Shekulli 11 Korrik, 2008
Pjesa e padukshme e diktaturës
Nga BASHKIM MUÇA
Projektligji, që po përflitet, për pastërtinë e figurës së funksionarit nuk është punë spiunësh. Nuk është as punë pastrimi i politikës së bërë pis, e as përpjekje për t’u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara e hidhur. Sa më shumë i largohemi vitit 1944, aq më e pakuptueshme bëhet përfshirja e këtij viti në një projektligj që ka të bëjë me administratën e sotme. Një i sapolindur në vitin 1944, ligjërisht, sot do të ishte pensionist.
Trajtimi i së kaluarës, kur bëhet fjalë për persona, është shumë i komplikuar. Pyetja e parë që shtrohet akoma pa lexuar asnjë variant të projektligjit, është se ku duhet të fillojë e ku duhet të mbarojë përgjegjësia, d.m.th., cilët pozicione të së kaluarës duhet të jenë subjekt i këtij ligji? Pasi ke lexuar njërin prej varianteve kryesore (kujtojmë se janë paraqitur 5 variante) të propozuar nga radhët e shumicës dalin plot pyetje:
(Varianti: Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, Sekretar i Parë ose i Dytë i Komitetit të Partisë së Rrethit, Kryetar ose zv. kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike; b) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991; c) Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, Oficer Madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, si dhe Kryetar Dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit; d) Bashkëpunëtor, si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja apo të organeve analoge; e) I dënuar me vendim të formës së prerë, për krimet kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rremë në procese politike speciale; f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit, si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale; h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike).
Përse, p.sh., duhet që subjekt i ligjit të jetë një ish-kryetar komiteti në një rreth dhe jo një sekretar i një organizate bazë partie në një institucion qendror? Përse të jetë një ish-zv/kryetar komiteti ekzekutiv në bazë e jo një ish zv/ministër? Përse të mos përfshihen në këtë ligj ish-deputetët e PPSH-së që kanë ngritur në sistem funksional të gjithë politikën e kësaj partie? Përse të mos përfshihen ish-diplomatët që kanë qenë pjesë e politikës izoluese? Përse të mos përfshihen ish- drejtorët, kryeredaktorët dhe redaktorët e TVSH-së, si dhe të paktën gazetave “Zëri i Popullit” apo “Bashkimi”, që kanë qenë pjesa më aktive e makinerisë propagandistike komuniste? Përse të mos përfshihen drejtuesit e lartë të ish-levave të PPSH-së, Bashkimeve Profesionale, Frontit Demokratik, Lidhjes së Shkrimtarëve, Bashkimit të Rinisë dhe Bashkimit të Gruas, Kinostudio “Shqipëria e Re” etj.? Përse… sa të duash.
Në vijim duhet qartësuar se cilat quhen procese politike speciale dhe procese politike jo speciale? Cilët janë rastet kur funksionarët kanë dhënë dorëheqjen në mënyrë publike (me siguri këtu fshihet ndonjë emër për t’u shpëtuar)? Si duhen trajtuar rastet e atyre që kanë qenë ish-të burgosur e janë rekrutuar me presion si agjentë të Sigurimit të Shtetit? Po ashtu, si duhen trajtuar rastet kur personat, funksionet e të cilëve janë subjekt i ligjit, janë burgosur politikisht? Në veçanti, rasti kur personat janë dënuar për dëshmi të rreme në gjyqe politike speciale është kontradiktor me vetë esencën e këtij ligji.
Po të shikosh sfondin politik të projektit, kupton se propozuesit kanë dashur të prekin me ligj disa nga protagonistët kryesorë të tranzicionit, nga radhët e opozitës së sotme, edhe pse shumica e tyre janë në përfundim të karrierës. Projekti është krejt selektiv qëkurse përjashton ish-deputetët, ish-funksionarët e mjeteve të propagandës dhe ish-levat e PP-së, me qëllim për të “shpëtuar” disa figura të njohura publike, apo disa funksionarë të lartë të administratës së sotme ose diplomatë, mbështetës të partisë në pushtet.
