(Nga Gazeta Standard)
Gabime trashanike, sipas historianëve, kanë ndodhur në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Sipas provimit të Historisë, themelues i Principatës së Arbrit ishte Balsha i Dytë, ndërkohë që baza ligjore e Lidhjes së Prizrenit ishte Kushtetuta?! Maturantët e mirë humbasin apriori 50-70 pikë për shkak të gabimeve të ministrisë.
Një provim me gabime skandaloze, sipas historianëve, kanë pasur përpara duarve të tyre maturantët që kishin zgjedhur Historinë gjatë ditës së djeshme. Pyetje të gabuara dhe përgjigje edhe më të gabuara ka pasur kjo lëndë, ndërkohë që dje Ministria e Arsimit, publikoi “çelësin” e zgjidhjes së testit. Dy pyetje me gabime trashanike, sipas historianëve, u janë servirur maturantëve, në pritje të një përgjigjeje, që nuk ekzistonte.
Dy shekuj diferencë
Pyetja e parë ka të bëjë me pyetjen numër 1 në variantin B të provimit dhe pyetjen numër 7 të variantit A, që u kërkon maturantëve themeluesin e Principatës së Arbrit. Por, jo vetëm që çelësi i provimit është i gabuar, por përgjigja e saktë nuk ekziston ndër alternativat. Zgjedhjet për maturantët janë: Gjini, Dhimitri (dy djemtë e themeluesit), Balsha II dhe Skënderbeu. Ndërkohë, çelësi i përgjigjeve nxjerr si themelues të Principatës së Arbrit Balshën e Dytë.
“Kjo është absurde, është gabim i patolerueshëm, – thotë për “standard”, profesori i historisë, Kasem Biçoku – themelues i principatës së Arbërit ishte Progoni në vitin 1190”.
Por gafa më e madhe në këtë mes është se Balsha i Dytë ka jetuar dy shekuj pas themelimit të principatës së Arbrit, e gjithsesi, mësuesit e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit, kanë vendosur që ai ishte themeluesi i kësaj principate.
Kushtetuta (?!) e Lidhjes së Prizrenit
Lidhja e Prizrenit ka pasur Kushtetutë. Ky nuk është një përfundim historik, por është vendimi i hartuesve të testit. Pyetja në fjalë parashtrohej: Programi bazë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka hyrë në histori me emrin: A) kushtetuta B) akti i pavarur C) akti i vendimeve D) akti i autonomisë. Në çelësin e përgjigjeve që publikoi ministria, varianti i saktë ishte varianti A, pra kushtetutë.
“Edhe kjo përgjigje është e gabuar” – saktësoi prof. dr. Kasem Biçoku. “Nëse i referoheni vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërisë, së Akademisë së Shkencave, në faqen 157 do të gjeni se i vetmi akt që ka dalë nga Lidhja e Prizrenit nga ato që ishin parashtruar në pyetje ishte akti i vendimeve. Shqipëria nuk ka pasur kushtetutë në shekullin XIX”.
Reagimi: Janë për t’u diskutuar
Tentativa për të kontaktuar me telefon me zyrtarë të ministrisë nuk rezultoi e suksesshme. Ndërkohë që drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve tha për gazetën se këto janë tema për t’u diskutuar. “Unë nuk e di nëse janë gabim apo jo këto pyetje, por gjithsesi, çdo gjë është për t’u diskutuar”, – deklaroi ai, duke thënë se mësuesit e fushës duhet të verifikojnë çdo ankesë.
Por për maturantët, dy pikët e humbura në këto përgjigje, janë 50 pikë kur vjen fjala për shkollat e larta, pa marrë parasysh koeficientët. E kjo, i lë ata “50 hapa” pas konkurrentëve të tjerë që kanë zgjedhur Anglishten ose Gjeografinë si lëndë me zgjedhje e nuk kanë pasur probleme të këtij lloji.
Shenim i Lioness: Ndoshta kjo teme duhej te vendosej te Problematika Shqiptare, por e solla ketu sidomos per te apasionuarit e historise.
Krijoni Kontakt