Zhdukja e Historisë, aspekt i genocidit: Nano si Karaxhiçi

nga Kastriot Myftaraj


32 shekuj më parë, grekët, pas një lufte që ka mbetur e famshme, pushtuan qytetin me emrin Trojë. Për shkaqet e kësaj lufte dhe për ato që ndodhën gjatë saj, ne sot kemi njohuri vetëm nga burimet greke. Grekët, pasi e pushtuan qytetin e dogjën atë dhe shkatërruan çdo dëshmi të shkruar të lënë nga trojanët. Prandaj ne sot njohim vetëm versionin grek të shkakut të kësaj lufte, atë se princi trojan Paridi rrëmbeu Helenën, gruan e mbretit grek të Spartës, Menelaut dhe kështu filloi lufta. Grekët u kujdesën që ne mos ta marrim vesh se cili qe versioni i trojanëve për fillimin e luftës dhe historia trojane në përgjithësi.

Sigurisht që grekët pasi e pushtuan Trojën morën si skllevër pjesën më të madhe të popullsisë së saj, duke përfshirë dhe njerëz të ditur. Por, grekët, me këta njerëz nuk u sollën si romakët, që kur pushtuan Greqinë, grekët e ditur që morën si skllevër në Romë, u krijuan kushte të shkruajnë libra për historinë e Greqisë, sipas dëshirës së tyre. Grekët u sollën me trojanët e ditur si Mao Ce Duni që i vinte dijetarët të punonin në orizore gjatë Revolucionit Kulturor.

Episodi i treguar më sipër i luftës greko-trojane mund të cilësohet si shembulli i parë i inxhinieringut njerëzor në histori. Që prej asaj kohe pushtuesit e egër janë përpjekur që të zhdukin historinë e e popujve të nënshtruar. Se përse bëhet kjo gjë, që nga kohët e lashta e deri më sot, këtë e ka shpjeguar bukur Milan Kundera në librin e vet «Libri i të Qeshurës dhe Harresës», ku shkruan:

«Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe».

Ky fragment nga libri i Kunderës m’ u kujtua kur erdha në dijeni nga media për marrëveshjen e fshehtë midis qeverisë shqiptare të kryesuar nga Nano dhe qeverisë greke për rishkrimin e teksteve të historisë shqiptare sipas shijes së grekëve. Kundera e thotë saktë se zhdukja e historisë është pjesë e teknologjisë së genocidit për zhdukjen e kombeve, pjesë e së cilës janë kampet e përqendrimit ku u bë Holokausti, si dhe zyrat e historianëve ku shuhet historia një kombi dhe shpiket një e re. Në thelb, Nano me këtë marrëveshje ka bërë të njëjtën gjë si Radovan Karaxhiqi, pra ka bërë genocid. Ndryshimi është vetëm në metodologji, por objektivi është i njëjtë, zhdukja e një kombi.

Marrëveshja, të cilën Nano nuk e pa të arsyeshme t’ ua bënte të ditur shqiptarëve, u dekonspirua nga një deklaratë e ministres greke të arësimit që saktësoi se ato që duhen ndryshuar janë tekstet shqiptare të historisë. Kur bëhet fjalë për marrëveshje të fshehta ndërqeveritare, mbresat janë të rënda. Njeriut menjëherë i vijnë në kujtesë «Pakti Molotov-Ribentrop» i 1939 apo Traktati i Fshehtë i Londrës i 1915. Natyrisht, këto kanë qenë marrëveshje të coptimit të territoreve nacionale dhe genocidit, prandaj u mbajtën të fshehta. Me siguri është hera e parë që në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore botërore mbahet e fshehtë një marrëveshje e arritur mes ministrive të arsimit, siç ka ndodhur në rastin shqiptaro-grek. Duket qartë se të dy palët nënshkruese e kanë pasur të qartë se po kryejnë një akt kriminal, po aq të keq sa edhe marrëveshjet e fshehta për coptimin e territoreve nacionale dhe dëbimin e popujve. Sepse, siç thotë Kundera, fshirja dhe rishkrimi i historisë është hapi i parë në likuidimin e një populli.