Nga një ligj i tillë do të prekeshin direkt ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-kryetarë parlamenti, ish-ministra, ministra aktualë të ardhur nga e majta, e plot të tjerë. Do të prekeshin p.sh., ish-kryeministri dhe deputeti i sotëm Fatos Nano, si ish-kryeministër, ose si ish-zv/kryeministër, ose si ish-anëtar i Këshillit Presidencial, ose si ish-sekretar i Përgjithshëm i KM, të gjitha këto funksione para 31 marsit 1991; ish-presidenti Rexhep Meidani, si ish-anëtar i Këshillit Presidencial, pas 22 shkurtit 1991; ministri aktualë Lefter Xhuveli dhe këshilltari i Bashkisë së Tiranës, Kiço Blushi, për të njëjtën arsye; ish-kryeministri dhe deputeti i sotëm Ylli Bufi si ish-ministër i Industrisë Ushqimore pas korrikut të vitit 1990; ish-kryetari i Parlamentit, zv/kryeministri dhe kryetari aktual i PSD, Skënder Gjinushi, si ish-ministër i Arsimit dhe ish-deputet, në fund të viteve ‘80-të; ish-Guvernatori i Bankës, Shkëlqim Cani si ish-zv/kryeministër; më tej, ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, si ish-ministër i Shëndetësisë; ish-ministri i Kulturës, Moikom Zeqo, si ish-Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve; Profesor Aleks Luarasi si-ish sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, të katër këto të fundit, pas 31 janarit 1991; funksionari i lartë i PS-së, aktualisht Sekretari i Asamblesë së saj, njëkohësisht deputeti Gramoz Ruçi, si ish-sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit dhe si ish-Ministër i Brendshëm para 31 marsit 1991, etj.
Paradoksi është kur shikon se bëhet një projekt që prek drejtpërsëdrejti edhe disa politikanë të cilët pasi “kanë mbaruar punë”, pasi kanë mbushur xhepat dhe plotësuar moshën e pensionit, bëhen subjekt i një ligji që i ndalon të bëjnë karrierë për më tej!
Projektligji për pastërtinë e figurave, ashtu siç është servirur, e vendos Shqipërinë pothuajse në të njëjtat kushte si në vitin 1995, ku u miratua një ligj i ngjashëm, që në thelb kishte goditjen e opozitës. Fati i atij ligji, dihet. Sapo të majtët erdhën në pushtet e amenduan, duke hequr pjesën e politikës e duke lënë atë pjesë që kishte të bënte me organet e dhunës në diktaturë. Ndalimi me ligj i kundërshtarëve politikë, për të qenë pjesë e administratës, pasi i ke lejuar 16 vjet ta bëjnë një gjë të tillë, tingëllon më shumë sesa budallallëk. Nëse do duhej dënuar në themel e kaluara, apo diktatura do të duhej një ligj me vetëm një nen, sipas të cilit, përveç funksionarëve të lartë, të prekeshin të gjithë ata që kanë qenë komunistë, ose spiunë, pa përjashtim. A është e mundur kjo? Sigurisht që jo, përderisa protagonisti kryesor i politikës shqiptare është ish-sekretari i një organizate të PP, Sali Berisha.
Kjo është maja e ajsbergut. Pjesa për të cilën të gjithë duan të dinë, është pjesa akoma e panjohur, ajo e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Në kushtet e ekzistencës së një shumice parlamentare, të kompromentuar me të kaluarën, maksimalja që mund të arrihej do të ishte hapja e dosjeve, d.m.th., publikimi i emrave të ish-bashkëpunëtorëve të Shërbimit Sekret komunist (as dosjet nuk ekzistojnë, por vetëm lista e emrave), të paktën për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e administratës shtetërore, që nga nëpunësi i thjeshtë deri tek Kryeministri e Presidenti, ose publikimin e listave për të gjithë pa përjashtim. Përfaqësuesit kryesorë të sistemit të kaluar dihen publikisht, duke filluar që nga ish-diktatori dhe ish-bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ish-administratorët e lartë, organet e drejtësisë në qendër e në bazë, drejtuesit e komiteteve të partive dhe atyre ekzekutive në rrethe etj. Shoqëria është e interesuar të dijë pjesën e panjohur të së kaluarës së saj.
Zbulimi i pjesës së padukshme të diktaturës do të ishte hapi i parë madhor që do të korrigjonte raportet e shoqërisë së sotme shqiptare, më të kaluarën e saj. Por që të realizohet ky zbulim, duhet uruar që ishalla Sali Berisha nuk ka qenë bashkëpunëtor i ndonjë shërbimi sekret!
Krijoni Kontakt