Vënia nën akuzë e dhjetë minoritarëve grekë nga ana e drejtësisë shqiptare, ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe tepër të ashpër të organizatës greke “Komuniteti i Himarës”. Nëpërmjet një deklarate për shtyp të shpërndarë ditën e djeshme, ata e cilësojnë të padrejtë marrjen e si të pandehur nga Prokuroria e Vlorës, duke pretenduar se i vetmi “faj” i tyre është “sepse ata janë grekë”. Në këtë kontekst, këta të fundit fajësojnë drejtësinë dhe organet e Rendit në Himarë, për dhunë sistematike ndaj minoritetit, çka sipas kësaj shoqate greke, ka për qëllim “zhdukjen e elementit helen nga vatrat amtare”. Referuar mandej edhe çështjeve gjyqësore të hapura gjatë viteve të fundit ndaj minoritarëve dhe në veçanti ndaj kryebashkiakut Vasil Bollano, kjo shoqatë me Drejtor Ekzekutiv, Stavri Markon dhe Kryetar të Këshillit Drejtues, Theodhori Bollano,
arrin në konkluzionin se “Shqipëria është një shtet terrorist”. Greqishtfolësit e Himarës deklarojnë se “këto veprime përbëjnë një pjesë të një plani të gjerë terrorizimi, shkeljes së moralit dhe paralizimit metodik ekonomik”. Ky plan sipas tyre, tregon se “Shqipëria, vendi që do të integrohet në BE dhe është prej dje anëtar i NATO-s, me bekimin e Greqisë, shfaq edhe njëherë se nuk meriton të jetë pjesëmarrëse në institucionet euroatlantike, për arsye të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, si ato të lirisë së fjalës, të vetëpërcaktimit (të kombësisë) si dhe të pronës”. Në mbështetje të këtij pretendimi jepen edhe argumentet, mbi të cilat çojnë në këto konkluzione sipas komunitetit greqishtfolës të Himarës. “Kujtojmë se prej vitit 2003 janë akoma pezull çështjet gjyqësore të pesë bashkatdhetarëve tanë, për arsye se kryen një miting proteste pro zgjedhjeve të ligjshme. Prej vitit 2006 janë pezull çështjet gjyqësore të dy bashkatdhetarëve tanë se protestuan kundër ndërprerjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Sivjet, kryebashkiaku i Himarës pret të gjykohet për arsye se ushtroi në mënyrë të ligjshme detyrat e tij në kufijtë e Bashkisë së tij”, thuhet në këtë deklaratë. Për këtë arsye, ata i bëjnë thirrje popullit grek “të qëndrojë përkrah himarjotëve, në mënyrë që të mos lejohet çrrënjosja e helenizmit nga Vorio Epiri”. Ndërkohë që në një apel drejtuar organizmave ndërkombëtarë, ata kërkojnë “të ndërhyjnë me këshillime dhe të ndihmojnë që Shqipëria të shndërrohet në një shtet modern europian”.
Kush është “Komuniteti Himarjot”
Shoqata “Komuniteti Himarjot” ka në përbërje të saj shtetas shqiptarë greqishtfolës, të cilët pretendojnë se Himara është tokë greke. Kjo shoqatë ka qenë mjaft aktive me thirrjet e saj antishqiptare për autonominë e Vorio-Epirit dhe drejtohet nga Theodhori Bollano, një familjar i afërt i kryebashkiakut Vasil Bollano. E habitshme është sesi të gjitha shoqata që bëjnë thirrje antikushtetuese dhe me program të përcaktuar qartë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, vijojnë të regjistrohen nga gjykatat shqiptare në kundërshtim të hapur me ligjin themeltar të shtetit.
Tedi Blushi - Gazeta Shqiptare
***********
Terroriste jane organizata te tilla qe bejne thirrje te hapura per copezimin e Shqiperise. Ju lumte se kane gjetur shtetin shqiptar, se do isha kurioze ne cilin vend te botes mund te rregjistrohen organizata te tilla!
Krijoni Kontakt