Por nuk është vetëm nobelisti Kundera që ka folur kështu. Të shumtë kanë qenë njerëzit e mëdhenj që na kanë treguar lidhjen organike midis njeriut dhe historisë. G. Burdeau thotë: «Njeriu është histori e absorbuar, histori e mishëruar në qënien e tij». (G. Burdeau: «Methode de la Science Politique», «Dalloz», Paris 1959, f. 121-123.

Johan Gottfried Herder shkruante: «Historia është një gjeografi që vazhdohet». Gati të bëhet të besosh se Herder kishte ndërmend marrëdhëniet shqiptaro-greke kur e tha këtë frazë. Ndoshta, në asnjë rast tjetër, kjo sentencë filozofike nuk përshtatet aq mirë sa në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Fqinjësia, së paku 32-shekullore, mes shqiptarëve dhe grekëve, e imponuar nga gjeografia, ka prodhuar një histori aq konfliktuale sa që grekët kërkojnë që ta rishkruajnë sot, sipas shijes së tyre, çka do të thotë se konflikti historik është duke marrë një përmasë të re. Që fajtorët për këtë konflikt janë grekët, kjo provohet nga fakti i thjeshtë se grekët nuk arrijnë që të gjejnë një tentativë të vetme të shqiptarëve për të pushtuar tokat greke, gjatë kësaj periudhe shumë të gjatë. Prandaj grekët janë kapur pas sulmit që Italia fashiste i bëri Greqisë në 1940, duke i fajësuar shqiptarët si agresorë.

Në fakt, ka një arsye për të cilën ne shqiptarët duhet që ta rishkruajmë historinë sa u përket marrëdhënieve me Greqinë. Kjo arsye është se ne shqiptarët, me sa duket, ende nuk e kemi rrokur ashtu siç duhet peshën e faktorit grek në mbetjen e shqiptarëve si një popull i coptuar, i varfër dhe i prapambetur. Ciceroni dikur thoshte se historia është «magistra vitae», domethënë «mësuese e jetës». Henry Kissinger flet për «prirjen e historisë për të përsëritur vetëveten» («Diplomacia», f. 195, botimi shqip).

Sikur t’ i kombinosh sentencat e këtyre dy njerëzve të mëdhenj të kohëve të ndryshme, do të arrish në përfundimin se historia ka prirjen përsëritet tragjikisht kur nuk nxirren mësime prej saj.

Kjo fjali mund të cilësohet si epigrami shpjegues i marrëdhënieve shqiptaro-greke që nga Lashtësia deri në ditët e sotme. Gjatë 25 shekujve të fundit grekët kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë, që fqinjët e tyre shqiptarë (në Lashtësi paraardhësit tanë ilirët) të mbeten të prapambetur, të coptuar, të varfër, në mënyrë që të sundoheshin dhe të shfrytëzoheshin prej grekëve.

Dikush mund të thotë se përse nuk qenë shqiptarët (ilirët) ata që u zhvilluan para grekëve, çka do t’ u mundësonte që të ndërroheshin rolet. Shpjegimi këtu është tek sentence e Herderit se historia është vazhdim i gjeografisë. Pas Luftës së Trojës, si rezultat i dyndjeve të fiseve barbare, Greqia u shkatërrua dhe u fut në atë që njihet si «Koha e Errët» (shekujt XI-VIII para Krishtit, kohë kjo kur në Greqi u zhduk shteti, zejet, arti, shkrimi etj.

Në shekullin VIII qenë vozitësit fenikas ata që erdhën në brigjet greke dhe sollën atje qytetërimin, duke filluar nga shkrimi tek zejet e ndryshme, përfshi vozitjen. Por grekët nuk u treguan aq bujarë sa fenikasit dhe nuk i ndanë këto të mira me fqinjët e tyre, por deshën t’ përdorin për t’ i nënshtruar dhe shfrytëzuar fqinjët e tyre, të cilëve u dhanë emrin «barbarë», që me kalimin e kohës e shtrinë tek të gjithë jogrekët.

