh ata sytë e bukur...
Mes atyre syve zogjtë dhe malli
ndezin zjarret e braktisura në bjeshkët e largëta ,
por çfarë të jesh?!”
Të jesh lis të mos të tundesh,
Të jesh mal të presësh rrufetë.
Të jesh këngë të digjesh zërave
Të jesh zog e të çash retë...
Publicisti Aleks Janaqi e nisi fjalën e tij me një recitim me një zë të dridhur tepër emocionues:
Ti erë që fryn,vallë mos vjen prej malit tim?
Ti këngë që vjen prej buzëve të saj
Mos i shkund degët e manit tim?
Ti mollë e mbetur majës së degës,
Mos do kalosh dimrin gjer pranverës?
“Siç e shikojmë,- vazhdoi më tej Aleksi, - poeti Bedri Hoxha di të jetoj me qiejt e ndjenjës, por edhe na uli në fronin kujtimor, duke na bërë apel për rikthim. Edhe unë që s’jam poet s’kam si të mos pushtohem i tëri nga vargjet:
Shaminë e reve të trazuara,
mbi vetullën tënde hedh stuhia,
dhe malet përreth ulin kokën,
shkëlqim i bardhë i viteve të mia.
Menjëherë pas recitimeve të dy shokëve aktorë Kristinës dhe Dritanit do të futej në “vallen” e diskutimeve poeti dhe prozatori Edmond Shallvari.
“Bedriu i rrëmben çastin çastit dhe e vargëzon rrjedhshëm. Lexoj Bedriun dhe shijoj më tepër ujin, shikoj më madhështor malin, dëgjoj me oshetishem zhurmat e kohes, dashuroj më shumë dashurinë. Qenka universale magjia e takimit me vargjet, aq sa vetvetja më udhëton ne të shkuarën, shlodhet ne të sotmen dhe merr hov për të ardhmen. Në këtë poezi timen, je dhe ti, miku im Bedri”:
Takuar kemi qënë mijra vjet më parë
Gladiatorë fatkeq e fatmirë njëkohësisht
Rrethuar ulërimash spektatorësh te pafaj
Që vrasjen tone, urdhëronin me gisht...
Takuar do të jemi në vazhdim shekujsh
Me kohët e ngjashme, do tallemi o mik
Spartakë të penës kemi për të mbetur
Derisa të drejtohet, i përkuluri gisht!
Ai mban në dorë në portret dhe një fletore, i duket se hedh vështrimin tek djali i tij Bledi që këtë fund korriku do të mbushë plot dhjetë vite që mbeti dallgëve të detit. Ndoshta Thanas E. Llangozi thellë në shpirt përlotet dhe leximi një poezie që Bedri Hoxha ka shkruar për Bledin, e nxjerr nga ajo gjendje, me forcën e zërit të tij të paqtë tërheq vëmëndjen e auditorit.
Ti je larg detit,
Përballë në malin ku rri Zeusi...
Edhe në diskutimet e tyre shokët e tjerë të ftuar nga lidhja e poeti, si Urim Gjata, Dashamir Zaçe etj do të nxirnin në pah se me të vërtetë Bedri Hoxha e meriton të quhet një poet me taban e një këngëtar e aktor që nesër do të donim ta shihnim përkrah yjeve të skenës shqiptare.
Në emër të Lidhjes “Dega e Blertë” poetit Bedri Hoxha ju dha një çertifikatë nderi dhe dy simbole të derdhura në bronx e alabastër, të Pegasit dhe Diogjenit. Trupa e teatrit të emigrantëve që përbëhet nga aktorë të nëntë vendeve të ndryshme solli tortën me qirinjtë e ndezur të 33 viteve. Me këtë rast dhe nëpërmjet gazetës i urojmë Bedri Hoxhës krijimtari të mbarë e jetë të gjatë.
E Premte, 25 Korrik 2008
Krijoni Kontakt