Urim publik për kryetarin e BDI-së, mikuntim Ali Ahmeti.
Si mik e bashkëluftëtar me Ju për çështjen shqiptare, besoj se më lind e drejta t’ju uroj për rezultatet e arritura nga BDI-ja ne zgjedhjet parlamentare dhe për pjesëmarrjen e partisë suaj në qeverisjen e shtetit të Maqedonisë.
Urime për fitoren! Punë të mbarë në qeverisje!
Këto fitore të BDI-së i festuam të gjithë. E festuan anëtarët dhe simpantizantët Tuaj në Maqedoni, e kanë festuar edhe gjithë shqiptarët, simpantizantë e miqt Tuajt jashtë kufijëve të shtetit Maqedonas.
Duke njohur vendosmërinë Tuaj kam bindjen se përfaqësuesit e BDI në të gjitha nivelet e pushtetit shtetëror do të kërkojnë pubikisht e do të insistojnë për të realizuar të gjitha të drejtat legjitime të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Maqedoni. Kam bindjen dhe këtë e mbështes në njohjen që kam për Ju gjatë situatave tepër të vështira që udhëheqësia politike e shtetërore e BDI-së do të jetë një faktor nxitës e determinues për njohje sa më shpejt nga Republika e Maqedonisë së Pavarësisë së Kosovës, që deritashmë është njohur nga shumica e shteteve më të fuqishme politikisht dhe ekonomikisht të Botës.
Shpresoj, besoj dhe kam bindjen në angazhimin dhe konsekuencën Tuaj për realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, duke pasur njëkohësisht prasysh edhe pengesat e veshtirësitë që do të hasni. Megjithatë, kur luftojmë për të drejtën, kur përpiqemi e sakrifikojmë për të marrë atë që na takon, gjithçka është e arritshme!
Edhe njëherë urime për fitoren e arritur në zgjedhje dhe për pjesëmarrjen Tuaj në Qeveri! Me bindjen që këto do t’i shërbejnë gjithë shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë!
Miku dhe bashkëluftëtari i Juaj,
Xhavit Haliti
Prishtinë, 07. 07. 2008
Krijoni Kontakt