Fqinjët e parë që grekët e lashtë kërkuan të nënshtrojnë dhe shfrytëzojnë qenë ilirët. Grekët kapën qytetet që qenë pikat-kyçe të bregdetit ilir dhe ndërtuan atje kolonitë e tyre, Durrësin, Lezhën, Apoloninë, Orikumin, Ulqinin etj. Grekët, me anë të flotave të tyre, vunë nën kontroll detin dhe i ndalonin ilirët që të merreshin me lundrim. Kur ilirët tentonin që ta bënin këtë, grekët i etiketonin si piratë. Prej këtej emir i keq i detarëve ilirë në Adriatik dhe Jon.

Synimi i grekëve kur u ngulën në bregdetin ilir ishte që ta përdornin Ilirinë si një treg ku ata të shisnin me çmime të larta prodhimet e tyre të përpunuara dhe të blinin me çmime të ulta lëndë të parë. Gjithashtu grekët donin të merrnin në Iliri skllevër për t’ i përdorur si krahë punë pa pagesë në Greqi. Duke pasur këto synime, grekët sigurisht që donin që ilirët të mbeteshin të përçarë, mos të ndërtonin shtet solid, sepse ky shtet do t’ i jepte fund dominimit ekonomik grek në Iliri që ishte parakushti për zhvillimin ekonomik dhe në çdo rrafsh tjetër të Ilirisë.

Në shekullin III para Krishtit, kur filloi të fuqizohej Mbretëria e Ilirisë, kjo e pa qartë se shteti ilir nuk mund të zhvillohej dhe fuqizohej pa i dhënë fund dominimit të bregdetit ilir nga kolonët grekët, të cilët kontrollonin dhe ekonominë ilire, duke qenë se kontrollonin detin dhe nuk e lejonin Ilirinë të bënte tregëtinë sipas interesit të vet. Prandaj, Agroni dhe Teuta, njëri pas tjetrit, hynë në luftë me kolonitë greke të bregdetit ilir, çka shkaktoi dhe luftën e Ilirisë me Romën, për shkak se kjo e fundit u doli në mbrojtje kolonive greke.

Kur historia harrohet, ajo ka prirjen që të përsërisë vetëveten tragjikisht. Sot Shqipëria gjendet në të njëjtën situatë në të cilën gjendej Iliria në shekullin III para Krishtit. Greqia e kontrollon ekonomikisht dhe e shfrytëzon Shqipërinë, siç bënin dikur fuqitë europiane me kolonitë afrikane. Qindra mijëra shqiptarë punojnë në Greqi, në kushte vetëm fare pak më të mira se ato të skllevërve të Lashtësisë.

Dikur skllevërit punonin pa pagesë, ndërsa sot Greqia u jep këtyre «skllevërve modernë» një pagesë, në mënyrë që ata t’ u çojnë disa pare familjeve të tyre në Shqipëri, që këto të fundit të blejnë mallrat greke që vijnë në Shqipëri. Kështu mbyllet cikli i qarkullimit të parasë nga grekët tek grekët dhe grekët nxjerrin një fitim të dyfishtë, duke mbajtur skllevërit e rinj në punë dhe duke shitur mallrat e tyre në tregun shqiptar. Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e lashtë. Depozitat greke të naftës gjenden në bregdetin shqiptar në ato vende ku 25 shekuj më parë gjendeshin depot e kolonistëve grekë.

Dikush mund të thotë se megjithatë Greqia po na mban me bukë, një slogan ky që me sa duket nga dalë nga zyrat speciale të Athinës. Sikur të bëhej një bilanc i saktë, me siguri që do të shihej se janë shqiptarët ata që kanë mbajtur me bukë një pjesë të madhe të grekëve gjatë 14 viteve të fundit, duke u shitur lirë punën e tyre dhe duke u blerë shtrenjtë mallrat e tyre. Para se Greqia të hynte në BE dhe pasi hyri vendet e pasura të BE nuk e shfrytëzuan, por e ndihmuan Greqinë në mënyrë që të rriste nivelin e vet, ndryshe nga ç’ po bën Greqia me Shqipërinë. Sikur Gjermania, SHBA, Franca dhe Britania e Madhe mos ta ndihmonin Greqinë e varfër pas Luftës së Dytë Botërore, port a shfrytëzonin atë, duke i paguar keq emigrantët grekë dhe duke e përdorur Greqinë si treg për mallrat e tyre të shitura shtrenjtë, me siguri që Greqia e sotme do të qe një vend shumë më pak i zhvilluar dhe i pasur.

