Kjo ishte ideja e hedhur nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, lidhur me propozimin e biznesit për ngrirjen e kredive të këqija ose atyre në rrezik, për një afat 12 mujor. Ai theksoi se institucioni që ai drejton gjithmonë ka inkurajuar procese, të cilat rregullojnë bashkëpunimin e shëndetshëm në marrëdhëniet mes palëve dhe ka dhënë stimujt e nevojshëm për të krijuar likuiditet në treg. "Banka e Shqipërisë nuk ka ende një propozim formal nga biznesi për kreditë e këqija, por është e gjykimit se marrëdhëniet bankë-biznes janë marrëdhënie biznesi dhe gjithmonë ka inkurajuar proceset e rregullimeve, provigjonimeve dhe ristrukturimeve të bëra në bazë të një marrëdhënie të tillë biznesi, respekti reciprok dhe një përfitueshmërie të përbashkët", tha ai. Një javë më parë biznesi kërkoi ngrirjen e kredive të këqija dhe atyre në rrezik për një afat 12 mujor, si dhe ristrukturimin e kushteve të kredive ekzistuese e të atyre në vijim. Për këtë është gati edhe një platformë, e cila do t'i paraqitet bankave në vend. Lidhur me mundësitë që ekzistojnë për një marrëveshje guvernatori nuk komentoi konkretisht, por la të kuptohej se gjithçka varet nga palët. "Për këtë nuk ka një formulë të vetme zbatimi, por mendoj se do të vazhdojë të jetë një proces i drejtuar nga interesa dypalëshe dhe njëkohësisht në funksion të përfitimeve reciproke dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm të kreditimit në Shqipëri", vijoi më tej ai. Propozimi i biznesit për kreditë e këqija synon arritjen e një marrëveshjeje me bankat e nivelit të dytë në vend, por për këtë duhet "ok" i Bankës së Shqipërisë. Në thelb synohet që bankat të mos jenë të detyruara të mbajnë provigjone për kreditë, të cilat do të konsiderohen të ngrira. Kjo pritet të japë efekt në rritjen e kreditimit të disa sektorëve që konsiderohen si të aftë të kthejnë "borxhin", si dhe përmirësimin e kushteve të kredive të marra, që lidhen më shumë me normën e interesit dhe afatet e shlyerjes.
Kreditë e këqija
Kreditë e këqija po arrijnë pikun dhe Banka e Shqipërisë vlerëson se nuk do të ketë rritje të mëtejshme. Guvernatori Ardian Fullani, theksoi dje se shëndeti i bilanceve të bankave reflekton mundësi për alternativa pozitive. "Banka e Shqipërisë është shprehur se po arrijmë në limite të pikut të kredive me probleme, që do të thotë se janë shenjat e duhura pozitive për një rikuperim të këtij procesi. Kjo shihet edhe nga rregullimet përkatëse dhe gjendja reale e bilanceve të bankave dhe kompanive. Kjo shifër totale është 13 për qind", tha guvernatori. Por në kohën kur tendenca për kreditë me probleme vlerësohet të ketë prirje pozitive, vihet re se kreditimi në përgjithësi vijon të jetë në nivele të ulëta. Banka e Shqipërisë nuk ka kursyer herë pas here thirrjet ndaj bankave për të kredituar projekte biznesi, që në të ardhmen garantojnë kthimin e kredisë, por kjo nuk ka mjaftuar. "Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi mesatarisht 9.8%, duke qëndruar pranë normave të regjistruara në tremujorin e mëparshëm. Edhe pse situata e mirë e likuiditetit dhe përmirësimi i bilanceve të bankave kanë zgjeruar ofertën bankare dhe kanë shtuar hapësirat për rritjen e kreditimit, zhvillimet në kredidhënie vijojnë të jenë të moderuara", tha guvernatori. Ai theksoi se sipas analizave të BSH-së kërkesa e ekonomisë është ende e ulët, ndërsa numri i projekteve të vlefshme për të kredituar është ende i vogël.