Grekët janë sot një vend i zhvilluar dhe i pasur edhe për faktin se kanë mësuar nga historia e tyre, ndërsa ne jemi këtu ku jemi edhe për faktin se nuk kemi nxjerrë mësime nga historia jonë. Të potencosh rëndësinë e historisë nuk është kurrë një ekzagjerim. Henry Kissinger shkruan: «Historia nuk jep udhëzime, as analogji plotësisht të kënaqshme. Por historia të mëson me anë të shembullit». («Diplomacia», botimi shqip, f. 810.)

Në historinë tonë janë të shumtë shembujt që tregojnë se shqiptarët kanë pësuar tragjedi për faj të grekëve. Ne duhet të mësojmë nga historia duke i krahasuar këta shembuj me situatat e sotme, çka do të na bëjë të aftë për të kuptuar se ku po shkojmë. Charles V. Langlois dhe Charles Seignobos, në librin e tyre «Paraqitje e studimeve historike» (1898) dhanë idenë se historia si shkencë duhet të ketë si qëllim shpjegimin e realitetit. Sipas tyre historia nuk është thjesht një shkencë e vëzhgimit, por një shkencë e arsyetimit sesi të nxjerrim prej dokumenteve dhe rrëfimeve jo të plota disa koncepte të ndodhirave bashkëkohore.

Unë do të thosha se një komb mund të krahasohet me një nxënës të vogël që ndjek udhëzimet e mësuesit të vet, pra të historisë, sipas sentencës së Ciceronit. Hiqi historinë një kombi dhe është njëlloj sikur i ke hequr mësuesin një nxënësi të vogël. Këtë gjë kërkojnë që të bëjnë edhe grekët me ne shqiptarët. Ata duan të na privojnë nga Mësuesi i Jetës. Dhe këtë duan ta bëjnë, me atë dinakërinë e famshme greke, jo duke u thënë shqiptarëve që ta fshijnë krejt historinë, por duke u dhënë një histori të rreme, çka është njëlloj sikur t’ i japësh një nxënësi të vogël një mësues që t’i mësojë gënjeshtra. Kjo, sigurisht që është edhe më keq se në rastin kur ky fëmijë nuk ka mësues fare.

Arsyetimi që bëjnë grekët se janë duke bërë një gjë që precedentin e ka në marrëdhëniet franko-gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore, është një gjetje djallëzore, që për më tepër e zbulon qartë qëllimin e tyre të vërtetë. Gjermania ishte fajtore për dy agresione ndaj Francës në shekullin XX dhe asnjë analogji nuk mund të ketë me rastin shqiptaro-grek. Analogjia franko-gjermane që bëjnë grekët, është një gjë që duhet analizuar mirë, edhe për faktin se Greqia vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë që nga viti 1940, duke e akuzuar Shqipërinë si vend agresor që sulmoi Greqinë, në aleancë me Italinë fashiste. Atëhere del se, në analogjinë franko-gjermane të marrëdhënieve greko-shqiptare, për grekët, Shqipëria është «Gjermania», ndërsa Greqia është «Franca». Pra, idea e grekëvë është që, shqiptarët, që janë fajtorë për sulmin ndaj Greqisë, të ndryshojnë tekstet e tyre të historisë, pasi me sa duket koncepti i tyre për marrëdhëniet historike shqiptaro-greke, qenka bërë shkak që Musolini t’i shpallte luftë Greqisë në 1940 dhe kushedi se ç’ të këqija mund të sjellë në të ardhmen. Sikur kjo marrëzi mos të qe materializuar në një marrëveshje ndërshtetërore, do të qe thjesht për të qeshur. Por, problemi është se shqiptarët historikisht vetëm kanë qarë me marrëzitë greke.

Duke imponuar marrëveshjen e pabarabartë shqiptaro-greke për rishkrimin e historisë, grekët kërkojnë që me një gur të vrasin dy zogj. Edhe t’ i privojnë shqiptarët nga mësuesi i vet jetësor, historia, edhe të paraqiten para botës si të moderuar, ultramodernë etj., etj. Ironikisht, vetëm pak ditë pasi qeveria greke dekonspiroi marrëveshjen me qeverinë shqiptare për rishkrimin e historisë shqiptare, u krijua një situatë që zbuloi fytyrën e vërtetë të grekëve. Njohja prej SHBA-ve e shtetit maqedonas me emrin «Maqedoni», aq të kontestuar prej grekëve, ngriti një tërbim (Këtë fjalë kafshërore nuk e kam pëlqyer kurrë të përdoret për njerëzit, por në këtë rast e gjej të përshtatshme) të tmerrshëm në Greqi. Grekët, që duan t’ i mësojnë shqiptarët sit ë harrojnë ngjarjet historike konfliktuale, për veten e tyre nuk harrojnë dot se shteti me emrin Maqedoni është zhdukur 22 shekuj më parë dhe se ky emër tashmë është vetëm një emër historiko-arkeologjik.

Ne shqiptarët, jo vetëm që nuk duhet ta rishkruajmë historinë sipas shijes së grekëve, por duhet ta rishqyrtojmë historinë tonë për të zbuluar dhe evidentuar plotësisht se deri ku shkon impakti negativ i grekëve në zhvillimet shqiptare. Periudha të tëra historike të Antikitetit, Mesjetës dhe madje edhe kohëve moderne nuk janë studiuar aq sa duhet dhe madje përfundimet janë nxjerrë të pathelluara dhe të mangëta. Ne shqiptarët nuk duhet thjesht të shkruajmë historinë e vërtetë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, por edhe filozofinë e kësaj historie, që do të furnizojë me idetë e duhura politikën shqiptare sot, kuptohet linjat alternative me atë nanoiste.

Kur nuk është e tepërt të përsëritet rëndësia që ka historia. Robin George Collingwood, një nga autoritetet kryesore në metodologjinë e studimit të historisë dhe filozofinë e historisë, në librin e vet «The Ideal of History» e propozon historinë si një disiplinë në të cilën njeriu rijeton të shkuarën në mendjen e vet. Vetëm duke e zhytur vetveten në veprimet mendore pas ngjarjeve, duke rimenduar të shkuarën brenda kontekstit të eksperiencës tënde, mund të zbulohen modelet dhe dinamikat e qytetërimit.

Grekët janë një shembull i gjallë i kësaj që propozon Collingwood, duke qenë se ata e rijetojnë me aq shumë passion të shkuarën sa u duket se ekziston ende Maqedonia greke e Antikitetit, për aq sa ka qenë ajo greke. Kjo është njëlloj sikur ne shqiptarët, duke qenë pasardhës të ilirëve, t’ u kërkojmë kroatëve t’i ndërrojnë emrin Dalmacisë, meqë ajo ka qenë ilire.

Ne shqiptarët duhet të mendojmë seriozisht rreth kurthit të ri grek që gjendet brenda kësaj marrëveshjeje, ndryshe do ta pësojmë ashtu si trojanët dhe historia botërore do të shkruajë më vonë për dinakërinë e famshme të grekëve, që një herë u dhanë trojanëve kalin e drunjtë, ndërsa më vonë u dhanë shqiptarëve tekstet e historisë.