Platforma e biznesit
• Shqyrtimin dhe mundësinë e ngrirjes së përkohshme për një periudhë disamujore deri në një vit të kredive të këqija, apo disa kredive, që pavarësisht se nuk kanë kaluar në kredi të këqija janë kredi të vështira për bizneset. Kjo kërkon negociata dhe partneritet me bankat.
• Shqyrtimin dhe mundësinë e ristrukturimit dhe të riskandencimeve të disa kredive, që biznese të ndryshme kanë marrë në disa banka tregtare. (Rinegocim i kushteve të kredidhënies). Numri i bizneseve që propozojnë një masë të tillë është i madh.
• Propozohet njëkohësisht rishikimi i përqindjes së normave të interesit, si dhe zgjatja e afateve të shlyerjes. Propozohet afërsisht e njëjta masë që propozoi dhe realizoi qeveria amerikane, apo Banka Qendrore Europiane për ekonomitë dhe vendet e krizës.
• Në bankat tregtare është evidentuar një rritje e ndjeshme e depozitave të popullatës dhe bizneseve private. Në krahasim me një vit më parë, depozitat pranë bankave sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, llogaritet të jenë rritur mbi 70%. Kjo do të thotë se sektori bankar që operoi me masa të forta në sistemin kredidhënës ndaj biznesit, ka kapërcyer situatën e vështirë ose është tërësisht në kapërcim të saj. Në këto rrethana propozohet të shqyrtohet mundësia e inicimit të një politike të re kreditimi me përqindje të ulëta të kredive edhe në disa sektorë që kanë perspektivë zhvillimi, por janë të pambështetur.

BSH: Të ardhurat nga emigrantët ranë më shumë se parashikimi
Rënia e të ardhurave nga emigrantët më shumë sesa pritej duket se ka ndikuar drejtpërdrejt edhe tek ritmet e rritjes së konsumit në vend. Banka e Shqipërisë vlerëson se ka një sërë faktorësh që favorizojnë rigjallërimin e konsumit në tremujorin e dytë dhe të tretë, por ritmet nuk varen prej tyre. "Rritja e pagës mesatare dhe e nivelit të punësimit, rritja e importit të mallrave të konsumit dhe përmirësimi i ndjeshëm i indeksit të besimit të konsumatorëve, mbështesin dhe sinjalizojnë për rigjallërimin e konsumit në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit", vlerëson Banka e Shqipërisë. Kjo në fakt zhbalancohet nga faktorë të tjerë. "Rënia e mëtejshme e remitancave dhe kontraktimi i kredisë konsumatore, rënia e indeksit të tregtisë me pakicë, si dhe rritja e prirjes së konsumatorëve për të kursyer, sugjerojnë se ritmet e rritjes së konsumit mbeten nën nivelin e pritshëm", thekson BSH. Shqipëria ka rritje ekonomike, por kjo nuk gjeneron punësim. Gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, vendi ynë ka pasur rritje të PBB-së, përkatësisht 2 për qind dhe 3.3 për qind, por kjo nuk është reflektuar në tregun e punës. Banka e Shqipërisë ka dalë në këtë përfundim që në fakt është lakuar mjaft nga Banka Botërore, e cila e konsideronte Shqipërinë si një nga rastet ku rritja ekonomike nuk ka dhënë ndonjë efekt mbi punësimin, duke gjeneruar shumë pak vende të reja pune. "Ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekono-mike duket se është i pamjaftueshëm për të prodhuar një përmirësim të qenësishëm në tregun e punës dhe në uljen e papunësisë", vlerëson BSH. Ajo thekson se papunësia në tremujorin e dytë të vitit ishte në nivele të pandryshuara 13.8%, edhe pse disa sektorë rritën aktivitetin e tyre dhe patën tendenca pozitive për punësimin. Banka e Shqipërisë vlerëson se dinamika e treguesve cilësohet si më pak inkurajuese, krahasuar me periudhën para tremujorit të fundit të vitit 2008. http://panorama.com.al/panorama/inde...omi&Itemid=419