Për këtë cështje duhet të flasin të gjithë sepse historia është një gjë tepër e rëndësishme për ta lënë vetëm në dorë të historianëve. Në një sens të sigurt, politika është produkt i historisë. Grekët kërkojnë ta rishkruajnë historinë shqiptare në mënyrë që të ketë një simetri, një përputhje mes politikës së sotme të pushtetit nanoist të nënshtrimit ndaj Greqisë dhe një historie të shpikur të konceptuar si një «muaj mjalti» shumëshekullor shqiptaro-grek. Sot ka një diskrepancë (mospërputhje) mes historisë reale shqiptaro-greke dhe politikës aktuale të qeverisë shqiptare ndaj Greqisë. Këtë anomaly Greqia kërkon ta zhdukë duke rishkruar historinë shqiptare, në mënyrë që të zhduket rreziku që të ndryshojë politika shqiptare ndaj Greqisë.

George Orwel ka thënë se ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen. Unë do të shtoja se, është e kuptueshme që kontrollon dhe të ardhmen. Duke shuar historinë shqiptare, grekët kontrollojnë të shkuarën tonë dhe me këtë kontrollojnë edhe të tashmen tonë, pra edhe të ardhmen tonë. Dhe kur të na kenë zhdukur si komb, duke na asimiluar krejt, bota nuk do ta dijë të vërtetën, sepse ashtu si në rastin e Trojës, do të njohë vetëm versionin grek të së vërtetës, pra se dikur kanë ekzistuar disa shqiptarë që u kanë rënë në qafë historikisht grekëve dhe që një ditë u zhdukën.

Të bën përshtypje heshtja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndaj këtij skandali. A ndoshta duhej të bënte përshtypje kundërshtimi nga ana e Akademisë së Shkencave i marrëveshjes, për shkak se Greqia i ka marrë masat duke vënë në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popën, këshilltarin e Janullatosit. Po ashtu hesht Instituti i Historisë pranë kësaj Akademie, si dhe trupi pedagogjik i Fakultetit të Historisë.

E pra, siç e ka thënë bukur Kundera, shuarja e historisë së një populli është pjesë e procesit të zhdukje së tij. Pra, është një aspekt i genocidit. Genocidin ndaj shqiptarëve Greqia historikisht e ka bërë me zjarr e hekur, duke vrarë, dëbuar e asimiluar me qindra mijëra shqiptarë. Sot ky genocid vazhdon, duke iu fshirë shqiptarëve kujtesën historike, si pjesë e procesit të asimilimit. Dhe, nëse dikujt i duket si luks i madh që t’ i ushqesh njerëzit me histori, kur nuk kanë bukë, atëhere përgjigjia është se këta njerëz kanë mbetur të varfër e të mjerë se nuk janë ushqyer sa duhet me historinë, në mënyrë që të mësojnë se çka i ka lënë të mjerë e të varfër, në mënyrë që ta njohin të keqen që duhet të shmangin dhe të dinë ta gjejnë zgjidhjen që i shpëton përfundimisht.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që kryeministri Fatos Nano të sillet me ta si feudali rus Pliushkín, në «Shpirtra të vdekur» të Gogolit, i cili pasi shiti bujkrobërit e vet të gjallë, duke mos pasur më gjë për të shitur, shiti të vdekurit. Duke shitur tek Greqia historinë, të cilën e kanë bërë njerëz, që në pjesën më të madhe kanë dhënë jetën e tyre, që nga Mbretëresha Teutë tek Gramoz Palushi, Fatos Nano po përfiton njëlloj si Pliushkini, duke shitur gjëra që ai i quan shpirtra të vdekur.

Por për shqiptarët këta «shpirtra të vdekur» janë martirë nacionalë, që nga Mbretëresha Teutë e deri tek Gramoz Palushi. Tashmë kryeministri «Pliushkin» e ka mbushur përfundimisht kupën dhe është koha që të largohet si një «shpirt i vdekur» nga pushteti dhe Shqipëria të cilën ai nuk e quan atdheun e vet, derisa kur u kthye nga buzuqet e Greqisë ku kaloi zinë nacionale shqiptare, u shpreh se nuk bëri asgjë më tepër se gjimnazistët e Kosovës që vijnë në atdhe për të festuar, në fundjavë. Pra, atdheu i Nanos është Greqia dhe atje duhet çuar jo veç për fundjavë, por përfundimisht.